BIBLIOTEKA ONLINE Watchtower
Watchtower
BIBLIOTEKA ONLINE
shqip
Ë
  • Ë
  • ë
  • Ç
  • ç
  • BIBLA
  • BOTIME
  • MBLEDHJE
  • w94 1/11 f. 21-26
  • Duke shërbyer me organizatën më përparimtare

Nuk ka video për këtë zgjedhje.

Na vjen keq, ka një problem në ngarkimin e videos

  • Duke shërbyer me organizatën më përparimtare
  • Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1994
  • Nëntema
  • Material i ngjashëm
  • Vitet e para
  • Një jetë e re në Bethel
  • Me vëlla Rutherfordin
  • Kohë të vështira financiare
  • Puna në radio
  • Fonografia
  • Puna e gëzuar në fushë
  • Udhëheqja hyjnore
  • Një jetë e pasur në shërbim të Jehovait
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—2001
  • Shërbimi në Bethel—Nevojiten më shumë vullnetarë
    Shërbimi ynë i Mbretërisë—1995
  • Metoda predikimi—Përdorim çdo mjet që t’u çojmë lajmin e mirë njerëzve
    Mbretëria e Perëndisë qeveris!
  • A mund të jetë kjo karriera më e mirë për ty?
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—2001
Shih më tepër
Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1994
w94 1/11 f. 21-26

Duke shërbyer me organizatën më përparimtare

TREGUAR NGA ROBERT HATSFELT

Sot shumica e njerëzve e kthen televizorin me anë të telekomandës për t’i parë lajmet e mbrëmjes me ngjyra, sikur të jetë diçka mjaft e zakonshme. Megjithatë, më duket sikur të ishte dje, kur si fëmijë dymbëdhjetë vjeçar që isha shikoja me sy të çakërritur një skenë kinematografike në të cilën dukej një figurë e zmadhuar burri që po fliste!

NDOSHTA mendon: «Epo, nuk është ndonjë gjë e madhe.» Por për mua, në 1915-ën, në kohët e hershme të filmit pa zë bardh e zi, me siguri që mund të konsiderohej një mrekulli e ditëve moderne. Një burrë mjekrosh hijerëndë u shfaq në ekran dhe tha: «Fotodrama e Krijimit paraqitet nga I.B.S.A., Shoqata Ndërkombëtare e Studentëve Biblikë.» Gjatë dy orëve që pasuan, para syve tanë u shpalos historia e Biblës. Mesazhi i saj nga Shkrimet ishte i qartë dhe nxitës. Megjithatë, ajo që në të vërtetë më tërhoqi vëmendjen ishte filmi kinematografik i stolisur me larmi ngjyrash transparente dhe e folura e sinkronizuar.

Atëherë nuk arrija ta kuptoja, por entuziazmi im prej të riu për atë teknologji të një rëndësie historike, ishte preludi i një jete të tërë në organizatën më përparimtare që gjendet mbi tokë.

Vitet e para

Në 1891-shin, im atë iku nga Dilenburgu i Gjermanisë dhe emigroi në komunitetin gjerman të Allegenisë, në Pensilvani, Sh.B.A. Më vonë, atje ai njohu një vajzë nga një familje gjermane me të cilën u martua. Unë linda më 7 korrik 1903 dhe mësova të flas gjermanisht dhe anglisht. Pak para shpërthimit të Luftës I Botërore në 1914-ën, një epidemi tuberkulozi ua rrëmbeu jetën të dy prindërve të mi dhe kështu mbeta jetim. Pak a shumë në të njëjtën kohë vdiq nga një atak kardiak edhe gjyshi nga nëna.

Halla ime, Mina Boemer, më pranoi përzemërsisht në shtëpinë e saj. «Kam pesë fëmijë,—tha ajo.—Fare mirë mund të mbaj edhe një.» Edhe pse e ndieja mungesën e prindërve, hallë Mina më siguroi një familje të mirë.

