Një jetë domethënëse
TREGUAR NGA MELVA A. VILAND
Në mars të 1940-ës, disa muaj pasi isha pagëzuar, ime motër, Filis, erdhi e më tha: «Përse nuk bëhesh pioniere?» «Pioniere?—pyeta unë. —Do të thuash që të predikoj në kohë të plotë gati çdo ditë?»
«SI MUND të bëhem pioniere,—mendoja unë,—me njohurinë time të kufizuar mbi Biblën dhe aq më tepër me kursimet e pakta që kam në bankë?» Megjithatë, pyetja e Filisit më futi në mendime, madje u luta shumë për këtë gjë.
Përfundimisht arsyetova: «Përse të mos kem besim tek Perëndia, kur ai premton se kujdeset për ne nëse kërkojmë më parë Mbretërinë e tij?» (Mateu 6:33) Kështu, në qershor të 1940-ës, lajmërova se do ta lija punën time si rrobaqepëse. Më pas, i shkrova zyrës së degës së Shoqatës Watch Tower në Australi dhe kërkova që të më jepnin një caktim shërbimi si pioniere.
Një caktim për gjithë jetën
Disa javë më vonë, mora përgjigje ku informohesha se caktimi do të më jepej pas asamblesë që do të mbahej pranë qendrës së Dëshmitarëve të Jehovait në Strathfild, në periferi të Sidneit, qytetit më të madh australian. Mëngjesin pas asamblesë, u paraqita në zyrë për të marrë caktimin.
Ai që ishte në zyrë më tha: «Tani për tani kemi shumë punë në lavanderi. A do të kesh mundësi të qëndrosh e të na ndihmosh për disa javë?» Atëherë ishte gushti i vitit 1940 dhe akoma punoj në lavanderi! Në atë kohë, ishim vetëm 35 anëtarë të zyrës së degës, ndërsa tani jemi 276.
Ndoshta ti pyet veten se përse e konsideroj punën në lavanderi «një jetë domethënëse», pasi veçanërisht kjo ka qenë puna ime për më shumë se 50 vjet me radhë. Para se t’jua shpjegoj, dua të tregoj disa nga qëllimet e mia të mëparshme.
Sporti u bë një mënyrë jetese
Linda në Melburn më 1 janar 1914 dhe isha më e madhja e pesë fëmijëve. Prindërit tanë ishin të dashur, kishin parime të larta dhe kur ishte e nevojshme na disiplinonin. Morëm një edukim fetar kuturu, sepse prindërit nuk shkonin në kishë. Megjithatë, këmbëngulnin që ne fëmijët të merrnim pjesë në shkollën e së dielës që organizonte Kisha e Anglisë.
Kur mbarova shkollën në 1928-ën dhe fillova të punoja si rrobaqepëse, vendosa ta kaloja pjesën më të madhe të kohës së lirë duke u marrë me sport, e bindur se kjo do të më ndihmonte të mposhtja ndrojtjen time. U futa në një klub tenisi, ku luaja gjatë gjithë vitit. Në dimër luaja basketboll dhe beisboll, ndërsa në verë luaja kriket me një skuadër femrash. Loja me kriket u bë pasioni im i vërtetë dhe u përpoqa me të gjitha forcat të përmirësoja aftësinë time si hedhëse e shpejtë, për t’u kualifikuar për ndeshjet midis shteteve.
Një qëllim i ndryshëm nga sporti
Që në rini, isha e shqetësuar nga mësimi se një Perëndi i dashurisë kishte një vend të quajtur ferr, ku të këqijtë do të torturohehin përgjithmonë. Për mua kjo nuk kishte kuptim. Përfytyro gëzimin tim, kur papritur mësova nga Bibla kuptimin e vërtetë të «ferrit». Ndodhi kështu:
Motra ime, Filis, që ishte pesë vjet më e vogël se unë, e pëlqente sportin dhe luante me mua në të njëjtën skuadër. Në 1936-ën, një shoqe e ekipit e prezantoi Filisin me një djalë të ri të quajtur Xhim, i cili njihej si shumë fetar. Shpejt, Xhimi filloi t’i fliste Filisit për mësimet e Biblës. Kjo gjë i ngjalli asaj kureshtje. «Çdo gjë është shumë e logjikshme dhe e arsyeshme»,—më thoshte ajo.
