«Dashuria nuk dështon kurrë»
TREGUAR NGA SAMUEL D. LADESUI
Kur mendoj për vitet e kaluara dhe shoh të gjithë atë që është kryer mbetem i habitur. Jehovai ka bërë gjëra të mrekullueshme në të gjithë tokën. Ne ishim pak persona që filluam predikimin në Ilesha të Nigerisë në 1931-shin, por tani jemi rritur në 36 kongregacione. Rreth 4.000 lajmëtarët që ishin në Nigeri në 1947-ën, kur mbërriti grupi i parë i të diplomuarve në Shkollën e misionarëve të Galaadit (Watch Tower Bible School of Gilead), janë rritur në 180.000. Në ditët e para, as e prisnim dhe as e përfytyronim dot rritjen që do të ndodhte. Sa mirënjohës jam që mora pjesë në këtë vepër të mrekullueshme! Më lini t’ju tregoj për të.
BABAI im tregtonte armë dhe barut nga njëri qytet në tjetrin; rrallë ishte në shtëpi. Ai kishte shtatë gra, me sa dija unë, por jo të gjitha jetonin me të. Babai e trashëgoi nënën time nga vëllai i tij më i madh që kishte vdekur. Ajo u bë gruaja e tij e dytë dhe unë jetoja me të.
Një ditë, babai erdhi në shtëpi nga vizita që kishte bërë tek gruaja e parë e cila jetonte në një fshat fqinj. Atje, mësoi se gjysmëvëllai im po ndiqte shkollën. Gjysmëvëllai im ishte dhjetë vjeç, po aq sa unë. Kështu babai vendosi që edhe unë të ndiqja shkollën. Ai më dha nëntë pens, tre për të blerë një libër shkolle dhe gjashtë pens për të blerë një pllakë shkrimi. Ishte viti 1924.
Formohet një grup i studimit biblik
Që nga fëmijëria kisha dashuri për fjalën e Perëndisë, Biblën. Unë i pëlqeja orët e studimit të Biblës në shkollë dhe gjithmonë lavdërohesha nga mësuesit e mi në shkollën e së dielës. Kështu, në 1930-ën shfrytëzova rastin për të ndjekur një leksion të mbajtur nga një Student Biblik, që kishte ardhur nga jashtë, një nga të parët që predikoi në Ilesha. Pas leksionit, ai më la një kopje të librit Harpa e Perëndisë në gjuhën jorubane.
Shkollën e së dielës e ndiqja rregullisht. Tani fillova të marr me vete Harpën e Perëndisë dhe e përdora për të hedhur poshtë disa doktrina që mësoheshin atje. Lindnin diskutime dhe shpeshherë paralajmërohesha nga udhëheqësit e kishës që të mos e ndiqja këtë ‘mësim të ri’.
Një vit më vonë, ndërsa po bëja një xhiro në rrugë, iu afrova një grupi njerëzish që po dëgjonin një burrë i cili po u mbante një leksion. Lektori ishte J. I. Ouenpa, një Student Biblik. Ai ishte dërguar nga William R. Braun (shpesh i quajtur «Brauni i Biblës»), i cili mbikqyrte veprën e predikimit të Mbretërisë në Lagos.a Mësova se një grup i vogël studiuesish të Biblës ishte formuar në Ilesha për të studiuar Harpën e Perëndisë, kështu u bashkova me ta.
Unë isha më i riu në grup, s’isha veçse një nxënës shkolle rreth 16 vjeç. Normalisht, do të kisha qenë në një pozitë të vështirë madje i frikësuar nga shoqërimi kaq i afërt me burra të moshës nga 30 vjeç e lart. Por ata ishin shumë të kënaqur që më kishin në mes tyre dhe më inkurajonin. Ata ishin si etër për mua.
Kundërshtimi klerik
Shpejt filluam të ndeshnim kundërshtime serioze nga kleri. Katolikë, anglikanë dhe të tjerë që më parë e luftonin njëri-tjetrin, tani u bashkuan kundër nesh. Ata komplotuan me kryetarin e zonës që të bënin diçka për të na shkurajuar. Dërguan policë për të konfiskuar librat tanë, duke pohuar se ata ishin të dëmshëm për njerëzit. Megjithatë, funksionari i krahinës, paralajmëroi se ata nuk kishin të drejtë të na i merrnin librat, kështu që dy javë më vonë librat na u rikthyen.
