Në ç’gjendje janë të vdekurit?
FRIKA nga të vdekurit është e bazuar në një premisë—që të vdekurit kanë një shpirt apo frymë që mbijeton pas vdekjes. Nëse Bibla mëson qartësisht se ky koncept është i rremë, atëherë pyetja nëse të vdekurit mund të të bëjnë keq është e zgjidhur përfundimisht. Çfarë thotë Bibla atëherë?
Në lidhje me gjendjen e të vdekurve, Fjala e Perëndisë thotë: «Të gjallët në fakt e dinë se kanë për të vdekur, por të vdekurit nuk dinë asgjë; për ta nuk ka më asnjë shpërblim, sepse kujtimi i tyre harrohet. Edhe dashuria e tyre, urrejtja e tyre dhe smira e tyre janë zhdukur tashmë, dhe ata nuk do të kenë asnjë pjesë në të gjitha ato që bëhen nën diell.»—Eklisiastiu (Predikuesi) 9:5, 6.
Duke marrë parasysh këtë, a mund të të ndihmojnë apo të të dëmtojnë të vdekurit? Jo, thonë Shkrimet. Të vdekurit janë të pavetëdijshëm dhe në heshtje. Ata nuk janë në gjendje të komunikojnë me të gjallët apo t’u shprehin ndonjë ndjenjë—dashuri apo urrejtje—as edhe të kryejnë ndonjë veprim. Nuk ka arsye që të frikësohesh prej tyre.
‘Mirë, kjo mund të jetë e vërtetë për sa i përket vdekjes së trupit fizik,—mund të thonë disa.—Por një vdekje fizike nuk do të thotë fundi i jetës; ajo thjesht çliron frymën nga trupi. Kjo frymë mund t’i ndihmojë, apo mund t’i dëmtojë të gjallët’. Miliona njerëz në të gjithë tokën e besojnë këtë.
Për shembull, në Madagaskar, jeta është parë si një ndryshim i thjeshtë, kështu që një funeral dhe një zhvarrosje janë konsideruar më të rëndësishme se një martesë. Mendohet që çdokush vjen nga stërgjyshërit e tij dhe kthehet tek ata në vdekje. Prandaj, shtëpitë e të gjallëve janë bërë prej druri dhe qerpiçi, materiale që me kalimin e kohës shpërbëhen, kurse varret, «shtëpitë» e të vdekurve, në përgjithësi janë punuar më me kujdes dhe janë më të durueshme. Në një zhvarrim, familja dhe miqtë mendojnë se do të bekohen dhe gratë besojnë se duke prekur kockat e të afërmit të vdekur do të lindin fëmijë. Por, edhe një herë, çfarë thotë Fjala e Perëndisë?
Vdekja nuk ishte parashikuar për njerëzimin
Është e rëndësishme të nënvizojmë se Perëndia Jehova e krijoi njeriun për të jetuar dhe se foli për vdekjen vetëm si rrjedhojë e mosbindjes. (Zanafilla 2:17) Mjerisht, burri dhe gruaja e parë mëkatuan dhe mëkati u shtri në të gjithë njerëzimin si një trashëgim vdekjeprurës. (Romakëve 5:12) Pra, ti mund të thuash që vdekja u bë një realitet i dhimbshëm i jetës qëkur çifti i parë njerëzor nuk u bind. Ne jemi krijuar për të jetuar dhe kjo shpjegon pjesërisht se përse miliona njerëz e kanë të vështirë të pranojnë që vdekja i jep fund gjithçkaje.
Sipas tregimit biblik, Satanai u përpoq ta mashtronte çiftin e parë njerëzor në lidhje me të vërtetën e vdekjes, duke e hedhur kështu poshtë paralajmërimin e Perëndisë sipas së cilit mosbindja do t’i çonte në vdekje. (Zanafilla 3:4) Por me kalimin e viteve, u bë më se e qartë se njerëzit vdisnin, ashtu siç kishte thënë Perëndia. Prandaj, gjatë shekujve Satanai sajoi një gënjeshtër tjetër—që një pjesë frymore e njeriut mbijeton pas vdekjes së trupit. Ky mashtrim i shkonte për shtat Satana Djallit, të cilin Jezui e përshkroi si «atin e gënjeshtrës». (Gjoni 8:44, BR) Përkundrazi, Perëndia i përgjigjet vdekjes me një premtim inkurajues.
Çfarë premtimi?
