BIBLIOTEKA ONLINE Watchtower
Watchtower
BIBLIOTEKA ONLINE
shqip
Ë
  • Ë
  • ë
  • Ç
  • ç
  • BIBLA
  • BOTIME
  • MBLEDHJE
  • w96 15/10 f. 4-7
  • Jetë pas vdekjes: Si, ku, kur?

Nuk ka video për këtë zgjedhje.

Na vjen keq, ka një problem në ngarkimin e videos

  • Jetë pas vdekjes: Si, ku, kur?
  • Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1996
  • Nëntema
  • Material i ngjashëm
  • A është pavdekësia përgjigjja?
  • Gjendja e të vdekurve
  • Gjithë personi vdes
  • Ringjallja: një kohë e lumtur
  • Kur do të ndodhë?
  • Pasoja e shpresës së ringjalljes
  • Çfarë ndodh me të dashurit tanë të vdekur?
    Njohuria që të çon në jetën e përhershme
  • Jetë pas vdekjes: Çfarë thotë Bibla?
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1999
  • Një shpresë e sigurt
    Çfarë ndodh me ne kur vdesim?
  • E vetmja zgjidhje!
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—2006
Shih më tepër
Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1996
w96 15/10 f. 4-7

Jetë pas vdekjes: Si, ku, kur?

KRIJUESI i njeriut dhe Jetëdhënësi jep garancinë e tij personale se vdekja njerëzore nuk është patjetër fundi i përhershëm i jetës. Për më tepër, Perëndia na siguron se është e mundur jo vetëm të jetojmë përsëri për një periudhë të mëtejshme të kufizuar, por të jetojmë me perspektivën për të mos hasur më vdekjen kurrë! Apostulli Pavël u shpreh thjesht, por me besim: «Ai [Perëndia] ka siguruar një garanci për të gjithë njerëzit, duke e ringjallur [Jezu Krishtin] nga të vdekurit.»​—Veprat 17:31.

Natyrisht, kjo ende lë pa përgjigje tri pyetje bazë: Si mund të kthehet prapë në jetë një person i vdekur? Kur do të ndodhë kjo? Ku do të ekzistojë kjo jetë e re? Anembanë botës, këto pyetje kanë marrë përgjigje të ndryshme, por çelësi kryesor për të përcaktuar të vërtetën në këtë çështje është të kuptojmë saktësisht çfarë ndodh me njerëzit në momentin e vdekjes së tyre.

A është pavdekësia përgjigjja?

Një besim gjerësisht i përhapur është se një pjesë e gjithë njerëzve është e pavdekshme dhe se vetëm trupat e tyre vdesin. Sigurisht që ti e ke dëgjuar një pohim të tillë. Kjo pjesë, për të cilën thuhet se është e pavdekshme, në mënyra të ndryshme quhet «shpirt» apo «frymë». Thuhet se mbijeton pas vdekjes së trupit dhe vazhdon të jetojë diku gjetkë. Sinqerisht, një besim i tillë nuk buron nga Bibla. Vërtet, personazhet hebreje të Biblës shpresonin në jetën pas vdekjes, por jo nëpërmjet mbijetesës së ndonjë pjese të pavdekshme të tyre. Ata me besim shpresonin në një kthim të ardhshëm në jetë mbi tokë, nëpërmjet mrekullisë së një ringjalljeje.

Patriarku Abraham është një shembull i spikatur i atij që kishte besim në një ringjallje të ardhshme të të vdekurve. Duke përshkruar gatishmërinë e Abrahamit për të ofruar birin e tij, Isakun, në sakrificë, Hebrenjve 11:17-19 na thotë: «Me anë të besimit, Abrahami, kur u provua, aq sa ofroi Isakun, . . . por ai pranoi se Perëndia ishte në gjendje ta ngrinte atë madje edhe nga të vdekurit; dhe, gjithashtu, prej andej e mori në mënyrë ilustruese», pasi Perëndia nuk kërkoi që Isaku të sakrifikohej. (BR) Duke dëshmuar më tej për besimin e hershëm mes izraelitëve, se do të ktheheshin prapë në jetë në një kohë më të vonshme (në vend që të kishin një vazhdim të menjëhershëm të jetës në një ambient frymor), profeti Hozea shkroi: «Nga dora e Sheolit [varri i përbashkët i njerëzimit] do t’i shpërblej; do t’i marr rishtas nga vdekja.»​—Hozea 13:14, BR.

