BIBLIOTEKA ONLINE Watchtower
Watchtower
BIBLIOTEKA ONLINE
shqip
Ë
  • Ë
  • ë
  • Ç
  • ç
  • BIBLA
  • BOTIME
  • MBLEDHJE
  • w95 1/9 f. 20-25
  • Na u dha një perlë me vlerë shumë të madhe

Nuk ka video për këtë zgjedhje.

Na vjen keq, ka një problem në ngarkimin e videos

  • Na u dha një perlë me vlerë shumë të madhe
  • Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1995
  • Nëntema
  • Material i ngjashëm
  • Një përvojë e paharruar
  • Një kulturë e re
  • Mësojmë spanjishten dhe fillojmë veprën
  • Sprovat e para në Madrid
  • Përvoja të mrekullueshme në Madrid
  • Shërbim i frytshëm me ushtarët
  • Një studim biblik i pazakontë
  • Një ftesë e papritur
  • Të detyruar për të lënë caktimin tonë misionar
  • Predikimi në mes të drogës dhe dhunës
  • Një vendim i vështirë
  • «Meqë kemi këtë shërbim për të bërë . . . , nuk dorëzohemi»
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1995
  • Një jetë me të papritura në shërbim të Jehovait
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—2001
  • Madridi​—Kryeqytet i ndërtuar për një mbret
    Zgjohuni!—2003
  • «Jehovai më shpëtoi në periudhën më të errët të jetës sime»
    Jetëshkrime të Dëshmitarëve të Jehovait
Shih më tepër
Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1995
w95 1/9 f. 20-25

Na u dha një perlë me vlerë shumë të madhe

TREGUAR NGA RIÇARD GUNTER

Ishte shtatori i 1959-ës. Gjendeshim në linjën detare italiane Julio Caesar, duke përshkruar Oqeanin Atlantik nga Nju Jorku në Kadiz, Spanjë. Shoqata Watch Tower na kishte caktuar mua dhe Ritën, gruan time, bashkë me Pol dhe Evelin Hendertmark, një tjetër çift misionar, në atë vend Iberik. Shumë vështirësi na prisnin. Por si vendosëm të ndërmerrnim karrierën misionare?

RITA dhe unë u pagëzuam si Dëshmitarë të Jehovait në 1950-ën në Nju Xhersi, SH.B.A. Pak më pas, vendosëm që me kalimin e kohës të merrnim në dorë një perlë me vlerë shumë të madhe. Ishim në një kongregacion me vëllezër e motra mjaft sa për të shërbyer në territor. Prandaj, u ndiemë të detyruar të ofroheshim për të shërbyer atje ku kishte më shumë nevojë për predikues. Në verën e 1958-ës, ne bëmë kërkesën për shërbimin misionar në asamblenë ndërkombëtare të Dëshmitarëve të Jehovait në qytetin e Nju Jorkut.

Pak kohë më pas, na ftuan në Shkollën Biblike të Galaadit (Watchtower) dhe brenda një viti morëm rrugën për në Spanjë si misionarë. Duke qenë shumë të zënë me rregullimet dhe të pushtuar nga emocionet, në atë kohë nuk e kuptonim se çfarë na ishte dhënë. Jezui ka folur për një perlë me vlerë shumë të madhe. (Mateu 13:45, 46) Megjithëse privilegji ynë si misionarë nuk ishte pika e shëmbëlltyrës së tij, ai ishte për ne si një perlë e tillë. Kur e kujtojmë të kaluarën, tani e çmojmë në mënyrë më të plotë këtë dhuratë të çmuar shërbimi në organizatën e Jehovait.

Një përvojë e paharruar

Në atë kohë, kursi i Galaadit për misionarë bëhej në mjedise të bukura fshatare, në zonën e liqeneve Finger, në shtetin e Nju Jorkut. Atje kaluam gjashtë muaj të mrekullueshëm krejt të zhytur në studimin e Biblës dhe në shoqërinë e vërtetë të krishtere, të veçuar nga gjërat dhe shqetësimet e botës. Studentët e tjerë që ishin bashkë me ne, ishin nga vende të ndryshme të botës, duke përfshirë Australinë, Bolivinë, Britaninë, Greqinë dhe Zelandën e Re. Por, shpejt erdhi dita e diplomimit. Në gusht të 1959-ës, dhamë lamtumirën e fundit me lotë në sy, ndërsa morëm rrugën për në caktimet tona përkatëse misionare. Një muaj më pas arritëm në Spanjë.

