BIBLIOTEKA ONLINE Watchtower
Watchtower
BIBLIOTEKA ONLINE
shqip
Ë
  • Ë
  • ë
  • Ç
  • ç
  • BIBLA
  • BOTIME
  • MBLEDHJE
  • w94 1/2 f. 26-28
  • Parimi apo popullariteti: Nga cili udhëhiqesh?

Nuk ka video për këtë zgjedhje.

Na vjen keq, ka një problem në ngarkimin e videos

  • Parimi apo popullariteti: Nga cili udhëhiqesh?
  • Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1994
  • Nëntema
  • Material i ngjashëm
  • Dëshira për të qenë i pranuar
  • Presione që shpesh duhet t’u përshtatemi
  • Shumica mund të gabojë
  • Është më mirë të ndiqen parimet biblike
  • Kur të gjithë do të bëjnë atë që është e drejtë
  • Një shumicë e madhe që s’mund të numërohet
    Zbulesa—Plotësimi i saj madhështor është afër!
  • Kush është ‘shumica e madhe’?
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait (Për studim)—2019
  • Një shumicë e madhe përpara fronit të Jehovait
    Të adhurojmë të vetmin Perëndi të vërtetë
  • A është e gabuar të kesh popullaritet?
    Zgjohuni!—2012
Shih më tepër
Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1994
w94 1/2 f. 26-28

Parimi apo popullariteti: Nga cili udhëhiqesh?

NORIHITO, një nxënës i klasës së gjashtë, merrte pjesë në një garë sportive. Papritur, ai u gjend përballë një vendimi. Të gjithë nxënësve iu kërkua të merrnin pjesë në një ceremoni patriotike. A mund të bashkohej edhe ai me shokët e tij në këtë aktivitet në dukje të zakonshëm?

Norihito kishte mësuar nga Bibla se ishte e gabuar të merrte pjesë në adhurimin e ndonjë perëndie tjetër, përveç Jehovait. (Të Dalët 20:4, 5; Mateu 4:10) Ai, gjithashtu dinte se të krishterët duhej të ishin asnjanës në çështjet politike të botës. (Danieli 3:1-30; Gjoni 17:16) Kështu, edhe pse shokët e nxitnin të bashkohej me ta, ai me kurajë, por edhe me respekt, i qëndroi besnik vendimit që kishte marrë. Ç’do të bëje ti nëse do të gjendeshe në një situatë të ngjashme?

Dëshira për të qenë i pranuar

Shkrimet tregojnë se Perëndia i krijoi njerëzit që të jenë të afrueshëm, të kuptohen me njëri-tjetrin dhe të gëzojnë duke i bërë gjërat së bashku. Është e natyrshme dëshira për të qëndruar me moshatarët, për të gëzuar ndjenjën se je i pranuar prej tyre. Ndjenja të tilla e bëjnë jetën më të këndshme dhe i kontribuojnë paqes dhe harmonisë në marrëdhëniet tona me të tjerët.​—Zanafilla 2:18; Psalmi 133:1; 1. Pjetrit 3:8.

Dëshira e lindur për të qenë i pranuar pasqyrohet shumë e theksuar në përshtatjen e disa kulturave madje edhe sot. Për shembull, fëmijëve japonezë u mësohet që në moshë të vogël që të kenë parasysh zakonet e shumicës dhe të veprojnë në përputhje me to. Sipas kulturës së tyre të trashëguar, një nga detyrat më kryesore është të veprojnë në harmoni me bashkësinë. «Japonezët janë më të përshtatshëm se perëndimorët për të vepruar në grup»,—tha Edwin Reischauer, një ish-ambasador i Shteteve të Bashkuara në Japoni dhe një vrojtues i mprehtë i traditave japoneze. Ai shtoi: «Atje ku perëndimorët të paktën mund të veshin një pamje pavarësie dhe individualiteti, shumica e japonezëve janë mjaft të kënaqur nëse ia përshtasin veshjen, sjelljen, mënyrën e të jetuarit dhe madje edhe mendimet normave të grupit.» Megjithatë, dëshira për t’u përshtatur nuk është në asnjë mënyrë e kufizuar vetëm tek japonezët. Ajo është e përgjithshme.

Presione që shpesh duhet t’u përshtatemi

Edhe pse është e drejtë të bëjmë të pamundurën për t’u kuptuar me njëri-tjetrin, ekziston rreziku që të veprojmë verbërisht në përputhje me atë që bën shumica. Përse? Sepse ajo që për shumicën është e zakonshme shpesh është në kundërshtim me normat e Perëndisë. «Mbarë bota është nën pushtetin e të ligut»,—thotë Bibla. (1. Gjonit 5:19) Satanai përdor me dinakëri çdo mjet​—materializmin, moralin e ulët, paragjykimet raciale, fanatizmin fetar, nacionalizmin e kështu me radhë—​për të ndikuar mbi masat dhe për t’i larguar ato nga Perëndia. Në fakt, përshtatja ndaj praktikave të tilla mund ta çojnë një person kundër Jehova Perëndisë dhe qëllimit të tij. Ja, përse të krishterëve iu këshillua: «Mos iu përshtatni më parimeve të shekullit, por shndërronie e ripërtërinie mendjen tuaj, në mënyrë që ta dalloni vullnetin e Hyut: çka është e mirë, çka i pëlqen Atij, çka është e përsosur.»​—Romakëve 12:2.

