Për sa kohë mund të jetosh?
SHUMË nga ne do të pranonin menjëherë se udha e jetës është e mbushur me probleme. Megjithatë, jemi të lumtur që jemi të gjallë. Ne nuk jemi të kënaqur vetëm me fëmijërinë tonë, apo vetëm me një kohë të shkurtër jete; do të na pëlqente të jetonim për shumë vjet. Megjithatë, vdekja duket e pashmangshme. A është ashtu?
A është e mundur ta shtyjmë vdekjen? A mund të zgjatet jeta jonë e shkurtër?
A mund të zgjatet jeta?
Në 1990-ën, një raport i ri lajmëroi për mundësinë e zgjatjes së jetës së njeriut deri në «njëqind e dhjetë vjet». Pa dyshim, ky ishte një referim ndaj asaj që përmendi psalmisti Moisi në fjalët: «Ditët e viteve tona shkojnë deri në shtatëdhjetë vjet dhe për më të fortët në tetëdhjetë, por ajo që përbën krenarinë e tyre nuk është veçse mundim dhe dëshirë për t’u dukur, sepse kalon me të shpejtë dhe ne fluturojmë tutje.» (Psalmi 90:10) Kështu, Bibla na jep 70 apo 80 vjet si moshë mesatare të njeriut. Por cili është numri i mundshëm i viteve që një njeri shpreson të jetojë sot?
Një raport i botuar nga OBSH (Organizata Botërore e Shëndetësisë) në 1992-shin, e përcaktoi jetën mesatare të mundshme në të gjithë botën, 65 vjeç. Sipas OBSH, kjo ishte «parashikuar të rritej rreth çdo katër muaj në vit për pesë vitet e tjera, kryesisht për shkak të zvogëlimit të vdekjes së foshnjave». Megjithatë, edhe nëse një mrekulli mjekësore parandalonte vdekjen e ndokujt përpara moshës 50-vjeçare, revista Time thotë se në Shtetet e Bashkuara «rritja e mundshme e moshës mesatare do të jetë vetëm 3 vjet e gjysmë».
Përse jeta është kaq e shkurtër?
Dr. Jan Vijg i Institutit Ndërkombëtar të Eksperimenteve Gerontologjike argumentoi se pa dyshim sëmundjet janë të lidhura me të metat në strukturën qelizore të trupit njerëzor, kështu që procesi i shfaqjes së plakjes ndikohet nga faktorë gjenetikë. Disa studiues besojnë se ne mund të jetojmë më gjatë në qoftë se «një grup gjenesh rregullatore» mund të zëvendësohen ndërsa plakemi. Të tjerët këtë e konsiderojnë si një propozim «naiv».
Sidoqoftë, shkencëtarët pohojnë se «duket sikur brenda qelizave të trupit njerëzor ekziston një lloj limiti biologjik i programuar»,—raporton revista Time. Madje edhe ata që këmbëngulin se ne jemi «programuar për të mbetur gjallë» pranojnë se «diçka nuk shkon mirë». Në të vërtetë, në 65, 70, 80 apo në akoma më pak vite, jeta jonë «përfundon shpejt» në vdekje, sikurse thotë Bibla.
Gjithashtu, apostulli i krishterë i shekullit të parë, Pavli, parashikoi me bindje: «Si armik i fundit do të asgjësohet vdekja.» (1. Korintasve 15:26, BR) Si është e mundur që vdekja të asgjësohet plotësisht? Nëse është kështu, si mund ta përballosh sot vdekjen e një njeriu të dashur?