Kur do të pushojë frika?
DO TË habiteshe po të mësoje se siguria e vërtetë është e lidhur me një njeri që ka jetuar 2.000 vjet më parë? Për të treguar nevojën për të dashur, Jezu Krishti tha një ilustrim të famshëm: «Një burrë zbriste nga Jeruzalemi për në Jeriko dhe ra në duart e kusarëve, të cilët, mbasi e zhveshën dhe e bënë gjithë plagë, u larguan dhe e lanë gati të vdekur.» Edhe pse dy udhëtarë nuk e përfillën viktimën, një samaritan i sjellshëm tregoi mëshirë. Kush kujdeset, pra, sot për viktimat e krimit? A mund të presim ndonjë lehtësim nga frika?—Luka 10:30-37.
Edhe pse pohojnë se besojnë në Perëndinë, shumë veta mendojnë se ligji dhe rregulli duhen bërë që të respektohen nga njeriu. Por, a mund të marrin fund krimet e dhunshme vetëm duke caktuar dënime më të rënda burgimi apo duke pasur më shumë policë dhe me një rrogë më të lartë? A beson me të vërtetë se organizmat për zbatimin e ligjit, megjithë përpjekjet e sinqerta për të siguruar njëfarë sigurie, do të eliminojnë gjëra të tilla, si droga, krimi i organizuar dhe varfëria? Megjithatë, dëshira jonë e zjarrtë dhe etja për drejtësi nuk do të mbesin të kota.—Mateu 5:6.
Psalmi 46:1 thotë: «Perëndia është për ne një strehë dhe një forcë, një ndihmë gjithnjë e gatshme në fatkeqësi.» Do të shohim se këto nuk janë vetëm fjalë të bukura poetike.
Siç e di, mjetet e informacionit raportojnë përditë vrasje të pakontrollueshme nëpër luftrat civile dhe sulmet terroriste. Në disa pjesë të botës, është e zakonshme shfarosja e fëmijëve të padëshirueshëm apo e dëshmitarëve të ndonjë krimi. Përse është katandisur me kaq pak vlerë jeta? Edhe pse shkaqet e një dhune të tillë mund të jenë të ndryshme, ekziston një arsye që nuk duhet ta nënvlerësojmë.
Sipas Fjalës së Perëndisë, Biblës, «mbarë bota është nën pushtetin e Satanait». (1. Gjonit 5:19, ECM) Në fakt, Jezu Krishti nuk e identifikoi Satana Djallin vetëm si gënjeshtar, por edhe si «vrasës». (Gjoni 8:44) Duke ndikuar mbi njerëzimin në mënyra të ndryshme, kjo krijesë e fuqishme frymore po nxit rritjen e sotme të dhunës. «Mjerë ju banorë të tokës e të detit, sepse zbriti djalli drejt jush, duke pasur zemërim të madh, duke ditur se ka pak kohë»,—thotë Zbulesa (Apokalipsi) 12:12. Lumturisht, ky sistem i lig do të zëvendësohet me «qiej të rinj dhe tokë të re, në të cilët banon drejtësia».—2. Pjetrit 3:13.
Përveç kësaj shprese të mrekullueshme për një botë të re, çfarë ndihme kemi qysh tani?
Përpara se të shohim përgjigjen pozitive të kësaj pyetjeje, është mirë të ngulim në mendje se edhe të krishterët e vërtetë nuk janë të garantuar se do të mbrohen nga krimet. Apostulli Pavël përshkroi disa rreziqe që ai kishte kaluar personalisht. Ai kishte qenë «në rreziqe lumenjsh, në rreziqe kusarësh, në rrezik nga ana e bashkatdhetarëve, rreziqe nga ana johebrenjve, rreziqe në qytet, rreziqe në shkretëtirë, rreziqe në det». (2. Korintasve 11:26) Megjithatë, Pavli mbijetoi. Njësoj është edhe sot; duke u treguar të kujdesshëm, mund të vazhdojmë të kryejmë punët tona, në mënyrë sa më normale të jetë e mundur. Le të marrim në shqyrtim disa gjëra që na ndihmojnë.
Nëse dikush jeton në një lagje të rrezikshme, sjellja e shkëlqyeshme mund të jetë një mbrojtje, pasi njerëzit i vëzhgojnë të tjerët nga afër. Shumë grabitës, edhe pse plaçkitin e kryejnë krime, e konsiderojnë veten njerëz normalë. Shmang kritikat ndaj gjërave që bëjnë ata dhe mos u përpiq të zbulosh se në ç’punë janë përfshirë. Në këtë mënyrë, rreziku për të qenë objekt hakmarrjeje është më i ulët. Mos harro se hajdutët përpiqen të zbulojnë se kush ka blerë ndonjë gjë të re apo se cilët po shkojnë për pushime, duke qenë kështu jashtë shtëpisë, prandaj ji i matur në ato që u tregon të tjerëve.
