Jehovai nuk na braktisi kurrë
TREGUAR NGA NASHO DORI
Mbreshtani është një fshat i vogël malor në jug të Shqipërisë, jo shumë larg nga Greqia. Atje, unë linda në vitin 1907. Kur mbusha pesë vjeç, fillova një shkollë greke, por i ndërpreva studimet kur trupat italiane pushtuan Shqipërinë gjatë Luftës I Botërore. Pas luftës nisa përsëri shkollën, por tani në shqip.
EDHE pse prindërit nuk i kisha shumë besimtarë, ata mbanin traditat e Kishës Ortodokse. Daja i babait ishte prift në Mbreshtan, prandaj unë ndihmoja në kishë dhe pashë nga afër se çfarë ndodhte aty. Ritet dukeshin pa kuptim dhe hipokrizia më mërziti.
Sipas zakonit të vendit, prindërit më zgjodhën një vajzë për martesë. Argjirua ishte nga Grabova, një fshat i afërt dhe u martuam në 1928-ën, kur ajo ishte 18 vjeçe.
Mësoj të vërtetën biblike
Rreth asaj kohe, i thashë një kushëriri që kishte ardhur nga Amerika se isha i mërzitur me Kishën Ortodokse. «Në Amerikë, afër shtëpisë sime,—ma ktheu,—janë ca që bëjnë mbledhje. Ata nuk kanë kishë, por bëjnë mësime për Biblën.» Ideja për të studiuar Biblën pa pasur një kishë më tërhoqi. Prandaj i kërkova nëse mund të më dërgonte ca literaturë biblike.
E kisha harruar fare bisedën që bëmë, derisa një vit më pas mora një pako nga Milluoki, Viskonsin. Brenda kishte librin Harpa e Perëndisë në shqip dhe Kullën e Rojës në greqisht. E shfletova librin dhe vura re se flitej për kishën e vërtetë. Kjo më mërziti. «S’dua t’ia di fare për asnjë kishë»,—thashë me vete. Prandaj nuk e lexova plotësisht.
Në vitin 1929, shkova ushtar dhe më dërguan në kryeqytet, Tiranë. Atje takova Stathi Muçin, i cili lexonte një Bibël në greqisht. «A vete në kishë?»—e pyeta. «Jo,—m’u përgjigj.—E kam lënë kishën. Jam një nga Studentët Ndërkombëtarë të Biblës.» Bashkë me një ushtar tjetër vajtëm në një mbledhje me Stathin, të dielën. Atje mësova që kisha e vërtetë nuk është ndonjë ndërtesë apo fe, por përbëhet nga shërbëtorët e mirosur të Krishtit. Tani e kuptova ç’donte të thoshte Harpa e Perëndisë.
Nga mesi i viteve ’20, Nasho Idrizi dhe Spiro Vruho ishin kthyer në Shqipëri nga Amerika dhe po përhapnin të vërtetën biblike që kishin mësuar atje. Fillova të ndjek rregullisht mbledhjet në Tiranë, bashkë me një grusht Studentësh Biblikë. Shpejt, m’u bë e qartë se kisha gjetur organizatën e Jehovait. Kështu, më 4 gusht 1930, u pagëzova në lumin e Tiranës.
Më pas u ktheva në Mbreshtan dhe vazhdova zanatin tim si këpucar. Por më e rëndësishme është se fillova edhe të ndaja me të tjerët të vërtetën biblike që kisha mësuar. U thosha atyre: «Jezu Krishti nuk është si ikonat e kishës. Ai është i gjallë!»
Predikojmë pavarësisht nga kundërshtimi
Ahmet bej Zogu e mori përsëri pushtetin në 1925-ën dhe u vetëshpall Mbreti Zog I në 1928-ën. Ai sundoi deri në 1939-ën. Ministri i të Drejtave të Njeriut na dha miratimin për veprën tonë të krishterë. Megjithatë, patëm probleme. Këto erdhën ngaqë Musa Juka, Ministri i Brendshëm, ishte i lidhur ngushtë me papën e Romës. Juka urdhëroi që të njiheshin vetëm tri besime fetare: mysliman, ortodoks dhe katolik. Policia u përpoq të na merrte librat e të ndalonte predikimin, por s’ia doli dot.
