Së shpejti, një botë pa luftëra!
MË 24 dhjetor 1914, një ushtar i ri anglez i quajtur Jim Prince kaloi tokën asnjanëse, për të folur me një ushtar të këmbësorisë gjermane. «Unë jam sakson. Ti je anglo-sakson. Përse luftojmë?»—e pyeti gjermani. Vite më vonë, Prince pohoi: «Akoma nuk e di përgjigjen e asaj pyetjeje.»
Në atë javë të jashtëzakonshme të 1914-ës, ushtarët anglezë dhe gjermanë u vëllazëruan, luajtën futboll dhe shkëmbyen edhe dhurata për Krishtlindjet. Natyrisht, nuk ishte një armëpushim zyrtar. Gjeneralët nuk donin që ushtarët e tyre të zbulonin se «armiku» nuk ishte ai përbindësh i pamëshirshëm i përshkruar nga propaganda ushtarake. Ushtari anglez Albert Moren kujtonte më vonë: «Nëse ndalimi i zjarrit do të kishte vazhduar edhe një javë tjetër, do të kishte qenë shumë më e vështirë që të rifillonin luftimet.»
Ai ndalim zjarri spontan të bën të mendosh se edhe shumë nga ushtarët e stërvitur duan paqe dhe jo luftë. Shumica e ushtarëve që kanë njohur tmerret e fushëbetejave do të ishin dakort me proverbin spanjoll që thotë: «Le të shkojë në luftë ai që nuk di se ç’është lufta.» Nëse do të bëhej një sondazh opinionesh ndër popullsinë botërore, do të dilte patjetër se pjesa më e madhe preferon paqen e jo luftën. Por në ç’mënyrë mund të përkthehej kjo dëshirë e përgjithshme për paqe në një botë pa luftëra?
Përpara se të zhduket lufta, duhet të ndryshojnë disa mënyra të të menduarit. Kushtetuta e UNESCO-s (Organizata e Kombeve të Bashkuara për Edukimin, Shkencën dhe Kulturën) deklaron: «Meqë luftërat fillojnë në mendjet e njerëzve, në mendjet e njerëzve duhet ndërtuar edhe mbrojtja e paqes.» Megjithatë, shoqëria e sotme, në të cilën sundon mosbesimi dhe urrejtja, po bëhet më e dhunshme e jo më paqësore.
Gjithsesi, vetë Perëndia premtoi se një ditë paqja do të ngulitej në mendjet e njerëzve që priren për drejtësi. Me anë të profetit të tij Isaia tha: «Ai [Perëndia] do të sigurojë drejtësi midis kombeve dhe do të qortojë shumë popuj. Do t’i farkëtojnë shpatat e tyre duke i kthyer në plugje dhe heshtat e tyre në drapinj; një komb nuk ka për të ngritur shpatën kundër një kombi tjetër dhe nuk do të mësojnë më luftën.»—Isaia 2:4.
Të përkrahet paqja në mendje
A mund të ndodhë një ndryshim kaq i jashtëzakonshëm në mënyrën e të menduarit? A do të mësojnë ndonjëherë njerëzit të ruajnë paqen, në vend se të lavdërojnë luftën? Le të marrim shembullin e Wolfgang Kusserow-it. Në 1942-shin, nazistët i prenë kokën këtij gjermani njëzetvjeçar, sepse nuk donte ‘të mësonte luftën’. Përse preferoi të vdiste? Në një deklaratë të shkruar ai citoi parime biblike, të tilla si: «Duaje të afërmin tënd si vetveten» dhe «Të gjithë ata që rrokin shpatën, do të vdesin prej shpatës». (Mateu 22:39; 26:52, ECM) Pastaj pyeti në mënyrë të përshtatshme: «Mos vallë Krijuesi ynë i shkroi këto për pemët?»