Një kulturë e re

Zbritëm në portin jugor të Algesiras, përgjatë shkëmbit të madh të Gjibraltarit. Atë natë, katër prej nesh, Rita, unë dhe çifti Hendertmark, morëm trenin për në Madrid. Shkuam në hotelin Merkador për të pritur derisa të na takonin anëtarët e zyrës klandestine të Shoqatës. Spanja ishte nën sundimin diktatorial të Komandantit të Përgjithshëm Françisko Franko. Kjo nënkuptonte se e vetmja fe e njohur ligjërisht në vend ishte Kisha Katolike e Romës. Ishte e paligjshme të praktikohej publikisht çdo fe tjetër dhe vepra e predikimit shtëpi më shtëpi e Dëshmitarëve të Jehovait ishte ndaluar. Edhe mbledhjet fetare ishin ndaluar, kështu që Dëshmitarët e Jehovait, që në atë kohë në Spanjë numëroheshin rreth 1.200 në 30 kongregacione, nuk mund të mblidheshin në Sallat e Mbretërisë si në vende të tjera. Duhej të mblidheshim fshehurazi nëpër shtëpi private.

Mësojmë spanjishten dhe fillojmë veprën

Sfida jonë e parë ishte mësimi i gjuhës. Muajin e parë mësonim spanjisht 11 orë në ditë: 4 orë çdo mëngjes në klasë dhe 7 orë studionim vetë. Muajin e dytë ishte e njëjta gjë në mëngjes, ndërsa pasditet ua kushtonim predikimit shtëpi më shtëpi. A mund ta imagjinosh? Edhe pse nuk e dinim akoma gjuhën, vetëm me një hyrje të shkruar që e kishim mësuar përmendësh, Rita dhe unë shkonim vetëm në veprën shtëpi më shtëpi!

Më kujtohet kur trokita në një derë në Valekas, një lagje e klasës punëtore të Madridit. Me letrën në dorë sa për të qenë i sigurt, thashë në spanjisht: «Mirëmëngjes. Ne po bëjmë një vepër të krishtere. Bibla thotë (ne i lexuam një varg). Do të ishte kënaqësi për ne të merrnit këtë broshurë.» Zonja shikonte e shikonte, pastaj e mori broshurën. Kur i shkuam për rivizitë, ajo na ftoi brenda dhe ndërsa ne flisnim ajo vetëm shikonte. Filluam një studim biblik me të me atë spanjishten tonë të çalë dhe gjatë studimit ajo vetëm dëgjonte e shikonte. Pas njëfarë kohe, ajo së fundi na tha se nuk e kishte kuptuar se çfarë kishim thënë në vizitën e parë, vetëm kishte dëgjuar fjalën Dios (Perëndi) dhe kjo i kishte mjaftuar për të kuptuar se ishte diçka e mirë. Me kalimin e kohës ajo mori njohuri të konsiderueshme biblike, u pagëzua dhe u bë një Dëshmitare e Jehovait.

Për mua ishte jashtëzakonisht e vështirë të mësoja spanjisht. Ndërsa ecja lart e poshtë nëpër qytet, mësoja përmendësh zgjedhimin e foljeve. Atë që mësoja për një javë, e harroja javën tjetër! Ishte shumë shkurajuese. Disa herë isha gati të dorëzohesha. Meqë spanjishtja ime ishte e tmerrshme, vëllezërit spanjollë duhej të tregoheshin shumë të durueshëm, pasi isha unë që merrja drejtimin midis tyre. Në një kongres krahinor, një vëlla më dha një lajmërim të shkruar me dorë për ta lexuar nga platforma. Ngaqë e kisha të vështirë të lexoja shkrimin e tij, unë thashë: «Nesër merrni me vete në stadium muletas (patericat) tuaja.» Duhej të thosha: «Nesër merrni me vete në stadium maletas (bagazhet) tuaja.» Pa dyshim, të pranishmit ia plasën gazit, kurse unë u zura ngushtë.

