Shembuj përulësie që duhen imituar
«Vetë përulësia jote do të më bëjë të madh.»—PSALMI 18:35, BR.
1. Çfarë dëshmie të përulësisë mund të shohim tek një ish-kryetar i Shoqatës Watch Tower?
JOSEF F. RUTHERFORD kishte një prani urdhëruese, pasi ishte më shumë se një metër e tetëdhjetë i gjatë dhe peshonte më se 102 kg. Ai kishte edhe një zë të fuqishëm, të cilin e përdori jo vetëm për të bërë të njohur emrin e Jehovait siç nuk ishte bërë kurrë më parë, por edhe për të demaskuar dyfytyrësinë e krerëve fetarë të krishterimit, duke e përcaktuar fenë e tyre «një grackë dhe dallavere». Por sado e fortë që të ishte e folura e tij, kur lutej së bashku me familjen Bethel në selinë qendrore, ai ngjante si një fëmijë i vogël që flet me të atin, duke dhënë kështu dëshmi për lidhjen e tij të ngushtë me Krijuesin, si dhe përulësinë e tij. Po, ai ishte po aq i përulur sa edhe një fëmijë i vogël.—Mateu 18:3, 4.
2. Në cilin aspekt të veçantë shërbëtorët e Jehovait janë në kontrast të dukshëm me individët e botës?
2 Pa dyshim, të gjithë shërbëtorët e vërtetë të Perëndisë Jehova janë të përulur. Në lidhje me këtë, ata janë në kontrast të dukshëm me njerëzit e botës. Sot, më shumë se kurrë më parë, bota është e mbushur me njerëz krenarë. Krenarë janë ata që mbahen me të lartë dhe të fuqishmit, të pasurit dhe të diturit e madje edhe disa të varfër, si edhe njerëz që në një farë mënyre nuk janë të favorizuar.
3. Çfarë mund të themi për frytet e krenarisë?
3 Krenaria është shkaku i grindjeve dhe i mjerimit të pafund. Në fakt, të gjitha hallet në univers filluan sepse një farë engjëlli u bë krenar, duke dashur që të adhurohej në atë mënyrë që duhej adhuruar vetëm Krijuesi, Perëndia Jehova. (Mateu 4:9, 10) Për më tepër, ky engjëll, që e bëri veten Satana dhe Djall, pati sukses në joshjen e gruas së parë, Evës, duke i bërë thirrje krenarisë së saj. Ai i premtoi se nëse do të hante nga fruti i ndaluar, ajo mund të bëhej si vetë Perëndia, duke njohur të mirën dhe të keqen. Po të ishte e përulur, ajo mund të kishte thënë: «Përse duhet të bëhem si Perëndia?» (Zanafilla 3:4, 5) Kur shqyrtojmë gjendjen e mjerueshme në të cilën ndodhet njerëzimi, fizikisht, mendërisht dhe moralisht, e kuptojmë se sa e pafalshme është krenaria nga ana e njerëzve! Nuk habitemi, pra, që lexojmë se Jehovai e urren «kryelartësinë dhe krenarinë»! (Proverbat 8:13, BR) Në kontrast të dukshëm me të gjithë krenarët janë edhe shembujt e përulësisë që gjenden në Fjalën e Perëndisë, Biblën.
Perëndia Jehova është i përulur
4. Cilat shkrime tregojnë se Jehovai është i përulur?
4 Perëndia Jehova—Më i Larti, Sovrani Universal, Mbreti i përjetësisë—është i përulur. (Zanafilla 14:22) A është e mundur? Në fakt, po! Mbreti David tha fjalët që i gjejmë të shënuara në Psalmin 18:35: «Ti do të më japësh mburojën tënde të shpëtimit dhe vetë dora jote e djathtë do të më mbështesë dhe vetë përulësia jote do të më bëjë të madh.» (BR) Është e qartë, mbreti David ia dha meritën përulësisë së Jehovait për faktin që ai ishte bërë i madh. Përsëri, në Psalmin 113:6 lexojmë se Jehovai «begenis të shohë në qiej dhe mbi tokë». (BR) Në përkthime të tjera lexojmë: «Ulet për të parë . . . në qiejtë dhe mbi tokë» (Dio); «Denjon të shohë kaq poshtë.»—The New English Bible.
