Shpërblimet e qëndrueshmërisë
AJO ishte një grua greke që jetonte në Feniki, në vitin 32 të e.s. Vajza e saj ishte tepër e sëmurë dhe gruaja po kërkonte me dëshpërim një kurë për të bijën. Duke dëgjuar se një i huaj po vizitonte krahinën e saj, një i huaj që kishte famë për fuqinë për të shëruar të sëmurët, ajo ishte e vendosur ta gjente e të kërkonte ndihmën e tij.
Kur e takoi, ra në gjunjë, duke u lutur: «Ki mëshirë për mua, o Zot, o Bir i Davidit! Vajza ime është tmerrësisht e pushtuar nga një demon!» Në këtë mënyrë, gruaja iu lut Jezuit që t’i shëronte të bijën.
A mund të imagjinosh guximin dhe përulësinë që kërkohej prej saj për të bërë këtë? Jezui ishte një personazh me autoritet, me njëfarë fuqie dhe reputacioni dhe disa kohë më parë ai kishte lënë të ditur se nuk dëshironte që të tjerët të dinin se ku gjendej. Ai i kishte sjellë apostujt në Feniki për të pushuar, gjë për të cilën kishin shumë nevojë, e jo për të punuar midis paganëve jobesimtarë. Për më tepër, Jezui ishte hebre, ndërsa gruaja pagane dhe ajo pa dyshim e dinte që hebrenjtë nuk dëshironin të shoqëroheshin me njerëzit e përbuzur të kombeve. Megjithatë, ajo ishte e vendosur për të gjetur shërim për të bijën.
Jezui dhe apostujt e tij u përpoqën ta bindnin gruan që të mos kërkonte ndihmë në atë moment. Së pari, Jezui nuk i tha asnjë fjalë. Pastaj, për shkak të të qarave të saj të vazhdueshme, apostujt i thanë të dëshpëruar Jezuit: «Lëshoje atë, sepse po bërtet pas nesh.»
Por ajo nuk iu nda pa marrë përgjigje. Përkundrazi, ra në këmbët e Jezuit, duke thënë: «O Zot, ndihmomë!»
Duke theksuar përgjegjësinë e tij kryesore ndaj bijve të Izraelit e në të njëjtën kohë, duke provuar besimin dhe vendosmërinë e saj, Jezui i shpjegoi me dhembshuri: «Nuk është gjë e mirë të marrësh bukën e fëmijëve [izraelitëve] dhe t’ua hedhësh këlyshëve të qenve [paganëve].»
Në vend se të ofendohej nga kjo fyerje që iu bë racës së saj, ajo me përulësi këmbënguli në kërkesën e saj, duke ia kthyer: «Është e vërtetë, Zot, sepse edhe këlyshët e qenve hanë thërrimet që bien nga tryeza e zotërinjve të tyre.»
Jezui e shpërbleu qëndrueshmërinë e asaj gruaje greke, duke lavdëruar besimin e saj dhe duke vepruar në favor të lutjeve të saj. Imagjino gëzimin e saj, kur është kthyer në shtëpi dhe ka gjetur të bijën plotësisht të shëruar!—Mateu 15:21-28; Marku 7:24-30.
Si ajo grua në shekullin e parë, edhe ne kemi nevojë të jemi të qëndrueshëm në përpjekjet tona për t’i pëlqyer Jehovait e për të fituar favorin e tij. Si edhe në rastin e gruas greke, Bibla na siguron se qëndrueshmëria jonë «duke bërë mirë», do të shpërblehet më së miri.—Galatasve 6:9.
Ç’është qëndrueshmëria? Përse është e nevojshme? Cilët faktorë mund të shkaktojnë që ta humbim këtë cilësi e të dorëzohemi? Ç’shpërblime mund të presim, nëse ushtrojmë tani qëndrueshmëri në shërbim të Krijuesit dhe Atit tonë, Jehovait?
Fjalori i Gjuhës Shqipe e përcakton kështu foljen «qëndroj»: «Ngul këmbë, . . . nuk heq dorë . . . i përmbahem diçkaje, nuk e hedh poshtë, e mbaj . . . i bëj ballë pa u zmbrapsur, nuk dorëzohem. . . . përballoj pa u përkulur e me durim, duroj.»