Sprovat e para në Madrid

Ato pak vitet e para në Madrid, ishin shumë të vështira emocionalisht për mua dhe Ritën. Na kishte marrë malli shumë për shtëpinë dhe për miqtë. Çdo herë që merrnim letër nga Shtetet e Bashkuara, na rrëmbente një dallgë përmallimi. Ishin periudha të tmerrshme malli, por kalonin. Në fund të fundit kishim lënë shtëpinë, familjen e miqtë për të marrë në vend të tyre një perlë me vlerë më të madhe. Duhej të përshtateshim.

Në fillim, në Madrid, e gjetëm veten në një hotel familjar të cilësisë shumë të ulët. Kishim një dhomë dhe tri vakte në ditë. Kishim një dhomë të errët e të vogël. Dyshekët ishin prej kashte. Qiraja mujore i konsumonte të ardhurat tona mujore modeste. Zakonisht e hanim drekën në hotel në mesditë dhe pronarja na e linte darkën në furrë, që të rrinte e ngrohtë, në mënyrë që më vonë në mbrëmje të kishim diçka për të ngrënë. Megjithatë, ecjet lart e poshtë nëpër rrugë nga mëngjesi në darkë, na bënin që të kishim shumë uri. Kur nuk na mjaftonin të ardhurat, harxhonim nga ato pak kursime personale për të blerë çokollatën më të lirë që mund të gjenim. Megjithatë, situata ndryshoi shpejt me vizitën e mbikëqyrësit të zonës që kishte dërguar Shoqata. Ai e pa hallin tonë dhe tha se duhej të kërkonim një apartament të vogël për ta përdorur si shtëpi misionare. Epo, kjo do të kishte qenë njëqind herë më mirë, sesa ta bëje dushin në këmbë në govatë, përtokë në mes të kuzhinës. Tani do të kishim një dush, një frigorifer për të mbajtur ushqimin dhe një furnelë elektrike për të gatuar. Ishim shumë mirënjohës për konsideratën.

Përvoja të mrekullueshme në Madrid

Predikimi shtëpi më shtëpi kryej me shumë kujdes. Zhurma e përditshme në Madrid ishte përparësi, duke na fshehur që të mos binim shumë në sy. Përpiqeshim të visheshim dhe të vepronim si të tjerët që të mos binim në sy si të huaj. Për predikimin shtëpi më shtëpi ndiqnim këtë metodë: hynim në një pallat, trokisnim në një derë, flisnim me personin dhe më pas zhdukeshim nga ndërtesa, rruga dhe zona. Ekzistonte gjithmonë mundësia që i zoti i shtëpisë të thërriste policinë, prandaj nuk ishte e mençur të qëndronim në lagje. Në fakt, edhe pse ishin shumë të kujdesshëm kur përdornin këtë metodë, Pol dhe Evelin Hendertmark u kuptuan dhe u dëbuan nga vendi më 1960-ën. Ata shkuan në Portugalinë fqinjë, shërbyen disa vjet me radhë dhe Poli kujdesej për veprën e fshehtë të zyrës së degës. Sot, ai është mbikëqyrësi i qytetit San Diego, në Kaliforni.

Megjithatë, për ne situata u ekuilibrua. Vetëm pak muaj më vonë, gjashtë misionarë të caktuar në Portugali, u urdhëruan të iknin nga vendi! Kjo çoi në një ngjarje të gëzuar, sepse Erik dhe Hazel Beverixh që kishin qenë me ne në klasën e Galaadit, tani do të linin Portugalinë dhe do të vinin në Spanjë. Kështu, ja ku jemi prapë në shkurt të 1962-shit, në hotelin Merkador, kësaj radhe për të mirëpritur Erikun dhe Hazelin.

