BIBLIOTEKA ONLINE Watchtower
Watchtower
BIBLIOTEKA ONLINE
shqip
Ë
  • Ë
  • ë
  • Ç
  • ç
  • BIBLA
  • BOTIME
  • MBLEDHJE
  • w95 15/2 f. 27-30
  • A është varri i Pjetrit në Vatikan?

Nuk ka video për këtë zgjedhje.

Na vjen keq, ka një problem në ngarkimin e videos

  • A është varri i Pjetrit në Vatikan?
  • Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1995
  • Nëntema
  • Material i ngjashëm
  • Një mister arkeologjik
  • Interpretim i gjetjeve
  • Një ‘traditë më pak e besueshme’
  • A vdiq Pjetri në Romë?
  • A ishte Pjetri papa i parë?
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—2015
  • A është papa «pasardhësi i Shën Pjetrit»?
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—2011
  • Të mbahemi fort pas besimit tonë të çmuar!
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1997
  • Ai mësoi nga zotëria të falte
    Imitoni besimin e tyre
Shih më tepër
Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1995
w95 15/2 f. 27-30

A është varri i Pjetrit në Vatikan?

«VARRI i Princit të Apostujve u gjet.» Lajmërimi triumfues i Papa Piut XII u transmetua nga radio Vatikani. Ishte fundi i vitit 1950 dhe një seri gërmimesh të ndërlikuara nën bazilikën e Shën Pjetrit kishte mbaruar para pak kohësh. Sipas disave, rezultatet e këtij kërkimi arkeologjik provuan se Pjetri ishte varrosur me të vërtetë në Vatikan. Megjithatë, jo të gjithë ishin në një mendje.

Për katolikët, kisha e Shën Pjetrit në Vatikan ka një domethënie të veçantë. «Qëllimi kryesor i pelegrinazhit në Romë është takimi me pasardhësin e Pjetrit dhe marrja e bekimeve të tij,—pohon një manual katolik,—sepse Pjetri erdhi në Romë dhe u varros aty.» Por, a u varros me të vërtetë në Romë Pjetri? A ndodhet varri i tij në Vatikan? A janë gjetur eshtrat e tij?

Një mister arkeologjik

Gërmimet, të cilat filluan aty nga 1940-a dhe zgjatën përafërsisht dhjetë vjet, kanë qenë subjekt i kundërshtimeve të shumta. Çfarë gjetën arkeologët e caktuar nga Papa? Së pari, një varrezë pagane me varre të shumta. Në mes të tyre, pikërisht nën altarin e sotëm të Papës, ata identifikuan një aedikula, d.m.th., një monument i bërë për të vendosur një statujë apo një shëmbëlltyrë, të vendosur mbi një mur të veshur me suva të kuqe dhe e mbyllur nga dy mure anësore. Më në fund dhe në mënyrë krejt të mistershme, dolën në dritë edhe disa mbetje njerëzore, të cilat, siç u tha, dolën nga njëri prej mureve anësore.

Dhe këtu filluan edhe interpretimet. Sipas disa studiuesve katolikë, gjetjet vërtetonin traditën sipas së cilës Pjetri kishte banuar dhe ishte martirizuar në Romë gjatë sundimit të Neronit, ndoshta gjatë persekutimit të vitit 64 e.s. U tha madje se gjetjet janë relike të apostullit dhe mund të identifikohen si të tilla nga një mbishkrim që sipas një interpretimi lexohet: «Pjetri është këtu.» Ka të ngjarë që Papa Pavli VI ta ketë mbështetur këtë hipotezë kur në vitin 1968 lajmëroi zbulimin e «mbetjeve të vdekura të Shën Pjetrit, të cilat janë të denja për të gjithë devocionin dhe nderimin tonë të thellë».