Në atë kohë, Filisi dhe unë rrinim në të njëjtën dhomë dhe ajo bënte të pamundurën që të më ngjallte interesin për ato që i thoshte Xhimi lidhur me Mbretërinë e Perëndisë. «Do të bëjë atë që qeveritë njerëzore nuk kanë mundur ta bëjnë»,—më thoshte ajo me entuziazëm. Ndërsa unë ngulja këmbë, duke i thënë se ishte vetëm një fe tjetër e bërë posaçërisht për të na ngatërruar dhe se në të vërtetë askush nuk e njihte të ardhmen. Por, Filis ishte këmbëngulëse dhe linte literaturë andej-këndej nëpër dhomë me shpresë që unë t’i lexoja.
Kureshtare të dija se përse Filisi ishte kaq shumë entuziaste mbi këtë besim të ri, një ditë mora në dorë një broshurë. Titulli ishte interesant: E përtejshmja. Kureshtja ime u rrit kur duke shfletuar fletët e saj pashë fjalën «ferr». Për habi, mësova se fjala biblike «ferr» i referohej në të vërtetë varrit të përbashkët të njerëzimit dhe se atje shkonin si të mirët edhe të këqijtë. Mësova, gjithashtu, se ferri nuk është një vend torture; të vdekurit janë të pavetëdijshëm dhe nuk ndiejnë asgjë.—Eklisiastiu (Predikuesi) 9:5, 10; Psalmi 146:3, 4.
Kjo m’u duk e logjikshme, veçanërisht kur lexova në broshurë se një Perëndi i dashur dhe i fuqishëm ka premtuar të sjellë në jetë të vdekurit me anë të një mrekullie, ringjalljes. (Gjoni 5:28, 29) Tani edhe unë doja të dija më shumë mbi ato që Xhimi i kishte treguar Filisit. Gjeta Biblën e vogël të përkthimit King James Version që më kishte dhënë babai kur isha ende fëmijë dhe kërkova shkrimet që ishin shënuar në broshurë. Kjo përforcoi atë që kisha lexuar për ferrin dhe gjendjen e të vdekurve.
Një surprizë tjetër e këndshme për mua ishte të mësoja se Perëndia kishte një emër personal, Jehova. (Psalmi 83:18) Gjithashtu, kuptova se Perëndia kishte një qëllim ose një arsye për çdo gjë që bënte ose lejonte të ndodhte. Kjo më bëri të pyes veten: «Kush është në të vërtetë qëllimi im në jetë?» Që atëherë fillova të pyes veten, nëse ishte më e dobishme për mua të jepesha kaq seriozisht pas sportit, deri në pikën sa të lija pas dore çdo gjë tjetër.
Nga vendimet tek veprat
Xhimit dhe Filisit nuk ua priste mendja që pikëpamja ime mbi jetën të kishte ndryshuar, por e kuptuan kur familja jonë u ftua në një festë midis miqsh. Në atë kohë, në raste të tilla të gjithë të pranishmit çoheshin në këmbë, ngrinin dolli për mbretin e Anglisë dhe të gjithë ngrinin gotat që të pinin dollinë për nder të mbretit. Megjithatë, unë vendosa të qëndroja ulur me Xhimin dhe Filisin. Ata nuk u besuan syve kur panë që nuk isha çuar! Padyshim, nuk kishim ndër mend të tregonim mungesë respekti, por si të krishterë mendonim se duhej të ishim asnjanës dhe të mos merrnim pjesë në këto ceremoni nacionaliste.—Gjoni 17:16.
Prindërit dhe pjesa tjetër e familjes mbetën të tmerruar. Na thanë se ishim të çmendur dhe aspak patriotë ose të dyja bashkë! Pastaj, kur Filisi dhe unë morëm pjesë në dhënien e çmimit të skuadrës së femrave në kriket, ndodhi e njëjta gjë gjatë një ceremonie nacionaliste. Si përfundim, të dyja hoqëm dorë nga ekipi. Nuk ishte aq e vështirë sa e mendoja, sepse tani kisha kuptuar se duhej të isha besnike ndaj Jezu Krishtit, Mbretit të Mbretërisë qiellore të Perëndisë.
Tani Filisi më shpjegoi se duhej të shkoja rregullisht në mbledhjet e Dëshmitarëve të Jehovait, për ta ndërtuar besimin tim me më shumë njohuri biblike. Në atë kohë, kishte vetëm një kongregacion në Melburn, kështu fillova të shkoj në mbledhjet që zhvilloheshin atje çdo të diel pasdite. Shumë shpejt u binda se kjo ishte organizata e vërtetë tokësore e Perëndisë.
