Përse duhet pranuar gabimi?
ISHTE një nga takimet më të pazakonta në historinë ushtarake. Një i dërguar i paarmatosur ktheu mbrapa 400 ushtarë trima të vendosur që të hakmerreshin për shkak të një fyerje. Pasi dëgjoi lutjet e një gruaje trime, prijësi i atyre burrave e braktisi misionin e tij.
Prijësi ishte Davidi, që më vonë u bë mbret i Izraelit. Ai e dëgjoi këshillën e gruas, Abigailës, sepse dëshironte t’i pëlqente Perëndisë. Kur ajo i tregoi me takt se hakmarrja mbi burrin e saj, Nabalin, mund të rezultonte në një faj gjaku, Davidi thirri: «Qoftë i bekuar Zoti, Perëndia i Izraelit, që sot të dërgoi ballë meje! E bekuar qoftë këshilla jote dhe e bekuar qofsh ti që më pengove sot të derdh gjak dhe të vendos drejtësinë me duart e mia!» Davidi ishte mirënjohës që Perëndia e kishte përdorur Abigailën për ta penguar atë nga kryerja e një gabimi të rëndë.—1. Samuelit 25:9-35.
Në një psalm Davidi pyeti: «Kush i njeh gabimet e tij?» (Psalmi 19:12) Ashtu si ai, ne mund të mos jemi të vetëdijshëm për gabimet tona, derisa dikush të na i vërë në dukje. Në ndonjë rast tjetër, pasojat e papëlqyeshme na detyrojnë të kuptojmë se kemi gabuar, se nuk kemi qenë të zgjuar apo të këndshëm.
S’ka përse të dëshpërohemi
Edhe pse të gjithë gabojmë, s’ka përse të dëshpërohemi. Diplomati Edward John Phels vërejti: «Njeriu që nuk gabon zakonisht nuk bën asgjë.» Edhe dishepulli i krishterë Jakovi tha: «Të gjithë gabojmë shumë.» (Jakovit 3:2) A mund të mësojë të ecë një fëmijë pa u penguar kurrë? Jo, sepse fëmija mëson prej gabimeve dhe vazhdon të përpiqet derisa të arrijë ekuilibrin.
Për të pasur një jetë të ekuilibruar, edhe ne kemi nevojë të mësojmë prej gabimeve tona dhe të të tjerëve. Pasi Bibla tregon përvoja të shumë individëve rrethanat e të cilëve mund të ngjajnë me tonat, edhe ne mund të kemi një ndihmë për të shmangur po ato gabime që kanë bërë ata. Çfarë mund të mësojmë, pra, prej gabimeve të tyre?
Përulësia: një cilësi thelbësore
Një mësim është se Perëndia nuk i dënon të gjithë ata që gabojnë, por gjykon vetëm ata që refuzojnë të ndreqen kur kanë mundësi. Mbreti i Izraelit, Sauli, nuk iu bind udhëzimeve të Jehovait në lidhje me asgjësimin e amalekitëve. Kur u ballafaqua me profetin Samuel, Sauli fillimisht e minimizoi çështjen dhe pastaj u përpoq të fajësonte të tjerët. Ai shqetësohej më shumë që të mos turpërohej para njerëzve të tij, sesa të ndreqte gabimin. Prandaj, Jehovai ‘e hodhi poshtë si mbret’.—1. Samuelit 15:20-23, 30.
Edhe pse bëri gabime, pasardhësi i Saulit, Davidi, gjeti falje, sepse me përulësi pranoi këshillën dhe disiplinën. Përulësia e nxiti Davidin të dëgjonte fjalët e Abigailës. Trupat e tij ishin gati për luftë. Megjithatë, përpara njerëzve të tij, Davidi e pranoi se kishte marrë një vendim të nxituar. Gjatë gjithë jetës së tij, një përulësi e tillë e ndihmoi Davidin që të kërkonte falje dhe të korrigjonte hapat e tij.
Përulësia i nxiti, gjithashtu, shërbëtorët e Jehovait që të ndreqnin vërejtje të pamenduara. Gjatë një seance dëgjimi para Sanhedrinit, kryeprifti urdhëroi që Pavlit t’i jepnin një dackë. Apostulli raporton: «Do të bjerë ty Hyu, he mur i zbardhuar!» (Veprat 23:3) Ndoshta për shkak të pamjes së dobët, Pavli nuk e kuptoi se kujt po i drejtohej, derisa të pranishmit e pyetën: «Si guxon ta nëmësh kryepriftin?» Në këtë pikë, Pavli menjëherë e pranoi gabimin dhe tha: «Nuk dita vëllezër . . . se ky është kryeprifti. Sepse, vërtet, shkruan: ‘Kryetarin e popullit tënd mos e nëm!’» (Veprat 23:4, 5; Të Dalët 22:28) Po, Pavli e pranoi me përulësi gabimin.