Gjatë këtyre ditëve të para në Madrid, Rita dhe unë patëm një përvojë personale me hipokrizinë fetare. Ne studionim Biblën me një çift, Bernardon dhe Marijen, që jetonin në një kasolle të ndërtuar me pjesë të hedhura materialesh ndërtimi, që Bernardo kishte mundur të gjente. Studionim me ta natën vonë dhe pas studimit ata na e shtronin me bukë, verë dhe pak djathë ose me çdo gjë tjetër që kishin. Vura re se djathi ishte tamam si djathi amerikan. Një natë, pas studimit, ata nxorën kutinë nga merrnin djathin. Me shkronja të mëdha ishte shkruar në anglisht: «Nga populli amerikan për popullin spanjoll. Ndalohet shitja.» Si e kishte marrë djathin kjo familje e varfër? Shteti përdorte Kishën Katolike për t’ua ndarë atë të varfërve. Kurse prifti e shiste!

Shërbim i frytshëm me ushtarët

Shpejt ndodhi diçka e mrekullueshme, që do të tregohej një bekim i pasur për ne dhe për shumë të tjerë. Morëm një shënim nga zyra e degës që na kërkonte të vizitonim një burrë të ri me emrin Uolltër Kedash, i cili ndodhej në bazën e forcave ajrore të SH.B., në Torejon, disa kilometra larg nga Madridi. Vizituam atë dhe të shoqen, filluam një studim biblik me të dhe me një çift tjetër të forcave ajrore.

Gjatë asaj kohe, drejtoja rreth pesë studime biblike me personelin e forcave ajrore të SH.B. dhe të gjitha në anglisht pa dyshim. Shtatë prej tyre më vonë u pagëzuan dhe pasi u kthyen në Shtetet e Bashkuara, katër prej burrave u bënë pleq kongregacioni.

Ajo ishte një kohë kur ishin shumë të pakta mënyrat për të marrë libra, revista dhe Bibla në vend, për shkak të ndalimit të veprës. Megjithatë, disa literaturë u fut nga turistët dhe lidhjet me amerikanët. Mua më caktoi zyra të vija në veprim një pikë sekrete të grumbullimit të literaturës. Ishte në një depozitë prapa një kartolerie, në Valekas. Gruaja e pronarit ishte Dëshmitare e Jehovait. Megjithëse nuk ishte Dëshmitar, pronari e respektonte veprën tonë, dhe madje duke vënë në rrezik të madh veten dhe biznesin e tij, më lejoi të përdorja zonën e prapme për të përgatitur pakot e literaturës që dërgohej nëpër qytete në të gjithë vendin. Pasi kjo dhomë gjithmonë duhej të dukej se ishte ashtu siç e mendonin të tjerët, një dhomë rrëmujë dhe e pluhurosur plot me kartonë, m’u desh të ndërtoja një banak dhe rafte që mund të montoheshin shpejt e të fshiheshin brenda sekondave. Në fund të ditës, duhej të prisja derisa të iknin të gjithë nga dyqani e pastaj të dilja me pakot.

Ishte një privilegj i vërtetë të merrja pjesë në shpërndarjen e materialit frymor, të tillë si revistat Kulla e Rojës dhe Zgjohuni! dhe literaturë tjetër për kongregacionet në të gjithë vendin. Ato ishin kohë emocionuese.

Rita kishte kënaqësinë të drejtonte 16 studime biblike në shtëpi. Rreth gjysma e tyre u bënë Dëshmitarë të pagëzuar të Jehovait. Doloresi ishte një grua e re e martuar që i kalonte dimrat e ftohtë në krevat, për shkak të problemeve të zemrës. Në pranverë çohej dhe ishte në njëfarë mënyre aktive. Besimi i Doloresit ishte aq i fortë, saqë kur erdhi koha e kongresit krahinor në Tuluz të Francës, ajo dëshironte shumë të shkonte. Një mjek e këshilloi se nuk do të ishte e mençur ta bënte, për shkak të gjendjes së zemrës. Nuk mori bagazhe, por veshi një fustan shtëpie dhe pantoflat e shkoi në stacionin e trenit për të përshëndetur të shoqin, nënën e të tjerët. Me lot në sy nuk mund t’i shihte të shkonin pa të, kështu që hipi në tren e shkoi në Francë! Rita nuk dinte asgjë për këtë. Prandaj, ç’surprizë qe për të ta shihte Doloresin në asamble me një buzëqeshje nga veshi në vesh.

