A i nderon të tjerët kur të ofrojnë këshilla?
SA MIRË dhe e dobishme është të këshillohesh në mënyrë dinjitoze! «Këshillat e përzemërta, të vëmendshme dhe të kujdeshme çojnë në marrëdhënie të mira»,—thotë Eduard. «Kur sheh se këshilluesi të nderon dhe të respekton, duke treguar gatishmëri për të dëgjuar pikëpamjen tënde mbi ngjarjen, këshilla është më e lehtë për t’u pranuar»,—pranon Uorren. «Kur një këshillues më trajton me respekt, ndihem i lirë që të shkoj tek ai për t’i kërkuar këshilla»,—vëren Norman.
E drejta e natyrshme e njeriut për dinjitet
Këshillat e ngrohta, të dashura dhe miqësore janë me të vërtetë të mirëpritura. Është e dobishme t’i këshillosh të tjerët në mënyrën në të cilën do të doje të të këshillonin. (Mateu 7:12) Një këshillues i mirë gjen kohë për të dëgjuar dhe për të kuptuar atë që po këshillon—mendimet, pozitën dhe ndjenjat e tij—në vend se të kritikojë dhe të dënojë.—Proverbat 18:13.
Këshilluesit e sotëm, duke përfshirë pleqtë e krishterë, duhet të kenë kujdes që të respektojnë të tjerët kur japin këshilla. Përse? Për arsyen e thjeshtë se në shoqërinë e sotme mbizotëron tendenca për t’i trajtuar të tjerët në mënyrë të padenjë. Një gjë e tillë është infektuese. Shumë shpesh, ata prej të cilëve pritet trajtim me dinjitet, nuk e bëjnë një gjë të tillë, qofshin profesionistë, udhëheqës fetarë, apo të tjerë. Për të ilustruar, në vendin e punës, një pushim nga puna është traumatik dhe tepër i vështirë si për punëdhënësin ashtu edhe për nëpunësin. Është e dëmshme për respektin e vetvetes, veçanërisht nëse ai që është flakur trajtohet në mënyrë të padenjë. Mbikëqyrësi në këtë situatë, duhet të mësojë se si t’i japë «lajmin e rëndë, në mënyrë që të jetë i qartë, pa hollësira të panevojshme, profesional dhe të mbajë të pacënuar dinjitetin e individit», raporton një revistë. (The Vancover Sun) Po, të gjithë njerëzit meritojnë të trajtohen në mënyrë dinjitoze.
Asambleja e Zakonshme e Kombeve të Bashkuara, shpalli: «Të gjitha qeniet njerëzore kanë lindur të lira e të barabarta në dinjitet dhe të drejta. Janë të pajisura me arsye dhe ndërgjegje dhe duhet të veprojnë kundrejt njëra-tjetrës me frymë vëllazërore.» Meqë dinjiteti i njeriut shpesh është në rrezik, është me arsye të drejtë që Karta e OKB-së dhe parathënia e Deklaratës Universale të Të Drejtave të Njeriut, e njeh këtë parim. Ato pohojnë «besimin në të drejtat themelore të njeriut, në dinjitetin dhe vlerat e qenies njerëzore».
Jehovai e krijoi njeriun me dinjitet të lindur
Jehovai është një Perëndi i dinjitetit. Fjala e tij e frymëzuar me të drejtë deklaron, «Dinjiteti dhe madhështia janë përpara tij» dhe «Dinjiteti [i tij] është treguar mbi qiejt».—1. Kronikave 16:27; Psalmi 8:1.
Si një Perëndi dinjitoz dhe Sovran i universit, ai i jep dinjitet gjithë krijimit të tij, qiellor dhe tokësor. Spikat ndërmjet këtyre të nderuarve Biri i tij i lartësuar, Mbreti, Krishti Jezu. «Dinjitet dhe Madhështi ti vë mbi të»,—shkroi Davidi në mënyrë profetike.—Psalmi 21:5; Danieli 7:14.
Mjerisht, gjatë gjithë historisë kjo e drejtë themelore e njeriut është abuzuar shumë. Një engjëll i fuqishëm, i cili me anë të veprave u bë Satana Djalli, kundërshtoi sovranitetin e ligjshëm, të drejtë dhe të merituar të Perëndisë. Duke vepruar kështu, ai tregoi mungesë respekti për Jehovain dhe çnderoi emrin e Tij të denjë, duke kundërshtuar të drejtën e tij për të sunduar. Ai i veshi vetes dinjitet të tepërt. Ngjashëm Djallit, monarkët e fuqishëm njerëzorë, si Nabukodonosori i kohëve biblike, janë krenuar për «pushtetin dhe madhështinë e tyre». Ata sulmuan dinjitetin e Jehovait, duke i atribuar vetes dinjitet të paarsyeshëm. (Danieli 4:30) Sundimi shtypës i Satanait, i imponuar mbi gjithë botën e njerëzimit, ka sulmuar dhe vazhdon të sulmojë dinjitetin e njeriut.
