REKABITËT
[të Rekabit].
Pasardhësit e kenitit Rekab nga Jehonadabi.—Jr 35:6; 1Kr 2:55.
Në kohën e Jehonadabit duket se disa rekabitë jetonin në mbretërinë veriore, pasi pikërisht atje Jehonadabi u bashkua me Jehun (që mbretëroi rr. 904-877 p.e.s.) për të luftuar kundër adhurimit të Baalit dhe ‘gjithë njerëzve të Akabit që kishin mbetur’ në Samari. (2Mb 10:15-17) Jehonadabi e urdhëroi familjen e tij (nuk dihet para apo pas takimit me Jehun) që të jetonin në tenda, të mos mbillnin as farë e as vresht dhe të mos pinin verë, sepse ishin të ardhur në atë vend.—Jr 35:6-10.
Nga fundi i mbretërimit të Jehojakimit (628-618 p.e.s.) disa rekabitë banonin në Judë. Pas sulmit të Nabukodonosorit, rekabitët shkuan në Jerusalem që të mbroheshin nga kaldeasit dhe sirianët. Me urdhër të Jehovait, Jeremia i çoi të gjithë rekabitët dhe udhëheqësin e tyre, Jazaniahun, në një dhomë ngrënieje në tempull. (Jr 35:1-4) Përderisa u futën të gjithë në një dhomë, ata nuk ishin shumë. Siç i kishte thënë Perëndia, Jeremia u vuri para kupa me verë dhe u tha: «Pini.» Për të mos shkelur urdhrin e paraardhësit të tyre, ata nuk pinë dhe thanë se ishin shpërngulur në qytet vetëm për shkak të ushtrive pushtuese.—Jr 35:5-11.
Jehovait i pëlqeu bindja e tyre plot respekt. Kjo bindje e patundur ndaj të parit të tyre ishte në kontrast me mosbindjen e judenjve ndaj Krijuesit. (Jr 35:12-16) Perëndia u premtoi rekabitëve: «Jonadabit, birit të Rekabit, nuk do t’i mungojë kurrë ndokush që të më shërbejë.»—Jr 35:19.
Pas mërgimit, në kohën e guvernatorit Nehemia, «Malkijahu, biri i Rekabit» meremetoi Portën e Togjeve të Hirit. Nëse ky Rekab është i ati ose paraardhësi i Jehonadabit, atëherë kjo është provë se rekabitët i mbijetuan mërgimit dhe u kthyen në atdhe. (Ne 3:14) Te 1 Kronikave 2:55 Hamati përmendet si ‘ati i shtëpisë së Rekabit’.