BIBLIOTEKA ONLINE Watchtower
Watchtower
BIBLIOTEKA ONLINE
shqip
Ë
  • Ë
  • ë
  • Ç
  • ç
  • BIBLA
  • BOTIME
  • MBLEDHJE
  • w95 15/9 f. 5-8
  • Fundi i urrejtjes në të gjithë botën

Nuk ka video për këtë zgjedhje.

Na vjen keq, ka një problem në ngarkimin e videos

  • Fundi i urrejtjes në të gjithë botën
  • Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1995
  • Nëntema
  • Material i ngjashëm
  • Fitorja mbi urrejtjen në një kamp përqendrimi
  • Një kohë për të urryer
  • Një botë pa urrejtje
  • A do të mbarojë ndonjëherë urrejtja?
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1995
  • Pse ekziston rrethi vicioz i urrejtjes?
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait 2022 (Për publikun)
  • Kur të mos ketë më urrejtje!
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait 2022 (Për publikun)
  • Mund të triumfojmë mbi urrejtjen!
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait 2022 (Për publikun)
Shih më tepër
Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1995
w95 15/9 f. 5-8

Fundi i urrejtjes në të gjithë botën

RRETH dy mijë vjet më parë, një pakicë njerëzish ishte viktimë e urrejtjes. Tertuliani shpjegon qëndrimin mbizotërues të romakëve kundrejt të krishterëve të hershëm: «Nëse nga qielli nuk bie shi, nëse ka një tërmet, nëse ka uri ose murtajë, menjëherë nuk dëgjohet tjetër veçse një britmë: ‘Të krishterët tek luani!’»

Pavarësisht se ishin viktima të urrejtjes, të krishterët e hershëm i rezistuan tundimit për t’u hakmarrë për padrejtësinë. Në fjalimin e tij të famshëm në mal, Jezu Krishti tha: «Keni dëgjuar se qe thënë: ‘Duaje të afërmin tënd dhe urreje armikun tënd.’ Por unë po ju them: ‘Duani armiqtë tuaj . . . dhe lutuni për ata që ju keqtrajtojnë.’»​—Mateu 5:43, 44.

Hebrenjtë e kishin traditë gojore faktin që «urrejtja e një armiku» ishte diçka e drejtë. Megjithatë, Jezui tha se duhet të duam jo vetëm mikun, por edhe armikun. Kjo është e vështirë, por jo e pamundur. Të duash armikun nuk do të thotë të aprovosh të gjitha rrugët apo veprat e tij. Fjala greke që gjendet në tregimin e Mateut vjen nga a·gaʹpe, e cila përshkruan një dashuri që vepron në harmoni me parimet. Personi që shfaq a·gaʹpe, dashurinë në parim, i bën mirë edhe një armiku që e urren dhe e keqtrajton atë. Përse? Sepse është një mënyrë për të imituar Krishtin dhe për të fituar mbi urrejtjen. Një dijetar grek vërejti: «[A·gaʹpe] na jep mundësi të fitojmë mbi prirjen tonë të natyrshme për t’u zemëruar dhe për t’u hidhëruar.» Por, a është e efektshme kjo në botën e sotme plot me urrejtje?

Duhet pranuar se jo të gjithë ata që pohojnë se janë të krishterë janë të vendosur për të ndjekur shembullin e Krishtit. Barbarizmat e fundit në Ruanda, u zhvilluan nga grupet etnike, shumë anëtarë të të cilave pohonin se ishin të krishterë. Pilar Díez Espelosín, një murgeshë katolike romake që për 20 vjet me radhë kishte punuar në Ruanda, tregon një incident. Një burrë iu afrua kishës së saj duke vringëllur një shtizë që me sa duket e kishte përdorur edhe më parë. Murgesha e pyeti: «Përse sillesh lart e poshtë duke vrarë njerëz? Nuk mendon për Krishtin?» Ai pohoi se mendonte dhe hyri në kishë, ra në gjunjë dhe recitoi me zjarr rruzaret. Kur mbaroi doli e vazhdoi të vriste. «Kjo tregon se nuk po i mësojmë siç duhet ungjijtë»,—pranoi murgesha. Megjithatë, ky dështim nuk do të thotë se mesazhi i Jezuit është i mangët. Ata që e praktikojnë krishterimin e vërtetë mund të fitojnë mbi urrejtjen.

Fitorja mbi urrejtjen në një kamp përqendrimi

Maks Liebster është një hebre natyral që jetoi gjatë Olokaustit. Megjithëse mbiemri i tij do të thotë «i dashur», ai e ka njohur urrejtjen nga shumë afër. Ai tregon se çfarë mësoi në Gjermaninë naziste mbi dashurinë dhe urrejtjen.