5. Cilat ngjarje dëshmojnë përulësinë e Jehovait?
5 Perëndia Jehova sigurisht që begenisi po të shohim mënyrën se si u soll me Abrahamin, duke e lejuar që të kërkonte drejtësinë e Tij në qëllimin që kishte për të shkatërruar qytetet e liga të Sodomës dhe Gomorrës. (Zanafilla 18:23-32) Dhe kur Jehovai shprehu deklaratën e tij për të fshirë tej kombin e Izraelit—një herë për shkak të idhujtarisë dhe një herë tjetër për shkak të rebelimit—në të dyja rastet Moisiu arsyetoi me Jehovain, si të ishte duke folur me një njeri tjetër. Në secilin rast Jehovai u përgjigj në mënyrë të favorshme. Duhej përulësi e madhe nga ana e Tij për të pranuar kërkesat e Moisiut në lidhje me popullin e Tij, Izraelin. (Të Dalët 32:9-14; Numrat 14:11-20) Shembuj të tjerë të sjelljes së përulur të Jehovait me njerëzit, duke e vënë veten në një nivel me ta, si të thuash, i shohim edhe në marrëdhëniet e tij me Gideonin dhe Jonain, siç tregojnë edhe Gjykatësit 6:36-40 dhe Jonai 4:9-11.
6. Cilat karakteristika të Jehovait zbulojnë edhe më tej përulësinë e tij?
6 Në fakt, të paktën nëntë herë, për Jehovain është thënë se është «i ngadalshëm në zemërim».a Shpirtmadhësia e Jehovait dhe ngadalësia e tij në zemërim në marrëdhëniet me krijesat e papërsosura njerëzore gjatë shekujve, është një provë e mëtejshme e përulësisë së tij. Personat krenarë nuk kanë durim, e shprehin shpejt zemërimin dhe nuk janë shpirtmëdhenj. Sa absurde duket krenaria e njerëzve të papërsosur përpara përulësisë së Jehovait! Pasi na është thënë të jemi «imitues të Perëndisë si fëmijë të dashur», duhet të jemi të përulur, ashtu si edhe ai është i përulur.—Efesianëve 5:1.
Shembulli i përulësisë së Jezuit
7, 8. Çfarë thonë shkrimet mbi përulësinë e Jezu Krishtit?
7 Shembulli i dytë i rëndësishëm i përulësisë që duhet të imitojmë përmendet në 1. Pjetrit 2:21: «Ai ju ka thirrur pikërisht për këtë. Ju e dini se Mesia vuajti për ju, dhe kështu ju la një shembull. Qëndroni në rrugën që hapi: ndiqni gjurmët e tij.» (ECM) Shumë më parë se të vinte mbi tokë si njeri, në lidhje me të ishte profetizuar në Zaharian 9:9: «Lësho britma gëzimi, o bijë e Jeruzalemit! Ja, mbreti yt po vjen; ai është i drejtë dhe sjell shpëtimin, i përulur dhe i hipur mbi një gomar.» Sikur të kishte qenë krenar, Jezu Krishti do ta kishte pranuar ofertën e Djallit për të gjitha mbretëritë e botës në shkëmbim të një akti adhurimi. (Mateu 4:9, 10) Ai tregoi gjithashtu përulësi, duke ia atribuar Jehovait të gjithë meritën për mësimin e tij, duke thënë: «Kur ta ngrini lart Birin e njeriut, atëherë do ta merrni vesh se UNË JAM dhe se prej vetvetes nuk bëj asgjë, por flas ashtu si më mësoi Ati.»—Gjoni 8:28.
