Çfarë shprese ka për të verbrit
XHON MILTON edhe pse ishte krejtësisht i verbër, krijoi veprat e tij epike Parajsa e humbur dhe Parajsa e rigjetur. Helen Kelerin, megjithëse ishte e verbër dhe shurdhe, ky fakt nuk e pengoi në punën e saj me ata që kishin mangësi fizike. Po, shumë të verbër i përballojnë mirë vështirësitë e shkaktuara nga verbimi. Megjithatë, sa e mrekullueshme do të ishte po të kishin mundësi të shikonin të gjithë! Veçanërisht do të ishe i këtij mendimi, po të kishe ndonjë person të dashur apo mik që është i verbër apo ka shikim të dobët.
Është e vërtetë se në disa vende ekzistojnë programe riaftësimi që i mësojnë personat me shikim të dobët të kryejnë aktivitetet normale të jetës së përditshme. Sistemi Braille dhe qentë e stërvitur për të drejtuar të verbrit, i ndihmojnë ata të kujdesen për nevojat e tyre të shumta. Megjithatë, shumë njerëz e shikojnë verbimin si gjymtimin më të tmerrshëm. Një shkrimtar pohoi: «Të jesh i verbër do të thotë të mos kesh mundësinë të vësh në punë pjesën më domethënëse të shqisave.» Në të njëjtën kohë, shumë të verbër janë të detyruar të varen gjithnjë e më shumë nga të tjerët.
Ndoshta mund të pyesësh veten se përse verbimi është kaq i përhapur. A ke dëgjuar ndonjëherë për trakomën? Ajo shkakton rreth nëntë milionë raste verbimi. Lidhur me këtë një enciklopedi thotë: «Sëmundja është ngjitëse dhe përhapet me ritme më të shpejta atje ku popullsia ka dendësi të madhe dhe higjiena e mjedisit është e një shkalle shumë të ulët. Mungesa e ujit për t’u larë dhe numri i pallogaritshëm i mizave që shkojnë pas mbeturinave që hedhin njerëzit, kontribuon në përhapjen e sëmundjes. Në disa aspekte, trakoma është më tepër një problem social, sesa sanitar; nëse standardet e jetesës përmirësohen, dendësia e madhe e popullsisë zvogëlohet, mizat luftohen dhe sigurohet një sasi e mjaftueshme uji, ritmet e përhapjes së trakomës bien shpejt.» (The New Encyclopœdia Britannica) Rreth një milionë të tjerë vuajnë nga onkocerciasis apo siç quhet ndryshe verbëria lumore. Gjithashtu, çfarë mund të thuhet për kseroftalminë? Megjithëse duket si emër i padëgjuar, fakti është se përbën shkaktarin më të zakonshëm të verbimit. Edhe diabeti, difteria, fruthi, skarlatina dhe sëmundjet e transmetuara në rrugë seksuale mund të çojnë në verbim.
Gjatë plakjes, shikimi mund të dobësohet si rezultat i shqetësimeve të tilla si rënia e makulës dhe glaukomës, por s’duhet të harrojmë edhe perden e syrit. E njëjta enciklopedi vëren: «Në shumë vende të botës perdja e syve tani për tani është një ndër shkaqet kryesore të verbimit dhe kjo është diçka tragjike, pasi është shumë e lehtë për t’u kuruar me mjete kirurgjikale.»—The New Encyclopœdia Britannica.
Pavarësisht nga zbulimet e reja në fushën e oftalmologjisë, eliminimi i verbimit duket shumë i largët. Po kjo enciklopedi thotë: «Përparimet në parandalimin dhe trajtimin mjekësor e kirurgjikal të verbimit mund të jenë në ndihmë vetëm të një popullsie që ka mundësi të marrë kura mjekësore. Derisa të përmirësohen standardet ushqimore dhe higjienike të pjesës më të madhe të popullsisë së botës, parandalimi i verbimit do të mbetet në të njëjtin nivel aktual.»
Megjithëse antibiotikët dhe kirurgjia sigurisht që luajnë një rol të rëndësishëm në luftën kundër verbimit, shpresa për shërimin e përhershëm ka të bëjë me diçka që ndodhi rreth dy mijë vjet më parë.
Shërimi i të verbërve në ditët e Jezuit
Përfytyro një burrë tek të 30-at duke ecur përgjatë një rruge me pluhur. Sapo dëgjuan se ai po kalonte andej, dy të verbër anës rrugës thirrën: «Ki mëshirë për ne.» Ata që ishin përreth i urdhëruan të heshtnin, por të verbërit thirrën më fort: «Ki mëshirë për ne.» Njeriu i pyeti me mirësi: «Çfarë doni të bëj për ju?» Me padurim ata iu përgjigjën: «Të na hapen sytë!» Tani mundohu të përfytyrosh: Burri u preku sytë dhe menjëherë atyre u erdhi shikimi!—Mateu 20:29-34.
Ç’gëzim ishte për këta njerëz që pak më parë ishin të verbër! Por verbimi është shumë i përhapur. Ky ishte vetëm një episod. Përse e meriton vëmendjen tënde? Sepse ishte Jezui nga Nazareti ai që u dhuroi këtyre të verbërve shikimin. Në të vërtetë, përveç faktit se ishte i ‘mirosur për t’ua shpallur lajmin e mirë të varfërve’, Jezui ‘u dërgua edhe për t’u kthyer shikimin të verbërve’.—Luka 4:18, BR.
Njerëzit u habitën nga këto shërime të mrekullueshme që Perëndia kreu përmes fuqisë së frymës së shenjtë. Në fakt lexojmë: «Turmat mrekulloheshin kur shikonin se memecët flisnin, sakatët shëroheshin, të çalët ecnin dhe të verbërit shihnin; dhe lëvdonin Perëndinë e Izraelit.» (Mateu 15:31) Falas dhe pa bërë bujë për aftësitë e tij apo pa u munduar t’i sillte lavdi vetes me këto shërime, Jezui theksoi dashurinë dhe mëshirën e Perëndisë Jehova. Jezui ndiente dhembshuri edhe për personat e verbër frymësisht dhe për njerëzit pa përkrahje që ishin «të lodhur dhe të shpërndarë si delet pa bari».—Mateu 9:36.
Ndoshta mund të pyesësh veten: «Edhe pse kjo histori mund të jetë interesante, ç’mund të themi për sot?» Meqenëse sot për sot askush nuk shëron ashtu si Jezui, a kanë ndonjë domethënie për ne këto shërime? A ka ndonjë shpresë për të verbrit? Të lutemi lexo artikullin vijues.
[Diçitura në faqen 4]
«Derisa të përmirësohen standardet ushqimore dhe higjienike të pjesës më të madhe të popullsisë së botës, parandalimi i verbimit do të mbetet në të njëjtin nivel aktual.»—The New Encyclopædia Britannica