Gjatë viteve ’30 vizitova shpesh Beratin, nga ku Mihal Sveci drejtonte veprën tonë të predikimit. Organizuam fushata predikimi në të gjithë vendin. Njëherë, më dërguan në Shkodër për dy javë dhe lashë shumë literaturë. Në 1935-ën, disa prej nesh morëm me qira një autobus për të predikuar në Këlcyrë. Pastaj programuam një fushatë më të madhe nëpër Shqipëri: në Përmet, në Leskovik, në Ersekë, në Korçë, në Pogradec dhe në Elbasan. Fushatën e mbaruam në Tiranë, tamam në kohë për të mbajtur Përkujtimin e vdekjes së Krishtit.
Ushqimi frymor na ndihmoi të mbaheshim të fortë frymësisht, prandaj nuk u ndiem kurrë të braktisur. Nga viti 1930 deri në 1939-ën, Kulla e Rojës më vinte rregullisht në greqisht. Kisha, gjithashtu, si synim të lexoja Biblën të paktën për një orë çdo ditë, gjë të cilën e bëra për 60 vjet përpara se të humbja shikimin. Vetëm tani së fundi e kemi të gjithë Biblën në shqip. Prandaj jam i gëzuar që mësova greqisht kur isha i vogël. Edhe Dëshmitarë të tjerë shqiptarë në ato kohë mësuan të lexonin greqisht, kështu që edhe ata mundën ta lexonin të gjithë Biblën.
Argjirua u pagëzua në 1938-ën. Deri në vitin 1939 na kishin lindur shtatë nga të dhjetë fëmijët që patëm. Mjerisht, tre nga shtatë fëmijët tanë të parë vdiqën të vegjël.
Vështirësi gjatë Luftës II Botërore
Në prill 1939, pak para fillimit të Luftës II Botërore, trupat fashiste italiane sulmuan Shqipërinë. Menjëherë pas kësaj vepra e Dëshmitarëve të Jehovait u ndalua, por grupi ynë i vogël me rreth 50 lajmëtarë të Mbretërisë vazhdoi të predikonte. Afërsisht 15.000 nga librat e broshurat që kishim na u konfiskuan dhe u shkatërruan gjatë Luftës II Botërore.
Jani Komino kishte një dhomë të madhe për literaturë, ngjitur me shtëpinë e tij. Kur ushtarët italianë mësuan që librat ishin shtypur në Shtetet e Bashkuara, u inatosën. «Ju jeni propagandistë! Shtetet e Bashkuara janë kundër Italisë!»—thanë ata. Vëllezërit e rinj dhe të zellshëm, Thoma dhe Vasil Cama u arrestuan dhe kur u mor vesh se librat që ata shpërndanin vinin nga Komino, e arrestuan edhe atë. Shpejt, më thirrën në polici për të më pyetur.
—A i njeh këta?—më pyetën.
—Po,—u përgjigja.
—Si këta je edhe ti?
—Po,—i thashë.—Ne jemi Dëshmitarë të Jehovait. Nuk jemi kundër qeverive. Jemi asnjanës.
—A ke shpërndarë edhe ti literaturë?
Kur iu përgjigja se po, më hodhën hekurat dhe më futën në burg, më 6 korrik 1940. Atje më vunë me pesë bashkëfshatarë të tjerë, Josif Kaçi, Llukan Barko, Jani Komino dhe vëllezërit Cama. Ndërsa ishim në burg, takuam tre Dëshmitarë të tjerë, Gori Naçin, Nikodhim Shytin dhe Leonidha Popen. Të nëntë na kishin futur në një qeli të ngushtë 2 metra me 4!
Mbas pak ditësh, na lidhën së bashku me zinxhirë dhe na çuan në Përmet. Tre muaj më pas na transferuan në burgun e Tiranës dhe na mbajtën edhe për tetë muaj pa gjyq.
Më në fund, na nxorën para një gjyqi ushtarak. Vëlla Shyti dhe unë u dënuam me 27 muaj, vëlla Komino me 24 muaj dhe të tjerët u liruan mbas 10 muajsh. Na transferuan në burgun e Gjirokastrës, nga i cili dolëm në 1943-shin me ndihmën e vëllait Gole Flloko. Pas kësaj, familja jonë u vendos në Përmet, ku u bëra mbikëqyrësi i kongregacionit të vogël.