Kur hyri, pra, në mendimin dhe në besimin hebre bindja e pavdekësisë së trashëguar njerëzore? Enciklopedia Judaike (Encyclopaedia Judaica) pranon se «me sa duket nën ndikimin grek doktrina e pavdekësisë së shpirtit hyri në judaizëm». Megjithatë, hebrenjtë e devotshëm deri në kohën e Krishtit, ende besonin dhe shpresonin në një ringjallje të ardhshme. Këtë mund ta shohim qartësisht nga biseda e Jezuit me Martën, në vdekjen e vëllait të saj, Lazarit: «Marta i tha Jezusit: ‘Zot, po të ishe këtu, im vëlla nuk do të kishte vdekur.’ . . . Jezusi i tha: ‘Yt vëlla do të ringjallet.’ Marta i tha: ‘E di se do të ringjallet, në ringjallje, ditën e fundit.’»​—Gjoni 11:21-24.

Gjendja e të vdekurve

Përsëri edhe këtu s’kemi nevojë të hamendemi. E vërteta e thjeshtë e Biblës është se të vdekurit janë «në gjumë», të pavetëdijshëm, absolutisht pa asnjë ndjenjë a njohuri. Në Bibël, kjo e vërtetë nuk paraqitet në ndonjë mënyrë të ndërlikuar e të vështirë për t’u kuptuar. Të shqyrtojmë këto shkrime që kuptohen lehtësisht: «Të gjallët në fakt e dinë se kanë për të vdekur, por të vdekurit nuk dinë asgjë . . . Tërë ato që dora jote gjen për të bërë, bëji me gjithë forcën tënde, sepse në Sheol ku po shkon nuk ka më as punë, as mendim, as njohuri dhe as dituri.» (Eklisiastiu [Predikuesi] 9:5, 10) «Mos kini besim te princat dhe as te ndonjë bir njeriu, që nuk mund të shpëtojë. Kur fryma e tij ikën, ai kthehet përsëri në tokë dhe po atë ditë planet [mendimet, BR] e tij zhduken.»​—Psalmi 146:3, 4.

Është e kuptueshme, pra, përse Jezu Krishti foli për vdekjen si për një gjumë. Apostulli Gjon ka shënuar një bisedë mes Jezuit dhe dishepujve të tij: «Mbasi i tha këto gjëra, shtoi: ‘Mikun tonë, Llazarin e ka zënë gjumi, por unë po shkoj ta zgjoj.’ Atëherë dishepujt e tij thanë: ‘Zot, po të flejë, do të shpëtojë.’ Por Jezusi u kishte folur për vdekjen e tij, kurse ata pandehnin se kishte folur për fjetjen e gjumit. Atëherë Jezusi u tha atyre haptas: ‘Llazari ka vdekur.’»​—Gjoni 11:11-14.

Gjithë personi vdes

Procesi i vdekjes së njeriut përfshin gjithë personin, jo vetëm vdekjen e trupit. Sipas deklaratave të qarta të Biblës, mund të arrijmë në përfundimin se njeriu nuk zotëron një shpirt të pavdekshëm, i cili mund të mbijetojë pas vdekjes së trupit të tij. Shkrimet tregojnë qartë se shpirti mund të vdesë. «Ja, të gjithë shpirtërat janë të mitë; si shpirti i atit ashtu dhe shpirti i birit janë të mitë. Shpirti që mëkaton ka për të vdekur.» (Ezekieli 18:4) Askund nuk flitet për fjalët «i pavdekshëm» apo «pavdekësi», si për diçka të trashëguar të njerëzimit.

