Pyetje nga lexuesit
Në këto kohë të vështira ekonomike, gjithnjë e më shumë individë dhe shoqëri po shkojnë drejt falimentimit. Sipas Shkrimeve, a është e përshtatshme për një të krishterë të paraqesë një kërkesë ligjore për falimentim?
Përgjigjja e kësaj pyetjeje siguron një ilustrim të shkëlqyer mbi atë se si Fjala e Perëndisë na ofron një udhëheqje praktike mbi çështje që në mënyrë të dukshme mund të jenë moderne. Shumë vende kanë ligje që rregullojnë falimentimin. Ligjet ndryshojnë nga njëri vend në tjetrin dhe nuk pritet që kongregacioni i krishterë të ofrojë këshillë ligjore mbi këtë. Por le të shqyrtojmë në mënyrë të përmbledhur sigurimin ligjor të falimentimit.
Një arsye që qeveritë u lejojnë individëve dhe shoqërive të shpallin falimentimin është se ai u ofron atyre që japin para borxh apo kreditorëve një masë mbrojtëse ndaj njerëzve apo tregtarëve që marrin para hua apo janë futur në borxhe, por që nuk paguajnë atë që detyrohen. Për dhënësit e kredive, mund të duket se e vetmja mundësi është që t’u drejtohen gjykatave derisa huamarrësi të shpallet i falimentuar dhe atëherë pasuria e tij të shpërndahet midis tyre si pagë e pjesshme për shlyerjen e borxhit.
Një tjetër aspekt i aktivitetit të falimentimit është se u siguron mbrojtje atyre që kanë marrë borxh, por që ndershmërisht nuk mund t’ua kthejnë atë kreditorëve të tyre. Ai që ka marrë borxh lejohet të paraqesë kërkesën ligjore për falimentim, ndërsa kreditorët e tij mund të konfiskojnë disa nga pronat e tij. Megjithatë, ligji mund ta lejojë atë të mbajë shtëpinë e tij apo disa gjëra të vogla e mandej të vazhdojë jetën i lirë nga rreziku i vazhdueshëm i humbjes apo konfiskimit të pasurisë nga ana e kreditorëve të tij të mëparshëm.
Pra, është e dukshme që këto ligje janë vendosur për të ofruar një masë mbrojtëse për të dyja palët që kanë bërë një marrëveshje financiare apo tregtare. Megjithatë, le të shohim se çfarë këshille ndihmëse ofron Bibla.
Do të ishte e vështirë për dikë që të lexonte Biblën nga fillimi deri në fund pa e kuptuar se ajo nuk e inkurajon marrjen borxh. Tek Proverbat 22:7 gjejmë këtë paralajmërim: «I pasuri sundon mbi të varfërit, dhe huamarrësi është skllav i huadhënësit.»
Kujto gjithashtu, ilustrimin e Jezuit tek Mateu 18:23-34 që flet për një skllav që kishte një borxh shumë të madh. «Zotëria e tij urdhëroi që të shitej ai me gruan e tij, bijtë e tij dhe gjithë ç’kishte», por pastaj zotëria e tij, mbreti, u zbut dhe tregoi mëshirë. Kur ky skllav më vonë u tregua i pamëshirshëm, mbreti ua dorëzoi atë ‘torturuesve deri sa të paguante gjithë detyrimin’. Është e dukshme se gjëja më e mirë dhe ajo që rekomandohet, është evitimi i marrjes së borxheve.
Shërbëtorët e Perëndisë në Izraelin e lashtë, kishin marrëdhënie tregtare dhe disa herë ndodhte që merrnin dhe jepnin borxhe. Çfarë i mësoi Jehovai që të bënin? Nëse një person donte të merrte para borxh për të filluar apo zgjeruar një aktivitet tregtar, ishte normale dhe ligjore për një hebre që të caktonte interesin. Megjithatë, Perëndia e nxiti popullin e tij që të mos ishte egoist kur duhej t’i jepnin borxh një izraeliteje në nevojë; ata nuk duhej të përfitonin nga gjendja e keqe e saj duke i kërkuar që të paguante interesin. (Të Dalët 22:25) Ligji i përtërirë 15:7, 8 thotë: «Në rast se ke ndonjë vëlla nevojtar . . . , do t’i hapësh me zemërgjerësi dorën tënde dhe do t’i japësh hua aq sa i nevojitet për të përballuar nevojat që ka.»