Që prej shumë kohësh halla ime ishte anëtare e kongregacionit të Studentëve Biblikë (siç quheshin Dëshmitarët e Jehovait në ato vite) në Allegeni. Para vitit 1909, atë kongregacion e frekuentonte edhe vëlla C. T. Russell, atëherë president i Shoqatës Watch Tower. Hallë Mina më merrte gjithmonë më vete në mbledhje. Megjithëse familja jonë nuk kishte bërë ndonjë përpjekje të madhe deri atëherë për të studiuar dhe për të predikuar, ne flisnim me të njohurit për ato që dëgjonim në mbledhje.

Pikërisht në këtë kohë «Fotodrama» më habiti shumë. Duke qenë se mekanika ishte një ëndërrpër mua, teknikat e reja fotografike, sinkronizimi i tingullit dhe marrja e fotografive në kohë më mahnitën. Çelja e luleve ishte vërtet joshëse.

Në 1916-ën, u hidhëruam shumë nga vdekja e vëlla Russellit. Meqenëse banonim në Allegeni, morëm pjesë në funeralin e tij që u mbajt në Carnegie Hall. Ajo ishte salla ku vëlla Russell kishte debatuar me E. L. Itën, në 1903-shin. Kisha dëgjuar të flitej për këtë ministër episkopalian që kishte thirrur në duel C. T. Russell në një diskutim prej gjashtë ditësh, me mendimin që të diskretitonte njohurinë biblike të vëlla Russellit. Por thuhet se ndodhi krejt e kundërta. Russelli «e hodhi grepin në argumentin e ferrit». Sara Kalin, një ungjilltare përhapëse nga Pitsburgu, i njihte personalisht bashkëshortët Russell. Në ceremoninë e varrimit ajo pa Marije Russellin të vinte disa lule mbi arkivol me shënimin «Burrit tim të dashur». Megjithëse ata ishin ndarë që prej disa vjetësh, Marija akoma e konsideronte si burrin e saj.

Me kalimin e viteve, shumë herë m’u dha mundësia për të fituar aftësi teknike të dobishme për karrierën time të ardhshme. Daja që më kishte marrë nën kujdes punonte si kontraktues ndërtesash. Gjatë pushimeve të shkollës, ai më vinte të punoja me elektricistët e tij, që ndërronin nëpër shtëpitë e vjetra impiantet e ndriçimit me gas në impiante elektrike. Në 1918-ën, studentët e shkollës sonë formuan një grup amator radiotelegrafik. Mbrëmjeve mbidheshim për të studiuar dhe për të bërë eksperimente në fushën elektromagnetike. Në 1926-ën, unë dhe një shok vendosëm të realizonim një ëndërr fëmijërore​—të punonim në bordin e anijeve dhe të bridhnim botën. U regjistruam në kursin e Shoqatës Amerikane për radioteknikë.

Një jetë e re në Bethel

Kursi i radioteknikës që frekuentonim ishte në Nju Jork, prandaj përshkonim lumin që të shkonim në Bruklin për të marrë pjesë në mbledhjet e Studentëve Biblikë, që mbaheshin në Tempullin e vjetër masonik, një sallë e marrë me qira. Në atë kohë, në gjithë zonën e kryeqytetit të Nju Jorkut ekzistonte vetëm një kongregacion. Kur vëllezërit nga Betheli (vendi ku banonin Studentët Biblikë të qendrës) mësuan se studioja për t’u diplomuar si radiotelegrafist, më thanë: «Përse të punosh në anije? Kemi një radiostacion këtu, ku ka nevojë për një radist.» Ata më ftuan të shkoja në zyrë për të biseduar. Nuk dija asgjë për Bethelin, përveç faktit se ishte qendra e Studentëve Biblikë.

Gjatë bisedës, vëllezërit më sugjeruan të mbaroja kursin, të merrja diplomën dhe pastaj të shkoja në Bethel. Pasi mora diplomën, nuk hipa në ndonjë anije për të bredhur botën, por paketova ato pak plaçka që kisha dhe hipa në një metro e drejt e në Bethel. Megjithëse ia kisha dedikuar jetën Jehovait dhe kisha marrë pjesë në veprën e predikimit për vite me radhë, u pagëzova në dhjetor të 1926-ës, dy javë pasi shkova në Bethel. Në atë kohë kjo nuk ishte diçka e pazakontë.