Një enciklopedi (New Catholic Encyclopedia) jep këtë sfond interesant për fjalët hebraike dhe greke, të përkthyera «shpirt» në Bibël: «Shpirt në BV [Besëlidhja e Vjetër] është nepeš, në BR [Besëlidhja e Re] [psy·khe΄]. . . . Nepeš vjen nga një rrënjë origjinale që ndoshta do të thotë frymëthith e në këtë mënyrë . . . pasi frymëthithja e dallon të gjallin nga i vdekuri, nepeš do të thotë jetë, ose vetë, ose thjesht jetë individuale. . . . Në BV s’ka dikotomi [ndarje në dy pjesë] të trupit dhe të shpirtit. Izraeliti i shihte gjërat konkretisht, në tërësinë e tyre, prandaj, ai i konsideronte njerëzit si persona dhe jo si kompozime. Termi nepeš, edhe pse i përkthyer me fjalën tonë shpirt, s’e nënkupton kurrë shpirtin si të ndarë nga trupi apo nga personi individual. . . . Termi [psy·khe΄] është fjala që në BR korrespondon me nepeš. Ai mund të nënkuptojë zanafillën e jetës, jetën vetë apo qenien e gjallë.»

Mund të kuptosh, pra, në këtë mënyrë se në momentin e vdekjes, personi që njëherë ishte i gjallë, ose shpirti i gjallë, pushon së ekzistuari. Trupi kthehet në «pluhur» apo në elementet e tokës, në mënyrë graduale pas varrosjes dhe dekompozimit që pason ose në mënyrë të përshpejtuar me anë të djegies. Jehovai i tha Adamit: «Ti je pluhur dhe në pluhur do të rikthehesh.» (Zanafilla 3:19) Si është e mundur, atëherë, jeta pas vdekjes? Sepse Perëndia e ka në kujtesën e tij personin e vdekur. Jehovai ka fuqinë dhe aftësinë e mrekullueshme për të krijuar njerëzit, prandaj nuk duhet të habitemi që ai ruan një kujtim të modelit të jetës së individit në kujtesën e tij. Po, të gjitha perspektivat e atij personi për të jetuar përsëri, mbesin tek Perëndia.

Ky është kuptimi i fjalës «frymë», për të cilën flitet se kthehet te Perëndia i vërtetë që e ka dhënë. Duke përshkruar këtë rezultat, shkrimtari i frymëzuar i librit të Predikuesit shpjegon: «Dhe pluhuri t’i kthehet tokës siç ishte më parë dhe fryma t’i kthehet Perëndisë që e ka dhënë.»​—Eklisiastiu 12:7.

Vetëm Perëndia mund ta bëjë dikë që të jetojë. Kur Perëndia krijoi njeriun në Eden dhe i fryu në vrimat e hundës «një frymë jete», si shtesë për të mbushur mushkëritë e Adamit me ajër, Jehovai shkaktoi që forca e jetës t’u jepte jetë të gjitha qelizave të trupit të tij. (Zanafilla 2:7) Meqë kjo forcë e jetës mund të kalojë nga prindërit te fëmijët me anë të procesit të ngjizjes dhe lindjes, jeta njerëzore mund t’i atribuohet me të drejtë Perëndisë, edhe pse natyrisht, merret me anë të prindërve.

Ringjallja: një kohë e lumtur

Ringjallja nuk duhet ngatërruar me ritrupëzimin, i cili s’gjen asnjë mbështetje në Shkrimet e Shenjta. Ritrupëzimi është besimi, sipas të cilit pasi një person vdes, rilind në një apo më shumë ekzistenca të mëtejshme. Thuhet se kjo ndodh në forma ekzistence më të larta apo edhe më të ulta në krahasim me jetën e dikurshme të dikujt, në varësi të kujtimit që mendohet se është ndërtuar gjatë periudhës së mëparshme të jetës. Sipas këtij besimi, dikush mund «të rilindë» qoftë si njeri, qoftë edhe si një kafshë. Kjo është plotësisht në kundërshtim me atë që mëson Bibla.

