Dëshmitarët e Jehovait nëpër botë—Brazili
BRAZILI është një vend gjigant nën shumë aspekte. Si nga përmasat, ashtu edhe nga popullsia, ai është vendi i pestë më i madh në botë. Ai mbulon një sipërfaqe gati sa gjysma e Amerikës Jugore dhe ka më shumë banorë se të gjitha vendet e atij kontinenti së bashku. Gjithashtu, Brazili ka edhe pyjet e lagura më të mëdha në botë. Përmes tyre derdhet lumi më i fuqishëm i tokës, Amazona.
Brazili është, gjithashtu, gjigant edhe në një kuptim tjetër. Numri i lajmëtarëve të lajmit të mirë të Mbretërisë së Perëndisë atje është afro 400.000 dhe vitin e shkuar më se 1.000.000 veta morën pjesë në Përkujtimin e vdekjes së Krishtit. Prandaj, ky vend del në pah, për sa i përket veprës së predikimit të Mbretërisë. Përvoja të kohëve të fundit e ilustrojnë këtë fakt.
Shërbim atje ku nevoja është më e madhe
Antonio dhe gruaja e tij morën një vendim të vështirë, për të lënë të afërmit e tyre dhe një punë me rrogë të mirë në Sao Paulo, që të shërbenin aty ku nevoja për lajmëtarë të Mbretërisë ishte më e madhe, në shtetin e Minas Gerais. Territori i tyre përfshinte një koloni punëtorësh, në një rafineri sheqeri. Ditën e parë që predikuan aty, filluan nëntë studime biblike. Brenda 18 muajsh, ata drejtonin më shumë se 40 studime!
Fillimisht, mbledhjet mbaheshin brenda rafinerisë. Megjithatë, lajmëtarët e rinj dëshironin të shihnin një Sallë Mbretërie të vërtetë. Prandaj, morën me qira një autobus për 75 persona e shkuan në kongregacionin më të afërm. Pastaj, u mbajt një kongres; 45 studentë të rinj të Biblës ishin të pranishëm dhe u intervistuan. Në atë rast u pagëzuan 15 prej tyre. E kotë ta themi, u derdhën lot gëzimi!
E njëta shoqëri autobusësh u përdor për udhëtime të ngjashme dhe zyrtarët ofruan çmime speciale. Për të shprehur mirënjohjen, Antonio i ofroi një libër për studimin e Biblës pronarit të firmës. Ai pranoi të studionte Biblën që atë mbrëmje dhe u pagëzua pas disa muajsh të një studimi të zellshëm. Së pari, e shoqja ishte kundër studimit, por me kalimin e kohës qëndrimi i saj u zbut. Sot, edhe ajo është një Dëshmitare e pagëzuar e Jehovait.
Në shkurt 1992 u formua një kongregacion me 22 lajmëtarë aktivë. Në 1994-ën, ky numër ishte rritur në 42, me 4 pionierë të rregullt apo predikues të lajmit të mirë në shërbim të plotë kohor. Si rezultat, Antonio përfundon: «Gruaja ime dhe unë kemi parë se nëse ‘e vëmë në provë Jehovain’, siç pohon Malakia 3:10, ai ‘do të derdhë mbi ne aq shumë bekime, sa nuk do të kemi më vend ku t’i shtiem’.»
Ofrimi i literaturës biblike
Ndoshta një arsye tjetër që vepra e predikimit po merr përmasa të tilla gjigante në Brazil, është se Dëshmitarët ofrojnë literaturë biblike në çdo rast. Për shembull, një kongregacion i shkroi zyrës së degës së Shoqatës Watch Tower, duke kërkuar 250 kopje të librit Të rinjtë pyesin—Përgjigje praktike. Përse një kërkesë kaq e madhe?
Letra shpjegonte: «Një nga shkollat në qytet ka vendosur ta përdorë këtë libër si material studimi në një nga klasat. Vendimi i autoriteteve të shkollës erdhi pas dëshmisë joformale që kishin bërë prindërit e studentëve Dëshmitarë të Jehovait dhe një nga mbikëqyrësit e shkollës. Jehovai i bekoftë shërbëtorët e tij, ndërsa vazhdojnë të sigurojnë një mësim të shkëlqyeshëm me anë të këtij libri.» Po, dhe Jehovai le të vazhdojë të bekojë përparimin e shkëlqyeshëm të veprës së predikimit të Mbretërisë në vendin gjigant të Brazilit.
[Kutia në faqen 8]
STATISTIKA E VENDIT
Viti i shërbimit 1994
NUMRI MAKSIMAL I LAJMËTARËVE: 385.099
RAPORTI: 1 Dëshmitar në 404
PJESËMARRJA NË PËRKUJTIM: 1.018.210
MESATARJA E PIONIERËVE: 38.348
MESATARJA E STUDIMEVE BIBLIKE: 461.343
NUMRI I TË PAGËZUARVE: 24.634
NUMRI I KONGREGACIONEVE: 5.928
ZYRA E DEGËS: CESÁRIO LANGE
[Figura në faqen 9]
Veturë me sistem akustik që përdorej në Sao Paulo, rreth vitit 1940
[Figura në faqen 9]
Dëshmi në Kopshtin Botanik në Rio de Zhaneiro
[Figura në faqen 9]
Zyra e degës në Cesário Lange