Me 150 anëtarë, Betheli ishte mbushur plot e përplot në ato ditë. Në çdo dhomë jetonin katër vëllezër. Me pjesën më të madhe të tyre u njoha shpejt, sepse të gjithë hanim, punonim dhe flinim në të njëjtin kompleks dhe pa dyshim, të gjithë frekuentonim kongregacionin e vetëm që ekzistonte në Nju Jork. Në 1927-ën, shtëpia e re Bethel u kompletua në 124 Columbia Heights, ku kishim mundësi të jetonin dy e nga dy nëpër dhoma.

Në 1927-ën, u hap edhe një fabrikë e re në 117 Adams Street. Unë ndihmova në transportimin e pajisjeve nga shtypshkronja e vjetër që gjendej në 55 Concord Street. Përveç pajisjeve tipografike, në fabrikë kishte edhe ashensorë, pajisje për shtypshkronjën, pajisje për lavanderi, lëndë djegëse​—çdo gjë që kishte të bënte me instalimet elektrike, hynte në radhën e punëve të mia.

Megjithatë, Betheli nuk ishte vetëm një fabrikë. Pas çdo libri, fletushke e reviste ishte një numër i madh shërbëtorësh të përulur e të zellshëm. Nuk ishin aty për të qenë dikushi në sytë e botës. Përkundrazi, ata dëshironin vetëm të kryenin veprën e Zotërisë​—dhe kishte shumë për të bërë!

Me vëlla Rutherfordin

Përfitova shumë nga privilegji që pata duke punuar me vëlla Josef F. Rutherford, kryetari i dytë i Shoqatës. Ishte shtatlartë me një gjatësi 183 cm, jo shumë i shëndoshë, por i fuqishëm. Shumë vëllezërve të rinj në Bethel u impononte njëfarë drojtjeje, derisa e njihnin më mirë. Studionte vazhdimisht për të përgatitur informata për botim.

Vëlla Rutherfordi kishte një ndjenjë të spikatur humori. Në familjen Bethel ishin dy motra të moshuara që ishin aty që nga koha e Russellit. Ishin pak sa të rrepta dhe mendonin se nuk ishte mirë të qeshej me të madhe edhe nëse diçka ishte tepër qesharake. Ndonjëherë gjatë drekës, vëlla Rutherfordi tregonte ndonjë anekdotë që i bënte të gjithë të shqyheshin gazit, gjë që i irritonte këto dy motra. Megjithatë, gjatë kohës së ngrënies ai bënte edhe biseda serioze biblike.

Vëlla Russelli ishte një kuzhinier i mirë dhe i pëlqente të gatuante për miqtë. Njëherë, kur kuzhinierët e Bethelit po ndanin pulat, i kishin copëtuar kockat brenda në mish. Ai hyri në kuzhinë me hapa të mëdhenj dhe u tregoi atyre se si t’i prisnin pulat. Nuk i pëlqenin copat e kockave në ushqim!

Isha shpesh në kontakt me vëlla Rutherfordin në situata joformale, si në stacionin tonë të radios, WBBR apo në studion e tij në Staten Island. Ishte vërtet një njeri shumë i mirë që praktikonte çdo gjë që predikonte. Nuk pretendonte nga të tjerët atë që ai vetë nuk mund ta bënte. Ndryshe nga shumë persona përgjegjës të organizatave të tjera fetare, vëlla Rutherford ishte një njeri shumë i ngritur frymësisht dhe me karakter të moralshëm. Dukej qartë se jetonte për Mbretërinë e Jehovait.

Kohë të vështira financiare

Pak vite pasi shkova në Bethel, bota u zhyt në depresion të madh. Tregjet financiare dhe çmimi i gjërave të konsumit u rrënuan. Punë nuk kishte dhe fondet ishin të kufizuara. Betheli vazhdonte me kontributet vullnetare dhe Jehovai gjithmonë siguronte atë që ishte e nevojshme për ta çuar veprën përpara. Nuk mbetëm kurrë pa ushqim, edhe pse nuk ishte pikërisht ajo që secili dëshironte. Jetonim sa më me kursim që të ishte e mundur dhe vëllezërit jashtë na ndihmonin aq sa kishin mundësi.

