BIBLIOTEKA ONLINE Watchtower
Watchtower
BIBLIOTEKA ONLINE
shqip
Ë
  • Ë
  • ë
  • Ç
  • ç
  • BIBLA
  • BOTIME
  • MBLEDHJE
  • w94 1/1 f. 4-9
  • Lindje dhe Perëndim, Jehovai forcon popullin e tij

Nuk ka video për këtë zgjedhje.

Na vjen keq, ka një problem në ngarkimin e videos

  • Lindje dhe Perëndim, Jehovai forcon popullin e tij
  • Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1994
  • Nëntema
  • Material i ngjashëm
  • Lulëzim edhe në ndalim
  • Po në Amerikë?
  • Në Afrikën e copëtuar nga luftërat
  • Në «vendin e shqiponjave»
  • «Zgjati litarët e tu»
  • Ngjarje të rëndësishme të vitit të kaluar
    Libri vjetor i Dëshmitarëve të Jehovait 2001
  • Jehovai nuk na braktisi kurrë
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1996
  • Ngjarje të rëndësishme të vitit të kaluar
    Libri vjetor i Dëshmitarëve të Jehovait 2000
Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1994
w94 1/1 f. 4-9

Lindje dhe Perëndim, Jehovai forcon popullin e tij

NË TERRITORE ku vepra e predikimit nuk është e lirë, në vende të përçara nga dhuna dhe në ato ku ndalimi është hequr kohët e fundit​—në fakt, në të gjithë fushën botërore—​Jehovai vazhdon t’u sigurojë Dëshmitarëve të ve «fuqi të pakrahasueshme.»​—2. Korintasve 4:7.

Lulëzim edhe në ndalim

Në një arkipelag të Lindjes së Largme, vepra e predikimit është tashmë e ndaluar prej 17 vjetësh. A janë shkurajuar Dëshmitarët? Aspak! Majin e kaluar, ata kapën një maksimum të ri prej 10.756 lajmëtarësh, prej të cilëve 1.297 shërbenin si shërbëtorë të plotë kohorë. Ndërsa kushtet e botës keqësohen, banorët e ishullit janë gjithmonë e më të prirë për të dëgjuar të vërtetën. Kështu, ata kanë raportuar 15.654 studime biblike që udhëhiqen në shtëpitë e njerëzve të interesuar. Disa muaj më parë, 25.397 veta ishin mbledhur fshehurazi për të përkujtuar vdekjen e Jezuit.

Kur u mbajt Kongresi Krahinor «Mësimi hyjnor», gjithnjë me maturi në përputhje me rrethanat lokale, vëllezërit u gëzuan kur morën në gjuhën e tyre kopjet e po atyre botimeve që kishin dalë edhe në Shtetet e Bashkuara. Përkthyesit, korrektorët dhe të tjerët, vullnetarisht kishin punuar disa orë më tepër, që të mund të përgatisnin në kohën e duhur botimet kryesore me qindra faqe. Dhe një ndërmarrje e huaj shtypi me gëzim bëri një punë të shkëlqyer për botimin dhe lidhjen e tyre. Kongresistët ishin të gëzuar që morën botimet, me një radhitje prej mëse njëqind pikturash me ngjyra. Shumë zyrtarë të qeverisë i respektojnë Dëshmitarët e Jehovait dhe opozita përbëhet kryesisht prej klerikëve të krishterimit. Shpresohet që së shpejti edhe ndalimi të hiqet.

Po në Amerikë?

Dëshmitarët e Jehovait në këto vende të Perëndimit, janë të lidhur me vëllezërit e tyre në Lindje në përballimin me guxim të problemeve dhe fryma e shenjtë e Jehovait i ndihmon që të kapërcejnë situatat e vështira. Le të shohim, për shembull, raportin vijues që vjen nga një vend latino-amerikan, ku kartelet e drogës sillen vërdallë nëpër xhungël.