Nuk kaloi shumë kohë dhe më ftuan të merrja pjesë në veprën e predikimit shtëpi më shtëpi bashkë me kongregacionin. Si fillim ngurrova, por një të diel paradite vendosa të shkoj vetëm për të parë se si bëhej. U gëzova kur më caktuan të shoqëroja një Dëshmitare me përvojë, e cila foli me shumë siguri në derën e parë dhe i zoti i shtëpisë e priti shumë mirë. I thashë vetes: «Epo nuk është edhe aq e vështirë, por vetëm se më duhet shumë praktikë para se të bëhem aq e aftë si ajo.» Mendo habinë time, kur pas derës së parë, Dëshmitarja më tha: «Tani mund të vazhdosh vetëm.»
«Vetëm?—pyeta unë e hutuar.—Seriozisht e ke! Po sikur ndokush të më bëjë ndonjë pyetje që nuk di si t’i përgjigjem?» Por shoqja ishte shumë këmbëngulëse. Kështu, duke m’u dridhur leqet e këmbëve vazhdova vetëm, ndërsa ajo vazhdoi me njerëzit nga ana tjetër e rrugës. Në njëfarë mënyre, atë mëngjes shpëtova gjallë.
Që nga ajo kohë e më pas, fillova të marr pjesë në veprën e predikimit çdo të diel paradite. Kur ndokush në derë më bënte ndonjë pyetje që nuk dija si t’i përgjigjesha, i thosha: «Do të bëj kërkime mbi këtë dhe do të kthehem përsëri.» Lumturisht, Jehovai vazhdoi të më jepte forcë dhe kurajë për të vazhduar jetën time të re domethënëse. Ia dedikova jetën time atij dhe në tetor të 1939-ës, u pagëzova në banjot publike të Melburnit. Pak më vonë, Filisi që në atë kohë ishte martuar me Xhimin, më pyeti se përse nuk bëhesha pioniere.
Shërbimi në zyrën e degës
Në janar të vitit 1941, pak kohë pasi fillova të punoja në Bethel, siç e quanim zyrën e degës, vepra e Dëshmitarëve të Jehovait në Australi u ndalua. Më pas, ushtria sekuestroi shtëpinë Bethel në Strathfild dhe mua më dërguan në fermën e Shoqatës, në Ingëlburn, rreth 48 km jashtë qytetit. Në qershor të 1943-shit, trupi gjykues e shfajësoi Shoqatën Watch Tower dhe e shfuqizoi ndalimin. Nga fundi i atij viti, 25 prej nesh u ftuan të ktheheshin përsëri në Bethel, në Strathfild. Atje vazhdova të punoja në lavanderi dhe të merresha me punë të tjera nëpër shtëpi.
Dhjetëvjeçari tjetër kaloi shpejt. Më pas, në 1956-ën u martova me Ted Vilandin, edhe ai vullnetar në Bethel. Tedi ishte një njeri shumë i qetë e i durueshëm dhe u gëzuam shumë kur morëm miratimin për të vazhduar punën në Bethel si burrë e grua. Të dy e çmonim shumë jetën tonë domethënëse dhe ishim të lumtur për privilegjin që të shërbenim në zyrën e degës së Australisë. Pa dyshim, përveç punës sonë në Bethel, kishim gëzimin që të punonim së bashku për të ndihmuar të tjerët të bëheshin dishepuj të Krishtit. Mund të lexosh për shembull, për familjen Uiks në revistën Zgjohuni!, të 22 tetorit 1993, (angl.).
Në 30 vitet e para të jetës sime në Bethel, predikimi i Mbretërisë u rrit gradualisht dhe personeli u rrit në 10-12 persona. Por situata ndryshoi menjëherë në vitet ’70, kur filluam të shtypnim këtu revistat Zgjohuni! dhe Kulla e Rojës. Në janar të 1972-shit filloi ndërtimi i një shtypshkronje të re. Shpejt, arriti nga Japonia një makinë shtypi 40 tonëshe dhe në 1973-shin shtypnim gati 700.000 revista në muaj. Tani familja jonë Bethel filloi të rritej me të vërtetë.