Ata i pranuan gabimet
Bibla tregon, gjithashtu, se disa veta e ndryshuan mënyrën e tyre të gabuar të të menduarit. Për shembull, shqyrto shembullin e Asafit. Pasi dukej sikur njerëzit e ligj po ia kalonin mirë, ai tha: «Më kot, pra, pastrova zemrën time.» Por Asafi erdhi në vete pasi shkoi në shtëpinë e Jehovait dhe pasi meditoi mbi dobitë e adhurimit të pastër. Për më tepër, ai e pranoi gabimin në Psalmin 73.
Edhe Jonai e lejoi mënyrën e gabuar të të menduarit që t’i errësonte pikëpamjen. Pasi kishte predikuar në Ninevi, ai ishte i shqetësuar për të justifikuar veten, në vend se të gëzohej që banorët e atij qyteti ishin kursyer. Jonait i erdhi keq kur Jehovai nuk i ndëshkoi ninevitët, edhe pse u penduan, por Perëndia e korrigjoi. Jonai e kuptoi se pikëpamja e tij ishte e gabuar, sepse libri biblik që mban emrin e tij pranon me ndershmëri gabimin e tij.—Jonai 3:10-4:11.
Duke kujtuar gabimisht se vuajtjet e tij i shkaktonte Perëndia Jehova dhe jo Satana Djalli, Jobi u përpoq të provonte se nuk i meritonte ato. Ai nuk ishte në dijeni të çështjes më të madhe të pazgjidhur: A do të mbeteshin besnikë shërbëtorët e Perëndisë kur të ishin nën prova? (Jobi 1:9-12) Më pas, Elihu dhe vetë Jehovai e ndihmuan Jobin që të shihte gabimin e tij dhe ai pranoi: «Thashë gjëra që nuk i kuptoja, . . . Prandaj ndjej neveri ndaj vetes dhe pendohem mbi pluhurin dhe hirin.»—Jobi 42:3, 6.
Pranimi i gabimeve na ndihmon që të kemi një marrëdhënie të mirë me Perëndinë. Siç tregojnë shembujt e lartpërmendur, ai nuk na dënon për gabimet tona nëse i pranojmë ato dhe nëse bëjmë ç’është e mundur për të ndrequr mendimet e gabuara, fjalët e pamenduara apo veprimet kokëkrisura. Si mund ta zbatojmë këtë njohuri?
Të bëjmë diçka për gabimet tona
Nëse e pranojmë me përulësi një gabim dhe bëjmë diçka, kjo mund të forcojë lidhjet familjare. Për shembull, ndoshta për shkak të lodhjes apo mërzitjes, një prind mund ta ketë disiplinuar disi ashpër fëmijën e vet. Refuzimi për të korrigjuar këtë gabim mund të ketë pasoja të këqija. Në lidhje me këtë apostulli Pavël shkroi: «Ju, baballarë, mos i ngacmoni bijtë tuaj, por vazhdoni t’i rritni me disiplinën dhe normën e Jehovait.»—Efesianëve 6:4.
Një i ri i krishterë, me emrin Paul, kujton me dashuri: «Babai gjithmonë kërkonte falje kur e ndiente se e kishte tepruar. Kjo më ndihmoi që ta respektoja.» Është apo jo rasti për të kërkuar falje në një situatë të veçantë, ky është një vendim personal. Megjithatë, kur kërkojmë falje duhet që pastaj ta shoqërojmë me përpjekje të zellshme që ta shmangim atë gabim në të ardhmen.
Ç’mund të themi nëse një burrë apo një grua bën një gabim që shkakton vuajtje? Nëse e pranojnë sinqerisht, nëse kërkojnë falje me gjithë zemër dhe nëse kanë një frymë falëse, atëherë mund të jenë të ndihmuar për të mbajtur marrëdhënien e tyre të dashur. (Efesianëve 5:33; Kolosianëve 3:13) Jesús, një 50-vjeçar spanjoll me temperament të fortë, nuk është aq krenar sa të mos i kërkojë falje së shoqes, Albinës. «E kemi zakon që të kërkojmë falje kur e fyejmë njëri-tjetrin,—thotë ajo. Kjo na ndihmon që të durojmë njëri-tjetrin me dashuri.»