Një grup Dëshmitarësh i kishte hipur autobusit për në një territor të izoluar. Kur zbritën, vunë re një rrugë të vogël që dilte jashtë nga fshati. Prandaj, të pestë vëllezërit shkuan për të parë se ku të çonte ajo rrugë, ndërsa motrat dhe fëmijët u caktuan për të punuar në fshat. Një nga vëllezërit tregon:

«Për dy orë ecëm përgjatë rrugës dhe pamë shumë pak banesa. Kur, papritur, prej drurëve dolën tetë njerëz të armatosur dhe me kapuç në kokë. Disa kishin automatikë dhe të tjerët hanxharë. Ku të shkonim? I pyetëm se çfarë donin, por na thanë të rrinim të qetë e të mos flisnim​—duhej të ecnim përpara. Dhe ne u bindëm! Pas dy orësh të tjera, nëpërmjet shkurreve të dendura të xhunglës, mbërritëm në një çeltirë që dukej se ishte një kamp i armatosur. Kudo përreth kishte roje të armatosura. Në qendër ndodhej një shtëpi e hijshme dhe atje na çuan.

Pasi u ulëm, na takoi dikush që me sa dukej ishte në krye të kampit. Ai ishte veshur pastër, me edukatë dhe plot dinjitet. I vuri gishtin njërit prej vëllezërve dhe i tha të ngrihej në këmbë. Pastaj e pyeti: “Çfarë mendon për grupin [tonë]?” Duke e kuptuar plotësisht se ku gjendeshim, vëllai u përgjigj: “Ç’të them, ne e njohim grupin tuaj, por nuk kemi asnjë interes për të apo për ndonjë grup tjetër politik. Arsyeja e vetme për të cilën jemi këtu është që të predikojmë mbi Mbretërinë e Perëndisë Jehova, të kryesuar nga Krishti Jezu. Së shpejti, ajo do t’i shkatërrojë të gjitha qeveritë politike të këtij sistemi gjërash dhe do të sjellë bekime të mrekullueshme për njerëzit e kësaj toke në kushte parajsore​—diçka që asnjë njeri apo grup njerëzish nuk mund ta bëjë.”

Sjellja e atij njeriu ndryshoi. Filloi të pyeste: “Ku i ke mësuar të gjitha këto? Si je përgatitur për të folur në këtë mënyrë?” Për një orë e gjysmë, mundëm të jepnim një dëshmi të mirë mbi kushtet botërore dhe treguam se Bibla na jep të vetmen shpresë për njerëzimin. Shpjeguam, gjithashtu, edhe kapitullin 13 të Romakëve: që ne u bindemi autoriteteve në fuqi, por kur midis tyre dhe Fjalës së Jehovait ka ndonjë kundërshtim, ne i bindemi Perëndisë tonë Jehova, së pari. Më në fund, i ofruam edhe librat që kishim me vete. Ai mori tre prej tyre, si dhe një Bibël dhe për habinë tonë të madhe, dha edhe një kontribut për to. Tha se do t’i lexonte.

Pastaj, kryetari ia bëri me shenjë njërit prej njerëzve që të na nxirrte jashtë kampit. Shpejt, gjendeshin në rrugën e kthimit, duke falenderuar Jehovain për fitoren që arritëm në një fushë tjetër shërbimi.»

Në Afrikën e copëtuar nga luftërat

Në mes të rrugës midis Lindjes së Largme dhe Perëndimit të largët, shtrihet kontinenti afrikan. Luftërat fisnore i kanë kthyer disa shtete të atyshëm në vorbulla dhune. Në Liberi, sërish populli i Jehovait është prekur thellësisht nga një rritje e luftës civile. Në fillim, gjatë tetorit dhe nëntorit 1992, luftohej vetëm në kryeqytet dhe përreth tij. Më vonë, kur lufta u përhap në mbarë vendin, të gjitha kongregacionet u shpërndanë, pasi vëllezërit u larguan nëpër pyllishte bashkë me pjesën tjetër të popullatës. Megjithatë, zelli i tyre nuk ndryshoi. Ndërsa largoheshin, predikonin dhe kjo solli si rezultat një dëshmi të madhe edhe në zonat më të humbura në brendësi të vendit.

