Një botë pa hajdutë
NDODHI sa hap e mbyll sytë. Një burrë i veshur mirë i ngjeshi Antoniosa pistoletën pas kokës, tamam para shtëpisë së tij në São Paulo, në Brazil, i kërkoi çelësat dhe dokumentet e makinës dhe u zhduk si era.
Në Rio de Zhaneiro, para syve të vajzës së tij dhjetë vjeçare, katër burra të armatosur mirë kontrolluan një burrë të quajtur Paulo. Më pas, pasi shkuan me makinë deri në shtëpinë e tij hynë dhe vodhën gjithçka dëshironin, duke mbushur edhe dy makinat e Paulos. Duke kërcënuar për vdekje gruan e Paulos, grabitësit morën peng atë dhe një nëpunës, shkuan në argjendarinë e Paulos në qendër dhe vodhën çdo gjë me vlerë. Por, papritur grabitësit më vonë telefonuan dhe treguan se ku i kishin lënë makinat.
Sa e tmerrshme është të shohësh të të vjedhin paratë dhe materialet! Megjithëse as Antonio dhe as Paulo nuk e vendosën vetë drejtësinë, të tjerë e marrin ligjin në duart e veta. Ose bëjnë që hajduti ta paguajë shtrenjtë, ose humbin jetën e tyre. Për shembull, një i ri i rrëmbeu orën një gruaje braziliane, e cila e indinjuar nxori pistoletën nga çanta dhe e qëlloi duke i shkaktuar atij vdekjen. Rezultati? O Estado de S. Paulo shkruan: «Njerëzit që panë ngjarjen mburrën qëndrimin e gruas së panjohur dhe askush nuk dëshironte të ndihmonte policinë për ta identifikuar.» Megjithëse digjen nga dëshira për të jetuar në një botë pa hajdutë, të krishterët nuk hakmerren siç bëri kjo grua. Përderisa hakmarrja i përket Perëndisë, ata i kushtojnë vëmendje fjalëve që gjenden në Proverbat 24:19, 20: «Mos u zemëro për shkak të atyre që bëjnë të keqen dhe mos i ki smirë të pabesët, sepse nuk do të ketë të ardhme për të keqin.»
Por, ç’mund të bësh nëse sulmohesh? Një incident në Rio de Zhaneiro tregon se sa e rëndësishme është të qëndrosh i qetë. Heloisa, një e krishterë, ishte në autobus dhe po shkonte të bënte një studim biblik. Dy burra filluan të grabitnin pasagjerët. Pasi arriti në stacionin ku duhej të zbriste, Heloisa u tregoi atyre se ishte një Dëshmitare e Jehovait dhe se po shkonte për të bërë një studim biblik. U tregoi Biblën e vet dhe librin me të cilën do të bënte studimin. Hajdutët e lejuan të zbriste pa e grabitur. Ndërsa një pasagjer tjetër nuk e lejuan të zbriste. Më vonë, shoferi tha se kurrë nuk kishte parë një skenë të tillë.
Edhe Rexhina qëndroi e qetë kur dy burra të armatosur e detyruan të futej në makinë. Duke u treguar kopjen e saj personale të revistës Zgjohuni! ajo dha dëshmi. Meqë grabitësit ishin nervozë, ajo u kërkoi atyre të hapnin pjesën e ndarë, ku ajo mbante ëmbëlsira. Por, meqë panë kasetat e Këngëve të Mbretërisë, filluan t’i dëgjonin. Atmosfera u bë më miqësore dhe grabitësit vendosën ta linin Rexhinën të shkonte pa i bërë asnjë të keqe në rrugën kryesore, duke i thënë se me siguri do të gjente ndonjë njeri të sjellshëm që do ta ndihmonte. Pasi eci për dhjetë minuta gjeti një shtëpi, por i zoti i shtëpisë nuk mundi ta besonte atë që kishte ndodhur, duke i thënë: «Nuk të jepni përshtypjen se jeni sulmuar; jeni kaq e qetë.»
Megjithëse viktima mund të mos dëmtohet fizikisht, përvoja të tilla që të torturojnë mendërisht, mund të sjellin pasoja serioze. O Estado de S. Paulo shkruan: «Viktima mund të ndihet e pasigurt, si një person i urryer para anëtarëve të familjes apo atyre që përpiqen ta ndihmojnë, nuk ka besim tek të tjerët, torturohet nga mendimi se duhet të bëjë çdo gjë nga e para, mendon se bota është e padrejtë.» Përkundrazi, një viktimë që beson tek Jehova Perëndia ka mundësi më të mëdha për t’u bërë ballë këtyre përvojave i padëmtuar fizikisht dhe emocionalisht. Prapë se prapë, a nuk do të ishe i mendimit se do të ishte një bekim nëse s’do të kishte më krime dhe asgjë tjetër që do të krijonte frikë?