Fjala «ringjallje» është përkthyer nga fjala greke a·naʹsta·sis, e cila fjalë për fjalë do të thotë «një ngritje në këmbë përsëri». (Përkthyesit hebrenj të greqishtes, e kanë përkthyer a·naʹsta·sis me fjalët hebreje techi·yathʹ ham·me·thimʹ, që do të thotë «rijetesë e të vdekurve».) Ringjallja përfshin një riaktivizim të modelit të jetës së individit, model të cilin Perëndia e ka mbajtur në kujtesën e tij. Në përputhje me vullnetin e Perëndisë për individin, personi rivendoset qoftë në një trup njerëzor, qoftë në një trup frymor; por megjithatë ai merr përsëri identitetin e tij personal, duke pasur të njëjtin personalitet dhe kujtesë që kishte kur vdiq.

Po, Bibla flet për dy lloj ringjalljesh. Njëra është ringjallje në qiell me një trup frymor; kjo ringjallje është për një numër relativisht të paktë. Jezu Krishti mori një ringjallje të tillë. (1. Pjetrit 3:18) Ai tregoi se këtë do ta provonin edhe të zgjedhurit mes ithtarëve të hapave të tij, duke filluar me apostujt besnikë, të cilëve ai u dha premtimin: «Unë po shkoj t’ju përgatis një vend. . . . Do të kthehem dhe do t’ju marr pranë meje, që aty ku jam unë, të jeni edhe ju.» (Gjoni 14:2, 3) Bibla i referohet kësaj si «ringjallja e parë», e para në kohë dhe në rang. Shkrimet i përshkruajnë ata që ringjallen në jetën qiellore, si priftërinj të Perëndisë dhe duke qeverisur si mbretër me Jezu Krishtin. (Zbulesa 20:6) Kjo «ringjallje e parë» është për një numër të kufizuar dhe vetë Shkrimet zbulojnë se vetëm 144.000 veta do të merren nga burra e gra besnikë. Ata do ta kenë provuar integritetin e tyre ndaj Perëndisë Jehova dhe Krishtit Jezu, deri në vdekje, pasi do t’u kenë dëshmuar aktivisht të tjerëve mbi besimin e tyre.​—Zbulesa 14:1, 3, 4.

Pa dyshim që ringjallja e të vdekurve është koha e një lumturie të pakufishme për ata që ringjallen në jetën qiellore. Por lumturia nuk merr fund aty, sepse është premtuar, gjithashtu, një ringjallje në jetën pikërisht këtu në tokë. Ata që do të ringjallen, do të bashkohen me një numër të pakufizuar të atyre që do të mbijetojnë fundin e sistemit të lig të tanishëm. Pasi pa numrin e vogël të atyre që kualifikohen për një ringjallje qiellore, apostullit Gjon iu dha vizioni i «një turme të madhe, të cilën askush nuk mund ta numëronte, prej të gjitha kombeve, fiseve, popujve dhe gjuhëve». Ç’kohë e lumtur do të jetë kur me miliona, e ndoshta biliona njerëz, do të rikthehen në jetë, këtu në tokë!​—Zbulesa 7:9, 16, 17.

Kur do të ndodhë?

Çdo gëzim e lumturi do ta kishte jetën të shkurtër nëse të vdekurit do të ktheheshin në jetë në një tokë të mbushur me konflikte, gjakderdhje, ndotje dhe dhunë, siç është situata në ditët e sotme. Jo, ringjallja duhet të presë vendosjen e «një toke të re». Imagjino një planet të pastruar nga njerëzit dhe institucionet që deri tani duket se kanë qenë të vendosura për ta shkatërruar tokën dhe për të prishur bukurinë e saj origjinale, për të mos folur për vuajtjen e patregueshme që kanë sjellë mbi banorët e saj.​—2. Pjetrit 3:13; Zbulesa 11:18.