Në vitin 1932, vdiq vëlla Robert Martin, mbikëqyrësi besnik i fabrikës sonë. Në vend të tij u caktua njëzet e shtatë vjeçari Natan Knorr. Ishte një i ri shumë i aftë. Nuk kujtoj asnjë që nuk ishte i kënaqur nga caktimi i tij si mbikëqyrës në fabrikë. Vëllezër të tjerë besnikë, si Xhon Kërzen, Xhorxh Keli, Dëg Galbreith, Ralf Leflër dhe Ed Bekër​—të gjithë bashkëpunëtorët e mi të dashur—​ia kushtuan me dëshirë zanatin dhe aftësitë e tyre krijuese shërbimit të Mbretërisë.​—Krahaso Të Dalët 35:34, 35.

Puna në radio

Organizata jonë i ishte përkushtuar plotësisht përhapjes së lajmit të mirë me çfarëdolloj mjeti të disponueshëm. E gjithë bota duhej ta njihte Mbretërinë, por ne ishim vetëm disa mijëra. Pas Luftës I Botërore radioteknika ishte në hapat e parë. Megjithatë, vëllezër mendjehollë mendonin se ajo ishte mënyra e komunikimit që Jehovai kishte siguruar për atë kohë. Prandaj, në 1923-shin ata filluan ndërtimin e radiostacionit WBBR në Staten Island, një nga pesë lagjet vetadministrative të Nju Jorkut.

Shpeshherë isha i vetmi radiotelegrafist në stacionin tonë. Jetoja në Staten Island dhe bëja tri orë rrugë me lundër dhe me metro për të shkuar në fabrikën që ndodhej në Bruklin, kur duhej të punoja për mirëmbajtjen elektromekanike. Për ta bërë stacionin tonë të radios të pavarur, instaluam një gjenerator me naftë. Në Staten Island kishim edhe puset tona të ujit dhe një kopsht që na siguronte prodhime ushqimore për personelin e vogël në numër që ndodhej atje si dhe për familjen Bethel në Bruklin.

Derisa nuk ishte në dispozicion personel tjetër, përgjegjësitë e punës në radio e kufizonin shumë pjesëmarrjen time në mbledhje dhe në shërbimin në fushë. Përveç pushimeve vjetore, nuk kisha aspak kohë të shkoja me të tjerët për t’u zbavitur ose për të bërë udhëtime në fund të javës. Dikush më pyeti njëherë: «A nuk ke menduar që ta lësh ndonjëherë Bethelin, me një program kaq të dendur?» Sinqerisht iu përgjigja: «Jo.» Ka qenë një privilegj dhe një gëzim jeta dhe puna me kaq shumë motra e vëllezër të devotshëm. Gjithmonë ka pasur ndonjë punë apo ndonjë projekt për të bërë.

Ne bënin dhe transmetonim drama emocionuese radiofonike. Duke mos pasur regjistrime me efekte speciale, duhej t’i sajonim vetë. Ndërtuam një makinë që mund të riprodhonte tingullin e një flladi të lehtë ose të një furtune të tërbuar. Duke goditur tavolina prej druri me lëvozhga arrash kokosi të prera përgjysmë imitonim rrapëllimën e thundrave të kalit mbi kalldrëm. Çdo dramë ishte një sipërmarrje spektakulare dhe njerëzit i dëgjonin. Në atë kohë kishte pak zbavitje dhe shumica e njerëzve uleshin dhe dëgjonin me vëmendje radion.

Gjatë viteve ’20 dhe në fillim të viteve ’30 radioja e Shoqatës bëri emër në histori duke u lidhur vazhdimisht në rrjet me numrin më të madh të stacioneve për një program të vetëm. Kështu, miliona njerëz në mbarë botën arritën të dëgjonin lajmin e Mbretërisë.

Fonografia

Nga mesi i viteve ’30 dhe në fillim të viteve ’40, projektuam dhe ndërtuam gramafonë, fonografë dhe pajisje të tjera për prodhimin e tingullit. Me një torno speciale prisnim disqe dylli të lëmuar si pasqyrë. Pastaj, i vërenim me kujdes në një mikroskop për t’u siguruar nëse ishin prerë në mënyrë të përsosur. Po të kishte ndonjë difekt, regjistrimi duhej përsëritur dhe duhej bërë një tjetër prerje tornoje. Pastaj e dërgonim formën prej dylli në një ndërrmarrje që prodhonte disqe për fonografë dhe gramafonë.