Bibla i nxit vazhdimisht shërbëtorët e Jehovait që të qëndrojnë në kryerjen e vullnetit të tij. Për shembull, na është thënë ‘të vazhdojmë të kërkojmë së pari mbretërinë’, ‘të mbajmë të mirën’, ‘të këmbëngulim në lutje’ dhe «të mos lodhemi duke bërë të mirën».—Mateu 6:33, BR; 1. Selaniksve 5:21; Romakëve 12:12; Galatasve 6:9.
Në punët e jetës së përditshme, qëndrueshmëria është një cilësi, të cilën të gjithë ne duhet ta kemi e ta zhvillojmë, në mënyrë që të mbijetojmë. Pa të nuk mund të arrijmë asgjë me vlerë të vërtetë e të vazhdueshme. Merr, për shembull, rastin e një fëmije që përpiqet të qëndrojë në këmbë e të hedhë hapat e parë. Janë të rrallë ata fëmijë që mund të mësojnë të qëndrojnë në këmbë e të ecin lirisht qysh në ditën e parë. Si këto foshnje, të gjithë ne ndoshta përpiqemi dhe dështojmë shumë herë, përpara se të arrijmë njëfarë suksesi në ecjen tonë. Ç’do të kishte ndodhur, nëse pas dështimit të parë, të kishim vendosur që të mos përpiqeshim më? Mbase do të ishim ende duke ecur këmbadorazi! Qëndrueshmëria është e domosdoshme për të arritur objektiva të vlefshëm e të rritemi gradualisht në aftësitë tona e në respektin për vetveten. Siç thotë një shprehje: «Fitimtarët nuk zmbrapsen kurrë, ndërsa ata që zmbrapsen nuk fitojnë kurrë.»
Ata që shërbejnë si pionierë për një kohë të gjatë, e kuptojnë se suksesi nuk vjen nga ndonjë aftësi apo talent i veçantë. Duhet këmbëngulje, vendosmëri për të kryer vullnetin e Jehovait dhe kurajë për të përballuar vështirësitë e përkohëshme, madje dhe dëshpërimin. Pikësynimi për të marrë bekimet e përjetshme të Perëndisë duhet mbajtur qartë në vëmendje.
Po, të gjithë ne që përpiqemi të kemi favorin e Jehovait e të fitojmë në garën për jetën, kemi nevojë për qëndrueshmëri, këmbëngulje dhe durim. Pa këto cilësi, mund të humbim favorin e Jehovait dhe shpërblimin e jetës së vërtetë.—Psalmi 18:20; Mateu 24:13; 1. Timoteu 6:18, 19.
Për një të krishterë, shpesh është më e vështirë të jetë i qëndrueshëm në aktivitetet e tij frymore, se në detyrimet e tjera. Një burrë mund të punojë me forcë në vendin e tij të punës, për t’u kujdesur për nevojat fizike të familjes, por mund të jetë ‘tepër i lodhur’ për të drejtuar një studim të rregullt biblik me gruan dhe fëmijët e tij. Cilët faktorë e bëjnë kaq të vështirë për shumë veta qëndrueshmërinë në veprën e krishterë?
Një faktor është shkurajimi, i cili vjen prej vetë dobësive tona individuale. Nëse vazhdimisht mendojmë negativisht mbi gabimet tona, mund të dëshpërohemi e të dorëzohemi, duke menduar se Jehovai nuk do të mund të na i falë kurrë të gjitha mëkatet tona.
Një faktor tjetër është atmosfera botërore me imoralitet, korrupsion dhe urrejtje. (1. Gjonit 2:15, 16) Një nga «zakonet e mira» që mund të na dëmtojë ndikimi prej botës, është qëndrueshmëria e krishterë.—1. Korintasve 15:33.
Qëndrueshmëria në veprën e predikimit mund të dobësohet nga kundërshtimi publik apo nga indiferenca ndaj shërbimit tonë të shenjtë. Të zhgënjyer, mund të arrijmë në përfundimin se njerëzit në territorin tonë nuk e duan të vërtetën. Kjo mund të na nxisë të pyesim: «A ia vlen?» E kështu mund të heqim dorë nga privilegji i veçantë i shërbimit.