Kuptohet qartë që koha për ringjalljen e përgjithshme të njerëzimit i përket ende së ardhmes. Megjithatë, lajmi i mirë është që ajo nuk ndodhet shumë larg. Është e vërtetë që duhet pritur fundi i këtij sistemi të lig gjërash, megjithatë fakte të bollshme tregojnë se koha e shpërthimit të menjëhershëm të «mjerimit të madh» është shumë pranë, duke arritur kulmin e saj «në luftën e ditës së madhe të Perëndisë së Plotfuqishëm», të cilës zakonisht i referohemi me emrin Harmagedon. (Mateu 24:3-14, 21; Zbulesa 16:14, 16) Kjo do të sjellë heqjen e gjithë ligësisë nga ky planet i këndshëm, toka. Pas kësaj do të vijë mbretërimi njëmijë vjeçar i Krishtit Jezu, gjatë të cilit toka do të shndërrohet gradualisht në një gjendje parajsore.

Bibla zbulon se ringjallja e njerëzve të vdekur do të ndodhë gjatë këtij mbretërimi mijëvjeçar. Atëherë do të përmbushet premtimi që Jezui bëri kur ishte në tokë: «Mos u mrekulloni për këtë, sepse po vjen ora kur të gjithë ata që janë në varre [përkujtimore, BR] do ta dëgjojnë zërin e tij dhe do të dalin prej tyre . . . në ringjallje.»​—Gjoni 5:28, 29.

Pasoja e shpresës së ringjalljes

Çfarë shprese e mrekullueshme për të ardhmen është kjo perspektivë e ringjalljes, një kohë kur të vdekurit do të kthehen në jetë! Sa inkurajuese është për ne ndërsa ndeshemi me vështirësitë e pleqërisë, sëmundjet, fatkeqësitë e papritura dhe pikëllimet, si dhe me presionet dhe problemet e përditshme të jetës! Ajo heq thumbin e vdekjes, jo duke eliminuar vuajtjet të marra së bashku, por duke na ndarë nga ata që s’kanë shpresë për të ardhmen. Apostulli Pavël e bëri të njohur këtë pasojë të shpresës së ringjalljes me fjalët: «Tashmë, vëllezër, nuk duam që të jeni në mosdije përsa u përket atyre që flenë, që të mos trishtoheni si të tjerët që nuk kanë shpresë. Sepse, po të besojmë se Jezui vdiq dhe u ringjall, besojmë gjithashtu që Perëndia do të sjellë me të, me anë të Jezuit ata që kanë fjetur.»​—1. Selanikasve 4:13, 14.

Ndoshta ne e kemi përjetuar tashmë të vërtetën, lidhur me atë që kishte vërejtur Jobi, një burrë nga vendet e Lindjes: «Ndërkaq trupi im po shpërbëhet si një send i kalbur, si një rrobë që e ka grirë mola. Njeriu i lindur nga një grua jeton pak ditë dhe është plot me shqetësim. Mbin si një lule, pastaj pritet; ikën me vrap si një hije dhe nuk e ka të gjatë.» (Jobi 13:28–14:2) Ne jemi shumë të vetëdijshëm për pasigurinë e jetës dhe realitetin e pamëshirshëm se «koha dhe rastësia» mund t’i ndodhë secilit prej nesh. (Eklisiastiu 9:11) Sigurisht që asnjërin prej nesh nuk e gëzon mendimi i përballimit të procesit të vdekjes, por megjithatë, shpresa e sigurt e ringjalljes ndihmon në largimin e frikës dërrmuese të vdekjes.

Merr zemër, pra! Shiko përtej gjumit të mundshëm në vdekje, kthimin në jetë nëpërmjet mrekullisë së ringjalljes. Shiko përpara me besim perspektivën e një jete të ardhshme pa fund dhe shtoji kësaj, gëzimin e njohjes së faktit se një kohë e tillë e bekuar i përket të ardhmes së afërt.

    Botimet shqip (1993-2025)
    Shkëputu
    Hyr me identifikim
    • shqip
    • Dërgo
    • Parametrat
    • Copyright © 2025 Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania
    • Kushtet e përdorimit
    • Politika e privatësisë
    • Parametrat e privatësisë
    • JW.ORG
    • Hyr me identifikim
    Dërgo