JETËGJATËSIA
Qëllimi fillestar i Perëndisë ishte që njerëzit të jetonin përgjithmonë. Meqë ishte i përsosur, njeriu i parë, Adami, kishte mundësinë të gëzonte një jetë që s’do të përfundonte kurrë, për sa kohë të ishte i bindur ndaj Perëndisë. (Zn 2:15-17) Mirëpo, për shkak të mosbindjes, Adami e humbi atë mundësi dhe, prej tij, gjithë njerëzimi trashëgoi mëkatin dhe vdekjen.—Ro 5:12.
Gjatë periudhës së patriarkëve. Gjatë periudhës para Përmbytjes, jetëgjatësia shkonte rreth një mijë vjet. (Zn 5:5-29) Ata që jetuan afër periudhës së përsosmërisë fillestare të njerëzimit, patën një jetëgjatësi më të madhe se ata që jetuan shumë kohë më pas. Jetëgjatësinë më të madhe të dokumentuar e pati Metuselahu, i cili jetoi 969 vjet. Pas Përmbytjes, jetëgjatësia e njeriut u ul me shpejtësi.
Disa kanë hedhur idenë se në kohët para Përmbytjes viti ishte vetëm një muaj i gjatë. Sidoqoftë, kjo pikëpamje s’ka asnjë bazë biblike. Sikur viti të ketë qenë i gjatë vetëm një muaj me 30 ditë, i bie që Enosi të jetë bërë baba pa mbushur tetë vjeç; po kështu edhe të tjerë, si Kenani, Mahalaleli dhe Enoku, i bie të jenë bërë me fëmijë pa mbushur gjashtë vjeç. (Zn 5:9, 12, 15, 21) Po të krahasojmë Zanafillën 7:11 me Zanafillën 8:3, 4, shohim se 150 ditë janë baras me pesë muaj. Fakti që Bibla përmend edhe muajin e 10-të dhe, më pas, një periudhë 40-ditore, si dhe të paktën dy periudha 7-ditore brenda të njëjtit vit, tregon se një vit kishte 12 muaj.—Zn 8:5, 6, 10, 12-14.
Që nga koha e Moisiut. Rreth 3.500 vjet më parë Moisiu shkroi për jetëgjatësinë: «Ditët tona arrijnë në shtatëdhjetë vjet; më të fortët arrijnë në tetëdhjetë. Sidoqoftë ato sjellin veç telashe e të këqija.» (Ps 90:10) Në këtë aspekt, gjërat nuk kanë ndryshuar edhe aq.
Përgjatë shekujve, përpjekjet e njeriut për të rritur jetëgjatësinë nuk kanë pasur sukses. Megjithatë, në shumë vende jetëgjatësia e pritshme është rritur. Për këtë arsye, Xhejms Frajzi dhe Lorens Krapoja thanë: «Në Shtetet e Bashkuara mosha mesatare është rritur nga pothuajse 47 vjeç që ishte në fillim të shekullit [të 20-të], në më tepër se 73 vjeç sot [vitet 80], pra një rritje prej më shumë se 25 vjetësh. . . . Sidoqoftë, po t’i analizojmë këto të dhëna me një sy kritik, do të shohim se rritja e jetëgjatësisë së pritshme është rrjedhojë e eliminimit të shkaqeve të vdekjeve të parakohshme, dhe jo e rritjes së jetëgjatësisë së natyrshme.»—Vitality and Aging, 1981, f. 74, 75.
Thuajse 2.000 vjet më parë, Jezu Krishti tha se askush nuk «mund ta zgjatë sadopak jetën e vet». (Lu 12:25) Megjithatë, Jezui tha edhe: «Ato që janë të pamundura për njerëzit, janë të mundura për Perëndinë.» (Lu 18:27) Përmes profetit Isaia, Perëndia ka parathënë: «Ditët e popullit tim do të jenë si ditët e një peme.» (Is 65:22) Gjithashtu, Isaia 25:8 parathotë se Perëndia «do ta përpijë vdekjen përgjithmonë. Zotëria Sovran Jehova do të fshijë lotët nga çdo fytyrë». Ky premtim u përsërit në librin e fundit të Biblës: «Ai [Perëndia] do të fshijë çdo lot nga sytë e tyre. Nuk do të ketë më vdekje. As vajtim, as klithmë, as dhembje nuk do të ketë më.»—Zb 21:4.
[Tabela]
JETËGJATËSIA E PATRIARKËVE
Emri Zanafilla Jetëgjatësia
Adami 5:5 930
Seti 5:8 912
Enosi 5:11 905
Kenani 5:14 910
Mahalaleli 5:17 895
Jaredi 5:20 962
Enoku 5:23 365
Metuselahu 5:27 969
Lameku 5:31 777
Noeja 9:29 950
Semi 11:10, 11 600
Arpakshadi 11:12, 13 438
Shelahu 11:14, 15 433
Eberi 11:16, 17 464
Pelegu 11:18, 19 239
Reu 11:20, 21 239
Serugu 11:22, 23 230
Nahori 11:24, 25 148
Terahu 11:32 205
Abrahami 25:7 175
Isaku 35:28 180
Jakobi 47:28 147