Një studim biblik i pazakontë

Nuk mund ta mbyllim këtë tregim të caktimit tonë në Madrid, pa përfshirë Don Beninjo Frankon, «el profesor». Një Dëshmitar lokal më mori të vizitonim një burrë të moshuar që jetonte me të shoqen në një shtëpi shumë të varfër. Fillova me të një studim biblik. Pasi studiuam për rreth një vit e gjysmë, ai kërkoi të pagëzohej dhe u bë një Dëshmitar i Jehovait.

Ky burrë i moshuar, Don Beninjo Franko, ishte kushëriri i Françisko Frankos, diktatorit të Spanjës në atë kohë. Me sa duket Don Beninjo kishte qenë gjithmonë një njeri që e donte lirinë. Gjatë luftës civile spanjolle, ai ishte simpatizues i Republikës dhe ishte kundër kushëririt të tij, gjeneralit që fitoi luftën dhe vendosi diktaturën katolike. Qysh nga 1939-a, Don Beninjos i ishte mohuar e drejta për të punuar dhe ishte kufizuar në një jetesë shumë të thjeshtë. Kështu, kushëriri i Komandantit të Përgjithshëm Françisko Franko, diktator i Spanjës, u bë Dëshmitar i Jehovait.

Një ftesë e papritur

Në 1965-ën, zyra e degës në Spanjë na ftoi të fillonim udhëtimin në veprën qarkore në Barcelonë. Kjo do të thoshte të linim të gjithë vëllezërit e dashur, me të cilët kishim qenë shumë të lidhur në Madrid. Tani do të kishim jo vetëm një përvojë të re, por për mua gjithashtu edhe një sprovë. Përvoja ishte e frikshme, sepse gjithmonë dyshoja në aftësinë time. E di fare mirë se ishte Jehovai ai që më dha mundësi të isha i efektshëm në këtë fushë të shërbimit.

Të vizitoje një kongregacion çdo javë, do të thoshte të jetoje në shtëpitë e vëllezërve. Gjithçka që kishim duhej ta rrasnim nëpër valixhe dhe gati çdo dy javë ndërronim shtëpi. Kjo gjë është veçanërisht e vështirë për një grua. Por shpejt José dhe Roser Escudé, që jetonin në Barcelonë, na ftuan të qëndronim me ta për ditë me radhë. Kjo ishte shumë e dashur nga ana e tyre, sepse do të thoshte se kishim një vend të përhershëm ku të futnim plaçkat dhe një vend ku mund të ktheheshim rregullisht të dielave në mbrëmje.

Rita dhe unë i kaluam katër vjetët që erdhën më pas në veprën qarkore në provincën e Katalonës, në bregdetin mesdhetar. Të gjitha mbledhjet tona biblike mbaheshin fshehurazi nëpër shtëpi private dhe predikimi shtëpi më shtëpi bëhej gjithashtu me maturi për të mos tërhequr vëmendjen. Ndonjëherë të dielave mblidhej një kongregacion i tërë në pyll për të bërë «piknik», veçanërisht kur mbahej ndonjë asamble qarkore.

Gjithmonë do t’i admiroj shumë ata vëllezër të devotshëm frymorë, të cilët rrezikuan punën dhe lirinë, duke u vënë në veprim për të mbajtur kongregacionin të bashkuar dhe aktiv. Shumë prej tyre morën drejtimin për të përhapur veprën në qendrat jashtë qytetit. Kjo formoi bazën për rritjen e madhe në Spanjë pasi u hoq ndalimi dhe u lejua liria fetare në 1970-ën.

Të detyruar për të lënë caktimin tonë misionar

Gjatë dhjetë vjetëve në Spanjë, situata jonë me prindërit e kishte vënë në rrezik këtë bekim special në shërbim të Jehovait. Në disa raste, gati e lamë caktimin tonë për të shkuar në shtëpi e për t’u kujdesur për nënën dhe babanë. Megjithatë, falë motrave dhe vëllezërve të dashur në kongregacionet pranë prindërve të mi, mundëm të vazhdonim në Spanjë. Po, privilegji për të shërbyer ato vite në veprën misionare ishte bërë i mundur pjesërisht nga të tjerët që morën pjesë me ne në vënien e interesav e të Mbretërisë në vend të parë.