Duke jetuar në këtë sistem gjërash, të krishterët janë nën presione të vazhdueshme për t’iu përshtatur asaj që bën shumica. Veçanërisht, të rinjtë janë më shumë të cënuar në lidhje me këtë aspekt. Dëshira për të qenë sado pak të ngjashëm me shokët e shkollës dhe për të vepruar si ata është jashtëzakonisht e fortë. Nevojitet kurajë e vërtetë nga ana e tyre për t’u shpjeguar bashkëmoshatarëve se përse nuk marrin pjesë në disa aktivitete. Por, dështimi për t’u shpjeguar atyre qëndrimin ndaj gjërave të tilla për ta mund të thotë shkatërrim frymor.​—Proverbat 24:1, 19, 20.

Edhe të rriturit duhet të përballojnë presione të ngjashme në vendin e tyre të punës. Kolegët e tyre mund të kenë ndërmend të marrin pjesë në ndonjë aktivitet pas orarit të punës apo në ndonjë rast feste. Mospranimi për të bërë një gjë të tillë, mund të bëjë që të duken sikur qëndrojnë mënjanë dhe nuk bashkëpunojnë, duke krijuar kështu një atmosferë të vështirë në vendin e punës. Disa mund të ndihen të detyruar të punojnë me orë të zgjatura apo jashtë orarit të punës vetëm sepse të tjerët bëjnë kështu, prandaj edhe ata duhet të veprojnë në të njëjtën mënyrë. Të lëshosh pe në gjëra të tilla mund të krijojë një dëm frymor për ta dhe do t’i pengojë të përmbushin detyrime të tjera që mund të kenë.​—1. Korintasve 15:33; 1. Timoteut 6:6-8.

Edhe jashtë ambientit të shkollës dhe atij të punës mund të paraqiten presione që shpesh duhen përballuar. Një nënë e krishterë tregoi se në një rast nuk e kishte qortuar të birin edhe pse e meritonte, thjesht sepse mendoi se nënat e tjera që ishin aty do të kishin shprehur mosaprovimin e tyre.​—Proverbat 29:15, 17.

Shumica mund të gabojë

Bibla na jep shumë këshilla të drejtpërdrejta mbi rrezikun në ndjekjen e asaj që bën shumica. Për shembull, kombit të Izraelit iu tha: «Nuk do të shkosh pas shumicës për të bërë të keqen; dhe nuk do të dëshmosh në një çështje gjyqësore duke u radhitur nga ana e shumicës për të prishur drejtësinë.» (Të Dalët 23:2; krahaso Romakëve 6:16.) Kjo këshillë nuk u ndoq gjithmonë. Një herë, pak pasi kishin dalë nga Egjipti, disa përfituan nga mungesa e Moisiut që të bindnin Aaronin dhe popullin për të bërë një viç të artë dhe për ta adhuruar në «një festë për Jehovain». Njerëzit hëngrën e pinë, kënduan e kërcyen dhe ndërkohë i bënin sakrifica viçit të artë. Për këtë veprim të shëmtuar idhujtar rreth 3.000 njerëz nga ata që bënë një gjë të tillë u vranë. Shumë të tjerë u goditën prej Jehovait, sepse kishin ndjekur shumicën pa u menduar.​—Të Dalët 32:1-35.

Një rast tjetër në të cilin u ndoq shumica për veprime të liga, ndodhi në shekullin e parë në lidhje me vdekjen e Jezu Krishtit. Të nxitur nga udhëheqësit xhelozë fetarë, shumë njerëz u bashkuan me ta për të kërkuar vdekjen e Jezuit. (Marku 15:11) Kur në Rrëshaja, pas ringjalljes dhe ngritjes së Jezuit në qiell, Pjetri theksoi gabimin e rëndë që kishin bërë, shumë personave «u pikoi në zemër» dhe kuptuan se ç’kishin bërë duke ndjekur shumicën.​—Veprat 2:36, 37.