«Hajduti të mos vjedhë më»
Megjithëse disa preferojnë stilin e tyre lakmues të jetës, Fjala e Perëndisë ka ndihmuar shumë hajdutë që të ndryshojnë dëshirat dhe personalitetin e tyre. (Efesianëve 4:23) Duke pasur një qëllim të vërtetë në jetë, një qëllim të bazuar në Bibël, ata kanë marrë me gjithë zemër fjalët: «Më mirë të kesh pak me drejtësi, se sa të ardhura të mëdha pa drejtësi.» (Proverbat 16:8) Klaudio tregon: «Pothuajse të gjithë në familjen time ishin Dëshmitarë, por nuk i kisha kushtuar vëmendje asaj që ata thonin për Jehovain dhe qëllimet e tij. Pasi u ktheva nga një udhëtim i gjatë rreth 2.000 kilometra me një furgon të vogël të vjedhur, duhej të kaloja shumë posta policie. Gjatë udhëtimit kuptova se duhej të ndryshoja jetën. Isha përpjekur edhe herë të tjera, por pa sukses. Këtë herë mendova për të afërmit të cilët ishin Dëshmitarë të Jehovait dhe se sa ndryshonin, ishin të lumtur, të gëzuar dhe gëzonin paqe.» Kështu, Klaudio filloi të studiojë Fjalën e Perëndisë, braktisi drogat dhe shokët e tij të mëparshëm e u bë një shërbëtor i krishterë.
Edhe të tjerë u kanë kushtuar vëmendje fjalëve: «Mos kini besim tek zhvatja dhe mos ushqeni shpresa të kota te grabitja.» (Psalmi 62:10) Pasi u dënua me burg për një tentativë për vrasje gjatë një grabitjeje, Josè, një trafikant i dhënë jashtë mase pas drogës, studioi Biblën me kunatin dhe nxori dobi. Hoqi dorë nga drogat dhe tani është një Dëshmitar i zellshëm.
Megjithatë, një personalitet i ri nuk fitohet në moment apo në mënyrë të mrekullueshme. Oskar, që kishte qenë thellësisht i ngatërruar me drogën dhe vjedhjen, tregon: «I lutesha Jehovait me fjalë të zjarrta saqë laja dyshemenë me lotë.» Po, përveç studimit të Fjalës së Perëndisë me zell është e nevojshme lutja këmbëngulëse dhe e përzemërt. Vërej mençurinë në këtë pamje të lutjes: «Mos më jep as varfëri as pasuri, më ushqe me bukën e nevojshme, me qëllim që, pasi të jem ngopur, të mos të të mohoj dhe të them: ‘Kush është Zoti?’ ose pasi të jem bërë i varfër, të mos vjedh dhe të përdhos emrin e Perëndisë tim.»—Proverbat 30:8, 9.
Egoizmi do të zëvendësohet me dashurinë e vërtetë: «Hajduti të mos vjedhë më, por më mirë të punojë, duke bërë me duart e tij atë që është e mirë, që të ketë diçka për t’u dhënë atyre që kanë nevojë.» (Efesianëve 4:28) Si në rastin e disa të krishterëve të shekullit të parë që më parë kishin qenë «hajdutë dhe lakmitarë», Jehovai përmes shpërblerjes së Jezu Krishtit fali me mëshirë të penduarit. (1. Korintasve 6:9-11) Sa qetësues është fakti se pa marrë parasysh të kaluarën tonë, mund të ndryshojmë mënyrën e jetës dhe të marrim favorin e Perëndisë!—Gjoni 3:16.