Fjala e Perëndisë, e shkruar në Bibël, «ushtron forcë» dhe e nxiti këtë të ri Dëshmitar të Jehovait që të ndiqte paqen me çdo kusht. (Hebrenjve 4:12, BR; 1. Pjetrit 3:11) Por Wolfgang Kusserow nuk ishte i vetmi që ndoqi paqen. Në librin The Nazi Persecution of the Churches 1933-45, J. S. Conway citon të dhëna nga arkivat zyrtare naziste, prej të cilave rezulton, se si grup Dëshmitarët e Jehovait refuzuan të rroknin armët. Siç vëren Conway, me një qëndrim të tillë të guximshëm ata firmosën praktikisht dënimin e tyre me vdekje.
Sot, Dëshmitarët e Jehovait, nga cilado racë apo kombësi qofshin, vazhdojnë të ndjekin paqen. Përse? Sepse kanë mësuar nga Bibla se shërbëtorët e vërtetë të Perëndisë duhet t’i bëjnë shpatat e tyre plugje. Alejandro, një i ri argjentinas i emigruar në Izrael në 1987, mund ta konfirmojë personalisht këtë fakt.
Alejandro jetoi për tre vjet e gjysmë në një kibbutz, ndërsa studionte në universitet dhe punonte në hotele dhe restorante të ndryshme. Në atë periudhë, pasi deshte të zbulonte qëllimin e jetës, filloi të lexonte Biblën. Mbi të gjitha, dëshironte shumë të shihte një botë ku njerëzit të mund të gëzonin paqe dhe drejtësi. Alejandro—që ishte hebre—punonte së bashku me arabë dhe hebrenj, por preferonte të mos merrte as anën e njërës dhe as të tjetrës palë.
Në 1990-ën, një mik që studionte Biblën me Dëshmitarët e Jehovait e ftoi të merrte pjesë në një asamble njëditore në Haifa. I habitur tek gjeti 600 hebrenj dhe arabë që rrinin së bashku dhe të lumtur në asamble, ai mendoi me vete: «Kjo është mënyra e drejtë e jetesës.» Brenda gjashtë muajve edhe ai vetë u bë një Dëshmitar dhe tani pjesën më të madhe të kohës ia dedikon predikimit të lajmit të paqes, që gjendet në Bibël.
Si do ta sjellë Perëndia paqen
Edhe pse të prekin, në botën e sotme këta shembuj janë përjashtime dhe jo e përgjithshmja. Sistemi i tanishëm flet shumë për paqen, por nxit luftën. A do të doje të jetoje në një rrugë, banorët e së cilës harxhojnë nga 7 deri në 16 për qind të fitimeve të veta për armë zjarri dhe për masa sigurimi për shtëpinë? Në fakt, këtë gjë kanë bërë kombet vitet e fundit me shpenzimet ushtarake. Nuk është e çuditshme që profecia e Isaisë zbulon se njerëzimi, në përgjithësi, nuk do t’i kthejë kurrë shpatat në plugje, derisa Perëndia «t’i vendosë gjërat në vend në lidhje me shumë popuj». Si do ta bëjë këtë?
Mjeti kryesor për t’i vënë gjërat në vend është Mbretëria e Perëndisë Jehova. Profeti Daniel paratha se «Perëndia i qiellit do të nxjerrë një mbretëri, që nuk do të shkatërrohet kurrë». Kjo mbretëri, shton ai, «do të copëtojë dhe do të asgjësojë tërë këto mbretëri [qeveritë botërore], dhe do të ekzistojë përjetë». (Danieli 2:44) Këto fjalë zbulojnë se Mbretëria e Perëndisë do të marrë fortësisht kontrollin e të gjithë tokës. Kur Mbretëria e Perëndisë të ketë eliminuar kufijtë kombëtarë, rivalitetet nuk do të kenë më arsye për të ekzistuar. Veç kësaj, pasi nënshtetasit e saj «do të mësohen nga Zoti . . . e madhe ka për të qenë paqja e tyre». (Isaia 54:13) Nuk habitemi, pra, që Jezui na mësoi t’i lutemi Perëndisë, duke thënë: «Ardhtë Mbretëria jote!»—Mateu 6:10.