A të është fyer ndonjëherë dinjiteti? Kur të kanë këshilluar, a je ndier shpesh në faj, i turpëruar, i përçmuar ose i poshtëruar? «Nuk ndjeva asnjë lloj interesi, mëshire dhe dinjiteti,—pohon Andrea, duke shtuar: ‘Kjo çon në ndjenja të zhgënjyera dhe të shqetësuara, madje në depresion.’» «Është e vështirë të pranosh këshilla nga dikush për të cilin mendon se nuk i ka për zemër interesat e tua më të mira»,—thotë Laura.
Për këtë arsye, mbikëqyrësit e krishterë janë këshilluar ta trajtojnë kopenë e Perëndisë me respekt dhe nderim. (1. Pjetrit 5:2, 3) Nëse ndodhin situata në të cilat është e nevojshme dhe e dobishme të jepen këshilla, si mund të mbrosh veten nga mënyra e të menduarit dhe e të vepruarit e njerëzve nga bota, të cilët pa ngurruar, sulmojnë dinjitetin e të tjerëve? Çfarë mund të të ndihmojë për të ruajtur dinjitetin e të bashkëkrishterëve, si edhe tëndin?—Proverbat 27:6; Galatasve 6:1.
Parime që ruajnë dinjitetin
Fjala e Perëndisë nuk hesht për këtë argument. Një këshillues i shkathët duhet të vërë mbështetje të padyshimtë në këshillat e Fjalës së Perëndisë, në vend se të bazohet në mençurinë e botës. Shkrimet e shenjta përmbajnë këshilla të çmueshme. Kur ndiqen, ato ruajnë si dinjitetin e këshilluesit, ashtu edhe të atij që është këshilluar. Kështu, udhëzimet e Pavlit drejtuar mbikëqyrësit të krishterë, Timoteut, ishin: «Mos e kritiko ashpër një të moshuar. Përkundrazi, trajtoje atë si baba, të rinjtë si vëllezër, gratë e moshuara si nëna, të rejat si motra me gjithë dëlirësinë.» (1. Timoteut 5:1, 2) Sa shumë vuajtje, ndjenja të plagosura dhe shqetësime shmangen duke iu përmbajtur këtyre parimeve!
Vërej se sekreti për të këshilluar dikë në mënyrë të suksesshme është respekti i duhur për personin tjetër dhe e drejta e tij për t’u trajtuar në mënyrë dinjitoze dhe të kujdesshme. Pleqtë e krishterë, duke përfshirë edhe mbikëqyrësit udhëtues, përpiqen ta ndjekin këtë këshillë. Ata mundohen të përcaktojnë se përse ai që ka nevojë për korrigjim, mendon dhe vepron në këtë mënyrë. Ata duhet të dëgjojnë pikëpamjen e tij. Çdo përpjekje bëhet për të shmangur turpin, poshtërimin, ose përçmimin ndaj atij që ndihmohet duke i dhënë këshilla.
Si pleq, lërini vëllait të kuptojë se ju kujdeseni për të dhe dëshironi ta ndihmoni për problemin e tij. Kjo është ajo që bën një doktor, kur shkoni tek ai për vizitë mjekësore. Mendimi për t’u zhveshur në një dhomë të ftohtë dhe të sterilizuar, mund t’ju poshtërojë dhe t’ju vërë në pozitë të vështirë. Sa e çmon një doktor që tregohet i ndjeshëm ndaj dinjitetit dhe respektit tënd për veten, duke të të hedhur një rrobë për t’u mbuluar, ndërkohë që ai kryen ekzaminimin e nevojshëm për të përcaktuar shkakun e sëmundjes! Në mënyrë të ngjashme, një këshillues i krishterë që tregon respektin e duhur për personin, është i sjellshëm dhe i qëndrueshëm, por me dinjitet. (Zbulesa 2:13, 14, 19, 20) Përkundrazi, këshilla që është e ashpër, e ftohtë dhe e pandjeshme është sikur të të zhveshin në mënyrë figurative, duke të shkaktuar që të ndihesh i turpëruar, i përçmuar, duke të të privuar nga dinjiteti yt.
