SENAKERIBI
[nga gjuha akadiane që do të thotë «Sini (perëndia-hënë) më ktheu vëllezërit»].
Biri i Sargonit II; mbret i Asirisë. Nga i ati trashëgoi një perandori të fuqishme, por pjesën më të madhe të mbretërimit u detyrua ta kalonte duke shuar kryengritje, sidomos në qytetin e Babilonisë.
Gjatë mbretërimit të të atit, Senakeribi duhet të ketë shërbyer si guvernator ose gjeneral në rajonin verior të Asirisë. Pasi hipi në fron, ky rajon me sa duket nuk i hapi shumë telashe; problemet i vinin kryesisht nga jugu dhe nga perëndimi. Kaldeasi Merodak-Baladan (Is 39:1) u largua nga Elami, ku e kishte syrgjynosur Sargoni, i ati i Senakeribit, dhe u vetëshpall mbret i Babilonisë. Senakeribi doli kundër Merodak-Baladanit e aleatëve të tij elamitë dhe i mundi në Kish. Por Merodak-Baladani ia mbathi dhe qëndroi në arrati edhe për tre vite të tjera. Senakeribi hyri në Babiloni dhe caktoi si mëkëmbës Bel-Ibnin. Më tej u ndërmorën fushata të tjera ndëshkimore për të mbajtur nën kontroll popujt në zonat kodrinore përqark Asirisë.
Pastaj, në atë që ai e quan «fushata e tretë», Senakeribi u sul kundër «Hatit», term që, me sa duket, asokohe i referohej Fenikisë dhe Palestinës. (Ancient Near Eastern Texts, nga Xh. Priçardi, 1974, f. 287) Kjo zonë ishte përfshirë në një revoltë të përgjithshme kundër zgjedhës asiriane. Ndër ata që nuk e kishin pranuar këtë sundim, ishte edhe mbreti i Judës, Hezekia (2Mb 18:7), ndonëse nuk ka prova që ai të ketë bërë ndonjë aleancë me mbretëritë e tjera kryengritëse.
Vitin e 14-të të mbretërimit të Hezekisë (732 p.e.s.), forcat e Senakeribit u vërsulën drejt perëndimit, pushtuan Sidonin, Akzibin, Akon e qytete të tjera në brigjet e Fenikisë, dhe pastaj shkuan në jug. Ndër mbretëritë që, nga frika, dhanë haraç në shenjë nënshtrimi, ishin edhe Moabi, Edomi dhe Ashdodi. Ashkelonin e pabindur, bashkë me qytetet fqinje të Jopës e Beth-Dagonit, i pushtuan me forcë. Në një mbishkrim asirian, populli dhe fisnikët e qytetit filistin të Ekronit akuzohen se ia kishin dorëzuar Padin, mbretin e tyre, Hezekisë, i cili, sipas Senakeribit, «e mbante të burgosur, në mënyrë të paligjshme». (Ancient Near Eastern Texts, f. 287; krahaso 2Mb 18:8.) Banorët e Ekronit thuhet se i kërkuan ndihmë Egjiptit dhe Etiopisë për të shmangur ose sprapsur sulmin asirian.
Bibla tregon se pak a shumë në atë kohë Senakeribi sulmoi Judën dhe rrethoi e pushtoi shumë nga qytezat e qytetet e saj të fortifikuara. Atëherë Hezekia i çoi fjalë mbretit të Asirisë në Lakish, se ishte gati të paguante çfarëdo haraçi që do t’i kërkonte Senakeribi. (2Mb 18:13, 14) Pushtimi i Lakishit nga Senakeribi paraqitet në një bordurë zbukurimi, ku Senakeribi është i ulur në fron para qytetit të mposhtur dhe pranon plaçkën e luftës, ndërkohë që disa robër torturohen.
Në Bibël nuk thuhet nëse mbreti Pad u lirua në atë kohë—në qoftë se vërtet ishte rob i Hezekisë—por tregohet se Hezekia pagoi haraçin që i vuri Senakeribi prej 300 talentash argjendi (rr. 1.982.000 dollarë) dhe 30 talentash ari (rr. 11.560.000 dollarë). (2Mb 18:14-16) Megjithatë, Senakeribi dërgoi një delegacion me tre zyrtarë, që t’i kërkonte mbretit e popullit të Jerusalemit të kapitullonin e, më pas, të pranonin që t’i çonte në mërgim. Në mesazhin e asirianëve përçmohej sidomos besimi që kishte Hezekia te Jehovai. Me anë të zëdhënësit të tij, Senakeribi u mburr se Jehovai do të ishte po aq i pafuqishëm sa edhe perënditë e vendeve që tashmë kishin rënë para fuqisë asiriane.—2Mb 18:17-35.
