Lajmëtarët e Mbretërisë raportojnë
Fjala e Perëndisë ushtron fuqi
«FJALA e Perëndisë është e gjallë dhe ushtron fuqi.» (Hebrenjve 4:12, BR) Këto fjalë janë vërtetuar kur persona që kanë qenë të mashtruar nga feja e rreme, kanë ardhur në kontakt me të vërtetat biblike. Sikurse tregon eksperienca e mëposhtme nga Republika Domenikane, Bibla ka fuqi të ndryshojë jetën e njerëzve dhe t’u japë shpresë.
Dëshmitarët e Jehovait vizituan një grua katolike shumë të njohur, e cila pak kohë më parë kishte humbur dy fëmijët e saj të vegjël për shkak të vdekjes. Ajo ishte e pikëlluar dhe vajtonte çdo ditë për tragjedinë e saj. Dëshmitarët i treguan se çfarë thotë Bibla tek Gjoni 5:28, 29 mbi shpresën e ringjalljes. Pas diskutimesh të tjera me Dëshmitarët, ajo jo vetëm gjeti ngushëllim në shpresën e ringjalljes, por e kuptoi se udhëheqësit e fesë së saj katolike po e mashtronin.
Pa humbur kohë, u largua nga kisha katolike dhe pranoi një studim të rregullt biblik me Dëshmitarët e Jehovait. Por, i shoqi nuk ishte dakort me pikëpamjet e saj. Pasi edhe ai ishte një katolik i dalluar, e rregulloi që disa miq me autoritet në fushën politike dhe fetare ta vizitonin gruan e tij për t’i kthyer mendjen e për ta rikthyer në katolicizëm. Më vonë e kërcënoi me divorcin dhe në një rast madje njoftoi të afërmit dhe bashkëbesimtarët e kishës së tij se ishin duke u ndarë.
Por strategjia e tij nuk funksionoi. Përkundër kësaj, ajo u bë edhe më e vendosur për të vazhduar studimin e saj të Biblës. Për shkak të rritjes së saj frymore dhe zhvillimit të cilësive të shkëlqyera të krishtere, ai vendosi të qëndronte me të në vend se të kërkonte divorcin. Madje një ditë, ai pranoi që të shqyrtonte literaturën biblike që ajo po studionte—por me një kusht. Ai donte të përdorte përkthimin e tij katolik të Biblës.
Për habi të tij, me ndihmën e literaturës nga Dëshmitarët e Jehovait, filloi të mësonte gjëra të reja drejtpërdrejt nga Bibla e tij personale. Ai e kuptoi se gruaja e tij kishte zgjedhur rrugën e drejtë dhe shpejt u tregua i gatshëm të ndiqte shembullin e saj. Në të vërtetë, e ndjeu se duhej të bënte ndryshime në jetën e tij. Një sfidë e vështirë për të ishte lënia e cigares. Pas leximit të revistës Zgjohuni! të 8 korrikut 1989, me titull «Vdekje që Shitet—Dhjetë Mënyrat për të Ndaluar Duhanin», ai vendosi për ta braktisur këtë zakon që ishte në kundërshtim me shkrimet. Në vend të paketës së zakonshme të cigareve që gjendej shpesh në xhepin e tij, ai filloi të mbante këtë numër të revistës Zgjohuni! Sa herë që ndiente dëshirën për të pirë duhan, lexonte artikullin që fliste mbi këtë temë. Metoda pati sukses! Pas leximit të artikullit disa herë, ai qe në gjendje të ndalonte pirjen e duhanit.
Sot, të dy burrë e grua, i shërbejnë Jehovait si shërbëtorë të pagëzuar. Kur ja lejojnë rrethanat, ai kryen shërbimin e plotëkohor duke dedikuar një sasi të madhe të kohës së tij në predikimin e lajmit të mirë të Mbretërisë së Perëndisë. Gjithashtu, shërben si shërbëtor ndihmës në kongregacionin lokal të Dëshmitarëve të Jehovait. Ai dhe gruaja e tij shohin përpara në ringjallje ku mund të presin që fëmijët e tyre të kthehen në jetë në një botë të re. Po, Fjala e Perëndisë, Bibla, është e gjallë dhe ushtron fuqi!