Një kongregacion me vëllezër të shpërngulur ndërtoi një Sallë të përkohshme Mbretërie në mes të një plantacioni me kauçuk. Në një qytet pranë vijës së frontit, popullsia civile largohej gjatë ditës nëpër plantacionet e kauçukut rreth e rrotull, për t’i shpëtuar bombardimit ajror. Vëllezërit lokalë (duke përfshirë edhe shumë lajmëtarë të shpërngulur nga kryeqyteti, Monravia) organizuan shërbimin e fushës dhe mundën kështu rregullisht t’u predikonin qindra vetave që mbroheshin poshtë pemëve të kauçukut! Sa herë që afrohej ndonjë aeroplan, vëllezërit dhe motrat hidheshin në një hendek dhe kur rreziku kalonte, vazhdonin me tregimet e tyre.

Për çudi, të njëqind e ca lajmëtarët e kongregacionit që kishin mundësi për të raportuar Shoqatën, me gjithë kushtet e luftës civile, kishin një mesatare prej 18,1 orësh në shërbimin në fushë dhe udhëheqin 3.111 studime biblike në muaj.

Në Afrikë, gjatë katër viteve të shkuara, shtrëngesa ndaj veprës së Dëshmitarëve të Jehovait është hequr në 18 vende. Dhe sa gëzim! Javën e fundit të shtatorit, ndalimi ndaj Dëshmitarëve në Malavi, që u vu në tetor 1967, më 12 gusht u hoq. Megjithatë, predikimi i fshehtë i lajmit të mirë kish përparuar, por tani Dëshmitarët mund të vazhdojnë lirisht, edhe pse u duhet të presin ringjalljen për të përshëndetur sërish shumë prej shokëve të tyre që janë vrarë nga shtypësit.

Në Mozambik, një traktat paqeje erdhi në fuqi në 4 tetor 1992. Territoret që më parë ishin të paarritshme, për shkak të luftës shkatërruese të 16 vjetëve të kaluar, tashmë janë arritur. Në zonën e Kariokos, u rivendos komunikimi me 375 vëllezër dhe motra që kishin humbur çdo kontakt me organizatën gjatë shtatë viteve të shkuara. Në Milange, kryeqytet i zonës, e njohur më parë si selia e një kampi përqëndrimi dhe qendër për «riedukimin» e Dëshmitarëve të Jehovait, shumë prej të cilëve ishin refugjatë nga Malavia, u mbajt një asamble speciale një ditore. Shuma e personave të pranishëm qe habitëse, 2.915, duke përfshirë edhe administratorin e qytetit, që i mikpriti Dëshmitarët e Jehovait. Kështu, pra, ish-qendra e «riedukimit» u kthye atë ditë në qendër të mësimit hyjnor.

Një misionar shkruan: «Në lidhje me vëllezërit tanë që gjendeshin nëpër kampet e refugjatëve në Tete Province, u bë një vëzhgim interesant nga një përfaqësues i UNHCR (Komisariati i Lartë i Kombeve të Bashkuara për Refugjatët). Ai tha se Dëshmitarët e Jehovait kishin organizuar kampet e tyre, të ndarë nga grupet e tjera. “Kampi i tyre,—tha ai,—ishte i vetmi që ish vendosur siç duhet.” Dhe shtoi: “Dëshmitarët e Jehovait janë të pastër, të organizuar dhe të edukuar.” Pastaj, ai më propozoi që të shkonim me aeroplan përmbi kaçubet dhe të shihja vetë. Nga lart, piloti pikasi dy kampe. Njëri ishte copë-copë dhe i ndyrë, me shtëpi me baltë, të ndërtuara mbi njëra-tjetrën pa asnjë farë plani. Tjetri ishte i sistemuar mirë, me shtëpi të ndara në rreshta nga rrugët. Shtëpitë kishin një pamje të rregullt, me oborre të fshira. Disa ishin madje të lyera me bojë të bërë vetë. “A e gjen dot se cili është i njerëzve të tu?”—më tha piloti. Ishte një gëzim i madh për mua të takoja vëllezërit në atë kamp. Tani, ka tetë kongregacione në fshatin e Dëshmitarëve.»

