BIBLIOTEKA ONLINE Watchtower
Watchtower
BIBLIOTEKA ONLINE
shqip
Ë
  • Ë
  • ë
  • Ç
  • ç
  • BIBLA
  • BOTIME
  • MBLEDHJE
  • w96 1/6 f. 20-24
  • Jehovai tregoi se ishte me mua

Nuk ka video për këtë zgjedhje.

Na vjen keq, ka një problem në ngarkimin e videos

  • Jehovai tregoi se ishte me mua
  • Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1996
  • Nëntema
  • Material i ngjashëm
  • Shërbimi si pionier në Hollandë
  • Privilegjet shtohen
  • Nën thembrën naziste
  • Burgimi dhe kampi i përqendrimit
  • Aktiviteti i pasluftës
  • Nuk ka asgjë më të mirë se e vërteta
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1998
  • Duke pritur me durim Jehovain që nga rinia ime
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1997
  • «Për një besim që nuk sprapset»
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—2000
  • I motivuar nga besnikëria e familjes sime ndaj Perëndisë
    Zgjohuni!—1998
Shih më tepër
Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1996
w96 1/6 f. 20-24

Jehovai tregoi se ishte me mua

TREGUAR NGA MAKS HENING

Ishte viti 1933 dhe Adolf Hitler sapo kishte ardhur në fuqi në Gjermani. Megjithatë, afërsisht 500 Dëshmitarë të Jehovait në zonën e Berlinit nuk u lëkundën. Shumë të rinj u bënë pionierë apo shërbëtorë në shërbim të plotë kohor dhe disa madje pranuan caktimet për të shkuar në vende të tjera të Evropës. Unë dhe shoku im, Verner Flaten, filluam të nxisim njëri-tjetrin: «Përse hezitojmë ta zgjerojmë kohën tonë? Përse të mos shkojmë atje e të shërbejmë si pionierë?»

TETË ditë pas lindjes sime, në 1909-n, erdha nën kujdesin e prindërve të dashur që më birësuan. Në 1918-n, familjen tonë e mbuloi hidhërimi, për shkak të vdekjes së papritur të motrës sime të vogël edhe ajo e birësuar. Pak pas kësaj, studentët e Biblës, siç njiheshin në atë kohë Dëshmitarët e Jehovait, trokitën në derën tonë dhe zemrat e prindërve që më kishin birësuar u hapën duke e pranuar me etje të vërtetën biblike. Gjithashtu, ata më mësuan edhe mua që të çmoja gjërat frymore.

U përqendrova në shkollimin botëror dhe u bëra hidraulik. Por ajo që ishte më e rëndësishmja, mora qëndrim ndaj gjërave frymore. Bashkë me Vernerin, filluam si pionierë më 5 maj 1933. Na duhej të shkonim me biçikleta në një qytet që ndodhej 100 km larg Berlinit ku qëndronim dhe predikonim për dy javë. Pastaj ktheheshim në Berlin për t’u kujdesur për gjërat e nevojshme dhe më pas shkonim përsëri në territorin tonë të predikimit për dy javë të tjera.

Kërkuam që të shërbejmë në një vend tjetër dhe në dhjetor të 1933-shit, morëm caktimin për të shkuar në vendin që atëherë ishte Jugosllavia. Por, para se të niseshim për në Jugosllavi, caktimi na u ndryshua për në Utreht në Hollandë. Pak pas kësaj u pagëzova. Në ato kohë, pagëzimit i jepej më pak rëndësi; shërbimi ishte gjëja më e rëndësishme. Mbështetja në Jehovain tashmë u bë një veçori e qëndrueshme e jetës time. Gjeta shumë ngushëllim në fjalët e psalmistit të Biblës: «Ja Perëndia është ndihma ime, Zoti e përkrah jetën time.»​—Psalmi 54:4.

Shërbimi si pionier në Hollandë

Pak kohë pas mbërritjes në Hollandë, u ricaktuam në qytetin e Roterdamit. Babai dhe djali i familjes në të cilën u strehuam ishin, gjithashtu, pionierë. Pak muaj më vonë, u ble si vendbanim për pionierët një shtëpi e madhe në Lersëm, një qytet jo larg nga Utreht dhe bashkë me Vernerin u transferuam atje.

Ndërsa jetonim në atë shtëpi pionierësh, udhëtonim me biçikleta për në territoret fqinje dhe përdornim një makinë shtatë-vendëshe për territoret që ishin më larg. Në atë kohë, në të gjithë Hollandën, kishte vetëm njëqind Dëshmitarë. Sot, pas 60 vjetësh, territori që punuam nga ajo shtëpi pionierësh, ka më shumë se 4.000 lajmëtarë në rreth 50 kongregacione!

Ne punonim shumë, deri 14 orë shërbim çdo ditë dhe kjo gjë na mbante të lumtur. Një nga qëllimet kryesore ishte të shpërndanim sa më shumë literaturë që ishte e mundur. Zakonisht, linim tek personat e interesuar më shumë se njëqind broshura në ditë. Në atë kohë, bërja e rivizitave dhe drejtimi i studimeve biblike, nuk ishin akoma pjesë të aktivitetit tonë të rregullt.

Një ditë, bashkë me partnerin tim, po punonim në qytetin Frasvak. Ndërsa ai po i dëshmonte një burri në portën e një fortese ushtarake, unë shfrytëzova kohën për të lexuar Biblën time. Ajo ishte plot me nënvizime të kuqe dhe blu. Më vonë, një marangoz që ishte duke punuar në një çati aty afër, e paralajmëroi burrin tek porta se kishte mundësi që unë të isha një lloj spiuni. Si rezultat, u arrestova po atë ditë ndërsa i dëshmoja një shitësi, kurse Biblën ma konfiskuan.

Më çuan në gjykatë. Atje më akuzuan se shënimet në Bibël ishin një përpjekje për të bërë skicën e fortesës. U shpalla fajtor dhe gjykatësi më dënoi me dy vjet burgim. Por rasti u apelua dhe dola i pafajshëm. Sa i lumtur isha që u lirova, por u gëzova edhe më shumë, kur m’u rikthye Bibla me të gjitha shënimet në të!

Verën e vitit 1936, unë dhe Rikard Brauning, një nga pionierët që jetonin në shtëpi, e kaluam duke predikuar në veri të vendit. Muajin e parë, bëmë 240 orë në shërbim dhe shpërndamë një masë të madhe literature. Ne jetonim në një tendë dhe kujdeseshim për të gjitha nevojat që kishim, duke larë vetë rrobat tona, duke gatuar etj.

Më vonë, u transferova në një varkë të quajtur Lightbearer, e cila u bë mjaft e njohur në veri të Hollandës. Ishim pesë pionierë që jetuam në atë varkë dhe me anë të saj mundëm të arrinim shumë territore të izoluara.

Privilegjet shtohen

Në 1938-n, u caktova për të shërbyer si shërbëtor i zonës, siç quheshin në atë kohë mbikëqyrësit qarkorë të Dëshmitarëve të Jehovait. Kështu, e lashë varkën Lightbearer dhe fillova të vizitoja kongregacionet dhe Dëshmitarët e izoluar në tri provincat jugore.

Biçikleta ishte i vetmi mjet transporti që kishim. Me të na duhej shpesh një ditë e tërë për të udhëtuar nga njëri kongregacion apo grup të interesuarish në tjetrin. Midis qyteteve që vizitova ishte Breda, ku unë jetoj tani. Në atë kohë, Breda nuk kishte kongregacion por vetëm një çift Dëshmitarësh të moshuar.

Ndërsa u shërbeja vëllezërve në Limburg, u ftova për t’iu përgjigjur shumë pyetjeve të parashtruara nga një punëtor miniere, i quajtur Johan Pepër. Ai mori një qëndrim të vendosur ndaj së vërtetës biblike dhe u bë një predikues i guximshëm. Katër vjet më vonë u arrestua dhe u fut në një kamp përqendrimi, ku kaloi tre vjet e gjysmë. Pas lirimit të tij, filloi përsëri me zell predikimin dhe sot është akoma një plak i besueshëm. Ai kongregacion i vogël prej 12 Dëshmitarësh, në Limburg, tani është rritur në 17 kongregacione me afërsisht 1.550 lajmëtarë!

Nën thembrën naziste

Në maj të 1940-s, nazistët pushtuan Hollandën. Unë mora një caktim për në zyrën e degës së Shoqatës Watch Tower në Amsterdam. Ne duhej ta vazhdonim veprën tonë me një kujdes të jashtëzakonshëm, gjë që na bëri të çmojmë proverbin e Biblës: «Një shok i vërtetë . . . është një vëlla që lind kur ka vështirësi.» (Proverbat 17:17, BR) Lidhja e këndshme e unitetit që lulëzoi gjatë kësaj kohe presioni, pati një ndikim të thellë në zhvillimin tim frymor dhe më përgatiti për ditët më të vështira që kisha përpara.

Detyra ime ishte që të mbikëqyrja shpërndarjen e literaturës nëpër kongregacione, gjë që zakonisht bëhej nga korrierët. Gestapo kërkonte vazhdimisht të rinj që të bënin punë të detyruar në Gjermani, prandaj si korriere përdornim motrat e krishtere. Ndërkohë, Vilhelmina Bakër, e njohur gjithmonë me emrin None, u dërgua për ne nga Haga dhe unë e çova në vendin ku ishte fshehur Artur Vingkler, mbikëqyrësi i degës sonë. Duke u përpjekur, sa ishte e mundur, për të mos rënë në sy, u vesha si fermer holandez, me këpucë të drunjta si edhe me të gjitha gjërat e tjera që i përkasin veshjes së një fermeri dhe e shoqërova Nonen me tramvaj. Më vonë mësova se ajo mezi e kishte mbajtur të qeshurën, pasi në fakt, me këtë veshje unë bija shumë në sy.

Më 21 tetor 1941, vendi i ruajtjes së literaturës dhe letrës në Amsterdam, u zbulua nga armiqtë. Gjatë bastisjes së bërë nga Gestapo, Vingkler dhe None u arrestuan. Kur po i dorëzonin në burg, pa dashur dëgjuan dy agjentë të Gestapos duke folur mbi atë se si kishin ndjekur «një burrë të imët me flokë të errët», por që u kishte humbur nëpër rrugët e mbushura plot me njerëz. Ishte e qartë që po flisnin për mua, prandaj Vingkler arriti t’u dërgojë një mesazh vëllezërve. Menjëherë u transferova në Hagë.

Ndërkohë, None u lirua nga burgu dhe u kthye në Hagë për të shërbyer si pioniere. Atje takohem përsëri me të. Por, kur u arrestua mbikëqyrësi i kongregacionit në Roterdam, më dërguan atje në vend të tij. Më vonë, arrestohet edhe mbikëqyrësi i kongregacionit në Gouda dhe unë dërgohem atje për ta zëvendësuar. Së fundi, më 29 mars 1943 më kapin. Ndërsa po kontrolloja gjendjen e literaturës sonë, u shtanga nga bastisja e Gestapos.

Përveç literaturës biblike të shpërndarë mbi tryezë, ndodhej edhe një listë me emrat e motrave dhe vëllezërve të krishterë, megjithëse në formën e një sistemi shenjash. Në ankth, u luta që Jehovai të më siguronte një mënyrë për të mbrojtur ata që ishin akoma të lirë për të predikuar. Pa rënë në sy, arrita ta vë dorën të hapur mbi listën e emrave dhe e mblodha shuk brenda pëllëmbës sime. Pastaj, kërkova leje për të shkuar në banjë, ku copëtova listën dhe e lëshova në rrjedhën e ujit.

Në vështirësi të tilla të tmerrshme, mësova të marr forcë nga marrëdhëniet e Jehovait me popullin e tij në të kaluarën dhe nga premtimet e tij për të të çliruar. Kjo është një siguri e frymëzuar që ka qenë gjithmonë e ngulitur në mendjen time: «Në qoftë se Zoti nuk do të kishte mbajtur anën tonë, kur njerëzit u ngritën kundër nesh, ata do të na kishin përpirë të gjallë.»​—Psalmi 124:2, 3.

Burgimi dhe kampi i përqendrimit

Më çuan në burgun e Roterdamit, por i isha mirënjohës faktit që Biblën e kisha me vete. Gjithashtu, me vete kisha librin Shpëtimi, pjesë të librit Fëmijët si dhe shumë kohë për të lexuar të gjithë këtë literaturë. Pas gjashtë muajsh u sëmura rëndë dhe më duhej të shkoja në spital. Përpara se ta lija burgun, e fsheha literaturën poshtë dyshekëve të mi. Më vonë mësova se një Dëshmitar tjetër, Pet Brurtjës, ishte transferuar në qelinë time dhe e kishte zbuluar atë. Kështu, literatura po përdorej për të forcuar të tjerë akoma në besim.

Kur e mora veten, u transferova në një burg në Hagë. Kur isha atje, takova Leo van dër Tas, një student të juridikut, që ishte në burg për shkak të rezistencës ndaj pushtimit nazist. Ai nuk kishte dëgjuar kurrë për Dëshmitarët e Jehovait dhe unë pata mundësinë që t’i dëshmoja. Disa herë, më zgjonte në mes të natës dhe më bënte pyetje. Nuk mundi ta fshihte admirimin e tij për Dëshmitarët, sidomos, kur mësoi se ne mund të liroheshim vetëm nëse firmosnim një dokument, duke mohuar kështu besimin tonë. Pas luftës, Leo u bë jurist dhe në shumë raste ligjore që kishin të bënin me lirinë e adhurimit, bëri përpjekje në favor të Shoqatës Watch Tower.

Më 29 prill 1944, më hipën në tren për një udhëtim të mundimshëm 18-ditor drejt Gjermanisë. Më 18 maj, portat e kampit të përqendrimit të Bukenvaldit u mbyllën prapa meje. Deri në momentin që u liruam nga forcat aleate, afërsisht një vit më vonë, jeta ishte aq e tmerrshme sa nuk mund të përshkruhej. Mijëra vdiqën, shumica përpara syve tanë. Pasi refuzova të punoja në një fabrikë aty afër, e cila prodhonte materiale lufte, u vura të punoja në një kanal të ujërave të zeza.

Një ditë, fabrika që prodhonte materiale lufte u bombardua. Shumica u hodhën drejt kazermave për t’u mbrojtur, ndërsa të tjerët vrapuan drejt pyllishtes. Gabimisht, bombat qëlluan kazermat dhe bombat ndezëse i vunë zjarrin pyllishtes. Ishte një pamje e tmerrshme! Shumica u dogjën të gjallë! Unë kisha gjetur një vend të fshehtë për t’u mbrojtur dhe kur zjarri u pakësua, kalova midis trupave të shumtë të pajetë për t’u kthyer në kamp.

Shumica e njerëzve sot, janë të vetëdijshëm për tmerret e Holokaustit nazist. I jam mirënjohës Jehovait që e forcoi aftësinë time mendore, në mënyrë që tmerret e përjetuara të mos mbizotëronin në mendimet e mia gjatë viteve. Kur mendoj për periudhën time të burgimit, ajo që ndiej në radhë të parë, është gëzimi që kam mbajtur integritetin ndaj Jehovait në lavdi të emrit të tij.​—Psalmi 124:6-8.

Aktiviteti i pasluftës

Pas lirimit dhe kthimit në Amsterdam, u paraqita drejtpërdrejt në zyrën e degës për të marrë një caktim. Isha në ankth që të merrja vesh se ç’kishte ndodhur gjatë mungesës sime. None tashmë punonte atje. Gjatë vitit të fundit të luftës, ajo kishte shërbyer si korriere, duke shpërndarë literaturë biblike nëpër kongregacione. Nuk e kishin arrestuar më, megjithëse shumë herë kishte shpëtuar për një qime.

Shërbeva si pionier për pak kohë, ndërsa isha në Harlem, por në 1946-n, m’u kërkua të shkoja në zyrën e degës në Amsterdam për të punuar në degën e transportit. Nga fundi i vitit 1948, unë dhe None u martuam dhe lamë degën për të shërbyer së bashku si pionierë. Caktimi ynë si pionierë ishte në Asen. Bashkë me Riçard Brauning, 12 vjet më parë kaluam verën në këtë vend, duke jetuar në një tendë e duke predikuar. Mësova se Riçardi ishte pushkatuar gjatë udhës për në një kamp përqendrimi.

Periudha e burgimit e kishte dëmtuar dukshëm shëndetin tim. Gjashtë vjet pas lirimit nga Bukenvaldi, sëmundjet më gozhduan në shtrat për katër muaj. Vite më vonë, në 1957-n, isha i sëmurë me turbekuloz për një vit të tërë. Trupit tim po i binte fuqia, por fryma e pionierit ishte akoma e fortë. Gjatë kohës që isha i sëmurë, shfrytëzova çdo mundësi për të dëshmuar. Mendoja se kjo frymë e pionierit ishte një faktor i rëndësishëm për të mos lejuar që sëmundja të më shndërronte në një të sëmurë pasiv. Unë dhe None jemi të vendosur që të qëndrojmë në shërbimin e plotë kohor, për aq sa na e lejon shëndeti.

Pas shërimit tim, u caktuam në qytetin Breda. Kjo ishte pas 21 vjetësh që e kisha vizituar për herë të parë qytetin si shërbëtor i zonës. Kur mbërritëm ne, në 1959-n, atje ishte një kongregacion i vogël me 34 Dëshmitarë. Sot, pas 37 vjetësh, ka gjashtë kongregacione me më shumë se 500 Dëshmitarë, që mblidhen në tre Salla Mbretërie! Në mbledhjet tona dhe në asambletë e ndryshme, shohim shumë persona që kanë marrë njohuri mbi të vërtetën biblike, si rezultat i disa përpjekjeve nga ana jonë. Shpesh, ndihemi si apostulli Gjon kur shkroi: «Nuk kam gëzim më të madh nga ky: të dëgjoj se bijtë e mi ecin në të vërtetën.»​—3. Gjonit 4.

Tani jemi të moshuar. Unë jam 86 vjeç ndërsa None 78, por mund të them se shërbimi si pionier është një angazhim i shëndetshëm. Që kur erdha në Breda, kam kapërcyer shumicën e problemeve shëndetësore që më filluan gjatë burgimit. Gjithashtu, kam gëzuar dhe shumë vite të frytshme në shërbimin ndaj Jehovait.

Vështrimi prapa në shumë vite të frytshme shërbimi, është një burim gëzimi për ne të dy. Lutja jonë e përditshme është që Jehovai të na japë frymën dhe forcën për të vazhduar në shërbimin e tij, derisa të kemi jetë. Me besim, shprehemi me fjalët e psalmistit: «Ja, Perëndia është ndihma ime, Zoti e përkrah jetën time.»​—Psalmi 54:4.

[Figura në faqen 23]

Duke qëndruar pranë tendës që përdornim ndërsa shërbenim si pionierë në vitet ’30

[Figura në faqen 23]

Varka që përdornim për të arritur territoret e izoluara

[Figura në faqen 23]

Duke u intervistuar në programin e asamblesë në 1957-n

[Figura në faqen 24]

Me gruan time sot

    Botimet shqip (1993-2025)
    Shkëputu
    Hyr me identifikim
    • shqip
    • Dërgo
    • Parametrat
    • Copyright © 2025 Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania
    • Kushtet e përdorimit
    • Politika e privatësisë
    • Parametrat e privatësisë
    • JW.ORG
    • Hyr me identifikim
    Dërgo