Heqja e pengesave fetare
Perëndia do të heqë edhe pengesat fetare drejt paqes. Feja ka shkaktuar konfliktin më të gjatë të armatosur të historisë: Kryqëzatat ose «luftërat e shenjta», e para e të cilave filloi nga papa Urbano II në 1095.a Në shekullin tonë kleri ka luajtur një rol të rëndësishëm në nxitjen e mbështetjes popullore për luftërat, madje edhe për ato me natyrë tërësisht botërore.
Duke iu referuar rolit që luajtën të ashtuquajturat kisha të krishtere gjatë Luftës I Botërore, historiani Paul Johnson ka shkruar: «Klerikët nuk ishin në gjendje dhe në pjesën më të madhe nuk deshën të vendosnin besimin e krishterë para nacionalizmit. Shumica ndoqi rrugën më të lehtë dhe e vuri krishterimin në një plan me patriotizmin. Ushtarët e krishterë të të gjitha sekteve u nxitën për të vrarë njëri-tjetrin në emër të Shpëtimtarit të tyre.»
Feja ka punuar më tepër për nxitjen e luftës, sesa për mbështetjen e paqes. Në fakt, Bibla e përshkruan fenë e rreme si një «prostitutë» që shkon pas qeveritarëve të botës. (Zbulesa [Apokalipsi] 17:1, 2) Perëndia e konsideron përgjegjësen kryesore për derdhjen e gjakut të të gjithë atyre që janë shqyer mbi tokë. (Zbulesa 18:24) Prandaj, Perëndia Jehova do ta zhdukë një herë e përgjithmonë këtë pengesë për paqen.—Zbulesa 18:4, 5, 8.
Edhe me zhdukjen e elementeve përçarëse si politika dhe feja e rreme, paqja nuk do të ishte kurrë e sigurt pa eliminimin e luftënxitësit më të madh që ekziston, Satana Djallit. Kjo do të jetë gjëja e fundit me të cilën do të merret Mbretëria e Perëndisë, në zbatim të programit të saj për të sjellë paqe mbi të gjithë tokën. Libri biblik i Zbulesës shpjegon se Satanai do të ‘kapet’, do të ‘lidhet’ dhe do të ‘plandoset në humnerë’, me qëllim që të mos i ‘mashtrojë më kombet’. Pas kësaj do të shkatërrohet plotësisht.—Zbulesa 20:2, 3, 10, ECM.
Premtimi i Biblës, sipas të cilit luftërat do të mbarojnë, nuk është vetëm një ëndërr. Rregullimi i Perëndisë Jehova për të sjellë paqen tashmë është në fuqi. Mbretëria e tij është vendosur në qiej dhe është gati për të vënë në zbatim masat e saj të fundit për të garantuar paqen botërore. Ndërkohë, miliona Dëshmitarë të Jehovait, që mbështetin këtë qeveri qiellore, kanë mësuar të jetojnë në paqe.
Është e qartë, pra, që kemi arsye të forta për të besuar se luftërat mund të shmangen. Për më tepër, mund të shikojmë përpara në ditën që tashmë nuk është edhe aq larg, në të cilën Jehovai do të bëjë që luftërat të pushojnë përgjithmonë. (Psalmi 46:9) Ai do të bëjë të mundur që një botë pa luftëra të bëhet së shpejti realitet.
[Shënimi]
a Disa herë edhe vetë krerët fetarë kanë dalë në luftë. Peshkopi katolik Odo e justifikoi pjesëmarrjen e tij aktive në betejën e Hastingsit (1066), duke vringëlluar një vare në vend të shpatës. Sipas tij, nëse nuk derdhej gjak, një njeri i Perëndisë mund të vriste në mënyrë të ligjshme. Pesë shekuj më vonë, kardinali Jimenez udhëhoqi personalisht një invazion spanjoll në Afrikën veriore.
[Figura në faqen 7]
Ti mund të jetosh në një botë të re pa luftë