Një jetë e pasur dhe e shpërblyer në shërbim të Jehovait
TREGUAR NGA LEO KALLIO
Ishte viti 1914 dhe një ditë e bukur e një fundi vere po mbaronte në periferinë e Turku-t, në një qytet të Finlandës. Papritur, qetësia u prish nga lajmet e një lufte të madhe që kishte shpërthyer. Shpejt, rrugët u mbushën me ata që ishin të shqetësuar mbi rrjedhën e ngjarjeve. Fytyrat serioze të të rriturve na bënë ne fëmijët të habitur mbi atë se çfarë do të ndodhte. Unë isha 9 vjeç dhe më kujtohet se loja e qetë e fëmijëve ndryshoi në një lojë lufte.
MEGJITHËSE Finlanda qëndroi jashtë Luftës I Botërore (1914-1918), vendi u shkatërrua nga lufta civile në vitin 1918. Të afërmit dhe miqtë e dikurshëm, ngritën armët kundër njëri-tjetrit, për shkak të pikëpamjeve të ndryshme politike. Familja jonë prej shtatë personash e përjetoi këtë urrejtje. Babai im, i cili i shprehte hapur mendimet e tij, u arrestua dhe u dënua me shtatë vjet burg. Më vonë ai u lirua, por pas kësaj shëndeti i tij ishte i shkatërruar.
Familja jonë vuajti nga uria dhe sëmundjet gjatë kësaj periudhe të tmerrshme. Tri nga motrat e mia më të vogla vdiqën. Vëllai më i madh i babait tim, që jetonte në qytetin Tampere, dëgjoi rreth vuajtjeve tona dhe e ftoi babanë, nënën time dhe ne dy fëmijët e mbetur të qëndronim me të.
Vite më vonë, kur akoma jetonim në Tampere, unë takova një vajzë tërheqëse që quhej Silvi. Ajo kishte një të kaluar të ngjashme me timen. I ati ishte vrarë në luftën civile dhe pas kësaj, një mik i ngushtë i familjes së saj, Karlo (Kalle) Vesanto nga qyteti i Porit, e kishte marrë atë, motrën e saj më të madhe dhe nënën e saj në shtëpinë e tij. Ai u përpoq të gjente punë për nënën e Silvit dhe për vajzat që të shkonin në shkollë. Më vonë, Silvi u transferua në Tampere për të gjetur punë dhe atje ne u njohëm.
Një mbrëmje që ndryshoi jetën time
Në vitin 1928, Silvi u bë e fejuara ime dhe një ditë shkuam në Pori për të vizituar Kalle Vesanton dhe familjen e tij. Asnjë ngjarje tjetër nuk pati një ndikim kaq vendimtar në jetën time. Kalle kishte qenë pronar dhe vrapues në garat me kuaj, por e kishte lënë atë profesion. Ai dhe gruaja e tij ishin bërë lajmëtarë të zellshëm të lajmit të mirë të Mbretërisë së Perëndisë. Libri vjetor i 1990-ës i Dëshmitarëve të Jehovait (angl.), përshkruan se si ai i ftonte njerëzit për të pikturuar mbi një nga muret e jashtme të shtëpisë së tij fjalët: «Miliona që tani jetojnë, nuk do të vdesin kurrë.» Teksti ishte mjaft i madh për t’u lexuar lehtësisht nga pasagjerët e trenave që kalonin ngadalë.
Atë natë, unë dhe Kalle biseduam deri në orët e para të mëngjesit. «Pse? Pse? Pse?»,—pyesja unë dhe Kalle më përgjigjej. Kështu, të vërtetat themelore nga Bibla i mësova gjatë një nate. Unë shënoja shkrimet që shpjegonin mësime të ndryshme. Më vonë, kur u ktheva në shtëpi, mora një fletore shënimesh dhe i shkrova të gjitha ato shkrime fjalë për fjalë. Meqenëse akoma nuk e njihja mirë Biblën, përdora këtë fletore shënimesh për të dhënë dëshmi në vendin e ndërtimit ku unë punoja. Ndërsa zbuloja mësimet e fesë së rreme, shpesh përsëritja fjalët e Kalles: «Keni qenë vërtet të mashtruar, djema!»
