Lajmëtarët e Mbretërisë raportojnë
Lajmi i mirë i Mbretërisë do të predikohet
PËR shekuj me radhë, kryearmiku i Perëndisë, Satana Djalli, i ka përdorur dinakërisht qeveritë politike dhe fetë e rreme në përpjekje për të penguar përhapjen e krishterimit të vërtetë. Por, këto metoda janë të destinuara për të dështuar. Jezui paratha se «lajmi i mirë i mbretërisë do të predikohet [jo, «ndoshta do të predikohet», apo, «mund të predikohet] në të gjithë tokën e banuar si një dëshmi për të gjitha kombet».—Mateu 24:14, BR.
Dështimi i Satanait ka qenë i dukshëm në Greqi. Në këtë vend, Kisha Ortodokse Greke është përpjekur t’i pengojë Dëshmitarët e Jehovait në predikimin e lajmit të mirë të Mbretërisë. Por siç tregon përvoja vijuese, në kohën e duhur, pavarësisht nga kundërshtimet, e vërteta biblike i arrin personat e sinqertë.
Rreth 30 vjet më parë, një prift ortodoks grek e pranoi lajmin e mirë dhe madje shprehu dëshirën të bëhej një Dëshmitar i Jehovait. Por të afërmit e tij, e kundërshtuan shumë dhe i bënë presion që të hiqte dorë nga shoqëria me Dëshmitarët. Për t’i bërë qejfin familjes së tij, vazhdoi të ndiqte karrierën si prift; por, nuk e harronte kurrë faktin që Dëshmitarët e Jehovait e kishin ndihmuar të mësonte të vërtetën biblike ndërsa ai kishte hequr dorë nga ajo në shkëmbim të një pozite me rëndësi në një fe të rreme.
Megjithatë, kur i krijohej rasti, ai fliste në favor të Dëshmitarëve të Jehovait. Madje në raste të ndryshme, i këshillonte njerëzit se nëse dëshironin të mësonin të vërtetat biblike, duhej të studionin me Dëshmitarët. Me kalimin e viteve, disa e ndoqën me të vërtetë rekomandimin e tij.
Pak kohë më parë, prifti u sëmur rëndë dhe e kuptoi se shpejt mund të vdiste. Ndërsa ishte në spital, dërgoi t’i thërrisnin fëmijët dhe ata të gjithë iu mblodhën rreth krevatit.a Pastaj, u shpjegoi se nëse do të vdiste, ata mund ta takonin atë përsëri. U foli për mësimin biblik sipas të cilit Jehovai do t’i ringjallë të vdekurit për të jetuar në një parajsë tokësore, por nëse ata donin ta shikonin me të vërtetë atë ngjarje, duhej të mësonin të vërtetën nga Bibla dhe të shkëputeshin nga fetë e rreme. I luti shumë ata që të shoqëroheshin me Dëshmitarët e Jehovait dhe të mësonin prej tyre se si të bëheshin të krishterë të vërtetë.
Jo shumë pas kësaj, prifti vdiq. Megjithatë, këshillat e fundit që dha fëmijëve të tij, sollën rezultate të mira. Vajza e tij, ashtu si shumica e të afërmve të tij, i kishte kundërshtuar shumë Dëshmitarët e Jehovait dhe veprën e tyre. Por ajo nuk mund të mos e përfillte lutjen e sinqertë të babait të saj të vdekur, kështu që shpejt ra në kontakt me Dëshmitarët e Jehovait dhe filloi të studionte Biblën. Kohët e fundit, ajo vetë u bë një Dëshmitare dhe ia dedikoi jetën e saj Perëndisë Jehova duke e simbolizuar dedikimin e saj me pagëzimin në ujë.
Në Greqi dhe në rreth 230 vende të tjera, Dëshmitarët e Jehovait besojnë në fuqinë e frymës së shenjtë të Perëndisë. Me mbështetjen e plotë të frymës së shenjtë, ata marrin pjesë në përmbushjen e profecisë së Jezuit: «Ju do të merrni fuqi kur Fryma e Shenjtë do të vijë mbi ju dhe do të bëheni dëshmitarët e mi në Jeruzalem dhe në gjithë Judenë, në Samari dhe deri në skajin e dheut.»—Veprat 1:8.
[Shënimi]
a Priftërinjtë e Kishës Ortodokse Greke mund të martohen.