Premtimi i ringjalljes për shumë veta. Fjala greke e përkthyer «ringjallje» është a·naʹsta·sis. Fjalë për fjalë do të thotë «ringritje» dhe i referohet ngritjes nga vdekja. Po, njeriu ra në vdekje, por Perëndia me fuqinë e tij mund ta ngrejë atë përsëri. Njeriu humbi jetën, por Perëndia mund t’ia japë atë përsëri. Biri i Perëndisë, Jezu Krishti, tha: «Po vjen ora kur të gjithë ata që janë në varre do ta dëgjojnë zërin e tij dhe do të dalin prej tyre». (Gjoni 5:28, 29) Apostulli Pavël u shpreh kështu: «Duke pasur shpresë në Perëndinë . . . se do të ketë një ringjallje të të vdekurve, qoftë të të drejtëve, qoftë të të padrejtëve.» (Veprat 24:15) Edhe Jobi, një shërbëtor besnik i Perëndisë i epokës para krishterimit e deklaroi shpresën e tij në një ringjallje: «Nëse një njeri i fuqishëm vdes, a mund të kthehet përsëri në jetë? Do të prisja gjithë ditët e shërbimit tim të rëndë, derisa të vinte lehtësimi im. Ti [Perëndia] do të më thërrisje dhe unë do të përgjigjesha.»—Jobi 14:14, 15, BR.
A nuk e përgënjeshtron shpresa e qartë e ringjalljes idenë se të vdekurit janë të gjallë në një formë frymore? Nëse të vdekurit janë të gjallë dhe ekzistojnë në qiell apo në ndonjë botë frymore, cili do të ishte qëllimi i ringjalljes? A nuk do ta kishin marrë ata tashmë shpërblimin apo fatin e tyre? Një studim i Fjalës së Perëndisë zbulon se ata janë me të vërtetë të vdekur, të pavetëdijshëm, në gjumë, deri në zgjimin e madh në një botë të re—një parajsë—premtuar nga Ati ynë i dashur, Jehovai. Por nëse vdekja nuk do të thotë një ndarje e trupit dhe e frymës dhe nëse fryma nuk vazhdon të jetojë, atëherë ç’mund të themi për komunikimet që duket sikur vijnë nga bota frymore?
Komunikimet nga mbretëria frymore
Janë raportuar raste të panumërta të komunikimeve që supozohen se janë marrë nga mbretëria frymore. Cila është origjina e vërtetë e tyre? Bibla na paralajmëron se «vetë Satanai shndërrohet në engjëll të dritës. Prandaj, nuk është gjë e madhe që edhe shërbëtorët e tij të shndërrohen në shërbëtorë të drejtësisë». (2. Korintasve 11:14, 15, The New English Bible) Po, për t’i mashtruar dhe për t’i çorientuar më lehtë njerëzit, demonët (engjëjt e rebeluar) kanë komunikuar me të gjallët, duke u hequr disa herë sikur duan t’i ndihmojnë.
Apostulli Pavël jep paralajmërime të mëtejshme në lidhje me këtë fushatë të mashtrimit: «Disa do ta mohojnë besimin, duke u vënë veshin frymëve gënjeshtare dhe doktrinave të demonëve.» (1. Timoteut 4:1) Prandaj, çdo përgjigje që u atribuohet të vdekurve ka shumë mundësi që të vijë nga demonët, të cilët shndërrohen në «shërbëtorë të drejtësisë» dhe përkrahin një gënjeshtër fetare, duke i bërë kështu njerëzit skllevër të bestytnisë dhe duke i larguar nga e vërteta e Fjalës së Perëndisë.
Duke përforcuar faktin që të vdekurit nuk mund të thonë asgjë, nuk mund të bëjnë asgjë, apo nuk mund të ndiejnë asgjë, Psalmi 146:3, 4 shpall: «Mos kini besim tek fisnikët, as tek biri i njeriut tokësor, të cilit nuk i përket shpëtimi. Fryma e tij del jashtë, ai kthehet në tokën e tij; në po atë ditë mendimet e tij mbarojnë.» (BR) Çfarë është fryma që «del jashtë»? Është forca jetësore e personit, që mbështetet nga frymëmarrja. Prandaj, kur personi nuk merr më frymë, shqisat e tij nuk funksionojnë më. Ai hyn në një gjendje tërësisht të pavetëdijshme. Pra, është e pamundur që ai të mund të ndikojë mbi të gjallët.