Kur delegacioni asirian u kthye te Senakeribi, që tani po luftonte kundër Libnahut, atij i erdhi lajmi se ‘Tirhakahu, mbreti i Etiopisë, kishte dalë të luftonte kundër tij’. (2Mb 19:8, 9) Në mbishkrimet e Senakeribit flitet për një betejë në Eltekeh (rr. 15 km në veri-veriperëndim të Ekronit), ku ai pohon se mposhti një ushtri egjiptiane dhe forcat e «mbretit të Etiopisë». Më tej përshkruan pushtimin e Ekronit dhe rikthimin në fron të Padit, të cilin ai e kishte liruar.—Ancient Near Eastern Texts, f. 287, 288.
Jehovai mund ushtrinë e Senakeribit. Edhe pse Senakeribi dërgoi letra kërcënuese për ta paralajmëruar Hezekinë se ishte i vendosur të merrte Jerusalemin, kryeqytetin e Judës (Is 37:9-20), Bibla tregon se asirianët ‘as qëlluan me shigjeta, . . . as ngritën një ledh rrethues kundër tij’. Jehovai, me të cilin Senakeribi ishte tallur, dërgoi një engjëll që goditi brenda një nate «njëqind e tetëdhjetë e pesë mijë veta në kampin e asirianëve», e kështu Senakeribi u kthye «i mbuluar me turp në vendin e vet».—Is 37:33-37; 2Kr 32:21.
Në mbishkrimet e Senakeribit nuk përmendet disfata që pësoi ushtria e tij. Por profesori Xhek Finegan vëren: «Kur mbajmë parasysh tonin gjithë mburrje që karakterizon mbishkrimet e mbretërve asirianë, . . . nuk presim që Senakeribi ta ketë dokumentuar këtë disfatë.» (Light From the Ancient Past, 1959, f. 213) Gjithsesi, është interesant versioni i Senakeribit në Prizmin e Senakeribit që ruhet në Institutin Oriental të Universitetit të Çikagos. Ja ç’thotë ai ndër të tjera: «Hezekia, judeu, nuk iu nënshtrua zgjedhës sime. Prandaj, rrethova 46 qytete të tij të forta, fortesa të rrethuara me mur dhe fshatra të vogla të panumërta në afërsi të tyre e i pushtova me anë të shkallëve të pjerrëta (prej dheu) të ngjeshura fort dhe të deshve që solla (në këtë mënyrë) pranë (mureve), (si edhe nëpërmjet) sulmit të këmbësorëve, (duke përdorur) kalime të nëndheshme, të çara në mur dhe punime xheniere. Nxora (prej tyre) 200.150 njerëz, të rinj e të moshuar, meshkuj e femra, kuaj, mushka, gomarë, deve, bagëti të trashë e të imët pa numërim dhe (i) konsiderova pre. Vetë [Hezekinë] e mbajta si të burgosur në Jerusalem, në selinë e tij mbretërore, tamam si zogun në kafaz. . . . Qytetet që kisha plaçkitur, ia hoqa vendit të tij dhe ia dhashë Mitintit, mbretit të Ashdodit, Padit, mbretit të Ekronit, dhe Silibelit, mbretit të Gazës. . . . Vetë Hezekia . . . më dërgoi më vonë në Ninevi, në qytetin tim madhështor, bashkë me 30 talentat prej ari, edhe 800 talenta argjendi, gurë të çmuar, antimon, blloqe të mëdha prej guri të kuq, divane (të zbukuruara) me fildish, karrige-nimedu (të zbukuruara) me fildish, lëkurë elefantësh, dru abanozi, dru bushi (e) çdo lloj thesari të çmuar, vajzat (e veta), konkubinat, muzikantët dhe muzikantet e tij. Për të dërguar haraçin dhe për të bërë nderime si skllav, ai dërgoi lajmëtarin e vet (personal).»—Ancient Near Eastern Texts, f. 288.
Në këtë version të shkruar tërë mburrje, numri i talentave të argjendit zmadhohet nga 300 në 800, e s’ka dyshim që bëhet njësoj edhe me hollësi të tjera për haraçin. Por në aspekte të tjera, ai mbështet në mënyrë të jashtëzakonshme tregimin biblik dhe tregon që Senakeribi nuk pretendon se e pushtoi Jerusalemin. Megjithatë, duhet përmendur që Senakeribi i tregon ngjarjet sikur haraçi i Hezekisë u pagua pasi Asiria kërcënoi se do të rrethonte Jerusalemin, kurse tregimi biblik thotë se u pagua para. Ja ç’thotë një fjalor biblik për arsyen e mundshme pse u përmbys radha e ngjarjeve: «Përfundimi i kësaj fushate të S [enakeribit] është i veshur me mister. Se çfarë bëri ai pas pushtimit të Ekronit . . . mbetet enigmë. Në analet e tij, S[enakeribi] përmend ndëshkimin e Hezekisë, mësymjen kundër Judës dhe organizimin e territorit e të qyteteve të Judës. Me këtë radhë ngjarjesh duket sikur mbulon diçka që nuk i pëlqen ta përmendë.» (Funk and Wagnalls New Standard Bible Dictionary, 1936, f. 829) Bibla tregon se pasi Perëndia shpartalloi ushtrinë e Senakeribit, ai ia mbathi në Ninevi. Kështu, duke e përmbysur radhën e ngjarjeve siç i leverdis, Senakeribi thotë se Hezekia ia dha haraçin me anë të një lajmëtari të posaçëm në Ninevi. Është domethënëse që mbishkrimet dhe dokumentet e lashta nuk flasin për ndonjë fushatë tjetër të Senakeribit në Palestinë, ndonëse historianët thonë se ai mbretëroi edhe 20 vite të tjera.