«U rrita afër Manheimit në Gjermani gjatë viteve ’30. Hitleri ngulte këmbë se të gjithë hebrenjtë ishin spekulatorë të pasur që shfrytëzonin popullin gjerman. Por e vërteta ishte se im atë ishte vetëm një këpucar i papërfillshëm. Megjithatë, për shkak të ndikimit të propagandës naziste, fqinjët filluan të ktheheshin kundër nesh. Kur isha adoleshent, një fshatar më ndoti me forcë me gjak derri në ballë. Kjo fyerje e rëndë ishte vetëm shenja paralajmëruese e asaj që do të ndodhte në të ardhmen. Në 1939-ën, Gestapoja më arrestoi e më konfiskoi gjithçka që zotëroja.

Nga janari i 1940-ës deri në maj të 1945-ës, luftova për të mbijetuar në pesë kampe të ndryshme përqendrimi: Zaksenhauzen, Neuengame, Aushvic, Buna dhe Bushenvald. Im atë, i cili ishte çuar edhe ai në Zaksenhauzen, vdiq gjatë dimrit të tmerrshëm të 1940-ës. Unë vetë e mbajta kufomën për në dhomat e djegies, ku një pirg me trupa të vdekur shtriheshin duke pritur që të digjeshin. Gjithsej tetë nga familja ime vdiqën nëpër kampe.

Mes të burgosurve, kapot ishin më të urryer se rojet SS. Kapot ishin të burgosur që bashkëpunonin me SS-të e në këtë mënyrë gëzonin disa favore. Ishin ngarkuar që të mbikëqyrnin ndarjen e ushqimit dhe t’u jepnin fshikullima të burgosurve të tjerë. Shpesh vepronin padrejtësisht dhe abuzonin. Mendoj se kisha boll arsye për të urryer si SS-të, ashtu edhe kapot, por gjatë burgosjes mësova se dashuria është më e fuqishme se urrejtja.

Qëndresa e të burgosurve Dëshmitarë të Jehovait më bindi se besimi i tyre bazohej mbi Shkrimet, kështu u bëra edhe unë Dëshmitar. Ernst Vauer, një Dëshmitar që e takova në kampin e përqendrimit në Neuengame, më nxiti të kultivoja qëndrimin mendor të Krishtit. Bibla thotë se «kur e fyenin, nuk e kthente fyerjen, kur vuante, nuk kërcënonte, po dorëzohej tek ai që gjykon drejtësisht». (1. Pjetrit 2:23) U përpoqa të bëja edhe unë kështu, ta lija hakmarrjen në duart e Perëndisë, që është Gjykatësi i të gjitha gjërave.

Nga vitet që kalova nëpër kampe mësova se njerëzit shpesh bëjnë të liga nga padija. Jo të gjithë SS-të ishin të këqinj; njëri prej tyre më shpëtoi jetën. Njëherë pata një atak akut diarreje dhe nuk kisha fuqi të bëja rrugën nga puna në kamp. Mëngjesin tjetër do të kisha përfunduar në dhomat me gaz të Aushvicit, por një roje SS që vinte nga e njëjta zonë e Gjermanisë si unë, ndërhyri për mua. E rregulloi që të punoja në vetëshërbimin e SS-ve, ku munda të shplodhesha pak deri sa mora veten. Një ditë ai më tha: ‘Maks, më duket sikur jam në një tren që ecën me shpejtësi të madhe dhe po del jashtë kontrollit. Po të zbres, bëhem copë e çikë. Po të qëndroj, do të copëtohem bashkë me të!’

Këtyre njerëzve u duhej dashuri po aq sa edhe mua. Në fakt, ishte dashuria dhe dhembshuria bashkë me besimin në Perëndinë që më dha mundësi të përballoja kushtet e mjerueshme dhe kërcënimin e përditshëm të ekzekutimit. Nuk mund të them se mbijetova i padëmtuar, por plagët e mia emocionale ishin të vogla.»

Ngrohtësia dhe mirësia që Maksi akoma rrezaton 50 vjet më pas, tregojnë me elokuencë se këto fjalë janë të vërteta. Rasti i Maksit nuk është i vetmi. Ai kishte një arsye të fortë për të mposhtur urrejtjen: donte të imitonte Krishtin. Të tjerë akoma, jeta e të cilëve drejtohej nga Shkrimet, kanë vepruar në mënyrë të ngjashme. Simoni, një Dëshmitar i Jehovait nga Franca, tregon se si e mësoi domethënien e vërtetë të dashurisë altruiste.