Për mua personalisht, vitet ’70 ishin vite të hidhura. Së pari, burri im i shtrenjtë, Tedi, vdiq në 1975-ën në moshën 80-vjeçare. Pastaj, më pak se një vit më vonë, edhe babai im i moshuar ra në gjumin e vdekjes. Mora shumë ngushëllim nga Jehovai dhe nga Fjala e tij, Bibla, si dhe nga vëllezërit e motrat e mia frymore. Gjatë kësaj periudhe shumë të hidhur të jetës sime, për mua ishte një ndihmë e madhe fakti që merresha me një aktivitet domethënës në Bethel.
Por jeta vazhdon dhe fillova përsëri të përjetoja gëzim dhe bekime, edhe pse vejushë. Në 1978-ën, mora pjesë në asamblenë që u zhvillua në Londër, Angli dhe pas kësaj vizitova qendrën botërore të Shoqatës Watch Tower në Bruklin, Nju Jork. Ajo që pashë në Bethelin e Bruklinit, ku qindra vëllezër e motra punonin me gëzim, u bë burim inkurajimi për mua nga atëherë e deri më sot.
Nga fundi i viteve ’70, mësuam se ishte planifikuar një zgjerim i mëtejshëm për kompleksin e Bethelit në Australi. Megjithatë, zgjerimi nuk do të bëhej në Strathfild, ku terreni ishte i vogël. Një kompleks shumë i madh do të ndërtohej në pronën tonë në Ingëlburn, ku kisha punuar gjatë ndalimit në fillim të viteve ‘40.
Vazhdoj të bëj një jetë domethënëse
Çfarë gëzimi ndiem në janar të 1982-shit, kur u transferuam për në kompleksin e ri! Vërtet, si fillim na vinte pak keq të iknim nga vendi ku kishim qenë për aq kohë, por shpejt u entuziazmuam me shtëpinë tonë të re me 73 dhoma të bukura. Tani në vend që të shohim muret me tulla dhe rrugët e periferisë, shohim fushat e blerta, pemët, lopët që kullosin, agimet dhe perëndimet madhështore të diellit—një ambient me të vërtetë i mrekullueshëm.
Më 19 mars 1983, në një ditë të bukur vjeshte, kur dielli ndriçonte, u bë dedikimi i mrekullueshëm i kompleksit të ri. Loid Berri i Trupit Udhëheqës të Dëshmitarëve të Jehovait, mbajti një fjalim prekës dedikimi. Personalisht e çmova shumë praninë e tij dhe të së shoqes në dedikim, sepse kisha punuar me ta në Bethelin e Strathfildit, kur ishim të gjithë më të rinj.
Rritja e vazhdueshme e aktivitetit të predikimit të Mbretërisë, bëri të nevojshme një zgjerim tjetër këtu në Ingëlburn. Në 1987-ën, u zgjerua kompleksi i zyrave. Më pas, më 25 nëntor 1989, u përurua një ndërtesë me pesë kate për të banuar dhe një zgjerim tre-katësh i fabrikës. Ç’rritje ka pasur Australia: nga më pak se 4.000 shërbëtorë kur unë fillova shërbimin, në rreth 59.000!
Kohët e fundit zyra e degës në Australi, është bërë një nga zyrat zonale inxhinierike të Shoqatës, bashkë me Japoninë dhe Gjermaninë. Kjo gjë ka bërë të nevojshme një zgjerim tjetër të kompleksit të Bethelit. Një tjetër zyrë tri-katëshe tani është përfunduar dhe është në përfundim e sipër një banesë pesë-katëshe, e cila do të ketë më shumë se 80 dhoma për të strehuar familjen gjithnjë e në rritje.
Në lavanderi, kemi një grup të mirë vullnetarësh, por shpesh kujtoj atë ditë gushti të 1940-ës, kur më ftuan të ndihmoja në këtë repart për dy javë. Jam shumë mirënjohëse që ato dy javë janë zgjatur në më shumë se 50 vjet dhe që Perëndia Jehova më ka drejtuar hapat drejt kësaj jete domethënëse.
[Figura në faqen 21]
Në moshën 25-vjeçare
[Figura në faqen 23]
Dita e dasmës në 1956-ën
[Figurat në faqen 24]
Në 1938-ën, unë dhe ime motër ishim dhënë me gjithë shpirt pas sportit, ndërsa tani jeta ime është shumë më frytdhënëse