Së fundi, në dhjetor të 1968-ës, u kthyem në shtëpi për t’u kujdesur për nënën time. Po atë muaj kishte vdekur babai dhe nëna kishte mbetur vetëm. Meqenëse ishim relativisht akoma të lirë për të shërbyer në kohë të plotë, morëm një caktim për të shërbyer në veprën qarkore, por këtë herë në Shtetet e Bashkuara. Për 20 vjetët pasues, shërbyem në qarqet në gjuhën spanjolle. Megjithëse kishim humbur perlën tonë me vlerë shumë të madhe misionare, na kishte ardhur në dorë një tjetër.

Predikimi në mes të drogës dhe dhunës

Tani shërbenim krah për krah me shumë motra e vëllezër që jetonin në lagje qytetesh me tregues të lartë kriminaliteti. Pikërisht javën e parë që ishim në veprën qarkore në Bruklin, Ritës i rrëmbyen çantën.

Njëherë unë dhe Rita ishim me një grup që predikonte shtëpi më shtëpi në një lagje tjetër të qytetit të Nju Jorkut. Në një qoshe rruge vumë re disa njerëz të rreshtuar përballë një grope në murin e një ndërtese të braktisur. Pak më tej, vumë re një djalosh, që qëndronte në trotuar e na kishte fiksuar. Ishte edhe një tjetër në një qoshe më tej që shikonte se mos vinin policë. Kishim vajtur në mes të transportimit dhe shitjes së drogës paligjshmërisht! Roja i parë u tromaks, por kur pa revistën Kulla e Rojës u qetësua. Në fund të fundit, mund të kisha qenë një oficer polic! Më pas, ai thirri në spanjisht: «¡Los Atalayas! ¡Los Atalayas!» (Kullat e Rojës! Kullat e Rojës!) Ata e dinin se kush ishim, duke na identifikuar me revistë dhe çdo gjë ishte në rregull. Kur i kalova afër, i thashë: «¿Buenos dias, como está?» (Mirëmëngjes, si jeni?) Ai u përgjigj duke më kërkuar të lutesha për të!

Një vendim i vështirë

Në 1990-ën, u bë e qartë se nëna kishte nevojë që të isha me të çdo ditë. U përpoqëm shumë të vazhdonim në veprën udhëtuese, por arsyeja na diktonte se nuk ishte e mundur të plotësonim të dyja detyrimet. Dëshironim që nëna të merrte kujdesin e dashur për të cilin kishte nevojë. Por edhe kësaj radhe duhej të dorëzonim një perlë me vlerë shumë të madhe, diçka që për ne ishte shumë e çmuar. Të gjithë margaritarët e vërtetë në botë dhe gjithçka që mund të merret me to, nuk janë asgjë në krahasim me margaritarët e shërbimit si misionar apo si mbikëqyrës udhëtues në organizatën e Jehovait.

Rita dhe unë tani i kemi kapur të 60-at. Jemi shumë të kënaqur e ndjejmë gëzim duke shërbyer me një kongregacion lokal në gjuhën spanjolle. Kur kujtojmë vitet e kaluara në shërbim të Jehovait, e falënderojmë që na besoi disa perla me vlerë të madhe.

[Figura në faqen 23]

Me Ritën dhe Pol e Evelin Hendertmark (djathtas) jashtë arenës së Madridit

[Figura në faqen 24]

Ndërsa i shërbej një kongregacioni gjatë një «pikniku» në pyll

    Botimet shqip (1993-2025)
    Shkëputu
    Hyr me identifikim
    • shqip
    • Dërgo
    • Parametrat
    • Copyright © 2025 Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania
    • Kushtet e përdorimit
    • Politika e privatësisë
    • Parametrat e privatësisë
    • JW.ORG
    • Hyr me identifikim
    Dërgo