Mund të ndikohemi, gjithashtu, edhe nga fryma që ekziston në botë, për t’ia marrë shtruar. Përse duhet të luftojmë e të sakrifikohemi kaq shumë, në një kohë kur të gjithë duket se po ia kalojnë rehat e më së miri?—Krahaso Mateun 16:23, 24.
Për të qëndruar në kryerjen e vullnetit të Jehovait kemi nevojë të veshim personalitetin e krishterë e të jetojmë sipas frymës, jo sipas mishit. (Romakëve 8:4-8; Kolosianëve 3:10, 12, 14) Duke i shikuar gjërat nga pikëpamja e Jehovait, do të jemi në gjendje të kryejmë aktivitetet tona jetësore frymore.—1. Korintasve 16:13.
Shembuj qëndrueshmërie
Jehovai na ka siguruar shumë shembuj frymëzues të shërbëtorëve, të cilët qëndruan besnikë ndaj tij nëpër sprova të shumta e të ashpra. Duke i shqyrtuar ato, kuptojmë se si mund të zhvillojmë e të ushtrojmë qëndrueshmërinë e krishterë dhe përse na është kaq e vlefshme.
Shembulli më i madh është Jezui, i cili vuajti aq shumë për të lavdëruar emrin e Jehovait. Bibla na inkurajon të studiojmë me kujdes veprat e tij të qëndrueshmërisë së devotshme: «Prandaj edhe ne, duke qenë të rrethuar nga një re kaq e madhe dëshmitarësh, duke hedhur tej çdo barrë dhe mëkatin që na qarkon vazhdimisht duke na joshur, le të rendim me durim në udhën që është përpara nesh, duke i drejtuar sytë te Jezusi, kreu dhe plotësonjësi i besimit, i cili, për gëzimin që ishte përpara tij, duroi kryqin [shtyllëm e mundimeve, BR] duke e përçmuar fyerjen dhe u ul në të djathtën e fronit të Perëndisë. Kujtoni, pra, atë që duroi një kundërshtim të tillë nga ana e mëkatarëve kundër tij, që të mos lodheni dhe të ligështoheni në shpirtin tuaj.»—Hebrenjve 12:1-3.
Gara për jetën është një garë e gjatë, jo një sprint i shkurtër. Ja, përse kemi nevojë për qëndrueshmëri, ngjashëm Krishtit. Pikësynimi, vija e finishit, mund të jetë e padukshme gjatë pjesës më të madhe të garës. Qëllimi duhet të jetë i qartë në sytë e mendjes sonë, në mënyrë që mendërisht të jemi të prirë drejt tij gjatë gjithë rrugës që duhet të bëjmë. Jezui kishte një pamje të tillë mendore përpara tij, d.m.th., «gëzimin që ishte përpara tij».
Çfarë përfshin ky gëzim për të krishterët e sotëm? Pikësëpari, është shpërblimi me jetë të pavdekshme në qiell për disa dhe jeta e përhershme mbi tokë për shumicën. Gjithashtu, është edhe ndjenja e kënaqësisë që buron nga dijenia se i kemi sjellë gëzim zemrës së Jehovait dhe kemi bërë pjesën tonë në shenjtërimin e emrit të Perëndisë.—Proverbat 27:11; Gjoni 17:4.
Në këtë gëzim përfshihet edhe një marrëdhënie e ngushtë dhe e pëlqyeshme me Jehovain. (Psalmi 40:8; Gjoni 4:34) Kjo marrëdhënie forcon dhe mbështet jetën, duke i dhënë personit fuqinë për të vrapuar në garë me qëndrueshmëri e të mos dorëzohet. Për më tepër, Jehovai e bekon këtë marrëdhënie, duke derdhur frymën e tij të shenjtë mbi shërbëtorët e vet, gjë që sjell si rezultat rritjen e gëzimit dhe të aktiviteteve të gëzueshme.—Romakëve 12:11; Galatasve 5:22.
