JAZANIAHU
[Jehovai ka mbajtur vesh].
Nga fundi i mbretërisë së Judës duket se ky emër ishte më se i zakonshëm; të katër burrat me këtë emër që përmenden në Bibël jetuan në të njëjtën periudhë të shkurtër. Ky emër shfaqet edhe në Letrat e Lakishit dhe në një vulë të zbuluar në Tell-en-Nasbeh ku janë gjetur fjalët «Jaʼazaniahu, shërbëtori [zyrtari] i mbretit». (The Biblical Archaeologist, 1947, f. 71) Megjithatë, nuk ka asnjë provë të drejtpërdrejtë që tregon se ky mbishkrim lidhet me ndonjërin nga individët e mëposhtëm.
1. Udhëheqës i rekabitëve të cilët profeti Jeremia i vuri në provë me urdhër të Jehovait duke i futur në një nga dhomat e ngrënies në tempull e duke u vënë para verë. Ata nuk e pranuan për të mos shkelur urdhrin që kishin marrë më shumë se dy shekuj më parë nga paraardhësi i tyre Jonadabi (Jehonadabi), biri i Rekabit. Prandaj Jehovai premtoi: «Jonadabit, birit të Rekabit, nuk do t’i mungojë kurrë ndokush që të më shërbejë.» Edhe i ati i Jazaniahut e kishte emrin Jeremia.—Jr 35:1-10, 19.
2. Bir i Shafanit; i vetmi që përmendet me emër mes 70 burrave në vegimin e Ezekielit duke paraqitur temjan para idhujve të gdhendur në tempullin në Jerusalem (612 p.e.s.).—Ezk 8:1, 10, 11.
3. Bir i Azurit; një nga 25 burrat që në vegimin e Ezekielit po qëndronin në portën lindore të tempullit të Jehovait. Jazaniahu me shokët e tij po ‘kurdisnin të keqen dhe jepnin këshilla të këqija kundër qytetit’, prandaj Perëndia e urdhëroi Ezekielin të profetizonte kundër tyre.—Ezk 11:1-4.
4. Një nga krerët ushtarakë të Judës gjatë periudhës së shkurtër menjëherë pas shkatërrimit të Jerusalemit nga babilonasit. Jazaniahu (Jezania, siç shkruhej shpesh emri i tij) ishte një nga ata që mbështeti me gatishmëri emërimin e Gedaliahut si guvernator. (2Mb 25:23; Jr 40:7, 8) Mendohet se bënte pjesë në grupin e ‘krerëve të forcave ushtarake’ që lajmëruan Gedaliahun se Ismaeli donte kokën e tij. Pasi Ismaeli e vrau, ata e ndoqën vrasësin dhe morën robërit. (Jr 40:13, 14; 41:11-16) Jezaniahu ishte një nga krerët që pyetën Jereminë si të vepronin më pas, por në vend që të ndiqnin këshillën e tij, i çuan në Egjipt ata pak që kishin mbetur. (2Mb 25:26; Jr 42:1-3, 8; 43:1-5) Ndoshta «Azariahu, biri i Hoshajahut» ishte vëlla i tij, por ka më shumë mundësi të ketë qenë Jazaniahu vetë.—Jr 43:2.