Shumë Dëshmitarë të Jehovait kanë parë se reputacioni i tyre si shërbëtorë fetarë, u ka ofruar një mbrojtje të konsiderueshme. Shpesh, kriminelët kanë treguar se i respektojnë këta të krishterë, të cilët, pa u treguar të njëanshëm, mundohen të ndihmojnë njerëzit në bashkësinë e tyre. Dëshmitarët nuk janë vrasës apo hajdutë dhe as ‘përzihen në punët e të tjerëve’, prandaj nuk përbëjnë ndonjë kërcënim.—1. Pjetrit 4:15.
Siguri në botën e re të Perëndisë
Ne e urrejmë «rritjen e paligjshmërisë» të parathënë nga Jezu Krishti, por në vend se të merakosemi tepër, mund të besojmë që Perëndia do ta çrrënjosë së shpejti këtë sistem të keq. Përveç predikimit në mbarë botën të «këtij lajmi të mirë të mbretërisë», Jezui u kujtoi ithtarëve të tij: «Kush do të ketë duruar deri në fund, do të shpëtohet.»—Mateu 24:12-14.
Ne mund të jemi të sigurt se ata që grabisin të tjerët, ndonjëherë me egërsi të pabesueshme, do të zhduken. Proverbat 22:22, 23 thotë: «Mos e vidh të varfërin, sepse është i varfër dhe mos e shtyp të mjerin te porta, sepse Zoti do të mbrojë çështjen e tyre dhe do t’u heqë jetën atyre që i kanë zhveshur.» Jehovai do t’i eliminojë keqbërësit, siç janë grabitësit, vrasësit dhe ata që bëjnë mbrapshtësi seksuale. Për më tepër, ai nuk do t’i lërë pas dore viktimat e këtyre krimeve. Do t’i shpërblejë për ato që kanë humbur e do t’u kthejë plotësisht shëndetin
Në të vërtetë, ata që ‘largohen nga e keqja dhe bëjnë të mirën’ do të marrin jetën e përhershme, qoftë duke mbijetuar mjerimin e madh që po vjen, ose duke u ringjallur nga të vdekurit. «Të drejtët do të trashëgojnë tokën dhe do të banojnë gjithnjë mbi të.» (Psalmi 37:27-29) Bekime të tilla do të bëhen të mundura falë sakrificës shpërblerëse të Jezuit. (Gjoni 3:16) Por, si do të jetë jeta në Parajsën e rikthyer?
Jeta nën Mbretërinë e Perëndisë do të jetë një kënaqësi e vërtetë. Jehovai paratha: «Populli im do të banojë në një vend paqeje, në banesa të sigurta dhe në vende të qeta pushimi.» (Isaia 32:18) Të gjithë që do të marrin jetën e përhershme, do të kenë rregulluar personalitetin e tyre. Askush nuk do të jetë i lig apo i padrejtë dhe askush s’ka për të qenë viktimë e njerëzve të tillë. Profeti Mikea tha: «Do të ulet secili nën hardhinë e vet dhe nën fikun e vet dhe askush nuk do t’i trembë më.» (Mikea 4:4; Ezekieli 34:28) Çfarë ndryshimi me lagjet e sotme të rrezikshme!
[Kutia në faqen 6]
TREGOHU I KUJDESSHËM
Shumë kriminelë punojnë në kohë të plotë, duke e bërë krimin një profesion. Ndoshta veprojnë në grupe prej dy apo tre personash, edhe pse pistoletën mund ta drejtojë vetëm njëri. Është gjithnjë e më e dukshme se sa më i ri të jetë krimineli, aq më i rrezikshëm është. Ç’mund të bësh nëse gjendesh viktimë?
Rri i qetë, në mënyrë që të mos e nervozosh hajdutin: mungesa e përvojës nga ana e tij mund të jetë vdekjeprurëse. Nëse je Dëshmitar i Jehovait, identifikohu si i tillë. Megjithatë, tregohu i gatshëm t’i japësh hajdutit ç’të kërkojë. Nëse këmbëngulni, rreziku shtohet. Më pas, nëse e shikon se është me vend, mund t’i kërkosh që të të kthejë dokumentat e identitetit apo paratë e autobusit.
Shpesh, nuk mund të kuptosh se kush është një kriminel. Disa hajdutë janë të droguar ose profesionistë, të tjerët thjesht vjedhin për të ngrënë. Sidoqoftë, mos mbaj me vete shumë para. Mos i ekspozo xhevahiret, unazat e arta apo orët e kushtueshme. Ec dhe udhëto normalisht, pa shfaqur frikë. Mos i ngul sytë mbi njerëzit, sikur dëshiron t’i identifikosh. Nëse në rrugë ka të shtëna, shtrihu përdhe; rrobat mund të pastrohen më pas.—Një ish-polic në Rio de Zhaneiro.
[Figura në faqen 5]
Rri i qetë dhe jepi hajdutit atë që do. Nëse këmbëngul, rreziku shtohet