Ja përse Bibla e krahason vdekjen e një qenieje njerëzore me atë të një kafshe, duke deklaruar që në vdekje të dy shtrihen të pavetëdijshëm dhe kthehen në pluhurin nga i cili janë marrë. Eklisiastiu (Predikuesi) 3:19, 20 thotë: «Në fakt të gjitha ato që u ndodhin bijve të njerëzve u ndodhin kafshëve; të dy palëve u ndodh e njëjta gjë. Ashtu si vdes njeri, kështu vdes tjetri. Po, të gjithë kanë po atë frymë; dhe njeriu nuk ka asnjë epërsi mbi kafshën, sepse gjithçka është kotësi. Të gjithë shkojnë në po atë vend; të gjithë vijnë nga pluhuri dhe kthehen në pluhur.»
Duke e ditur se demonët përpiqen t’i mashtrojnë njerëzit duke bërë që të besojnë se mund të komunikojnë me të vdekurit dhe mund të ndikohen prej tyre, Perëndia Jehova i dha popullit të tij të lashtë, Izraelit, këtë paralajmërim: «Të mos gjendet midis teje . . . as ndonjë që praktikon shortarinë, bën parashikime, interpreton shenjat dhe merret me magji, as ai që përdor yshtje, as mediume që konsultojnë frymat, as magjistarë, as ai që ndjell të vdekurit, sepse të gjithë ata që merren me këtë punë neveriten nga Zoti.»—Ligji i përtërirë 18:10-12.
Është e qartë se ideja që të vdekurit mund të na bëjnë keq nuk vjen nga Perëndia. Ai është Perëndi i së vërtetës. (Psalmi 31:5; Gjoni 17:17) Ai ruan një të ardhme të mrekullueshme për ata që e duan të vërtetën dhe e adhurojnë atë me «frymë dhe të vërtetë».—Gjoni 4:23, 24, BR.
Jehovai, Perëndi i së vërtetës dhe i dashurisë
Ati ynë i dashur qiellor, «i cili nuk mund të gënjejë», e ka dhënë fjalën e tij: Miliona e miliona persona të vdekur që janë në varre, do të ringjallen me perspektivën për të jetuar përgjithmonë në një botë të re të drejtësisë! (Titi 1:1, 2, BR; Gjoni 5:28) Ky premtim i dashur për një ringjallje, zbulon se Jehovai interesohet thellësisht për mirëqenien e krijesës së tij njerëzore dhe ka një dëshirë të sinqertë për t’i dhënë fund vdekjes, dhimbjeve dhe vuajtjeve. Pra, nuk ka arsye për të patur frikë nga të vdekurit apo të shqetësohemi pa qenë nevoja për ta dhe për të ardhmen e tyre. (Isaia 25:8, 9; Zbulesa 21:3, 4) Perëndia ynë i dashur dhe i drejtë, Jehovai, mund t’i ringjallë dhe do ta bëjë këtë, duke fshirë kështu dhimbjen që shkakton vdekja.
Fjala e Perëndisë, Bibla, është e mbushur me përshkrime të kushteve që do të jenë mbi tokë në këtë botë të re të premtuar të drejtësisë. (Psalmi 37:29; 2. Pjetrit 3:13) Do të jetë një kohë e paqes e lumturisë dhe e dashurisë për të gjithë njerëzit. (Psalmi 72:7; Isaia 9:7; 11:6-9; Mikea 4:3, 4) Të gjithë do të kenë shtëpi të bukura dhe të sigurta, si edhe punë të kënaqshme. (Isaia 65:21-23) Do të ketë për të gjithë bollëk gjërash të mira për të ngrënë. (Psalmi 67:6; 72:16) Të gjithë do të gëzojnë shëndet të plotë. (Isaia 33:24; 35:5, 6) Megjithëse apostujt dhe një numër i kufizuar do të mbretërojnë në qiell me Jezuin, Bibla nuk flet aspak për shpërblimin qiellor që do të marrin shpirtrat e të tjerëve pas vdekjes. (Zbulesa 5:9, 10; 20:6) Kjo do të ishte e çuditshme nëse miliarda persona që kanë vdekur vazhdojnë të jetojnë pas vdekjes.
Por nuk është e çuditshme nëse njohim mësimin e qartë biblik: të vdekurit pushojnë së ekzistuari si shpirtra të gjallë. Ata nuk mund të të bëjnë dëm. Ata që janë në varret përkujtimore thjesht pushojnë, të pavetëdijshëm deri në ringjalljen e tyre në kohën e caktuar nga Perëndia. (Eklisiastiu [Predikuesi] 9:10; Gjoni 11:11-14, 38-44) Prandaj, shpresat dhe aspiratat tona varen nga Perëndia. «Le të ngazëllojmë dhe të gëzohemi në shpëtimin e tij.»—Isaia 25:9, BR.
[Figura në faqen 7]
Siç tregon qartë Fjala e Perëndisë, të vdekurit janë tërësisht joaktivë deri në ringjallje.