ESAR-HADONI
[nga gjuha asiriane që do të thotë «Ashuri jep një vëlla»].
Një nga bijtë e mbretit të Asirisë, Senakeribit, dhe pasardhës i tij në fron. Në një nga mbishkrimet e veta, Esar-Hadoni konfirmon tregimin biblik (Is 37:37, 38) të vdekjes së të atit: «Vëllezërit e mi ‘e mblodhën’ mendjen top. Braktisën perënditë dhe iu kthyen veprave të tyre të dhunshme, thurën komplote. . . . Për të marrë mbretërinë, vranë Senakeribin, atin e tyre.»—Ancient Records of Assyria and Babylonia, nga D. Lukenbilli, 1927, vëll. II, f. 200, 201.
Esar-Hadoni thotë se, para vdekjes së të atit, ai ishte zgjedhur si trashëgimtar i ligjshëm dhe, me sa duket, ka shërbyer si mëkëmbës në Babiloni, para se të bëhej mbret i Asirisë. Pas vrasjes së të atit, Esar-Hadoni thotë se i ndoqi vrasësit deri në Armeni («në vendin e Araratit», 2Mb 19:37), ku i mundi. Mbretërimi i tij zyrtar mendohet të ketë zgjatur 12 vjet.
Në fillim të mbretërimit, Esar-Hadoni filloi të rindërtonte Babiloninë, të cilën e kishte shkatërruar Senakeribi. Restauroi tempullin e Esagilës, kurse për qytetin tha: «Babiloninë . . . e rindërtova, e zgjerova, e lartësova, e madhështova.»—Ancient Records of Assyria and Babylonia, vëll. II, f. 244.
Në dokumentet e tij flitet për veprime ushtarake kundër gimirrejve ose simerianëve, që mendohet se janë pasardhës të Gomerit. (Krahaso Zn 10:2; Ezk 38:6.) Ai plaçkiti Sidonin dhe ndërtoi një qytet të ri në një vend aty afër, të cilin e quajti Kar-Esarhadon. Në një nga mbishkrimet e veta, ai përmend rreth 20 mbretër vasalë, mes të cilëve edhe Manaseun e Judës (Menasi, mbret i Jaudisë).
Tregimi i 2 Kronikave 33:10-13 thotë se Manaseun e kapën rob «krerët e ushtrisë së mbretit të Asirisë» dhe e çuan në Babiloni. Në të kaluarën, disa mendonin se Manaseun e çuan në Ninevi dhe përmendja e Babilonisë në këtë rast ishte një gabim. Megjithatë, siç e kemi parë, Esar-Hadoni, mbishkrimet e të cilit tregojnë se ishte bashkëkohës i Manaseut, kishte ndërtuar Babiloninë dhe thuhet se «nga të gjithë mbretërit asirianë ishte më pak i interesuari për të zbukuruar kryeqytetin e tij, Ninevinë». (The Interpreter’s Dictionary of the Bible, nga Xh. Batriku, 1962, vëll. 2, f. 125) Nëse Manaseu u kap rob gjatë mbretërimit të Esar-Hadonit, s’ka pse të çuditemi që e çuan në Babiloni, për rindërtimin e së cilës Esar-Hadoni ishte mburrur me krenari. Sidoqoftë, duhet mbajtur parasysh se edhe Ashurbanipali, i biri i Esar-Hadonit, thotë se gjatë mbretërimit të vet Manaseu i paguante haraç.
‘Gjashtëdhjetë e pesë vitet’. Në kohën kur në Jerusalem po rindërtohej tempulli, disa banorë joizraelitë thoshin se i kishte sjellë në Samari ‘Esar-Hadoni, mbreti i Asirisë’. (Ezd 4:2) Asirianët vazhduan t’i shpërngulnin njerëzit për në Samari e anasjelltas deri në kohën e mbretërimit të tij dhe disa e konsiderojnë këtë si një të dhënë për të kuptuar periudhën prej ‘gjashtëdhjetë e pesë vitesh’ që përmendet tek Isaia 7:8 në lidhje me shkretimin e Efraimit (kryeqyteti i të cilit ishte Samaria). Periudha mes mbretërimit të Tiglath-Pileserit III (i cili nisi shpërnguljen e popullit nga mbretëria veriore e Izraelit pak pas shpalljes së profecisë së Isaisë) dhe Esar-Hadonit do të shpjegonte këtë periudhë 65-vjeçare, deri kur Efraimi u bë «copë e çikë», ‘aq sa të mos ishte më një popull’.
Pushtimi i Egjiptit. Arritja më e madhe ushtarake e Esar-Hadonit ishte pushtimi i Egjiptit, pasi theu ushtrinë egjiptiane të sundimtarit etiopas Tirhakahut (që te 2Mb 19:9 quhet ‘mbreti i Etiopisë’) dhe mori qytetin e Memfisit. Kështu, Esar-Hadoni u shtoi titujve të tij të shumtë edhe titullin «Mbret i mbretërve të Egjiptit».
Edhe pse Esar-Hadoni e ndau Egjiptin në krahina dhe vendosi guvernatorë asirianë mbi princat e këtyre krahinave, brenda dy vjetësh shpërtheu revolta. Mbreti asirian ndërmori një fushatë të dytë për të shtypur kryengritjen, por vdiq udhës, në Haran. Në mbishkrime, Esar-Hadoni kishte thënë: «Jam i fuqishëm, jam i plotfuqishëm, jam hero, jam gjigant, jam vigan.» (Ancient Records of Assyria and Babylonia, vëll. II, f. 226) Mirëpo, si gjithë njerëzit e papërsosur, edhe ai ishte skllav i Mëkatit dhe i Vdekjes, mbretërve që tani kërkuan jetën e tij.—Krahaso Ps 146:3, 4; Ek 9:4; Ro 5:21.
Para se të vdiste, Esar-Hadoni kishte marrë masat për një kalim të butë të pushtetit, duke shpallur birin e tij, Ashurbanipalin, si princin trashëgimtar, kurse birin tjetër, Shamash-Shum-U-Kinin, mbret të Babilonisë. Prandaj, me vdekjen e Esar-Hadonit, monarku i Asirisë u bë Ashurbanipali.
[Figura në botimin e shtypur]
Mbreti asirian Esar-Hadon, që luajti një rol të madh në ripopullimin e Samarisë me të huaj