Mbikëqyrësit e Shkollës së Shërbimit Teokratik janë veçanërisht të kujdesshëm, për të këshilluar në mënyrë dinjitoze. Kur këshillojnë të moshuarit, ata pasqyrojnë të njëjtën dashuri që do të tregonin për prindërit e tyre. Janë të vëmendshëm, të ngrohtë dhe miqësorë. Është e nevojshme një ndjeshmëri e tillë. Ajo ngjall një atmosferë që bën të mundur dhënien dhe marrjen e këshillave në mënyrë të përshtatshme.
Pleq, kujtoni se këshilla praktike ngre moralisht, inkurajon, ndërton dhe është pozitive. Efesianëve 4:29, deklaron: «Asnjë llafe e ndytë të mos dalë prej gojës së tuaj, por, nëse është nevoja, thoni fjalën e mirë që t’i ndërtojë e t’ju sjellë hir atyre që dëgjojnë.»
Nuk është e nevojshme të përdoren fjalë, shprehje apo arsyetime të ashpra. Përkundrazi, respekti për personin tjetër dhe dëshira për të mbrojtur ndjenjat e tij, për vlerën dhe nderin për veten duhet të të shtyjnë ta paraqesësh çështjen në një mënyrë pozitive dhe ndërtuese. Në vend se të vësh theksin mbi gjërat që do ta bënin atë të ndihej i turpëruar dhe i pavlerë, fillo çdo vërejtje duke e lavdëruar për pikat apo cilësitë e tij të mira. Nëse shërben si plak, përdore «autoritetin tënd për të ndërtuar dhe jo për të rrënuar».—2. Korintasve 10:8.
Po, qëllimi për çdo këshillë të dhënë nga mbikëqyrësit e krishterë duhet të jetë ai i sigurimit të inkurajimit të nevojshëm, për t’i dhënë atij atë që është e favorshme. Nuk duhet të shkurajojë ose «të kallë tmerrin». (2. Korintasve 10:9) Edhe nëse dikush ka bërë një gabim serioz, nevojitet një masë e përshtatshme e dinjitetit dhe respektit për veten. Këshillat duhet të jenë të peshuara me dashamirësi, megjithëse të qëndrueshme, fjalë qortuese në mënyrë që ta nxitin atë drejt pendimit.—Psalmi 44:15; 1. Korintasve 15:34.
Në mënyrë domethënëse, Ligji i Perëndisë dhënë Izraelit përfshinte po këto parime. Ai lejonte dhënien e këshillave dhe disiplinën në kuptim fizik, por në të njëjtën kohë ruante masën e të drejtave individuale të dinjitetit personal. Lejohej rrahja me goditje «me një numër goditjesh sipas shkallës së fajit», por jo jashtë mase. Kufiri i goditjeve të dhëna ishte derisa shkelësi të mos «përçmohej në sytë e tu».—Ligji i përtërirë 25:2, 3.
Kujdesi për ndjenjat e shkelësit të penduar ishte një karakteristikë edhe e Jezuit. Për të Isaia profetizoi: «Nuk do ta copëtojë kallamin e thyer dhe nuk do ta shuajë kandilin që bën tym; do ta paraqesë drejtësinë sipas së vërtetës.»—Isaia 42:3; Mateu 12:17, 20; Luka 7:37, 38, 44-50.
Nevoja për të treguar empati, është theksuar më tej nga fjalët e Jezuit në Predikimin në Mal: «Gjithçka që dëshironi t’ju bëjnë juve njerëzit, bëni edhe ju atyre.» (Mateu 7:12) Kaq i rëndësishëm është ky parim për të favorizuar marrëdhënie të mira, saqë zakonisht është quajtur Rregulla e Artë. Si plak i krishterë, si mund të të ndihmojë ky parim, për t’i trajtuar të tjerët me mirësjellje dhe dinjitet, kur u jep këshilla?
Mbaj në mend se edhe ti bën gabime. Siç vërejti Jakovi, «të gjithë pengohemi shumë herë». (Jakovi 3:2) Duke mbajtur parasysh këtë do të mund të zbutësh vërejtjet dhe të kontrollosh ndjenjat e tua, kur është e nevojshme të flasësh me të tjerët rreth të metave të tyre. Ki parasysh ndjeshmërinë e tyre. Kjo do të të ndihmojë të shmangësh kritikat e tepërta dhe t’u kushtosh vëmendje gabimeve të vogla ose të metave. Jezui e theksoi këtë kur tha: «Mos gjykoni që të mos gjykoheni! Sepse me çfarë gjykimi do të gjykoni, me atë do të gjykoheni! E me atë masë që matni, me atë edhe juve do t’ju matet.»—Mateu 7:1, 2.