Megjithatë, përkrah interpretimeve qëndronin edhe argumentet e kundërta. Arkeologu katolik Antonio Ferrua, një jezuit që mori pjesë në gërmimet në Vatikan, kishte pohuar në më shumë se një rast, se atij ‘nuk iu lejua të botonte’ të gjitha ato që dinte mbi subjektin, materiale që me sa duket do të kundërshtonin pohimin se reliket e Pjetrit ishin identifikuar. Për më tepër, një manual për Romën, i botuar nga kardinali katolik Poupard në 1991-shin, thoshte se «shqyrtimi shkencor i eshtrave njerëzore të gjetuara poshtë themeleve të Murit të Kuq, duket se nuk ka asnjë lidhje me apostullin Pjetër». Çuditërisht, në botimin tjetër (po në vitin 1991) kjo frazë ishte zhdukur dhe ishte shtuar një kapitull tjetër «Një siguri: Pjetri në Shën Pjetër».

Interpretim i gjetjeve

Është e dukshme se gjetjet janë objekt interpretimi dhe se interpretimet bëhen në mënyra të ndryshme nga njerëz të ndryshëm. Në fakt, historianët katolikë më me autoritet pranojnë se «problemet historike të martirizimit real të Pjetrit në Romë dhe të vendvarrimit të tij, janë të hapura për debat». Por, çfarë zbulojnë gjetjet?

Monumenti i aedikulës, sipas atyre që përpiqen të mbështetin traditën katolike, është «trofeu» të cilit i referohet njëfarë Gaji, një prift që jetoi në fillim të shekullit të tretë. Sipas Eusebiut të Cezaresë, historian kishtar i shekullit të katërt, për Gajin thuhej se mund ‘të identifikonte trofeun e Pjetrit mbi Kodrën e Vatikanit’. Përkrahësit e traditës pohojnë se apostulli ishte varrosur aty, poshtë monumentit që u bë i njohur si «trofeu i Gajit». Megjithatë, disa të tjerë i interpretojnë rezultatet e gërmimeve krejt ndryshe, duke zbuluar faktin se të krishterët e parë i kushtonin pak rëndësi varrosjes së të dashurve të tyre, pra, edhe sikur Pjetri të ishte ekzekutuar aty, gjetja e trupit të tij do të kishte qenë shumë e pamundur. (Shiko kutinë në faqen 29.)

Ka edhe nga ata që nuk janë dakort se «trofeu i Gajit» (nëse ky është vërtet ajo që u gjet) është një varr. Ata mendojnë se është një monument i ngritur për nder të Pjetrit, aty nga fundi i shekullit të dytë dhe se më vonë ai «filloi të konsiderohej si një monument varri». Megjithatë, sipas teologut Oscar Cullmann, «gërmimet e Vatikanit nuk identifikuan aspak varrin e Pjetrit».

Ç’mund të themi për eshtrat? Duhet thënë që fakti se nga dolën në të vërtetë ato kocka është ende një enigmë. Pasi në shekullin e parë, një nekropol pagan gjendej mbi atë që tani njihet si Kodra e Vatikanit, mbetje të shumta njerëzore u varrosën në atë zonë dhe deri tani janë zbuluar shumë prej tyre. Mbishkrimi jo i plotë (që ndoshta daton nga shekulli i katërt), i cili siç thonë disa e identifikon vendin ku u gjetën reliket si varrin e apostullit, në rastin më të mirë, mund t’i referohet «pranisë së supozuar të eshtrave të Pjetrit». Veç kësaj, shumë epigrafistë janë të mendimit se mbishkrimi mund të thotë edhe «Pjetri nuk është këtu».

Një ‘traditë më pak e besueshme’

«Burimet e vjetra dhe më të besueshme nuk e përmendin vendin e martirizimit [të Pjetrit], por midis burimeve më të vona e më pak të besueshme ekziston një përputhje e vërtetë se ky vend ishte zona e Vatikanit»,—thotë historiani Daniel W. O’Connor. Kërkimet për varrin e Pjetrit në Vatikan bazoheshin, pra, në tradita të pabesueshme. «Kur reliket morën një rëndësi të madhe,—pohon O’Connor,—të krishterët filluan të besonin sinqerisht se [trofeu] i Pjetrit identifikonte në të vërtetë vendin e saktë të varrit të tij.»