«Nëna ime, Ema, që u bë Dëshmitare pak para Luftës II Botërore, më mësoi se njerëzit shpesh bëjnë gjëra të këqija nga padija. Ajo më shpjegoi se nëse ne i urrejmë ata ashtu si ata na urrejnë neve, atëherë nuk jemi të krishterë të vërtetë, sepse Jezui tha se duhet t’i duam armiqtë dhe të lutemi për ata që na persekutojnë.​—Mateu 5:44.

Më kujtohet një situatë tepër e vështirë që vuri në provë këtë bindje. Gjatë pushtimit nazist të Francës, nëna vuajti nga duart e një fqinje në pallatin tonë. Ajo e kallëzoi në Gestapo e si rezultat, nëna kaloi dy vjet nëpër kampet gjermane të përqendrimit ku rrezikoi edhe të vdiste. Pas luftës, policia franceze dëshironte nga nëna që të nënshkruante një letër që e akuzonte këtë grua si bashkëpunëtore e gjermanëve. Nëna nuk pranoi duke thënë se ‘Perëndia është Gjykatësi dhe Shpërblyesi i të mirës dhe të keqes’. Pak vjet më pas, kjo fqinjë u sëmur me kancer të gradës së fundit. Në vend se të gëzohej për fatkeqësinë e saj, nëna kaloi shumë orë duke ia bërë muajt e fundit të jetës sa më të rehatshme që të ishte e mundur. Kurrë nuk do ta harroj këtë triumf të dashurisë mbi urrejtjen.»

Këto dy shembuj ilustrojnë fuqinë e dashurisë në parim përballë padrejtësisë. Megjithatë, vetë Bibla thotë se ka «një kohë për të dashur dhe një kohë për të urryer». (Eklisiastiu 3:1, 8) Si është e mundur?

Një kohë për të urryer

Perëndia nuk i dënon të gjitha llojet e urrejtjes. Lidhur me Jezu Krishtin, Bibla thotë: «E ke dashur drejtësinë dhe e ke urryer paudhësinë.» (Hebrenjve 1:9) Megjithatë, ka një ndryshim midis urrejtjes së gabimit dhe urrejtjes së personit që gabon.

Jezui tregoi ekuilibrin e drejtë ndërmjet dashurisë dhe urrejtjes. Ai urrente hipokrizinë, por u përpoq të ndihmonte hipokritët të ndryshonin mënyrën e tyre të të menduarit. (Mateu 23:27, 28; Luka 7:36-50) Ai e dënoi dhunën, por u lut për ata që e ekzekutuan. (Mateu 26:52; Luka 23:34) Megjithëse bota e urrente atë pa shkak, ai dha jetën e tij që t’i jepte jetë botës. (Gjoni 6:33, 51; 15:18, 25) Ai na la një shembull të përsosur të dashurisë në parim dhe të urrejtjes hyjnore.

Padrejtësia mund të ngjallë indinjatë morale në ne, ashtu siç u indinjua edhe Jezui. (Luka 19:45, 46) Megjithatë, të krishterët nuk autorizohen ta vënë drejtësinë me duart e tyre. «Mos ia ktheni kurrkujt të keqen me të keqe,—i këshilloi Pavli të krishterët në Romë.—Po të jetë e mundur dhe aq sa varet prej jush, jetoni në paqe me gjithë njerëzit. Mos u hakmerrni për veten tuaj. . . . Mos u mund nga e keqja, por munde të keqen me të mirën.» (Romakëve 12:17-21) Kur refuzojmë personalisht të ushqejmë urrejtje ose të hakmerremi për një gabim, bëjmë që dashuria të fitojë.

Një botë pa urrejtje

Që urrejtja të zhduket në nivel botëror, duhet të ndryshojë qëndrimi i rrënjosur në miliona njerëz. Si mund të arrihet kjo? Profesori Ervin Staub propozon atë që vijon: «Ne nënvlerësojmë ata që dëmtojmë dhe vlerësojmë ata që ndihmojmë. Nëse i vlerësojmë më shumë njerëzit që ndihmojmë dhe ndiejmë kënaqësinë që vjen nga dhënia e ndihmës, e shohim veten si më të kujdesshëm dhe më të dobishëm. Një prej synimeve tona duhet të jetë krijimi i shoqërisë, në të cilën të ketë një pjesëmarrje sa më të gjerë që të jetë e mundur në dhënien e ndihmës të tjerëve.»​—The Roots of Evil.

Me fjalë të tjera, zhdukja e urrejtjes kërkon krijimin e një shoqërie, ku njerëzit të mësojnë të duhen duke ndihmuar njëri-tjetrin, një shoqëri ku njerëzit të harrojnë të gjitha urrejtjet e shkaktuara nga paragjykimi, nacionalizmi, racizmi dhe ndarja fisnore. A ekziston një shoqëri e tillë? Le të shohim përvojën e një burri që përballoi personalisht urrejtje gjatë revolucionit kulturor në Kinë.