Ndero të tjerët—Kundërshto Djallin
Taktikat e Satanait të bëjnë të jesh i privuar nga dinjiteti, për të treguar ndjenja përçmimi, padenjësie dhe dëshpërimi. Vërej se si ai përdori një mjet njerëzor për të nxitur ndjenja negative tek Jobi besnik. Elifazi hipokrit pohoi: «Ja, ai nuk u zë besë as shërbëtorëve të tij, dhe gjen madje të meta tek engjëjt e tij; aq më tepër tek ata që banojnë në shtëpi prej argjile, themelet e të cilave janë në pluhur, dhe shtypen si një tenjë.» (Jobi 4:18, 19) Sipas tij, pra, në sytë e Perëndisë, Jobi nuk vlente më shumë se një tenjë. Në të vërtetë këshilla e Elifazit dhe e shokëve të tij, në vend se të ishte ndërtuese, do ta kishte lënë Jobin madje edhe pa kujtimet e kohëve më të mira. Sipas tyre, besnikëria e tij e kaluar, mënyra në të cilën kishte rritur familjen, marrëdhënia me Perëndinë dhe dhuratat e mëshirës nuk vlenin asgjë.
Ngjashëm sot, shkelësit e penduar janë veçanërisht të ndjeshëm ndaj ndjenjave të tilla dhe rreziku është të qenët «të përpirë nga trishtimi i tepërt». Pleq, kur këshilloni persona të tillë, «tregoni dashurinë tuaj» për ta, duke u dhënë mundësi të ruajnë një farë mase të dinjitetit. (2. Korintasve 2:7, 8) «Të jesh i trajtuar me mungesë dinjiteti e bën të vështirë të pranosh këshillën»,—pranon Uilliam. Është thelbësore të përforcohet bindja e tyre se janë të vlefshëm në sytë e Perëndisë. Kujtojuni atyre se Jehovai «nuk është i padrejtë që të harrojë veprat [e tyre] dhe dashurinë që [ata] treguan për emrin e tij», gjatë viteve të kaluara të shërbimit me besnikëri.—Hebrenjve 6:10, BR.
Cilët faktorë të tjerë mund të të ndihmojnë për të nderuar të tjerët, kur u jep këshilla? Kujto se të gjithë njerëzit kanë të drejtë të natyrshme për dinjitet, pasi janë krijuar sipas shëmbëlltyrës së Perëndisë. Ata çmohen nga Jehova Perëndia dhe nga Jezu Krishti; parapërgatitja e dyfishtë e shpërblerjes dhe e ringjalljes dëshmon për këtë gjë. Jehovai u shton dinjitet të mëtejshëm të krishterëve, duke «i caktuar ata në një shërbim», duke i përdorur për të lutur me ngulm një brez të ligë që të bëjë paqe me Perëndinë.—1. Timoteut 1:12.
Pleq, mos harroni se pjesa më e madhe e vëllezërve tuaj të krishterë janë themeli i ardhshëm i shoqërisë së re njerëzore në tokën e pastruar. Si persona të tillë të vlefshëm e të çmueshëm, ata meritojnë të nderohen. Kur jepni këshilla, kujtoni se si Jehovai bashkë me Jezu Krishtin tregojnë nderim për ta dhe vazhdoni të bëni pjesën tuaj për të ndihmuar vëllezërit tuaj të ruajnë dinjitetin e tyre dhe vlerën për veten përballë sfidave të Satanait.—2. Pjetrit 3:13; krahaso 1. Pjetrit 3:7.
[Kutia në faqen 29]
Këshilla që nderojnë
(1) Jep lavdërime të çiltra e të sinqerta. (Zbulesa 2:2, 3)
(2) Ji një dëgjues i mirë. Identifiko me qartësi dhe me mirësjellje problemin dhe arsyen për këshillën. (2. Samuelit 12:1-14; Proverbat 18:13; Zbulesa 2:4)
(3) Bazoje këshillën tënde në Shkrime. Ji pozitiv, i arsyeshëm, inkurajues dhe trego empati. Ruaj të pacënuar dinjitetin dhe vlerën e vetes. (2. Timoteut 3:16; Titit 3:2; Zbulesa 2:5, 6)
(4) Siguroje atë që merr këshilla se bekimet vijnë nga pranimi dhe zbatimi i këshillës. (Hebrenjve 12:7; Zbulesa 2:7)
[Figura në faqen 26]
Pleqtë e krishterë duhet t’i nderojnë të tjerët kur japin këshilla