Edhe pse vepra jonë ishte e ndaluar dhe Lufta II Botërore ishte ndezur në vendet përreth, ne vazhduam të bënim ç’të mundnim që të plotësonim urdhrin për të predikuar lajmin e Mbretërisë. (Mateu 24:14) Në vitin 1944, në burg ndodheshin gjithsej 15 Dëshmitarë. Megjithatë, gjatë atyre kohëve të vështira ne nuk u ndiem kurrë të braktisur nga Jehovai.
Sprova e asnjanësisë
Lufta mbaroi në vitin 1945, por vështirësitë tona vazhduan, madje u keqësuan edhe më shumë. Gjatë zgjedhjeve të 2 dhjetorit 1946, votimi ishte i detyruar. Kushdo që guxonte të abstenonte konsiderohej si armik i shtetit. Vëllezërit në kongregacionin tonë në Përmet filluan të pyesnin: «Po ne, ç’duhet të bëjmë?»
«Po të keni besim te Jehovai,—u përgjigja,—s’keni përse të më pyesni mua. Tashmë ju e dini se shërbëtorët e Jehovait janë asnjanës. Ata nuk janë pjesë e botës.»—Gjoni 17:16.
Dita e zgjedhjeve erdhi dhe të dërguarit e qeverisë mbërritën në shtëpinë tonë. Filluan me qetësi: «Le të pimë një kafe e të bisedojmë ca. A e di se ç’ditë është sot?»
—Po, sot bëhen zgjedhjet,—u përgjigja.
—Duhet të nxitosh, se do të vonohesh,—më tha një oficer.
—Jo, s’kam ndër mend të shkoj. Vota jonë është për Jehovain,—i thashë.
—Epo mirë, atëherë, hajde dhe voto për opozitën.
I shpjegova se Dëshmitarët e Jehovait janë krejtësisht asnjanës. Kur pozita jonë u bë e njohur, mbi ne rënduan presione edhe më të mëdha. Na urdhëruan të mos i mbanim më mbledhjet tona, kështu filluam të mblidheshim fshehurazi.
Kthehemi në fshatin tonë të lindjes
Në vitin 1947, bashkë me familjen u kthyem në Mbreshtan. Pas pak, gjatë një pasditeje të acartë dhjetori, më thirrën në zyrën e Sigurimit. «A e di përse të kam thirrur?»—më pyeti oficeri.
—Mendoj se duhet të kesh dëgjuar ndonjë akuzë kundër meje,—i thashë.—Por Bibla thotë se bota do të na urrejë, prandaj akuzat nuk më befasojnë.—Gjoni 15:18, 19.
—Mos më fol për Biblën mua,—m’u vërsul ai.—Ta këpus kokën!
Oficeri dhe njerëzit e tij ikën, ndërsa mua më thanë të qëndroja jashtë në të ftohtë. Pas disa orësh më thirri përsëri në zyrën e tij dhe më urdhëroi të mos mbanim më mbledhje në shtëpinë tonë. «Sa veta banojnë në fshatin tënd?»—pyeti.
—Njëqind e njëzet,—i thashë.
—Të çfarë feje janë?
—Ortodoksë.
—Po ti?
—Jam Dëshmitar i Jehovait.
—Njëqind e njëzet veta shkojnë këtej, ndërsa ti shkon andej?
Pastaj më urdhëroi të ndizja qirinj në kishë. Kur i thashë se nuk do ta bëja, filloi të më godiste me një shkop. Më në fund, më liruan rreth orës një të mëngjesit.
Ndërpritet dërgimi i literaturës
Pas mbarimit të Luftës II Botërore, përsëri filluam të merrnim Kullën e Rojës me postë, por me kalimin e kohës revistat nuk vinin më. Pastaj, një natë në orën dhjetë, më thirrën në polici. «Na ka ardhur një revistë në greqisht,—më thanë,—dhe duam të na shpjegosh se si është kjo punë.»
—Unë s’di shumë mirë greqisht,—u thashë.—Komshiu e di më mirë. Ndoshta ai mund t’ju ndihmojë.