Kalle më dha adresën e një shtëpie të vogël në Tampere, ku rreth 30 Studentë të Biblës mbanin mbledhjet e tyre. Atje unë strukesha në një qoshe pranë derës, pas vëlla Andersonit, pronarit të shtëpisë. Pjesëmarrja ime ishte me ndërprerje, por lutja më ndihmoi. Duke pasur shqetësime serioze në punë, njëherë u luta: «Të lutem, o Perëndi, nëse më ndihmon të mposht këto vështirësi, të premtoj se do të ndjek çdo mbledhje.» Por gjërat pothuajse shkuan keq e më keq. Atëherë unë e kuptova se po i vija kushte Jehovait, kështu unë ndryshova lutjen time në: «Çfarëdo që të ndodhë, të premtoj se do të ndjek çdo mbledhje.» Kështu, hallet e mia u pakësuan dhe unë u bëra një pjesëmarrës i rregullt i mbledhjeve.—1. Gjonit 5:14.
Shërbimi ynë në vitet e para
Në 1929-ën, unë dhe Silvi u martuam dhe në 1934-ën të dy së bashku e simbolizuam dedikimin tonë ndaj Jehovait me pagëzimin në ujë. Në ato ditë të shërbimit tonë merrnim me vete disqe e një gramafon dhe shkonim nëpër shtëpitë e njerëzve duke i pyetur në mënyrë të sjellshme nëse mund të paraqitnim një leksion të Biblës pa pagesë. Shpesh, njerëzit na ftonin brenda me dëshirë dhe pasi dëgjonin fjalimin e regjistruar, diskutonin me ne dhe pranonin disa nga literaturat tona.
Me lejimin e autoriteteve, ne i transmetuam po këto leksione të Biblës përmes altoparlantëve në parqe. Ndërsa në periferitë e qytetit i instalonim altoparlantët në çati apo në majën e ndonjë oxhaku. Në një rast tjetër, fjalimet i transmetuam përgjatë liqenit, ku populli i qytetit mblidhej në turma të mëdha. Ne i vendosnim në mënyrë të thjeshtë altoparlantët në një barkë dhe vozitnim ngadalë përgjatë bregut. Të dielave, shkonim me autobus për të predikuar në zonat fshatare, të pajisur me altoparlantët tanë të vlefshëm dhe me shumë literaturë.
Një ndryshim vuri në provë besimin tonë
Në 1938-ën, fillova shërbimin e plotë kohor si pionier, por gjithashtu vazhdoja të punoja si murator. Pranverën pasuese mora një ftesë nga zyra e degës së Shoqatës, për t’u bërë shërbëtor udhëtues, që tani quhet mbikëqyrës qarkor. Vendimi për të pranuar nuk ishte diçka e lehtë, sepse unë e pëlqeja punën me kongregacionin tonë në Tampere. Përveç kësaj, ne kishim një shtëpi tonën; kishim një djalë gjashtëvjeçar, Arto, i cili së shpejti do të fillonte shkollën dhe Silvit i pëlqente puna e saj si shitëse në një dyqan. Megjithatë, pasi u konsultuam së bashku, unë e pranova këtë privilegj të mëtejshëm të shërbimit të Mbretërisë.—Mateu 6:33.
Pastaj, filloi një periudhë tjetër e vështirë. Më 30 nëntor 1939 shpërtheu lufta, kur trupat sovjetike marshuan drejt Finlandës. Lufta, e quajtur Lufta e dimrit vazhdoi deri në mars 1940, kur Finlanda duhej të pranonte një traktat paqeje. Dukej sikur edhe natyra luftonte, pasi nga shumë kohë, ai ishte dimri më i ftohtë që unë mund të mbaj mend. Unë udhëtoja me biçikletë nga një kongregacion në një tjetër, ndërkohë që termometri regjistronte mbi 30°C nën zero!
Në 1940-ën, vepra e Dëshmitarëve të Jehovait në Finlandë u ndalua. Paskëtaj, shumë Dëshmitarë të rinj finlandezë u burgosën dhe u detyruan të dergjeshin atje në kushte jo njerëzore. Falë ndihmës së Perëndisë, unë munda t’u shërbeja kongregacioneve gjatë gjithë Luftës së Dytë Botërore nga 1939-ta deri në 1945-ën. Kjo shpesh kërkonte që të isha larg nga Silvi dhe Arto për muaj të tërë. Për më tepër, ekzistonte rreziku i përhershëm i arrestimit për zënie me punë ilegale.
Duhej të ishte një pamje e çuditshme të më shihje duke pedaluar mbi një biçikletë, i ngarkuar me një valixhe, një çantë me literaturë, një gramafon dhe disqe. Një arsye që merrja me vete disqet e gramafonit, ishte që të vërtetoja në rast arrestimi, se nuk isha një spiun zbulues parashutist i Rusisë. E kuptoni se unë mund të argumentoja se nëse do të kisha qenë një parashutist, disqet do të ishin thyer gjatë hedhjes.