8 Ai u tha me të drejtë dëgjuesve të tij: «Merrni mbi vete zgjedhën time e pranoni t’ju mësoj unë që jam zemër butë e i përvujtë. Kështu do të gjeni pushim për shpirtrat tuaj.» (Mateu 11:29) Dhe sa shembull të shkëlqyer përulësie na la kur u lau këmbët apostujve të tij mbrëmjen e fundit që gjendej me ta si një njeri! (Gjoni 13:3-15) Në mënyrë shumë të përshtatshme, në Filipianëve 2:3-8, apostulli Pavël i këshilloi të krishterët që të kishin «modesti mendjeje», duke cituar si shembull Jezu Krishtin: «Mbani këtë shprehi mendore që ishte edhe në Krishtin Jezu, i cili, edhe pse ekzistonte në formën e Perëndisë, nuk e konsideroi si rrëmbim, d.m.th., se duhej të ishte njëlloj me Perëndinë. Jo, por e zbrazi veten e tij dhe mori formën e një skllavi, duke u bërë i ngjashëm me njerëzit. Për më tepër, kur u gjend me figurë njeriu, e poshtëroi vetveten dhe u tregua i bindur deri në vdekje, po, vdekje mbi një shtyllë mundimesh.» (BR) Kur u ballafaqua me krizën më të madhe në jetën e tij, ai iu lut me përulësi të Atit: «Jo si dua unë, por si do ti.» (Mateu 26:39) Pa asnjë hije dyshimi, që të jemi imitues të Jezu Krishtit dhe të ndjekim nga afër gjurmët e tij, duhet të jemi të përulur.
Apostulli Pavël, një shembull i shkëlqyer përulësie
9-12. Në cilat mënyra apostulli Pavël la një shembull të shkëlqyer përulësie?
9 Apostulli Pavël shkroi: «Ndiqeni shembullin e tij, ashtu siç ndjek unë shembullin e Mesisë.» (1. Korintasve 11:1, ECM) A e ndoqi apostulli Pavël shembullin e Jezu Krishtit, duke qenë modest në mendje dhe duke na lënë kështu një tjetër shembull përulësie për të imituar? Sigurisht. Sa për të filluar, ai pranoi me përulësi se ishte një skllav i Jezu Krishtit. (Filipianëve 1:1) Ai u foli pleqve të kongregacionit të Efesit për ‘skllavërinë e tij ndaj Zotërisë, me modestinë më të madhe të mendjes dhe me lot e vuajtje që i ndodhën prej komploteve të hebrenjve’. (Veprat 20:17-19, BR) Po të mos kishte qenë i përulur, ai nuk do t’i kishte shkruar kurrë fjalët që gjejmë në Romakëve 7:18, 19: «Dhe e di se e mira nuk banon në mua . . . pasi nuk e bëj të mirën që dua, por të keqen që nuk e dëshiroj, atë e bëj.»
10 Tregues të përulësisë së Pavlit janë edhe fjalët që ai u shkroi të krishterëve të Korintit dhe që i gjejmë në 1. Korintasve 2:3: «U paraqita para jush si njeri i dobët dhe isha plot frikë dhe shqetësim.» Duke iu referuar me përulësi rrugës së tij të kaluar, para se të bëhej i krishterë, ai shkroi: «Më parë e kisha fyer, përndjekur dhe përbuzur. . . . Jezusi, Mesia, erdhi në botë për t’i shpëtuar mëkatarët. Unë jam më i keqi prej tyre.»—1. Timoteut 1:13, 15, ECM.
11 Një tregues i mëtejshëm i përulësisë së tij është se Pavli ia dha Perëndisë Jehova meritën për të gjitha sukseset e përpjekjeve të tij. Në lidhje me shërbimin e tij ai shkroi: «Unë mbolla, Apoli lagu, por Hyu bëri që të rritet. Kështu: nuk është gjë as ai që mbjell e as ai që lag, por Hyu që bën të rritet.» (1. Korintasve 3:6, 7) Ai u kërkoi, gjithashtu, vëllezërve të tij të luteshin për të që të mund të jepte një dëshmi të mirë, siç lexojmë në Efesianëve 6:18-20: «Lutuni . . . për mua, që Perëndia të më japë fjalën e përshtatshme për ta shpallur pa pengesë të fshehtën e Lajmit të mirë . . . pa frikë për të, sipas detyrës sime.» (ECM).
12 Pavli e tregoi përulësinë e vet edhe me mënyrën në të cilën bashkëpunoi me apostujt e tjerë: «Jakobi, Kefa dhe Gjoni . . . na i shtrinë të djathtat e veta, mua dhe Barnabës, në shenjë të bashkësisë, kështu që ne të shkonim ndër paganë e ata ndër të rrethprerë.» (Galatasve 2:9) Më tej, ai e tregoi gatishmërinë për të bashkëpunuar me pleqtë e kongregacionit në Jeruzalem, duke shoqëruar katër të rinj për në tempull dhe duke paguar shpenzimet e tyre, ndërsa ata ishin duke plotësuar një betim.—Veprat 21:23-26.
