SIBMAHU
Qytet në lindje të Jordanit. Izraeli ia mori Sihonit, mbretit amorit, dhe ia dha rubenitëve, të cilët e donin ngaqë rrethohej nga kullota. Me sa duket quhej edhe Sebam. (Nu 32:2-5, 37, 38; Js 13:15, 19, 21) Në fillim kishte qenë qytet i moabitëve (krahaso Nu 21:25, 26) dhe në një periudhë të papërcaktuar iu kthye përsëri atyre. Njihej për vreshtat dhe frutat e verës. (Is 16:8, 9, 13, 14; Jr 48:32, 46, 47) Sot vendndodhja e saktë e Sibmahut (Sebamit) nuk dihet, ndonëse përmendet tok me Heshbonin e Nebon (Nu 32:3) dhe Jeronimi thotë në një koment për Isainë 16:8 se Sibmahu ishte vetëm 500 hapa nga Heshboni. Megjithatë, disa orvaten ta lidhin me Kurn-el-Kibshin, rreth 5 km në perëndim-jugperëndim të Heshbonit (Hisbanit të sotëm).