Këto tradita u zhvilluan krah për krah me nderimin e thellë që u bëhej relikeve, i cili nuk bazohej në Shkrimet. Nga shekulli i tretë e i katërt e këndej, qendra të ndryshme kishtare i shfrytëzuan reliket, të vërteta e të rreme—dhe jo pa përfitime ekonomike—në luftën për të arritur epërsi «frymore» dhe për të nxitur autoritetin e tyre. Kështu, pra, të bindur se mbetjet e Pjetrit kishin fuqi të mrekullueshme, pelegrinët e kthyen rrugën e tyre për nga varri i tij i supozuar. Në fund të shekullit të gjashtë, besimtarët e kishin zakon të hidhnin mbi «varr» copa stofi të peshuara me kujdes. «Në mënyrë habitëse,—thotë një tregim i kohës,—nëse besimi i atij që lutej ishte i vendosur, kur stofi hiqej nga varri, do të ishte plot me virtyte hyjnore dhe do të peshonte më shumë se më parë.» Kjo tregon edhe nivelin e kredibilitetit në atë kohë.

Gjatë shekujve, legjenda si kjo dhe tradita pa asnjë bazë kontribuan në mënyrë të konsiderueshme në rritjen e prestigjit të Bazilikës së Vatikanit. Megjithatë, u ngritën edhe zëra mospajtues. Në shekullin XII dhe XIII valdezët i dënuan këto teprime dhe me Biblën në dorë shpjeguan se Pjetri nuk kishte qenë kurrë në Romë. Shekuj më vonë, përfaqësues të Reformës Protestante argumentuan në mënyrë të ngjashme. Në shekullin e 18-të, filozofë të famshëm e konsideronin traditën të pabazuar, si historikisht ashtu edhe nga Shkrimet. Të njëjtën pikëpamje kanë edhe dijetarë të aftë katolikë e të tjerë deri në ditët tona.

A vdiq Pjetri në Romë?

Pjetri, një peshkatar i përulur galileas, sigurisht që nuk ushqeu ndonjë ide për përparësi mbi pleqtë në kongregacionin e shekullit të parë. Përkundrazi, ai e përcaktoi veten «plak bashkë me ta». (1. Pjetrit 5:1-6) Figura e përulur e Pjetrit bie në kundërshtim me pompozitetin që rrethon varrin e tij të supozuar, gjë që mund ta shikojë cilido vizitor në Bazilikën e Vatikanit.

Për të mbrojtur epërsinë e vet mbi emërtimet e tjera të krishtere, Kisha Katolike është përpjekur të akreditojë traditën ‘më të vonë e më pak të besueshme’ që pohonte se Pjetri banoi për disa kohë në Romë. Është e çuditshme, ama, se tradita të tjera të vjetra e vendosin vendin e varrimit të tij jo në Vatikan, por diku tjetër në Romë. Megjithatë, përse të mos u përmbahemi fakteve që gjejmë në Bibël, i vetmi informacion i drejtpërdrejtë mbi Pjetrin? Nga Fjala e Perëndisë është e qartë se, duke iu bindur direktivave që mori nga trupi udhëheqës i kongrecionit të krishterë në Jeruzalem, Pjetri kreu veprën e tij në pjesën lindore të botës antike, duke përfshirë Babiloninë.​—Galatasve 2:1-9; 1. Pjetrit 5:13; krahaso Veprat 8:14.