Në «vendin e shqiponjave»

Jo, nuk është shqiponja amerikane! Midis Lindjes dhe Perëndimit gjendet një shtet evropian, emri i të cilit, Shqipëria, në gjuhën zyrtare do të thotë «Vendi i Shqiponjave». Kohët e fundit, në këtë vend u hoq një ndalim mizor 50-vjeçar ndaj Dëshmitarëve të Jehovait dhe ata tani mund të bashkohen me vëllezërit e tyre nga Lindja dhe Perëndimi në gëzim të lirisë së adhurimit. Ata me të vërtetë «dinë ta shfrytëzojnë mirë kohën». (Efesianëve 5:16) Asambleja e parë në historinë e Shqipërisë, një asamble një ditore, u mbajt në Pallatin e Kulturës, në kryeqytetin Tiranë, të dielën e 21 marsit. Të shtunën pasdite, një grup prej 75 Dëshmitarësh vullnetarë e transformuan atë vend të shkatërruar mbledhjesh në një sallë asamblesh të pastër dhe të shkëlqyer. Drejtoria mbeti pa gojë. Dhe është për t’u shënuar se nga të 75 Dëshmitarët, vetëm rreth 20 ishin të pagëzuar!

Koha s’kish se si të bëhej më e mirë. Ndërsa delegatët nga jashtë vinin, përshëndetjet dhe përqafimet e bënin me të vërtetë speciale këtë asamble speciale. Me pëllëmbët e shtrira nga qielli, vëlla Nasho Dori bëri lutjen e hapjes. Ai është pagëzuar në 1930-ën dhe tani është pothuajse i verbër. Programi u paraqit në shqip, pjesa më e madhe nga pionierë specialë të huaj. Të 585 të pranishmit këndonin këngën «Dedikimi i Krishterë»​—një nga të gjashtë këngët e përkthyera për atë rast në shqip—​ndërsa 41 vëllezër dhe motra të reja u drejtuan nga pishina, të cilën disa vëllezër që vizitonin nga Greqia e kishin ngritur për bukuri në Sallën lokale të Mbretërisë. Çfarë ndryshimi! Më parë, një Bibël do të thoshte të përfundoje në internim dhe mbledhjet ishin të kufizuara në grupe të vogla prej dy apo tre vetash.

Një ditë pas asamblesë, zyra e Shoqatës Watch Tower pati një thirrje telefonike nga nëndrejtori i teatrit. Zakonisht atij as që i bëhej vonë se kush e përdorte sallën. Me këtë punë merreshin të tjerët. Por ai tha: «Mora vetëm për t’ju falenderuar. Kurrë s’e kisha parë këtë vend aq të pastër. Po ta përshkruaja, do të thosha se dje në teatër zbriti një frymë nga qielli. Sa herë të doni të përdorni ndërtesën tonë, ju lutem kthehuni dhe do të jeni të parët në radhë. Në fakt, ju duhet të vini këtu çdo tre muaj falas.»

Dëshmitarët u kthyen në qytetet e tyre të forcuar dhe mirënjohës dhe filluan përgatitjet për Përkujtimin e vdekjes së Jezuit. Vetëm 15 ditë më vonë, të enjten më 6 prill, u mbajt Përkujtimi i parë i lirë në shtatë vende.

Në Berat, pjesëmarrësit në mbledhje kanë arritur në mbi 170 dhe prifti i atyshëm është mjaft i zemëruar. Prej të 33 lajmëtarëve të Mbretërisë në Berat, 21 u pagëzuan në asamble. Berati raportoi për 472 pjesëmarrës në Përkujtim. Edhe gjetkë, pjesëmarrësit në Përkujtim ishin të shumtë, në pjesën më të madhe si rezultat i drejtimit të shkëlqyer prej pionierëve specialë.

Në qytetin më katolik të Shqipërisë, Shkodër, ku ndodhet edhe një bazilikë, kisha ka filluar të shtypë një fletushkë të përmuajshme dhe çdo numër i saj trajton «Pse u themi jo Dëshmitarëve të Jehovait». Një herë u tha: «Dëshmitarët e Jehovait kanë pushtuar Shkodrën»! Ushtria e madhe prej dy Dëshmitarësh kishte mbledhur në Përkujtim 74 persona të mirësjellshëm dhe seriozë. Pasi dëgjuan fjalimin e Përkujtimit, 15 familje kërkuan studim biblik në shtëpi. Në një qytet tjetër, në Durrës, ku gjendet një ushtri prej katër Dëshmitarësh, pjesëmarrja në Përkujtim ishte e shkëlqyeshme, 79 veta.