—Jo, ne duam të na e shpjegosh ti këtë,—tha një oficer, duke nxjerrë disa kopje të revistës Kulla e Rojës në greqisht.
—Ah, këto qenkan të miat!—thashë i habitur.—Patjetër, këto mund t’i shpjegoj. Këto revista vijnë nga Bruklini, Nju Jork. Atje ndodhet selia qendrore e Dëshmitarëve të Jehovait. Unë jam Dëshmitar i Jehovait. Por më duket se kanë ngatërruar adresën. Këto revista duhej të më kishin ardhur mua, jo juve.»
Revistat nuk m’i dhanë dhe që nga ai moment deri në vitin 1991, për më shumë se 40 vjet, nuk morëm asnjë literaturë biblike në Shqipëri. Gjatë gjithë atyre viteve, vazhduam të predikonim, duke përdorur vetëm Biblat. Afro 20 Dëshmitarë ishin në burg në vitin 1949; disa me nga pesë vjet dënim.
Vështirësitë shtohen
Gjatë viteve ’50, njerëzit u detyruan të pajiseshin me librezën ushtarake. Por, Dëshmitarët refuzonin të mbanin dokumente të tilla. Për këtë arsye, vëllai Komino dhe unë kaluam edhe dy muaj të tjerë në burg.
Gjatë asaj kohe, shteti lejonte ekzistencën e disa feve dhe ne kishim njëfarë lirie. Megjithatë, në vitin 1967 të gjitha fetë u hoqën dhe Shqipëria u bë zyrtarisht një vend plotësisht ateist. Dëshmitarët u përpoqën të vazhdonin mbledhjet, por kjo u bë shumë e vështirë. Disa nga ne qepën një xhep të veçantë në astarin e palltove për të fshehur një Bibël të vogël. Pastaj shkonim në ndonjë fushë për ta lexuar.
Në Tiranë u kapën disa Dëshmitarë dhe tre prej tyre u dënuan me pesë vjet internim. Si pasojë, familjet e tyre vuajtën. Ne që ishim nga fshatrat e vegjël të izoluar, nuk na lëvizën, sepse nuk na konsideronin një rrezik serioz. Meqë ishim asnjanës, na hoqën emrat nga triskat e ushqimeve. Prandaj, jeta u bë shumë e vështirë. Gjithashtu, edhe dy fëmijë të tjerë na vdiqën. Megjithatë, kurrë nuk u ndiem të braktisur nga Jehovai.
Në Shqipëri ishte përhapur frika. Të gjithë vëzhgoheshin dhe Sigurimi kishte hapur dosje për këdo që guxonte të shprehte një mendim të ndryshëm nga ai i Partisë. Kështu që tregoheshim shumë të kujdesshëm që të mos bënim raporte me shkrim për aktivitetin tonë. Nuk mund të mblidheshim për t’u inkurajuar frymësisht në grupe më të mëdha se dy apo tre vetash. Sidoqoftë, kurrë nuk e ndaluam predikimin.
Për të shkaktuar pështjellim midis vëllezërve, njerëzit e Sigurimit përhapën zëra se një Dëshmitar i njohur në Tiranë ishte spiun. Kjo bëri që disa të humbnin besimin dhe turbulloi deri diku unitetin tonë. Pasi nuk kishim asnjë lloj literature biblike të përditësuar dhe duke mos qenë në kontakt me organizatën e dukshme të Jehovait, disa u dorëzuan nga frika.
Përveç kësaj, autoritetet përhapën llafe se Spiro Vruho, një plak shumë i nderuar i krishterë në Shqipëri, kishte vrarë veten. «E shikoni,—thoshin ata.—Edhe Vruho u dorëzua.» Më vonë, u bë e qartë se në të vërtetë vëllain Vruho e kishin vrarë.
Në vitin 1975, Argjirua dhe unë ndenjëm me djalin tonë në Tiranë, për disa muaj. Gjatë kohës së zgjedhjeve, autoritetet e qytetit na bënë presion, duke na kërcënuar: «Po nuk votuat, do t’ju heqim djalin nga puna.»