Është më mirë të ndiqen parimet biblike

Siç tregojnë qartë këto episode, të ndjekësh verbërisht atë që për të tjerët mund të jetë e zakonshme, mund të sjellë pasoja serioze. Sa mirë është të ndjekim Biblën dhe të udhëhiqemi nga parimet e saj! Jehovai thotë: «Ashtu si qiejtë janë më të lartë se toka, kështu edhe rrugët e mia janë më të larta se rrugët tuaja dhe mendimet e mia janë më të larta se mendimet tuaja.» Në çështjet morale dhe në marrëdhëniet njerëzore​—në fakt, në të gjitha vendimet e jetës—​është treguar dhe vazhdon të tregohet se ndjekja e rrugëve të Jehovait është shumë më mirë se ndjekja e asaj që për shumicën është e zakonshme. Ky është sekreti i një jete të lumtur dhe të shëndetshme.

Shqyrto, për shembull, përvojën e Kazuya-s. Edhe pse kishte studiuar Biblën për shumë kohë, vazhdonte të ndiqte drejtimin e shumicës, duke u përpjekur të bëhej i pasur dhe kështu të vazhdonte përpara. Përpjekjet e tij për t’u bërë qejfin eprorëve dhe për t’iu dukur simpatik shokëve të punës, shpesh e detyronin të merrte pjesë në zbavitje me pije deri në orët e mëngjesit. U bë ngulmues, nuk i duronte të tjerët dhe zemërohej shpejt. Për shkak të jetës së çrregullt pati një goditje që e la gjysmë të paralizuar. Ndërkohë që kurohej në spital pati kohë të mendonte për atë që kishte mësuar nga Bibla dhe për mënyrën e tij të jetesës. Vendosi se ishte koha për të zbatuar atë që kishte mësuar. Dha dorëheqjen nga pozita e tij drejtuese dhe ndryshoi shoqërinë. Gjithashtu, bëri përpjekje të sinqerta për të veshur personalitetin e krishterë dhe për të rregulluar pikëpamjet e tij në lidhje me të mirat materiale. Si rezultat, vlerat e tij ndryshuan dhe shëndeti i tij u përmirësua. Përfundimisht, i dedikoi jetën Jehovait dhe u pagëzua.

Për t’ia dalë mbanë në ndjekjen e një drejtimi të kundërt nga shumica duhet të njohësh parimet për të cilat bëhet fjalë dhe të jesh plotësisht i bindur se ato janë të drejta. Këtë e tregon ajo që i ndodhi Masaru-s. Kur ishte në klasën e gjashtë, shokët e klasës e zgjodhën kandidat për president të këshillit studentor. Me një farë vështirësie ai kujton se ngaqë nuk kishte kuptuar plotësisht parimet biblike për të cilat bëhej fjalë nuk mundi t’u shpjegonte shokëve të tij të klasës se përse nuk merrte mbi supe një detyrë politike. Për shkak të frikës njerëzore ai kurrë nuk kishte treguar se ishte i krishterë. Gjithçka që dinte të bënte ishte të tundte kokën dhe të përsëriste i dëshpëruar: «Nuk mund ta bëj.»

Kjo përvojë jo e këndshme e nxiti atë të shqyrtonte përse të krishterët nuk përziheshin në aktivitetet politike. (Krahaso Gjoni 6:15.) Më pas, kur ishte në të mesmen u gjend në një situatë të ngjashme. Megjithatë, këtë radhë ai ishte i përgatitur për t’i shpjeguar mësueses me bindje të plotë qëndrimin e tij. Ajo i pranoi shpjegimet e tij dhe kështu bënë edhe shokët të cilët i kërkuan atij t’u fliste për bindjet e tij të bazuara në Bibël.

Kur të gjithë do të bëjnë atë që është e drejtë

Në botën e re të ardhshme nën qeverinë e Jezu Krishtit, sjellja e zakonshme do të jetë sjellja që duhet të kemi. Deri atëherë duhet të ruhemi nga dëshira për t’iu përshtatur asaj që bën shumica. Mund të marrim kurajë nga paralajmërimi i Pavlit: «Kështu, pra, duke pasur një re kaq të madhe dëshmitarësh që na rrethon, le të heqim edhe ne çdo peshë dhe mëkatin në të cilin ngecim lehtësisht dhe le të vrapojmë me qëndrueshmëri në garën që na është vënë përpara.»​—Hebrenjve 12:1, BR.

Kur të të paraqiten probleme dhe sfida, çfarë do të bësh? A do t’i dorëzohesh frikës njerëzore dhe t’i hapësh rrugë asaj që bën shumica? Apo do të kthehesh tek Fjala e Perëndisë dhe do të ndjekësh parimet e saj? Nga një drejtim i tillë do të përfitosh jo vetëm tani, por edhe në të ardhmen, a duke jetuar në mes të atyre që «në saje të besimit dhe durimit do të trashëgojnë premtimet».​—Hebrenjve 6:12, BR.

    Botimet shqip (1993-2025)
    Shkëputu
    Hyr me identifikim
    • shqip
    • Dërgo
    • Parametrat
    • Copyright © 2025 Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania
    • Kushtet e përdorimit
    • Politika e privatësisë
    • Parametrat e privatësisë
    • JW.ORG
    • Hyr me identifikim
    Dërgo