Shqyrtimi i shembullit të qëndrueshmërisë së Jobit është i dobishëm. Ai ishte i papërsosur dhe kishte një njohuri të kufizuar për situatën në të cilën gjendej. Prandaj, ndonjëherë ai justifikonte vetveten dhe binte në dëshpërim. Megjithatë, shfaqi vazhdimisht një vendosmëri të patundur për të mbajtur integritetin ndaj Jehovait dhe kurrë nuk e braktisi Atë. (Jobi 1:20-22; 2:9, 10; 27:2-6) Jehovai e shpërbleu Jobin për qëndrueshmërinë e devotshme që ai shfaqi, duke i dhënë bekime frymore dhe materiale, si edhe shpresën e jetës së përhershme. (Jobi 42:10-17; Jakovit 5:10, 11) Si Jobi, ne mund të pësojmë vuajtje dhe humbje të mëdha gjatë jetës sonë tani, por megjithatë mund të jemi të sigurt që Jehovai do ta bekojë qëndrueshmërinë tonë besnike.—Hebrenjve 6:10-12.
Në kohët moderne, Dëshmitarët e Jehovait si grup kanë treguar qëndrueshmëri të krishterë në kryerjen e vullnetit të Jehovait. Për shembull, vepra e tyre e vazhdueshme shtëpi më shtëpi dhe predikimi publik në forma të tjera, ka tërhequr mbi ta dhe mbi mesazhin e tyre vëmendjen mbarëbotërore. Mjetet e informacionit u janë referuar shpesh zellit dhe vendosmërisë së tyre në predikimin e lajmit të mirë, pavarësisht nga kundërshtimet dhe sprovat. Një nga ilustrimet mbante madje këtë frazë: «Askush nuk u shpëton dot Dëshmitarëve të Jehovait.»—Mateu 5:16.
Jehovai i ka bekuar përpjekjet e qëndrueshme të Dëshmitarëve të tij, duke shtuar frytet e shërbimit të tyre. Vëreni përvojën e disa Dëshmitarëve mendjemprehtë në Itali, kur në vitet ’60 kishte pak a shumë 10.000 Dëshmitarë që predikonin në një komb me më tepër se 53.000.000 banorë. Në një qytezë me 6.000 banorë, nuk kishte Dëshmitarë. Vëllezërit që shkonin atje i priste një reagim armiqësor ndaj shërbimit të tyre.
Sa herë që vëllezërit shkonin për të predikuar, shumë nga gratë e qytezës, madje edhe burra, grumbullonin kalamajtë dhe i nxisnin të ndiqnin Dëshmitarët, t’u fishkëllenin e të bënin potere. Pas pak minutash, vëllezërit ishin të detyruar të iknin dhe shkonin në një vend tjetër. Në përpjekje për t’u dhënë më në fund edhe një dëshmi të plotë të gjithë banorëve të kësaj qyteze, vëllezërit vendosën të predikonin atje vetëm në ditët kur binte shumë shi, duke shpresuar që kalamajtë të mos i bezdisnin. Ata vunë re që njerëzve s’ua kishte qejfi të lageshin në shi, vetëm për të bezdisur lajmëtarët. Kështu dhanë një dëshmi të mirë. Gjetën edhe persona të interesuar. Filluan studime të reja biblike. Si rezultat, në atë qytezë jo vetëm që u vendos një kongregacion i lulëzuar, por vepra filloi të kryhej edhe në ditë me diell. Jehovai ka vazhduar ta bekojë qëndrueshmërinë e Dëshmitarëve të tij në atë zonë dhe në të gjithë Italinë. Tani, në këtë vend ka më shumë se 200.000 Dëshmitarë të Jehovait.
Shpërblimet për qëndrueshmërinë në atë që është e drejtë, janë të mëdha. Me fuqinë e frymës së Perëndisë, Dëshmitarët e Jehovait kanë mundur të kryejnë një vepër të paparë në historinë e njerëzimit, veprën e predikimit të lajmit të mirë të Mbretërisë ndër miliona njerëz, nëpër dyer e tjetërsoj. (Zaharia 4:6) Ata kanë parë me gëzim plotësimin e profecisë biblike në rritjen e jashtëzakonshme dhe në gjallërinë e organizatës tokësore të Jehovait. (Isaia 54:2; 60:22) Ata kanë një ndërgjegje të pastër para Perëndisë dhe kënaqen me shpresën e jetës së përhershme. Mbi të gjitha, ata gëzojnë një marrëdhënie të ngushtë me Krijuesin, Perëndinë Jehova.—Psalmi 11:7.
[Figurat në faqen 25]
Jezui e shpërbleu qëndrueshmërinë e përulur të kësaj gruaje greke
[Figura në faqen 26]
Në gëzimin që është përpara të krishterëve sot, përfshihet edhe jeta në Parajsë