Një frymë e ngjashme mirësie apo konsiderate ishte e dukshme në kushtin e rregullores sipas së cilës kreditorët nuk duhej të konfiskonin mjetet e nevojshme të jetesës së personit që ka marrë borxh, të tilla si makina e dorës së familjes apo ndonjë veshje e nevojshme për të mbajtur personin ngrohtë gjatë natës.—Ligji i përtërirë 24:6, 10-13; Ezekieli 18:5-9.
Sigurisht, jo të gjithë hebrejtë e pranuan dhe zbatuan frymën e këtyre ligjeve të dashura të Gjykatësit të madh dhe dhënësit të Statuteve. (Isaia 33:22) Disa hebrenj lakmues i trajtonin vëllezërit e tyre shumë ashpër. Gjithashtu, sot, disa kreditorë mund të jenë të ashpër dhe të paarsyeshëm në kërkesat e tyre, madje dhe ndaj një të krishteri të sinqertë, i cili në atë moment nuk është në gjendje të bëjë një pagesë, për shkak të përballimit të disa ngjarjeve të paparashikuara. (Eklisiastiu 9:11) Nëpërmjet presioneve të tyre të vazhdueshme dhe kërkuese, kreditorët botërorë, mund ta detyrojnë një borxhli që ndodhet në një situatë të rëndë që të bëjë diçka për të mbrojtur veten. Në ç’mënyrë? Në disa raste, e vetmja mënyrë për të zbutur kreditorët është fillimi i një procedure falimentimi. Kështu, një i krishterë që nuk ka qenë lakmues apo neglizhent ndaj borxheve të tij, mund të paraqesë një kërkesë për falimentim.
Por, duhet të kemi kujdes për anën tjetër të çështjes. Një i krishterë mund të bjerë në borxhe, thjesht për shkak të mungesës së vetëkontrollit në lidhje me atë që shpenzon apo për shkak të mungesës së përdorimit të arsyes largpamëse në vendimet e tij tregtare. A duhet të jetë i shkujdesur ndaj borxheve dhe menjëherë të kërkojë të lirohet nëpërmjet falimentimit, duke dëmtuar kështu të tjerët për shkak të gjykimit të tij të varfër? Bibla nuk e aprovon atë që vepron në mënyrë të papërgjegjshme në fushën financiare. Ajo e nxit shërbëtorin e Perëndisë që fjala e tij të jetë: Po, po. (Mateu 5:37) Gjithashtu, kujto thënien e Jezuit në lidhje me bërjen e llogarisë përpara fillimit të ndërtimit të një kulle. (Luka 14:28-30) Në harmoni me këtë, një i krishterë duhet të konsiderojë në mënyrë të kujdesshme mundësinë e një përfundimi të padëshirueshëm, përpara se të marrë një borxh për qëllime financiare. Pasi ka marrë një borxh, duhet të kujtojë përgjegjësinë e tij për t’i ripaguar individit apo ndërmarrjes, atë që i detyrohet në para. Nëse shumë të tjerë vënë re se një i krishterë është i pandërgjegjshëm dhe pak i besueshëm, ai mund të ketë njollosur reputacionin e mirë që kishte kërkuar të bënte e të mos ketë më një dëshmi të shkëlqyer nga ana e atyre që janë jashtë.—1. Timoteut 3:2, 7.
Kujto se çfarë thotë Psalmi 15:4 rreth tipit të personit që Jehovai miraton. Ne lexojmë: «Edhe sikur të jetë betuar në dëm të tij, ai nuk tërhiqet.» Po, Perëndia pret nga të krishterët që t’i trajtojnë kreditorët e tyre ashtu si edhe ata vetë do të donin të ishin të trajtuar.—Mateu 7:12.
Pra, në mënyrë të përmbledhur, Bibla nuk e përjashton mundësinë, që në një situatë ekstreme një i krishterë të përfitojë nga mbrojtja e ofruar nga qeveria me anë të ligjeve të falimentimit. Megjithatë, të krishterët duhet të dallohen si të ndershëm dhe të besueshëm. Pra, duhet të jenë shembuj në dëshirën e tyre të sinqertë, për të plotësuar detyrimet e tyre financiare.