Pas kësaj, u thirrëm në një mbledhje ku takuam oban, ose kryetarin më të lartë, bashkë me njerëz të tjerë të rëndësishëm të qytetit. Në atë kohë ne ishim rreth 30 veta. Qëllimi ishte që të na ndalonin leximin e librave «të rrezikshëm». Na pyetën nëse ishim të huaj, por kur shqyrtuan me vëmendje fytyrat tona thanë: «Këta janë bijtë tanë, pavarësisht se ka disa të huaj midis tyre.» Na thanë se nuk dëshironin që të vazhdonim të studionim librat e një feje që ishte në dëmin tonë.
U kthyem në shtëpi pa thënë asgjë, pasi e kishim vendosur që të mos u kushtonim vëmendje këtyre njerëzve të rëndësishëm. Shumica prej nesh ishin mjaft të lumtur nga ajo që kishim mësuar dhe ishin të vendosur të vazhdonin studimin. Kështu, megjithëse disa u frikësuan dhe u tërhoqën nga grupi ynë, shumica e vazhduan studimin në një repart zdrukthtarie. Nuk kishim asnjë drejtues. Fillonim me lutje dhe pastaj lexonim me radhë paragrafët e librit. Pas rreth një ore, luteshim përsëri dhe ktheheshim në shtëpi. Por na spiunonin dhe kryetarët bashkë me udhëheqësit fetarë vazhduan të na mblidhnin çdo dy javë dhe të na paralajmëronin që të mos studionim literaturën e Studentëve Biblikë.
Ndërkohë, ne përpiqeshim ta përdornim atë pak njohuri që kishim për të ndihmuar njerëzit dhe shumë ishin dakort me ne. Personat po na bashkoheshin një nga një. Ishim shumë të lumtur, por akoma nuk dinim shumë rreth fesë me të cilën po shoqëroheshim.
Në fillim të vitit 1932, nga Lagosi erdhi një vëlla për të na ndihmuar dhe organizuar dhe në prill erdhi edhe «Brauni i Biblës». Duke parë që këtu kishte një grup prej rreth 30 personash, vëlla Braun deshi të dinte rreth përparimit që po bënim në leximin e librit. I thamë gjithçka që dinim. Ai na tha se ishim gati për pagëzim.
Pasi ishte një stinë e thatë, na u desh të shkonim tek një lumë që ishte 14 km larg Ileshas dhe afërsisht 30 prej nesh u pagëzuan. Që nga ajo kohë e më pas e ndienim veten të kualifikuar si lajmëtarë të Mbretërisë dhe filluam të shkonim nga shtëpia në shtëpi. Nuk e kishim parashikuar se do ta bënim këtë, por tani ishim të etur që ta ndanim me të tjerët atë që dinim. Na duhej të përgatiteshim mirë, për të hedhur poshtë me anë të Biblës doktrinat e rreme me të cilat ndesheshim. Kështu, në mbledhjet tona mësuam të trajtonim doktrinat, duke ndihmuar njëri-tjetrin me atë që dinim.
Aktiviteti ynë i predikimit
Ne mbuluam gjithë rajonin me predikimin tonë. Njerëzit na tallnin dhe na bërtisnin, por ne as që e vrisnim mendjen për këtë. Gëzimi ynë ishte i madh sepse kishim të vërtetën, megjithëse na duhej të mësonim edhe shumë akoma.
Çdo të diel shkonim nga shtëpia në shtëpi. Njerëzit bënin pyetje dhe ne përpiqeshim t’u përgjigjeshim. Një të diel në mbrëmje mbajtëm një fjalim publik. Nuk kishim Sallë Mbretërie, kështu që mbledhja u mbajt në ambient të hapur. Mblodhëm njerëzit, mbajtëm fjalimin dhe i ftuam ata që të na bënin pyetje. Disa herë predikonim nëpër kisha.
Shkonim edhe në zonat ku njerëzit nuk kishin dëgjuar kurrë për Dëshmitarët e Jehovait. