BIBLIOTEKA ONLINE Watchtower
Watchtower
BIBLIOTEKA ONLINE
shqip
Ë
  • Ë
  • ë
  • Ç
  • ç
  • BIBLA
  • BOTIME
  • MBLEDHJE
  • w94 1/8 f. 27-30
  • Të mbështetur nga Perëndia që nuk mund të gënjejë

Nuk ka video për këtë zgjedhje.

Na vjen keq, ka një problem në ngarkimin e videos

  • Të mbështetur nga Perëndia që nuk mund të gënjejë
  • Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1994
  • Nëntema
  • Material i ngjashëm
  • Një trashëgimi e krishterë
  • Dëshira e hershme për të ungjillëzuar
  • Identifikimi i «shumicës së madhe»
  • Metodat e reja të predikimit
  • Kthimi në Perëndim
  • Martesa dhe familja
  • Shërbimi midis aborixhinasve
  • Ndihma e përhershme e Jehovait
  • Korrim bekime kur bëjmë ç’na kërkon Jehovai
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait (Për studim)—2017
  • E lumtur që ‘eca më shumë nga ç’më kërkohej’
    Zgjohuni!—2005
  • E vetme, por kurrë e braktisur
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1995
  • Bekimet e shërbimit si pionier
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1997
Shih më tepër
Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1994
w94 1/8 f. 27-30

Të mbështetur nga Perëndia që nuk mund të gënjejë

TREGUAR NGA MERI UILLIS

Pasojat e rënies ekonomike botërore, kishin arritur deri brenda Australisë Perëndimore, më 1932-shin. Atë vit, kur isha 19 vjeçe, Elen Davies dhe unë u caktuam për të predikuar në një territor prej 100.000 km. Pika jonë e nisjes ishte qyteti i vogël Viluna, afërsisht 950 km në veri të Perthit, kryeqytetit të Australisë Perëndimore ku ishte shtëpia jonë.

RRUGËS për atje, Elena dhe unë ishim në një vagon të personelit të shërbimit bashkë me një punonjës miqësor të shërbimit hekurudhor. Sa herë që treni ndalonte në stacion, ky punonjës na tregonte me dashamirësi se sa larg mund të ishte stacioni ynë. Kjo na dha mundësi për t’u dëshmuar njerëzve që banonin në këto vendbanime të izoluara përgjatë hekurudhës. Së fundi, arritëm në qytetin e minatorëve, në Viluna gjatë një stuhie pluhuri.

Megjithatë, stacioni hekurudhor i Vilunës ishte afërsisht 3 km larg nga qendra e qytetit. Asnjëra prej nesh nuk ishte e fuqishme dhe kishim tri kuti të rënda kartoni me literaturë si edhe dy valixhe. Ç’të bënim? Varëm një kuti në një shkop dhe secila mbajti njërën anë të shkopit. Në këtë mënyrë i mbartëm kutitë një e nga një. U deshën shtatë udhëtime prej tre kilometrash secili, për të çuar të trija kutitë e kartonit dhe valixhet në qytet. Ne ndalonim shpesh për të pushuar, sepse na dhimbnin duart.

Përkundër pluhurit, dhimbjes së duarve dhe këmbëve të lodhura, ajo aventurë ishte nxitëse dhe na pëlqeu. Ne të dyja e ndienim se Jehovai ishte me ne, se ai po na mbështeste që të përballonim këtë nisje të parehatshme, për të predikuar në zonat e thella. Shpejt pamë bekimet e tij në veprën tonë, sepse në saje të përpjekjeve tona në atë udhëtim, i riu Bob Horn pranoi të vërtetën biblike. Ne u gëzuam që Bobi mundi të kalonte disa vjet në shërbimin në Bethel dhe që vazhdoi t’i shërbente Jehovait besnikërisht për më shumë se 50 vjet deri sa vdiq në 1982-shin.

Nga Viluna predikuam në vendbanimet që gjendeshin gjatë udhëtimit tonë prej më shumë se 725 kilometrash nga qyteti Geraldton deri në bregdet. Nga atje u kthyem për në Perth. Disa netë fjetëm në dhomat e pritjes së stacionit hekurudhor që ishin të zhveshura dhe madje njëherë në një mullar bari që ishte në anë të shinave të hekurudhës.

Morëm me vete këllëf jastëku të mbushur me galeta të përgatitura në shtëpi me miell gruri. Këto ishin lloji kryesor i ushqimit tonë gjatë gjysmës së parë të udhëtimit. Ndonjëherë e fitonim ushqimin duke larë pjatat dhe duke pastruar me furçë dyshemetë nëpër pensione dhe mensa. Herë të tjera punonim nën diellin e nxehtë, duke mbledhur bizele apo fasule. Ndihmat nga të interesuarit që pranonin literaturë biblike, na ndihmonin për të mbuluar shpenzimet.

Ajo që më forcoi për të mbajtur besimin në Jehovain dhe që lumturisht të përballoja shumë situata të vështira në ato ditë ishte shembulli i nënës sime dhe përgatitja që ajo më kish bërë kur isha e vogël.

Një trashëgimi e krishterë

Nëna ime kishte një besim të fortë në Krijuesin dhe me sa mbaj mend ajo na fliste ne fëmijëve për të. Megjithatë, besimi i saj u sprovua në mënyrë të dhimbshme nga vdekja e vëllait tonë shtatë vjeçar, në një aksident tragjik në shkollë. Por në vend se të hidhërohej me Perëndinë, nëna filloi të studionte sinqerisht Biblën. Ajo donte të mësonte nëse ishte e mundur, arsyen e ndodhjes së tragjedive të tilla. Kërkimet e saj për të vërtetën e Biblës u shpërblyen dhe ajo e simbolizoi dedikimin e saj ndaj Perëndisë së vërtetë Jehova me pagëzimin në ujë në fillim të viteve ’20.

Që prej asaj kohe, diskutimet e saj me ne shpesh theksonin faktin se sa të sigurta janë premtimet e Perëndisë. Ajo na nxiste gjithmonë për të mbajtur në mendje se çfarëdo që mund të ndodhë, ‘Perëndia nuk mund të gënjejë’. (Titit 1:2, BR) Si rezultat, motra ime më e re, unë me dy vëllezërit bashkë me familjet dhe nipërit, jemi sot lavdërues të Perëndisë Jehova. Dy nga nipërit e mi, Alen dhe Paul Mason shërbejnë si mbikëqyrës udhëtues.

Dëshira e hershme për të ungjillëzuar

Unë isha nxënëse e dobët dhe e lashë shkollën në 1926-ën, kur isha 13 vjeçe. Megjithatë, kisha zhvilluar një dëshirë të fortë për të ndarë me të tjerët atë që kisha mësuar rreth Biblës. Babai mendonte se unë nuk isha mjaft e arsimuar për të ndihmuar ndokënd, por nëna tha: «Edhe nëse ajo vetëm u tregon njerëzve për afrimin e luftës së Harmagedonit dhe se të butët do të trashëgojnë tokën, mund të shpallë Mbretërinë e Perëndisë.» Kështu fillova të marr pjesë në veprën e predikimit derë më derë kur isha në vitet e para të adoleshencës, megjithëse nuk u pagëzova deri në 1930-ën. Shpejt mbas pagëzimit tim, fillova në veprën plotkohore të ungjillëzimit në zonat përreth Perthit.

Vitin tjetër, në 1931-shin, filluam të përdornim emrin tonë të ri, Dëshmitarë të Jehovait. Megjithatë, shumë nga të zotët e shtëpive na tallnin për përdorimin e këtij emri të shenjtë të Perëndisë dhe na përgjigjeshin në mënyrë fyese. Megjithatë, unë vazhdova në shërbim përkundër ndeshjeve të papëlqyeshme. Isha e bindur se Perëndia nuk gënjen kur premton se shërbëtorët e tij mund ‘të varen në forcën që ai jep’.​—1. Pjetrit 4:11, BR; Filipianëve 4:13.

Identifikimi i «shumicës së madhe»

Në 1935-ën, u caktova për të predikuar në një anë tjetër të kontinentit të gjerë australian. Kështu, në vitet që pasuan shërbeva si pioniere në Anglinë e Re, rajon në shtetin e Uellsit të Ri Jugor, afërsisht 4.000 km larg shtëpisë sime të dikurshme në Perth.

Deri në 1935-ën, në Darkën e Përkujtimit të vdekjes së Jezuit unë merrja emblemat, pra bukën e pandorme dhe verën e kuqe. Megjithëse kjo konsiderohej si një gjë e drejtë për t’u bërë, veçanërisht për shërbëtorët e zellshëm në shërbim të plotë kohor, unë kurrë nuk kisha qenë e bindur se kisha një shpresë qiellore. Mbas kësaj, në 1935-ën, na u bë e qartë se po mblidhej një shumicë e madhe me shpresën për të jetuar përgjithmonë mbi tokë. Shumë nga ne u gëzuan kur kuptuan se ishin pjesë e shumicës së madhe dhe nuk i morën më emblemat. (Gjoni 10:16; Zbulesa 7:9) E vërteta biblike po shkëlqente gjithnjë e më shumë në mënyrë progresive, ashtu siç kishte premtuar Jehovai.​—Proverbat 4:18.

Metodat e reja të predikimit

Në mesin e viteve ’30, filluam të përdornim gramafonin në shërbimin tonë. Kështu, para dhe mbrapa biçikletave tona të forta duhej të montoheshin bartëse jo vetëm për gramafonët e rëndë, por edhe për disqet dhe çantat me literaturë. Duhej të isha shumë e kujdesshme kur biçikleta ishte shumë e ngarkuar, sepse nëse përmbysej, do ta kisha shumë të vështirë për t’u ngritur përsëri!

Gjatë kësaj kohe ne filluam me atë që quhej marshim informues. Ndërsa ecnim gjatë rrugëve kryesore të qyteteve, mbanim të lidhura në trup apo të varura mbi shpatulla afishe apo pllakate ku shkruanim parrulla të mëdha. Ky aktivitet ishte një provë e veçantë e besimit tim, veçanërisht kur më arrestuan dhe më mbyllën një natë në një qeli burgu, në qytetin Lismore. Ishte poshtëruese kur ditën tjetër më sollën në gjykatë pa më lënë madje as të krihja flokët. Por akoma edhe njëherë Jehovai më përkrahu, ashtu siç kishte premtuar. Akuza u hoq, sepse arsyeja e vetme që polici më kishte arrestuar, ishte se pllakati im kishte ofenduar fenë e tij.

Kthimi në Perëndim

Në fillim të viteve ’40, aktiviteti im si pioniere më bëri të kthehesha për të predikuar në zonat fshatare të Australisë Perëndimore. Këtu vazhdova të gëzoja eksperienca të paharrueshme dhe bekime frymore. Në caktimin tim në Northam takova një amvisë shtëpie, Flo Timins, që banonte rreth 11 km larg qendrës së qytetit. Ajo pranoi librin Pajtim (Reconciliation) dhe shpejt u bë një dëshmitare e dedikuar e Perëndisë Jehova. Ajo akoma është aktive në shërbimin e Mbretërisë dhe vajza e saj që atëherë ishte vetëm katër vjeçe, është rritur dhe është bërë pioniere speciale.

Por pati të tjera eksperienca të paharrueshme. Një herë, unë dhe shoqja ime po kalonim në një urë në Northam me kaloshinën tonë të kuajve, kur papritur kuajt filluan të vraponin si të çmendur duke na shkaktuar një kalërim të frikshëm mbi ujërat e vrullshëm të lumit Avon që rridhnin poshtë nesh. Gati pas një kilometri kuajt e ngadalësuan shpejtësinë.

Martesa dhe familja

Në 1950-ën, u martova me Artur Uillis, i cili kishte qenë pionier për shumë vjet. U stabilizuam në fshatin e vogël Pinxheli, në Australinë Perëndimore, ku u bekuam me një djalë, Bentli dhe një vajzë, Eunika. Kur fëmijët ishin afër mbarimit të shkollës, Arturi vendosi të fillonte përsëri shërbimin si pionier. Shembulli i mirë i babait të tyre i inkurajoi të dy fëmijët tanë të fillonin si pionierë të rregullt menjëherë sapo u kualifikuan.

Arturi shpesh i çonte fëmijët në zona të largëta fshatare për të predikuar. Në këtë rast, ai qëndronte larg shtëpisë bashkë me ta për një javë apo më shumë, duke fjetur çdo natë jashtë në çadra. Gjatë këtyre mungesave, unë qëndroja në shtëpi për t’u kujdesur për dyqanin tonë të mobiljeve, duke u bërë të mundur të treve që të vazhdonin si pionierë.

Shërbimi midis aborixhinasve

Një mëngjes, menjëherë pasi familja ishte kthyer nga një prej udhëtimeve të saj në zonat fshatare, patëm një vizitor të paparashikuar. Vizitori ishte një aborixhinas që pyeti: «Çfarë duhet të bëj për t’u kthyer (në kongregacionin e krishterë)?» Në fillim ishim të hutuar. Pastaj Arturi e njohu. Ishte një burrë që shumë vjet më parë ishte përjashtuar nga kongregacioni i krishterë për dehje. Që atëherë ai kishte zhvilluar një ide të keqe për pijet e rënda dhe borxhet që të çonin në ngatërresa.

Arturi i shpjegoi se çfarë duhej të bënte për t’u rivendosur brenda organizatës së pastër të Jehovait. Ai u largua i qetë pa thënë më shumë dhe ne të gjithë pyesnim veten se çfarë do të bënte. Asnjë prej nesh nuk mund të parashikonte atë që ndodhi gjatë disa muajve më vonë. Ndryshimet që bëri ai njeri ishin pothuajse të pabesueshme. Jo vetëm që u lirua nga problemet e tij të pijes, por shkoi të gjente personat në krahinë, duke u kujtuar atyre borxhet që u kishte dhe duke u paguar atë që u detyrohej. Sot, ai është akoma një vëlla në besim dhe për njëfarë kohe shërbeu si pionier.

Në Pinxheli kishte shumë aborixhinas dhe ndiheshim shumë të kënaqur gjatë shërbimit duke ndihmuar këta njerëz të përulur të mësonin dhe të pranonin të vërtetën e Fjalës së Perëndisë. Sa u forcua besimi im nga pjesëmarrja në punën për të ndihmuar shumë aborixhinas australianë në mësimin e së vërtetës!

Në Pinxheli ishte krijuar një kongregacion dhe në fillim pjesa më e madhe e anëtarëve të tij ishin aborixhinas. Ne duhej të mësonim shumë prej tyre që të lexonin dhe të shkruanin. Kishte shumë paragjykime kundër tyre gjatë atyre viteve të para. Por populli i qytetit mësoi t’i respektonte Dëshmitarët aborixhinas, sepse bënin një jetë të pastër dhe ishin qytetarë të denjë për besim.

Ndihma e përhershme e Jehovait

Burri im i dashur Arturi, i cili i kish shërbyer Perëndisë besnikërisht për 57 vjet, vdiq në fillim të 1986-ës. Të gjithë afaristët në Pinxheli dhe populli i krahinës, kishin një respekt të madh për të. Akoma edhe njëherë Jehovai më mbështeti, duke më dhënë forcë për të përballuar këtë humbje të papritur.

Biri im Bentli, shërben si plak kongregacioni në veri të Australisë Perëndimore, ku ai dhe gruaja e tij Lorna kanë rritur familjen e tyre në të vërtetën. Një tjetër burim i madh gëzimi për mua është se vajza ime, Eunika, ka vazhduar në shërbim të plotë kohor deri më sot. Ajo dhe burri i saj, Xhefi, shërbejnë si pionierë. Tani unë jetoj bashkë me ta dhe jam e bekuar që mund të shërbej si pioniere ndihmëse në kohë të pacaktuar.

Për më shumë se 60 vjet, unë kam përjetuar përmbushjen e premtimeve të dashura të Jehovait për të forcuar shërbëtorët e tij dhe për t’i ndihmuar ata që të përballojnë çfarëdo rrethane që mund të ndeshin. Ai plotëson çdo nevojë tonën nëse ne kurrë nuk dyshojmë në të apo nëse i jemi mirënjohës për atë që ai bën për ne. Besimi im është forcuar ndërsa kam ndier dorën e Perëndisë të veprojë dhe ndërsa kam parë se si ai jep bekimet e tij, madje përtej asaj që ne mund të kuptojmë. (Malakia 3:10) Me të vërtetë, Perëndia nuk mund të gënjejë!

[Figura në faqen 27]

Meri në 1933-shin

[Figurat në faqen 29]

Meri dhe Arturi në vitet e fundit

    Botimet shqip (1993-2025)
    Shkëputu
    Hyr me identifikim
    • shqip
    • Dërgo
    • Parametrat
    • Copyright © 2025 Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania
    • Kushtet e përdorimit
    • Politika e privatësisë
    • Parametrat e privatësisë
    • JW.ORG
    • Hyr me identifikim
    Dërgo