Një ngjarje emocionuese që e mbaj mend si sot ishte konferenca e Rutherfordit në vitin 1933 e titulluar «Ndikimi i vitit të shenjtë mbi paqen dhe zhvillimin». Papa kishte deklaruar se ai vit do të ishte një «vit i shenjtë», prandaj përmes transmetimit të radios dhe fonografëve ne deklaruam dhe treguam se nuk do të kishte asgjë të shenjtë. Siç u bë e qartë më vonë, atë vit Hitleri mori fuqi me mbështetjen e Kishës Katolike dhe kështu u venit çdo shpresë për paqe.

Në Shtetet e Bashkuara, për të realizuar objektivat e Kishës, u formua organizata e Aktivitetit katolik. Ata vendosën njerëzit e tyre nëpër redaksitë e të përjavshmeve e periodikeve kryesore dhe në shtëpitë e botimit. Ishin zhytur deri në fyt në politikë dhe kërcënonin të bojkotonin çdo radiostacion që transmetonte konferenca biblike. Shumë Dëshmitarë u sulmuan nga grupet e Aktivitetit Katolik, veçanërisht në afërsi të Nju Xhersit. Ishin ditë emocionuese!

Puna e gëzuar në fushë

Nga mesi i viteve ’50 numri gjithnjë e në rritje i lajmëtarëve të Mbretërisë jepte mundësi që të takoje më shumë persona në dyert e shtëpive të tyre. Kjo tregoi se ishte më e efektshme sesa radioja për të ndihmuar personat të kuptonin të vërtetën biblike. Prandaj, në 1957-ën u vendos që stacioni WBBR të shitej dhe burimet tona të drejtoheshin drejt përhapjes së veprës misionare në vende të tjera.

Në 1955-ën u caktova në kongregacionin Bedford, në Bruklin, ku drejtoja rregullisht studimin e Kullës së Rojës. Përveç kësaj, Shoqata më dërgonte jashtë për të mbajtur fjalime në pjesën veriore të Nju Jorkut, në Pensilvani, Konektikat dhe Nju Xhersi. Kur u caktova në kongregacionin Bedford, i thashë vetes: «Jam mbi 50 vjeç. Do të bëja mirë të merrja pjesë sa më shumë që të jetë e mundur në shërbimin në fushë sa s’është vonë. Ku i dihet, më vonë mund të kem dhimbje mesi dhe mund të mos ndiej kaq shumë kënaqësi në kryerjen e tij.»

Pasi kisha punuar për shumë vjet në teknikën e radiotransmetimit me valë për të përhapur farat e Mbretërisë, për mua ishte një kënaqësi e vërtetë të mbillja dhe të ujisja farat e së vërtetës biblike në mënyrë të drejtpërdrejtë me personat. Më pëlqnte shumë të punoja me kongregacionin. Disa vëllezër dhe motra «më adoptuan», duke bërë që të ndihesha si në shtëpinë time. Disa nga fëmijët e tyre, tashmë të rritur, akoma më thërrasin gjysh. Për 30 vjet kemi kaluar çaste të mrekullueshme në shërbimin në fushë, derisa shqetësime në këmbë ma bënë të pamundur të ngjisja shkallët apo të hipja në metro. Në 1985-ën, u transferova në kongregacionin Bruklin Heights, i cili mblidhej në Bethel.

Ndërkohë që organizata e Jehovait kishte një përhapje të madhe, unë personalisht kisha privilegjin të shikoja bekimin e tij edhe në vende të tjera, pasi mora pjesë në kongreset e mëdha të Dëshmitarëve të Jehovait në vende të largëta. Më në fund, munda të përshkoj botën! Në vitet ’50 disa nga ne bethelitët shkuan për të vizituar Londrën, Parisin, Romën, Nurenbergun dhe Kopenhagenin. Udhëtuam me ish-aeroplanë bombardues, anije dhe tren. Pa dyshim, udhëtimet ishin piktoreske, por gjëja më e bukur ishin grupet e vëllezërve që na uronin me ngrohtësi mirëseardhjen. Në dhjetë vjeçarët vijues bëmë udhëtime në Lindje, përsëri në Evropën perëndimore dhe së fundi në Evropën lindore. Asambletë e mrekullueshme në Poloni, Gjermani dhe Çekosllovaki kanë mbetur të paharrueshme. Sa është rritur familja jonë teokratike, që nga koha kur unë u bëra pjesë e saj!