Për shkak të kundërshtimit të të rinjve katolikë, që kërcënuan se do t’i përzinin me gurë Dëshmitarët, mbledhja e Përkujtimit në fshatin malor Kallmet i Vogël, u mbajt në shtëpinë e një vëllai vendas. Në paqe të plotë morën pjesë 22 veta. Në atë grup ka pesë lajmëtarë, tre prej të cilëve u pagëzuan në asamblenë në Tiranë.

Në Vlorë, dy të rinj morën një kopje të Kullës së Rojës, e lexuan dhe i shkruan Shoqatës: «Ne tani quhemi Dëshmitarë të Jehovait, për shkak të së vërtetës që kemi mësuar në Kullën e Rojës. Ju lutemi, na ndihmoni!» Dy pionierë specialë u caktuan aty dhe një nga djemtë e rinj shpejt u bë një lajmëtar. Ai qe i gëzuar në mes të 64 pjesëmarrësve në Përkujtim në Vlorë.

Një vëlla shqiptar, që e mësoi të vërtetën në Shtetet e Bashkuara, u kthye në 1950-ën në qytetin e tij të lindjes, Gjirokastër, ku shërbeu me sa mundi deri në vdekje. Ai mbolli farën e së vërtetës në zemrën e të birit. Kur u hoq ndalimi, ky djalë i kërkoi ndihmë Shoqatës Watch Tower. Edhe një tjetër person i interesuar, që banon në një fshat më në veri, i kishte shkruar Shoqatës për ndihmë, prandaj aty u dërguan katër pionierë specialë. Të premten në mëngjes, pas Përkujtimit, njëri prej tyre i telefonoi zyrës së Shoqatës në Tiranë: «Nuk mund të mos thosha se sa shumë ka bërë fryma e Jehovait. Jemi shumë të gëzuar. Përkujtimi ishte një sukses.» Të pranishmit ishin 106, duke përfshirë edhe grupin e tyre prej shtatë lajmëtarësh të Mbretërisë.

Ç’mund të themi për shumën e përgjithshme të pjesëmarrjes në Përkujtim? Në 1992-shin, kur kishte vetëm 30 Lajmëtarë të Mbretërisë, pjesëmarrësit ishin 325 veta. Në 1993-shin, 131 lajmëtarë kishin mbledhur 1.318 pjesëmarrës. Në të dy vitet pjesëmarrësit kanë qenë dhjetë herë më shumë se numri i lajmëtarëve. Sa emocionuese është të shohësh se si «më i vogli . . . bëhet një mijëshe» në një periudhë kaq të shkurtër kohe!​—Isaia 60:22.

«Zgjati litarët e tu»

Ndërsa vepra e predikimit e Dëshmitarëve të Jehovait shtrihet në të gjitha cepat e globit, del thirrja: «Zgjero vendin e çadrës sate dhe fletët e banesave të tua le të shtrihen pa kursim; zgjati litarët e tu dhe përforco kunjat e tu, sepse do të shtrihesh në të djathtë dhe në të majtë.» (Isaia 54:2, 3) Kjo shtrirje në «tendën e madhe» të Perëndisë, e përfaqësuar nga kongregacioni botëror i adhuruesve të tij, në fakt është e dukshme edhe në Evropën Lindore, veçanërisht në vendet e ish-Bashkimit Sovjetik. Pasi i mbështeti shërbëtorët e tij gjatë dekadave të shtypjes, Jehovai po u siguron tani Dëshmitarëve të tij energjinë e nevojshme dinamike për të përhapur dhe forcuar organizatën.