Megjithatë, një herë ndërsa vizitoja një zonë fqinje, që ishte e paralajmëruar për praninë e një spiuni, një familje Dëshmitarësh më ngatërroi me të. Unë trokita në derën e tyre në një natë të errët dimri dhe ata kishin frikë ta hapnin. Kështu, e kalova atë natë në një plevicë, i mbuluar me sanë duke u përpjekur të ngrohesha. Mëngjesin tjetër kjo çështje u sqarua dhe mund të them se gjatë pjesës tjetër të vizitës sime, anëtarët e familjes treguan një mikpritje shumë të veçantë!
Gjatë viteve të luftës, vetëm vëlla Johanes Koskinen dhe unë shërbyem në kongregacionet e Finlandës së mesme dhe veriore. Secili nga ne kishte një zonë shumë të madhe për t’u kujdesur, një shtrirje prej gati 600 km. Kishim kaq shumë kongregacione për të vizituar, saqë kishim mundësi për të qëndruar vetëm dy apo tri ditë me secilin kongregacion. Trenat rrallëherë vinin në kohën e duhur dhe autobusat ishin të paktë e kaq të mbushur, saqë ishte çudi që ne arrinim në destinacionet tona.
I shpëtuar për një qime
Një herë, në fillim të luftës së dimrit, shkova në zyrën e degës në Helsinki dhe mora katër kuti të rënda kartoni me literaturë të ndaluar, për t’i çuar me tren dhe për t’ia shpërndarë kongregacioneve. Ndërsa ishim në stacionin hekurudhor të Riihimäkit u dëgjua alarmi i një sulmi ajror. Ushtarët në tren veshën pelerinat e tyre dhe pasagjerëve iu tha të largoheshin menjëherë nga treni dhe të drejtoheshin në një fushë të zbrazët përballë stacionit.
Unë iu luta ushtarëve të mbanin kutitë e mia, duke u treguar atyre rëndësinë që ato kishin. Katër prej tyre ngritën nga një kuti kartoni dhe ne vrapuam gati 200 metra mbi fushën e mbuluar me borë. U shtrimë mbi tokë dhe dikush më bërtiti: «Hej, civil, mos bëj asnjë lëvizje! Nëse bombarduesit shikojnë ndonjë lëvizje, ata do të na hapin zjarr.» Unë isha aq kurioz sa ktheva me kujdes kokën për të parë në qiell, ku numëroheshin 28 aeroplanë!
Papritur toka u lëkund nga shpërthimi i bombave. Megjithëse stacioni nuk ishte bombarduar, treni me të cilin erdhëm ishte qëlluar. Çfarë pamje groteske ajo e trenit të shkatërruar dhe e shinave të dala nga vendi. Mëngjesin tjetër munda të vazhdoja udhëtimin tim së bashku me kutitë e kartonit dhe ushtarët vazhduan udhëtimin e tyre me një tren tjetër. Pas luftës, njëri prej tyre u bë një Dëshmitar dhe ai më tregoi se ushtarët kishin biseduar më pas për civilin e çuditshëm me kutitë e tij.
Disa kohë më vonë, vëlla Koskinen, duke udhëtuar për të shërbyer në kongregacionin e vogël në Rovaniemi, një qytet në Finlandën veriore, u arrestua përpara se të zbriste nga treni. Ai u burgos dhe atje u keqtrajtua. Kur më erdhi radha për të vizituar të njëjtin kongregacion, mora masa për t’i hipur trenit në stacionin e vogël, në Koivu. Atje, motra Helmi Pallari e rregulloi që unë të vazhdoja pjesën tjetër të rrugës me një vagon që transportonte qumësht. Vizita ime në kongregacionin e Rovaniemit ishte e suksesshme. Megjithatë, kur u largova ndesha në vështirësi.
Gjatë rrugës për në stacionin hekurudhor, unë dhe shoqëruesi im u ndeshëm me dy të shërbimit ushtarak, të cilët po u kërkonin dokumentet të gjithë kalimtarëve. Unë i thashë: «Mos i shiko. Mbaji sytë drejt përpara.» Ne kaluam midis tyre, sikur ata të mos ishin fare aty. Pastaj ata filluan të na ndiqnin. Së fundi, në stacionin hekurudhor, unë munda t’u shmangem përmes turmës dhe kërceva mbi një tren që po nisej. Ngacmimet nuk mungonin në veprën udhëtuese të atyre ditëve!