Udhëheqja hyjnore

Ato që në fillim dukeshin hapa të vegjël të ndërmarrë nga organizata, më vonë u shndërruan në hapa gjigantë. Kur punonim në projekte novatore apo thjesht pajisje për ta bërë më të lehtë veprën e dëshmisë, kush mund ta imagjinonte rritjen e jashtëzakonshme? Kishim shkuar përpara në besim duke ndjekur udhëheqjen e Jehovait.

Kjo organizatë përparimtare kurrë nuk ka pasur frikë të përdorë shpikjet e fundit teknologjike apo edhe të krijojë të reja për të dhënë një ndihmë në veprën botërore. Ndërmjet metodave të përdorura për të çuar më përpara shpalljen e Mbretërisë ka qenë predikimi nga shtëpia në shtëpi, përdorimi i stacioneve radiofonike të lidhura ndërmjet tyre, dëshmia me fonografë dhe programi i studimeve biblike në shtëpi. Vendosja e pajisjeve tipografike në kohët e para dhe tani përdorimi i fotokompozimit të kompjuterizuar dhe tipografia ofset për shtypjen e literaturës në shumë gjuhë nuk janë arritje të pakta. Shkolla Biblike e Galaadit, Shkolla e Shërbimit Teokratik dhe kongreset e rregullta kanë luajtur rolin e tyre në lartësimin e Perëndisë Jehova dhe Birit të tij. Ishte privilegj për mua t’i shikoja personalisht dhe të merrja pjesë në këto ngjarje.

Për mua është e qartë se organizata tokësore e Jehovait e drejtuar nga fryma e tij udhëhiqet kur duhet të bëjë diçka dhe se si duhet ta bëjë. Mbarë organizata e tij universale, e dukshme apo e padukshme, punon së bashku.

Kurrë nuk më ka ardhur keq për faktin se nuk i kam realizuar projektet e mia si i ri për të lundruar nëpër detëra. Zhvillimet më emocionuese dhe domëthënëse në botë ndodhin pikërisht këtu, brenda organizatës së Jehovait! Prandaj, udhëtimi im përgjatë rrugës që të çon në «thirrjen hyjnore» është shënuar me shumë e shumë gëzime dhe bekime dhe jo me keqardhje.​—Filipianëve 3:13, 14.

Të rinjve u them gjithmonë të kujtojnë «1914-ën», domethënë, Psalmin 19:14, i cili thotë: «U miratofshin para teje fjalët e gojës sime dhe përsiatjet e zemrës sime, o Zot, kështjella ime dhe shpëtimtari im.» Duam t’i pëlqejmë Jehovait në çdo gjë dhe t’i drejtojmë të njëjtën lutje si Davidi: «O Zot, më trego rrugët tua, më mëso shtigjet e tua. Më udhëhiq në të vërtetën tënde dhe më mëso, sepse ti je Perëndia i shpëtimit tim; unë shpresoj shumë te ti gjatë gjithë ditës.» (Psalmi 25:4, 5) Këto fjalë përmbajnë një domethënie të madhe. Duke i kujtuar, mund të jemi të ndihmuar të ecim në rrugën e drejtë, duke qenë në një hap me organizatën përparimtare të Jehovait.

[Figura në faqen 23]

Vëlla Rutherfordit i pëlqente të gatuante për miqtë

[Figura në faqen 25]

Robert Haltsfelt në dhomën e kontrollit të radiostacionit WBBR

[Figura në faqen 26]

Një fotografi e vëlla Hatsfeltit bërë kohët e fundit

    Botimet shqip (1993-2025)
    Shkëputu
    Hyr me identifikim
    • shqip
    • Dërgo
    • Parametrat
    • Copyright © 2025 Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania
    • Kushtet e përdorimit
    • Politika e privatësisë
    • Parametrat e privatësisë
    • JW.ORG
    • Hyr me identifikim
    Dërgo