13. Përse bie kaq shumë në sy përulësia e Pavlit?
13 Përulësia e Pavlit bie akoma më shumë në sy, kur vërejmë se sa fuqishëm u përdor ai prej Perëndisë Jehova. Për shembull, ne lexojmë se «Perëndia kreu mrekulli të jashtëzakonshme nëpërmjet Palit». (Veprat 19:11, 12, ECM) Gjithashtu, nuk duhet të nënvlerësojmë faktin se ai u frymëzua për të shkruar 14 nga 27 librat (në fakt, letrat) e Shkrimeve Greke të Krishtere. E megjithatë atij nuk i hipi vetja në qejf, nëse mund të themi kështu. Ai mbeti i përulur.
Shembuj të ditëve të sotme
14-16. (a) Në ç’mënyrë kryetari i parë i Shoqatës Watch Tower ishte një shembull i shkëlqyer përulësie? (b) Me cilin është në kontrast të dukshëm shembulli i tij?
14 Në Hebrenjve 13:7, lexojmë këshillën e apostullit Pavël: «Kujtojini ata që marrin direktivën mes tuaj, ata që ju kanë shpallur fjalën e Perëndisë dhe ndërsa soditni se si mbaron sjellja e tyre imitoni besimin e tyre.» (BR) Në përputhje me këtë parim, mund të marrim si një shembull të ditëve të sotme kryetarin e parë të Shoqatës Watch Tower Bible and Tract, Charles Taze Russell, besimin e të cilit mund ta imitojmë. A ishte ai një njeri i përulur? Në të vërtetë, po! Siç është vënë me të drejtë në dukje, në tekstin e tij të Studime mbi Shkrimet, gjashtë volume me mbi 3.000 faqe, ai asnjëherë nuk i është referuar vetvetes. Sot, botimet e Shoqatës Watch Tower and Tract e ndjekin këtë parim duke mos i identifikuar shkrimtarët e artikujve për të mos tërhequr vëmendjen mbi njerëzit.
15 Në Kullën e Rojës, Ruselli shkroi një herë se ai nuk i njihte gjëra të tilla si «ruselizmi» apo «ruselitë», terma që kundërshtarët e tij i përdorën, por që ai i hodhi tej kategorikisht. Ai shkroi: «Vepra jonë . . . konsiston në mbledhjen e këtyre fragmenteve të së vërtetës që kanë humbur për kaq shumë kohë dhe në paraqitjen e tyre për popullin e Zotërisë, jo si të ishin diçka e re, as e jona, por e Zotërisë. . . . Vepra në të cilën Zotëria ynë ka gjetur kënaqësi për të përdorur talentet tona të përulura, nuk ka qenë një vepër fillestare, por një vepër rindërtimi, sistemimi dhe harmonizimi.» Vërtet, ai shprehte ndjenjat e apostullit Pavël që gjenden në 1. Korintasve 3:5-7.
16 Ky qëndrim ishte krejt e kundërta e atij të Darvinit. Në botimin e tij të parë të Origjina e llojeve në 1859, Darvini iu referua vazhdimisht teorisë «sime», duke mos përfillur faktin se edhe të tjerë para tij kishin folur mbi evolucionin. Një shkrimtar i njohur i atij shekulli, Samuel Butler, e qortoi Darvinin, duke theksuar se shumë të tjerë e kishin parashtruar më parë hipotezën e evolucionit; ajo nuk filloi në asnjë mënyrë me Darvinin.
17. Cilët janë disa shembuj të mëtejshëm të përulësisë së vëlla Rutherfordit?
17 Një tjetër shërbëtor besnik në kohët tona, të cilin Perëndia Jehova e përdori fuqishëm, ishte Joseph F. Rutherford që u përmend në fillim. Ai ishte një mbrojtës i guximshëm i së vërtetës së Biblës dhe në veçanti i emrit të Jehovait. Edhe pse njihej gjerësisht si gjykatësi Rutherford, në zemër ai ishte një njeri i përulur. Për shembull, një herë ai bëri disa deklarata dogmatike në lidhje me atë që duhet të pritnin të krishterët në vitin 1925. Kur ngjarjet treguan dështimin e pritjeve të tij, ai me përulësi i tha familjes Bethel në Bruklin se nuk kishte treguar gjykim të mirë. Një i krishterë i mirosur, që kishte një shoqëri shumë të ngushtë me të, dëshmoi disa herë se e kishte dëgjuar vëlla Rutherfordin të kërkonte falje në frymën e Mateut 5:23, 24, publikisht dhe privatisht, pasi kishte lënduar një të krishterë tjetër me disa shprehje të paarsyeshme. Duhet përulësi nga ana e dikujt me pozitë që t’u kërkojë falje vartësve të tij. Vëlla Rutherford la një shembull të shkëlqyer për të gjithë mbikëqyrësit, qofshin këta në kongregacion, në veprën e udhëtimit apo në ndonjë nga degët e Shoqatës.