Kur një plak bën një gabim
Duke pranuar gabimet dhe duke kërkuar me sinqeritet falje, edhe pleqtë e krishterë do të jenë të ndihmuar për të punuar së bashku në harmoni dhe për «t’i treguar nder njëri-tjetrit». (Romakëve 12:10, BR) Një plak mund të kundërshtojë për të pranuar një gabim, pasi trembet se kjo do të minojë autoritetin e tij në kongregacion. Megjithatë, duke u përpjekur që ta justifikojë, ta injorojë apo minimizojë një gabim, ka shumë të ngjarë që ai të humbasë besimin në sytë e të tjerëve. Një vëlla i pjekur, që kërkon falje me përulësi, ndoshta për ndonjë vërejtje të pamenduar, fiton respektin e të tjerëve.
Fernando, një plak kongregacioni në Spanjë, kujton një rast kur një mbikëqyrës qarkor që drejtonte një mbledhje të madhe me pleqtë e kongregacioneve bëri një pohim jo të saktë mbi mënyrën se si duhej drejtuar një mbledhje. Kur një vëlla e korrigjoi me respekt, mbikëqyrësi qarkor e pranoi menjëherë se kishte gabuar. Fernando kujton: «Kur e pashë të pranonte gabimin para gjithë atyre pleqve, mbeta shumë i habitur. Mbasi kishte kërkuar falje, e respektoja edhe më shumë. Shembulli i tij më mësoi se sa e rëndësishme është të pranoj mangësitë e mia.»
Pranoje shpejt gabimin
Fakti që kërkojmë falje zakonisht vlerësohet, sidomos nëse ky veprim kryhet shpejt. Në fakt, sa më shpejt ta pranojmë një gabim, aq më mirë është. Një ilustrim: Më 31 dhjetor 1992, papa Gjon Pavli II e pranoi se Inkuzicioni kishte vepruar «gabimisht» 360 vjet më parë, kur dënoi Galilein sepse kishte pohuar që toka nuk është qendra e universit. Megjithatë, nëse kërkojmë falje mbas një periudhe kaq të gjatë, kjo mund të zvogëlojë vlerën e saj.
E njëjta gjë vlen edhe në marrëdhëniet personale. Nëse me shpejtësi kërkojmë ndjesë, mund të mbyllim një plagë të shkaktuar nga ndonjë fjalë apo veprim i pakëndshëm. Jezui na nxiti që të mos vonojmë të bëjmë paqe, duke thënë: «Pra, nëse e sjell dhuratën tënde për ta kushtuar në lter [altar, BR] e aty të bie në mend se yt vëlla ka diçka kundër teje, lëre dhuratën tënde aty para lterit, shko e pajtohu më parë me vëllanë tënd e pastaj eja e kushtoje dhuratën tënde!» (Mateu 5:23, 24) Shpesh, për të rivendosur marrëdhëniet paqësore duhet vetëm që të pranojmë se kemi vepruar gabim në ndonjë çështje dhe të kërkojmë të falur. Sa më shumë që presim për ta bërë këtë, aq më e vështirë bëhet.
Të lumtur që pranojmë gabimet
Siç ilustrojnë edhe shembujt e Saulit dhe të Davidit, mënyra se si veprojmë me gabimet tona mund të ndikojë mbi jetën tonë. Me kokëfortësi Sauli u rezistoi këshillave dhe gabimet u shtuan, duke arritur natyrisht kulmin me vdekjen e tij jashtë favorit të Perëndisë. Megjithëse gaboi dhe mëkatoi, Davidi i penduar pranoi të korrigjohej dhe i mbeti besnik Jehovait. (Krahaso Psalmin 32:3-5.) A nuk është kjo edhe dëshira jonë?
Shpërblimi më i madh për pranimin dhe ndreqjen e gabimeve apo për pendimin ndaj mëkateve është njohuria se Perëndia na i fal ato. «Lum ai . . . të cilit i kanë mbuluar mëkatin! Lum ai njeri të cilin Zoti nuk e padit.» (Psalmi 32:1, 2) Sa gjë e mençur është, pra, që ta pranojmë gabimin!
[Figura në faqen 29]
A mund të mësojë të ecë një fëmijë pa u penguar kurrë?