«Im bir ka qenë në këtë punë për 25 vjet,—ua ktheva.—Ju keni një biografi të hollësishme për të dhe për familjen e tij. Unë kam 40 vjet që nuk votoj. Ky informacion normalisht duhet të jetë brenda biografisë. Nëse nuk është, atëherë shënimet tuaja nuk janë në rregull. Nëse është, atëherë nuk keni qenë besnikë ndaj Partisë, pasi e keni lejuar të punojë për shumë vite.» Kur dëgjuan këtë, autoritetet thanë se po të ktheheshim në Mbreshtan, nuk do ta hapnin më këtë çështje.
Ndryshime të mëdha
Në vitin 1983 u shpërngulëm nga Mbreshtani në qytetin e Laçit. Pak pas kësaj, në 1985-ën, diktatori vdiq. Ai kishte sunduar qysh prej atyre zgjedhjeve të detyrueshme në 1946-ën. Me kalimin e kohës, statuja e tij që dominonte sheshin kryesor në Tiranë dhe ajo e Stalinit u rrëzuan.
Gjatë dhjetëvjeçarëve në të cilët vepra jonë ishte e ndaluar, shumë Dëshmitarë ishin trajtuar brutalisht dhe disa ishin vrarë. Një burrë u tha disa Dëshmitarëve në rrugë: «Gjatë kohës së komunizmit të gjithë ne e braktisëm Zotin. Vetëm Dëshmitarët e Jehovait i mbetën besnikë, pavarësisht nga sprovat dhe vështirësitë.»
Ndërkohë që liria po shtohej, nëntë veta dhanë raporte për shërbimin e krishterë në qershor 1991. Në qershor 1992, një muaj pas heqjes së ndalimit, 56 veta morën pjesë në veprën e predikimit. Më parë gjatë atij viti, u gëzuam jashtë mase nga 325 pjesëmarrësit në Përkujtimin e vdekjes së Krishtit. Që prej asaj kohe, numri i lajmëtarëve është rritur në më shumë se 600 dhe më 14 prill 1995 në Përkujtim ishin të pranishëm 3.491 veta! Vitet e fundit, për mua ka qenë një gëzim i papërshkruar të shoh kaq shumë të rinj që janë bashkuar me kongregacionet tona.
Argjirua ka mbetur besnike ndaj Jehovait dhe ndaj meje gjatë gjithë këtyre viteve. Ndërsa isha në burg apo kur udhëtoja në veprën e predikimit, ajo kujdesej me durim dhe pa u ankuar për nevojat e familjes sonë. Një nga djemtë tanë dhe gruaja e tij janë pagëzuar në 1993-shin. Kjo na ka bërë shumë të lumtur.
Vetëm për Mbretërinë e Perëndisë
Jam shumë i gëzuar të shikoj organizatën e Jehovait në Shqipëri kaq të bashkuar e që gëzon begati frymore. Ndihem si Simeoni plak në Jerusalem, të cilit përpara se të vdiste, iu dha privilegji i çmuar për të parë Mesinë e premtuar kohë më parë. (Luka 2:30, 31) Tani, kur më pyesin se cilën qeveri parapëlqej, them: «Nuk parapëlqej as komunizmin, as kapitalizmin. Nuk ka rëndësi se kush bëhet pronar i trojeve, njerëzit apo shteti. Qeveritë bëjnë rrugë, çojnë elektricitetin në fshatrat e thella dhe mbajnë njëfarë rregulli. Megjithatë, qeveria e Jehovait, Mbretëria e tij qiellore, është e vetmja zgjidhje për problemet e vështira që has Shqipëria, si dhe e gjithë bota.»
Ajo që po bëjnë shërbëtorët e Perëndisë në gjithë botën për predikimin e Mbretërisë së Perëndisë, nuk është vepra e asnjë njeriu. Është vepra e Perëndisë. Ne jemi shërbëtorët e tij. Edhe pse kemi pasur shumë vështirësi në Shqipëri dhe kemi qenë të shkëputur nga organizata e dukshme e Jehovait, ai kurrë nuk na ka braktisur. Fryma e tij ka qenë gjithmonë këtu. Ai na ka udhëhequr në çdo hap të rrugës. E kam parë këtë gjatë gjithë jetës sime.