«Kur filloi revolucioni kulturor, na u mësua se nuk kishte vend për kompromise në ‘luftën e klasave’. Prirja mbizotëruese ishte urrejtja. U bëra roje e kuqe dhe kërkoja gjithkund ‘armiqtë e klasës’ madje edhe në vetë familjen time. Megjithëse në atë kohë isha adoleshent, merrja pjesë në bastisjet e shtëpive, në të cilat kërkonim prova për ‘prirje reaksionare’. Gjithashtu, drejtova një mbledhje publike, në të cilën denoncohej një ‘kundërrevolucionar’. Pa dyshim, këto akuza nganjëherë bazoheshin më shumë në urrejtjen personale, sesa në gjykimet politike.

Pashë shumë njerëz, të rinj e të vjetër, burra e gra, t’u jepej ndëshkim trupor që bëhej gjithnjë e më mizor. Një nga mësuesit e mi të shkollës, një goxha burrë, e tallën në rrugë sikur të ishte kriminel. Dy muaj më vonë një tjetër mësues i respektuar i shkollës sime u gjet i vdekur në lumin Suzhou dhe mësuesi im i anglishtes u detyrua të varte veten. Isha i tronditur dhe i hutuar. Ata ishin njerëz të mirë. Ishte gabim t’i trajtoje kështu. Në këtë mënyrë ndërpreva të gjitha lidhjet me rojet e kuqe.

Nuk jam i mendimit se ajo valë urrejtjeje që për pak kohë përfshiu Kinën, ishte rasti i vetëm. Ky shekull ka parë shumë shpërthime urrejtjeje. Megjithatë, jam i bindur se dashuria mund ta mposhtë urrejtjen. Është një gjë që e kam parë vetë. Kur fillova të shoqërohesha me Dëshmitarët e Jehovait, u befasova nga dashuria e sinqertë që tregonin për njerëzit e racave dhe mjediseve të ndryshme. Shikoj përpara në kohën kur, siç premton Bibla të gjithë njerëzit do të mësojnë të duan njëri-tjetrin.»

Po, shoqëria ndërkombëtare e Dëshmitarëve të Jehovait është një dëshmi e gjallë se urrejtja mund të zhduket. Dëshmitarët e çdo mjedisi po përpiqen ta zëvendësojnë paragjykimin me respektin reciprok dhe të shfarosin çdo gjurmë ndarjeje, racizmi dhe nacionalizmi. Një bazë për suksesin e tyre është vendosmëria për të imituar Jezu Krishtin në shfaqjen e dashurisë së drejtuar nga parimet. Një bazë tjetër është se besojnë që Mbretëria e Perëndisë do t’i japë fund çdo padrejtësie që ata mund të vuajnë.

Mbretëria e Perëndisë është zgjidhja përfundimtare për arritjen e një bote pa urrejtje, një bote në të cilën as e keqja nuk do të ekzistojë për t’u urryer. E përshkruar në Bibël si «qiejt e rinj», kjo qeveri qiellore do të garantojë një botë pa padrejtësi. Ajo do të sundojë mbi «një tokë të re» ose një shoqëri të re njerëzish, të cilët do të mësohen të duan njëri-tjetrin. (2. Pjetrit 3:13; Isaia 54:13) Kjo vepër arsimimi është tashmë në progres, siç tregojnë përvojat e Maksit, Simonit dhe shumë të tjerëve. Është një shijim para kohe i një programi mbarëbotëror të shfarosjes së urrejtjes dhe shkaqeve të saj.

Përmes profetit të tij, Isaisë, Jehovai përshkruan rezultatin: «Nuk do të bëhet asnjë e keqe, asnjë shkatërrim mbi tërë malin tim të shenjtë, sepse vendi do të mbushet me njohurinë e Zotit, ashtu si ujërat mbulojnë detin.» (Isaia 11:9) Vetë Perëndia do t’i thotë ndal urrejtjes. Vërtet, do të jetë një kohë kur do të mbretërojë dashuria.

[Figurat në faqen 7]

Nazistët shënuan një numër burgu në krahun e majtë të Maks Liebsterit

[Figura në faqen 8]

Së shpejti urrejtja do të jetë një gjë e së kaluarës

    Botimet shqip (1993-2025)
    Shkëputu
    Hyr me identifikim
    • shqip
    • Dërgo
    • Parametrat
    • Copyright © 2025 Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania
    • Kushtet e përdorimit
    • Politika e privatësisë
    • Parametrat e privatësisë
    • JW.ORG
    • Hyr me identifikim
    Dërgo