Lajmëtarët e Mbretërisë raportojnë
«I gëzuar është njeriu që ka gjetur mençurinë»
KY proverb u bë i vërtetë në Kore, ku tani janë më shumë se 71.000 Dëshmitarë të gëzuar të Jehovait. (Proverbat 3:13) Përfytyro, 42 për qind e këtyre shërbëtorëve janë në shërbim të plotë kohor! Përvojat e mëposhtme tregojnë se kush kërkon mençurinë e vërtetë është me të vërtetë i gëzuar.
Një grua nga Pusani frekuentonte një kishë të krishterimit që prej 16 vjetësh. Kishte parë atje kaq shumë praktika jobiblike, saqë filloi të mendonte se nuk mund të kishte Perëndi. Por, nga ana tjetër ajo nuk mund ta mohonte ekzistencën e Perëndisë, prandaj iu lut sinqerisht Perëndisë për ta ndihmuar të gjente kishën e vërtetë nëse ajo ekzistonte. Në këtë moment, menjëherë mendoi për Dëshmitarët e Jehovait dhe iu kujtua se kisha e saj i kishte përçmuar ata dhe kishte nxitur besimtarët kundër tyre sepse Dëshmitarët nuk besonin në Trinitetin, ferrin dhe në doktrina të tjera të krishterimit. A do të ishin ata vallë kisha e vërtetë? Me ndihmën e një fqinji ajo gjeti adresën e Sallës së Mbretërisë dhe ditën tjetër mori pjesë në mbledhje.
Mbeti shumë e habitur nga rregulli i mbledhjes. Nuk kishte britma fanatikësh apo këngë të shtyra nga emocionet siç ndodhte në kishën e saj. U njoh me një Dëshmitare e cila ishte e gatshme të fillonte një studim biblik me të. Studimi i parë zgjati disa orë për shkak të pyetjeve të shumta të saj. Në studimin e dytë ajo njoftoi se do të shkëputej nga kisha e saj dhe do të bëhej Dëshmitare. Ajo i tha motrës se nuk ishte e nevojshme të vazhdonte të studionte më me të, sepse do të frekuentonte mbledhjet. Megjithatë, motra i tregoi vlerën e studimit biblik personal përveç pjesëmarrjes në mbledhje. Ajo pranoi sugjerimin, u dha e tëra pas studimit dhe më pas u pagëzua.
Tani ajo është e lumtur që ka gjetur mençurinë e Perëndisë së vërtetë, Jehova, dhe që ka shpresën e mrekullueshme për të jetuar përgjithmonë në botën e re të Perëndisë.
Një gjeneral në pension mëson të vërtetën
Gruaja e një gjenerali ushtarak u pagëzua në 1962. Fillimisht burri i saj e kundërshtonte, por më vonë pushoi së kundërshtuari dhe kohë pas kohe për 28 vjetët në vazhdim studioi me ndërprerje me vëllezër të ndryshëm që përpiqeshin të zgjonin tek ai interesin për të vërtetën. Megjithëse mori pjesë në disa mbledhje dhe kongrese, ai ishte një nga ata që e kishte të vështirë ta merrte të vërtetën seriozisht. Në 1990 ai dhe gruaja e tij shkuan në Japoni, ku morën pjesë në një kongres krahinor. Këtë herë ai i dëgjoi fjalimet me shumë kujdes—gjë që nuk e kishte bërë asnjëherë më parë. Mbeti i shtangur nga fjalimet e guximshme që demaskonin fenë e rreme, pasi sigurisht këto gjëra i hapën atij sytë në lidhje me hipokrizinë e krishterimit. I bëri shumë përshtypje rregulli dhe lumturia e popullit të Perëndisë në Japoni, gjë që ishte e njëjtë me popullin e Koresë. Pasi u kthye në Kore, filloi një studim biblik serioz dhe përfundimisht u pagëzua.
Por, çfarë do të bënte pas pagëzimit? Dha dorëheqjen nga pozita e tij si president i një hoteli turistik të famshëm dhe u bashkua me gruan e tij në shërbimin e plotë kohor si pionier. Ai mendon se të jesh pionier i rregullt është mënyra më e mirë për të kompensuar 28 vjetët e humbur për shkak të pavendosmërisë së tij.
Ai tani e kupton se proverbi «i gëzuar është njeriu që ka gjetur mençurinë» është zbatuar gjithashtu edhe tek ai!