Kur u shkroi të krishterëve në Romë, rreth vitit 56 e.s., apostulli Pavël përshëndeti gati 30 pjesëtarë të atij kongragacioni pa e përmendur fare Pjetrin. (Romakëve 1:1, 7; 16:3-23) Më vonë, mes viteve 60 dhe 65 e.s., Pavli shkroi gjashtë letra nga Roma, por Pjetri nuk përmendet​—dëshmi e fortë që tregon se Pjetri nuk ndodhej atje.a (Krahaso 2. Timoteut 1:15—17; 4:11.) Aktiviteti i Pavlit në Romë është përshkruar në fund të librit të Veprave, por përsëri, nuk ka asnjë referim për Pjetrin. (Veprat 28:16, 30, 31) Si rrjedhojë, një shqyrtim objektiv i dëshmisë biblike, i lirë nga çdo paragjykim, mund të çojë vetëm në përfundimin se Pjetri nuk predikoi në Romë.b

«Parësia» e papës është bazuar në tradita të pabesueshme dhe në zbatime të shtrembëruara të shkrimeve. Jezui është themeli i krishterimit dhe jo Pjetri. ‘Krishti është kreu i kongregacionit’,—tha Pavli. (Efesianëve 2:20-22; 5:23, BR) Ishte Jezu Krishti ai që u dërgua nga Jehovai për të bekuar e për të shpëtuar të gjithë ata që kanë besim.​—Gjoni 3:16; Veprat 4:12; Romakëve 15:29; shiko gjithashtu 1. Pjetrit 2:4-8.

Të gjithë ata, pra, që marrin rrugën për në vendin ku sinqerisht besojnë se ndodhet varri i Pjetrit, për ‘të takuar pasardhësin e tij’ janë të ballafaquar me problemin nëse duhet të pranojnë ‘traditat e pabesueshme’ apo të besojnë Fjalën e besueshme të Perëndisë. Pasi të krishterët duan që adhurimi i tyre të pranohet nga Perëndia, ata ‘shikojnë me kujdes Përsosësin e besimit të tyre’ dhe shembullin e përsosur që ai na la për të ndjekur.​—Hebrenjve 12:2; 1. Pjetrit 2:21.

[Shënimet]

a Rreth viteve 60-61 e.s., Pavli shkroi letrat e tij drejtuar Efesianëve, Filipianëve, Kolosianëve, Filemonit dhe Hebrenjve; rreth vitit 65 e.s. ai shkroi letrën e tij të dytë për Timoteun.

b Pyetja «A ka qenë ndonjëherë Pjetri në Romë?» u shqyrtua në Kullën e Rojës, 1 nëntor 1972, fq. 669-671, angl.

[Kutia në faqen 29]

«Gërmimi nuk ka zbuluar gjurmë të sigurta të një varri poshtë Aedikulës; në të vërtetë, as që mund të ekzistojë siguria që komuniteti i krishterë të ketë marrë ndonjëherë nga duart e ekzekutuesve trupin e Shën Pjetrit, për ta varrosur. Sipas rrjedhës normale të ngjarjeve, ka të ngjarë që trupi i një të huaji (peregrinus), i cili ndër të tjera në sytë e ligjit ishte një kriminel i zakonshëm, të hidhej në Tiber. . . . Për më tepër, në atë periudhë nuk ka ekzistuar interesi për ruajtjen e relikeve njerëzore, gjë që ndodhi më vonë, kur besimi në fundin e pashmangshëm të botës ishte zbehur dhe kulti i martirëve kishte filluar të shfaqej. Prandaj, faktikisht, mundësia që trupi i Shën Pjetrit të mos jetë marrë kurrë për t’u varrosur, është konkrete.»​—The Shrine of St. Peter and the Vatican Excavations, nga Jocelyn Toynbee dhe John Ward Perkins.

    Botimet shqip (1993-2025)
    Shkëputu
    Hyr me identifikim
    • shqip
    • Dërgo
    • Parametrat
    • Copyright © 2025 Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania
    • Kushtet e përdorimit
    • Politika e privatësisë
    • Parametrat e privatësisë
    • JW.ORG
    • Hyr me identifikim
    Dërgo