HESHBONI
Vend që mendohet se ndodhej aty ku sot janë rrënojat e qytetit të Hisbanit, rreth 20 km në jugperëndim të Rabahut (Amanit). Është pak a shumë në gjysmë të rrugës mes Arnonit dhe Jabokut. (Js 12:2) Deri më tani, atje nuk është zbuluar asnjë mbetje arkeologjike e epokës kananite. Jo larg Heshbonit, në lindje të tij, gjendet rrënoja e një rezervuari të madh dhe, rreth 180 m poshtë qytetit, ndodhet një burim që ka krijuar një varg pellgjesh.—Krahaso Kng 7:4; shih BATH-RABIMI.
Mbreti amorit Sihoni ia mori Heshbonin moabitëve dhe e bëri rezidencën e tij mbretërore. Nga kjo disfatë e moabitëve lindi edhe një shprehje proverbiale satirike, që e nxorën ose amoritët, ose izraelitët. Në rast se burimi i saj ishin amoritët, ajo vinte në lojë moabitët dhe kujtonte fitoren e mbretit Sihon. Kurse, nëse vinte nga izraelitët, donte të thoshte se, ashtu si Sihoni ia kishte zhvatur Heshbonin moabitëve, po kështu Izraeli do t’ia merrte amoritëve atë qytet dhe të tjera. Kështu, tallja qëndronte në faktin se fitorja e Sihonit u çeli rrugën izraelitëve për të shtënë në dorë një vend që përndryshe nuk u takonte ta preknin.—Nu 21:26-30; Lp 2:9.
Kur mbreti Sihon nuk i la izraelitët e udhëhequr nga Moisiu të kalonin paqësisht përmes vendit të tij, e madje doli në betejë kundër tyre, Jehovai i dha popullit të vet fitoren mbi Sihonin. Qytetet amorite, ku përfshihej patjetër edhe Heshboni, u shkatërruan. (Lp 2:26-36; 3:6; 29:7; Gjy 11:19-22) Pas kësaj, Heshbonin e rindërtuan rubenitët (Nu 32:37), meqë ishte ndër qytetet që Moisiu ua dha atyre. (Js 13:15-17) Si qytet kufitar mes Rubenit dhe Gadit, më pas Heshboni u përfshi në territorin e Gadit dhe përmendet si një nga katër qytetet gadite që iu caktuan levitëve.—Js 21:38, 39; 1Kr 6:77, 80, 81.
Më vonë, Heshboni me sa duket u vu nën sundimin e Moabit, siç e tregon fakti që edhe Isaia, edhe Jeremia e përmendin në shpalljet e dënimit kundër Moabit. (Is 15:4; 16:7-9; Jr 48:2, 34, 45) Jeremia e përmend këtë qytet edhe në një shpallje kundër Amonit. (Jr 49:1, 3) Sipas disa komentuesve, kjo tregon se asokohe Heshboni kishte rënë në dorë të amonitëve. Të tjerë hedhin idenë se kjo ndoshta do të thoshte që Heshboni i Moabit do të kishte të njëjtin fund si Ai ose që bëhej fjalë për një Heshbon tjetër në territorin e Amonit.
Sipas Jozefit, historian jude, në kohën e Aleksandër Janeut (103-76 p.e.s.) Heshboni u përkiste judenjve. Më pas, qyteti ishte nën juridiksionin e Herodit të Madh.—Antikitete judaike, XIII, 395-397 (xv, 4); XV, 294 (viii, 5).