ABISHAI
[ndoshta: ati është (ekziston)].
Biri i Zerujasë, motrës ose gjysmëmotrës së Davidit, dhe vëllai i Joabit dhe i Asahelit.—2Sa 2:18; 1Kr 2:15, 16.
Abishai spikati për trimëritë e tij më shumë se 30 luftëtarët e fuqishëm të cilëve u printe. Fama e tij ishte njësoj si ajo e tre burrave më të fuqishëm në shërbim të Davidit, pasi, në një rast, vrau krejt i vetëm 300 armiq. Megjithatë ai «nuk arriti në rangun e tre të parëve».—2Sa 23:18, 19.
Abishai e mbështeti me besnikëri dajën e tij, Davidin, në të gjitha fushatat ushtarake që bëri, por prirej të ishte i rrëmbyer e i pamëshirshëm dhe kishte raste kur duhej mbajtur në fre. Për shembull, kur ai dhe Davidi hynë fshehurazi natën në kampin e Saulit, po të mos e kishte frenuar Davidi, ai do ta kishte mbërthyer përtokë Saulin, ‘të mirosurin e Jehovait’, me heshtën e atij vetë. (1Sa 26:6-9) Kur Absalomi u rebelua, Abishain e frenuan dy herë që të mos vriste Shimein, i cili mallkonte mbretin. Megjithatë, Davidi nuk e ndaloi dot të merrte pjesë në vrasjen e Abnerit.—2Sa 3:30; 16:9-11; 19:21-23.
Abishai u shqua kur u vu në krye të luftëtarëve të tij dhe goditi 18.000 edomitë e, më pas, kur shpartalloi amonitët. Gjithashtu, ai bashkëpunoi për të shtypur revoltën e Shebës, një beniaminiti të pavlerë. Në betejën e fundit të dokumentuar që bëri Davidi, mbreti do të kishte humbur jetën në duart e një filistini shtatmadh, po të mos kishte ndërhyrë Abishai.—1Kr 18:12; 19:11-15; 2Sa 20:1, 6; 21:15-17.