Sipas Jozefit, historian jude i shekullit të parë të e.s., prifti babilonas Beros (që mendohet se ka jetuar në shekullin e tretë p.e.s.) shkruante për këtë ngjarje: «Kur u kthye në Jerusalem nga lufta me Egjiptin, Senakerimosi pa se forcat ushtarake të Rapsakesit rrezikoheshin nga një epidemi, pasi Perëndia e kishte goditur me murtajë ushtrinë dhe natën e parë të rrethimit kishin vdekur njëqind e tetëdhjetë e pesë mijë burra, me gjithë komandantët e oficerët e tyre.» (Antikitete judaike, X, 21 [i, 5]) Disa komentues orvaten ta shpjegojnë këtë katastrofë duke iu referuar një historie të shkruar nga Herodoti (II, 141) në shekullin e pestë p.e.s. Ai thotë se «një natë, në kampin asirian vërshoi një mizëri minj arash, që përpinë kukurat, harqet dhe dorezat e mburojave», ndaj nuk e pushtuan dot Egjiptin. Sigurisht, kjo histori nuk përkon me tregimin biblik, madje përshkrimi që i bën Herodoti fushatës së asirianëve nuk përputhet as me mbishkrimet asiriane. Sidoqoftë, tregimet e Berosit dhe të Herodotit nxjerrin në pah se, gjatë asaj fushate, forcat e Senakeribit hasën një vështirësi të beftë e të kobshme.
Por telashet e Senakeribit nuk kishin marrë fund. Pas kthimit në Asiri, iu desh të shuante një kryengritje tjetër në Babiloni, të nxitur nga Merodak-Baladani. Kësaj here Senakeribi vuri mbret të Babilonisë birin e vet, Ashurnadinshumin. Gjashtë vjet më vonë, Senakeribi nisi një fushatë kundër elamitëve, por s’kaloi shumë dhe ata ia kthyen duke sulmuar Mesopotaminë. Zunë rob Ashurnadinshumin dhe vunë në fronin e Babilonisë mbretin e tyre. Së fundi, pas vitesh të tëra betejash për të marrë nën kontroll rajonin, Senakeribi i tërbuar u hakmor kundër Babilonisë duke e bërë rrafsh me tokën—një veprim i pashoq po të kemi parasysh se Babilonia mbahej si «qyteti i shenjtë» i mbarë Mesopotamisë. Në vitet pasuese të mbretërimit të Senakeribit, me sa duket nuk ndodhi ndonjë ngjarje e rëndësishme.
Mendohet që Senakeribi vdiq rreth 20 vjet pas fushatës kundër Jerusalemit. Kjo shifër del nga dokumentet asiriane e babilonase, besueshmëria e të cilave është e dyshimtë. Sidoqoftë, duhet përmendur se Bibla nuk thotë se Senakeribi vdiq fill pas kthimit në Ninevi. «Më vonë ai hyri në shtëpinë e perëndisë së tij» Nisrok, ku bijtë e vet, Adrameleku e Sharezeri, «e vranë me shpatë» dhe ia mbathën në vendin e Araratit. (2Kr 32:21; Is 37:37, 38) Këtë e vërteton një mbishkrim i të birit, Esar-Hadonit, që hipi në fron pas tij.—Ancient Records of Assyria and Babylonia, nga D. Lukenbilli, 1927, vëll. II, f. 200, 201; shih ESAR-HADONI.
Vepra ndërtimi. Nën sundimin e Senakeribit, Perandoria Asiriane nuk pati ndonjë zgjerim të madh. Megjithatë, ai realizoi një projekt ndërtimi ambicioz në Ninevi, të cilën e kishte bërë sërish kryeqytet. Pallati madhështor që ngriti atje, ishte një kompleks 450 m i gjatë e 210 m i gjerë, me salla, oborre e dhoma ceremonish. Senakeribi solli ujë nga 48 km larg, duke ndërtuar ujësjellësin Jervan që kalonte mbi lumin Gomel. Ujërat vaditnin kopshte e parqe, si edhe mbushnin hendekun përreth qytetit, duke forcuar kështu sistemin e tij mbrojtës.