Njëherë më arrestuan dhe më çuan në një qendër rekrutimi. Qëllimi ishte të më dërgonin në frontin e luftës. Por bie telefoni dhe oficeri i shërbimit që do të më pyeste, u përgjigj. Unë munda të dëgjoja zërin në telefon të bërtiste: «Përse vazhdoni të dërgoni këta njerëz të sëmurë e të pavlefshëm? Gjithçka që mund të bëjmë është që t’i kthejmë. Na duhen njerëz të përshtatshëm për punë!» Lumturisht, mbaja me vete një çertifikatë mjekësore që tregonte problemin shëndetësor që kisha. Kur e paraqita këtë, më lejuan të shkoja dhe kështu vazhdova pa ndërprerje veprën time pranë kongregacioneve!
Ndihmoj në një proces gjyqësor
Histeria e luftës vazhdonte të egërsohej dhe miku im, Ahti Laeste, u arrestua. Gruaja e tij më thërret. Kur shkova në shtëpinë e tyre, gjeta midis letrave të tij një dokument të dhënë Ahtit nga policia lokale që e lejonte t’i mbante fjalimet e regjistruara në parqet publike të qytetit. Ne shkuam në gjykatë me dokumentin. Pasi ata mbaruan së lexuari padinë, unë i dhashë dokumentin vëlla Laestes. Gjykatësi i tha një ushtari të sillte një gramafon dhe disa prezantime të regjistruara të Biblës që t’i dëgjonte trupi gjykues. Pas dëgjimit të secilit prezantim, gjykatësi tha se ai nuk shihte ndonjë gjë të keqe në atë që u tha.
Pastaj Ahti, gruaja e tij dhe unë u dërguam jashtë në korridor për të pritur vendimin gjyqësor. Atje pritëm me ankth. Së fundi, dëgjuam një zë të thoshte: «I pandehur, ju lutem hyni në sallë!» Vëlla Laeste ishte shfajësuar! Zemrat tona ishin sinqerisht të mbushura me mirënjohje për Jehovain ndërsa vazhduam veprën tonë, vëlla dhe motër Laeste, veprën e tyre në kongregacionin lokal dhe unë aktivitetin tim në veprën udhëtuese.
Lufta mbaroi—Shërbimi ynë vazhdon
Kur lufta mbaroi, u hoq ndalimi i veprës sonë të predikimit dhe vëllezërit u liruan nga burgu. Gjatë viteve të mia të shumta të shërbimit, kam qenë thellësisht i prekur nga roli i motrave të krishtere në veprën e Mbretërisë dhe në mbështetjen e burrave të tyre. Një mirënjohje të veçantë kam për mbështetjen dhe sakrificat e Silvit. Si rezultat i kësaj, munda të vazhdoja në veprën udhëtuese për 33 vjet pa ndërprerje dhe më pas të shërbeja si pionier special.
Të dy së bashku, Silvi dhe unë, e inkurajuam Arton të fillonte veprën e pionierit kur të mbaronte shkollën, të mësonte anglisht dhe të ndiqte Shkollën Biblike të Galaadit në Shtetet e Bashkuara. Ai u diplomua në Galaad në 1953-shin. Pas kësaj, ai u martua me Evën dhe të dy së bashku morën pjesë në forma të ndryshme të shërbimit të plotëkohor, duke përfshirë veprën e mbikëqyrësit qarkor, shërbimin në Bethel dhe atë të pionierit special. Në 1988-ën ata u transferuan në Tampere, qytetin tonë të banimit, për t’u kujdesur për mua dhe Silvin, ndërkohë që vazhdonin të shërbenin si pionierë specialë.
Silvi dhe unë gëzuam një jetë të pasur dhe të bekuar, me shumë kujtime që na inkurajojnë megjithëse fuqia jonë tani është tepër e rënë. Është një shpërblim edhe më i madh të mendojmë mbi rritjen që kemi parë. Kur fillova të vizitoja kongregacionet në 1939-ën, në Finlandë gjendeshin 865 lajmëtarë të Mbretërisë, por tani gjenden mbi 18.000!
Kur fillova shërbimin e plotëkohor në 1938-ën, nuk e kuptoja se 55 vjet më vonë, akoma do të gëzoja pjesëmarrjen në të. Pa marrë parasysh shtimin e viteve, ne vazhduam në saje të fuqisë që Jehovai na dha, duke shikuar përpara në shpërblerjen e premtuar. Ne besojmë në fjalët e psalmistit: «Sepse Zoti është i mirë; mirësia e tij është e përjetshme dhe besnikëria e tij vlen për të gjitha brezat.»—Psalmi 100:5.
[Figura në faqen 21]
Leo dhe Silvi Kallio simbolizuan dedikimin e tyre ndaj Jehovait në 1934
[Figura në faqen 23]
Një fotografi e Leos dhe Silvit bërë kohët e fundit ndërsa i afrohen 60 vjetëve të shërbimit të dedikuar