Siguri në botën e re të Perëndisë
Përfytyro një tokë pa hajdutë. Nuk do të ketë më nevojë për një sistem të detyrueshëm e të kushtueshëm ligjor të formuar nga avokatë, gjykatës, policë dhe burgje! Do të jetë një botë e mbarë në të cilën secili do të respektojë të tjerët dhe pasurinë e tyre! Të duket e pabesueshme? A do të ndërhyjë me të vërtet Perëndia në çështjet njerëzore dhe t’i japë fund paligjshmërisë? Të ftojmë të shqyrtosh provat që dëshmojnë se Bibla është Fjala e Perëndisë dhe se profecitë e saj janë të besueshme. Do të gjesh një bazë të fortë për të besuar se pritet një ndryshim. Askush nuk mund ta pengojë Perëndinë për t’u sjellë ngushëllimin e premtuar të gjithë atyre që duan drejtësinë: «Mos u dëshpëro për shkak të njerëzve të këqij; mos ki smirë ata që veprojnë me ligësi, sepse ata shpejt do të kositen si bari dhe do të thahen si bari i blertë.» (Psalmi 37:1, 2) Këto fjalë të shkruara kohë më parë së shpejti do të përmbushen plotësisht.
Mbretëria e Perëndisë do t’i japë fund mjerimit dhe padrejtësisë që shkaktojnë kaq pasiguri dhe pesimizëm. Askush nuk do të gjendet në nevojë për të qenë i nxitur të vjedhë. Një profeci na siguron: «Do të ketë bollëk gruri mbi tokë, në majat e maleve; kallinjtë e tij do të valëviten si drurët e Libanit, dhe banorët e qyteteve do të lulëzojnë si bari i tokës.» (Psalmi 72:16) Vërtet, në parajsën e rivendosur, asgjë nuk do të prishë paqen e njerëzve që njohin dhe adhurojnë Perëndinë e vërtetë.—Isaia 32:18.
Çfarë shpërblimi do të kemi nëse u rezistojmë rrugëve të kësaj bote lakmitare! Proverbat 11:19 thotë: «Ashtu si drejtësia të çon në jetë, kështu ai që shkon pas të keqes gjen vdekjen.» Po, pasi të zhduken të ligjtë askush nuk do të ketë më arsye për t’u shqetësuar për jetën dhe pasurinë e tij. Psalmi 37:11 na premton: «Vetë të butët do të zotërojnë tokën dhe me të vërtetë do të provojnë shijen e këndshme të bollëkut të paqes.»
[Shënimi]
a Disa nga emrat janë ndryshuar.
[Kutia në faqen 5]
Si t’u bëjmë ballë vjedhjeve
NË SHTËPI—Meqë hajdutët mund të shkelin në shtëpinë tënde kur je dhe kur nuk je aty, mbaji dyert të mbyllura dhe të siguruara me kyç. Njerëzit me përvojë këshillojnë të kesh alarm ose një qen shtëpie. Kur shkon me pushime lajmëro një fqinj të cilit mund t’i besosh. Qëndro i qetë—hajdutët veprojnë shpejt, papritur dhe mund të ndryshojnë planet nëse nervozohen. Nëse je një Dëshmitar i Jehovait trego dhe përpiqu të japësh dëshmi. Mund të ngjallësh ndjenja miqësore. Mos rezisto po të mos të të sulmojnë fizikisht.
NË AMBIENT TË HAPUR—Ji i zgjuar të shohësh nëse ndonjë po të ndjek. Vazhdo të ecësh në mes të trotuarit. Shmang rrugët e errëta dhe pa njerëz. Portofolin dhe sende të tjera me vlerë mbaji në vende të sigurta. Ec me shpejtësi, sikur të shkoje diku. Mos u vish me rroba të kushtueshme dhe mos mbaj stoli vezulluese. Nëse është e mundur dil i shoqëruar për të blerë. Merr me vete vetëm paratë që të nevojiten dhe ato të shpërndara në vende të ndryshme.
NË VETURË—Nëse «devijimet e veturave» janë bërë të zakonshme në zonën tuaj, mos qëndro në makinën e parkuar. Ndrysho rrugën kur shkon dhe kur vjen nga puna. Merr një rrugë më të sigurt edhe pse është më e gjatë. Para se të parkosh makinën shiko rreth e rrotull për ndonjë gjë të dyshimtë. Mos e hap bagazhin në një vend pa njerëz. Mos lër sende me vlerë në vende të dukshme të makinës. Një zinxhir i mbyllur që duket ose ndonjë mekanizëm tjetër kundër vjedhjes mund të shkurajojë hajdutët e rastit.
[Kutia në faqen 6]
«Mos grumbulloni për vete thesare mbi tokë, ku i brejnë tenja e ndryshku, ku vjedhësit birojnë muret e vjedhin! Mblidhni për vete visare në qiell, ku s’brejnë as tenja as ndryshku e ku vjedhësit nuk birojnë mure dhe as nuk vjedhin.»—Mateu 6:19, 20