Në Moskë, Rusi, në 22-25 korrik, në stadiumin «Lokomotiva» një maksimum prej 23.743 vetash morën pjesë në një kongres historik ndërkombëtar të serisë «Mësimi Hyjnor» të vitit që shkoi. Kush do të mund ta mendonte këtë, vetëm dy vjet më parë? Por, ja ku ishin! Më shumë se 1.000 veta erdhën prej Japonisë dhe Koresë, rreth 4.000 prej Shteteve të Bashkuara dhe Kanadasë dhe qindra të tjerë nga mëse 30 vende të Paqësorit Jugor, Afrikës, Evropës dhe nga zona të tjera: me të vërtetë një takim i Lindjes me Perëndimin. Sa gëzim ishte për të gjithë ata që të bashkoheshin me më shumë se 15.000 vëllezërit dhe motrat e tyre nga Rusia! Gëzimi nuk njihte kufi.

Një shumë marramendëse prej 1.489 Dëshmitarësh të rinj u pagëzuan. Pagëzimit iu bë një reklamë e madhe prej mjeteve të informacionit anembanë botës, duke përfshirë edhe një fotografi të bukur në faqen e parë të The New York Times. Duartrokitjet ushtuese gjatë pagëzimit, u tejkaluan prej atyre gjatë fjalimit final, kur pasi kishte falenderuar të 4.752 vullnetarët edhe zyrtarët që kishin ndihmuar në suksesin e këtij kongresi, spikeri tha: «Dhe mbi të gjitha, falenderojmë Jehovain!» Po, fryma e Jehovait kish hequr opozitën e fortë të fetarëve ortodoksë dhe kishte siguruar forcën e domosdoshme që e shndërroi atë kongres rrëqethës në një realitet.

Megjithatë, kishte ende diçka për të ndodhur, në Kiev të Ukrainës, në 5-8 gusht. Edhe një herë, vullnetarët e ripërtërinë plotësisht stadiumin dhe kjo Sallë e stërmadhe Mbretërie priti një maksimum prej 64.714 vetash. Përsëri, Dëshmitarët erdhën prej Lindjes dhe Perëndimit dhe nga vendet midis tyre. Fjalimi kryesor u përkthye në 12 gjuhë. Mbi 53.000 delegatë, që arritën me mjete transporti, u pritën nëpër stacione dhe aeroporte dhe u çuan nëpër vendet ku do të rrinin, hotele, shkolla, shtëpi private, madje edhe nëpër anije. E gjithë kjo u krye me shpenzime minimale dhe me një efikasitet organizimi që solli shumë shprehje habie dhe lavdërimi nga ana e policisë së qytetit.

Pika kulminante e programit emocionues të kongresit ishte pagëzimi, që zgjati plot dy orë e gjysëm. Një shumë prej 7.402 vëllezërish dhe motrash të reja simbolizuan dedikimin e tyre ndaj Jehovait, ndërsa duartrokitjet ushtonin vazhdimisht përreth stadiumit të gjerë. Kjo ia kaloi maksimumit të mëparshëm të të pagëzuarve në të gjitha kohët, që ishte arritur në 1958-ën në New York, ku nga 253.922 kongresistë të mbledhur, u pagëzuan 7.136 veta.

Dora-dorës që kjo periudhë gjykimi po i afrohet fundit të saj, njerëz ngjashëm deleve nga Lindja, Perëndimi madje edhe «nga pjesët më të largëta të tokës», po mblidhen në një unitet që s’ka të krahasuar në të gjithë historinë botërore. Në fakt, «një shumicë e madhe . . . prej çdo kombi, çdo fisi, populli dhe gjuhe» po bashkon Izraelin frymor, për të deklaruar besimin në sakrificën e çmuar shpërblerëse të Jezuit, themelit të gjithçkaje që po kryhet për shfajësimin e sundimit sovran të Jehovait—Veprat 1:8; Zbulesa 7:4, 9, 10.

[Figurat në faqet 8, 9]

Lindja takon Perëndimin në Moskë dhe në Kiev

    Botimet shqip (1993-2025)
    Shkëputu
    Hyr me identifikim
    • shqip
    • Dërgo
    • Parametrat
    • Copyright © 2025 Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania
    • Kushtet e përdorimit
    • Politika e privatësisë
    • Parametrat e privatësisë
    • JW.ORG
    • Hyr me identifikim
    Dërgo