18. Çfarë pohimesh, që zbulojnë një gjendje të përulur mendjeje bëri kryetari i tretë i Shoqatës?
18 Kryetari i tretë i Shoqatës Watch Tower Bible and Tract, Nathan H. Knorr, edhe pse kishte përparësi midis popullit të Jehovait, tregoi se nuk ndihej superior për shkak të pozitës së tij. Edhe pse shkëlqeu në aftësitë organizuese dhe si orator publik, ai kishte respekt të madh për çka bënin të tjerët. Për shembull, një herë ai vizitoi një pjesëtar të Repartit të Shkrimeve në zyrën e tij dhe pohoi: «Në këtë repart kryhet puna më e rëndësishme dhe më e vështirë. Prandaj edhe unë shkruaj kaq pak.» Po, ai ishte i përulur në zbatim të këshillës në Filipianëve 2:3, sipas së cilës ‘me përulësi mendjeje një person duhet të konsiderojë se të tjerët janë më të lartë se ai’. Ai e kuptonte se megjithëse shërbimi si kryetar i Shoqatës ishte i rëndësishëm, edhe punët e tjera ishin gjithashtu të rëndësishme. Duhej përulësi nga ana e tij për të menduar në atë mënyrë dhe për ta shprehur kaq hapur. Ai ishte një tjetër shembull i shkëlqyer për t’u imituar nga të gjithë, veçanërisht nga ata që mund të kenë një pozitë të rëndësishme mbikëqyrjeje.
19, 20. (a) Çfarë shembulli përulësie la kryetari i katërt i Shoqatës? (b) Çfarë ndihmese do të na japë artikulli vijues për të kultivuar përulësinë?
19 Kryetari i katërt i Shoqatës, Fred W. Franz, ishte gjithashtu një shembull i shkëlqyer përulësie. Si zv/kryetar i Shoqatës për më shumë se 32 vjet ai punoi shumë për shkrimin e revistave dhe të programeve të asambleve; megjithatë, në lidhje me këto ai mbeti gjithmonë në hije, duke mos dashur kurrë të ishte në qendër të vëmendjes. Mund të citojmë këtu një shembull të ngjashëm nga lashtësia. Kur Joabi i shpartalloi amonitët në Raba, ai mori masat që merita për këtë fitore t’i shkonte mbretit David.—2. Samuelit 12:26-28.
20 Vërtet, ka shumë shembuj të shkëlqyer, të së shkuarës dhe të së tashmes, që na japin arsye të fuqishme për të qenë të përulur. Megjithatë, ka edhe shumë arsye të tjera për të qenë të përulur dhe këto, si edhe gjëra të tjera që na ndihmojnë për të pasur përulësi do të merren në shqyrtim në artikullin vijues.
[Shënimi]
a Të Dalët 34:6; Numrat 14:18; Nehemia 9:17; Psalmet 86:15; 103:8; 145:8; Joeli 2:13; Jonai 4:2; Naumi 1:3.
A të kujtohet?
◻ Cilat kanë qenë frytet e krenarisë?
◻ Kush ka lënë shembullin më të shkëlqyer në përulësi?
◻ Cili ishte shembulli i dytë më i madh i përulësisë dhe nga se duket?
◻ Çfarë shembulli të shkëlqyer përulësie la apostulli Pavël?
◻ Çfarë shembujsh të rëndësishëm përulësie kemi në ditët e sotme?
[Figura në faqen 15]
Jezui la një shembull të shkëlqyer përulësie
[Figura në faqen 16]
Pavli la një shembull të shkëlqyer përulësie
[Figura në faqen 17]
Vëlla Russell nuk e mori mbi vete meritën për gjërat që shkroi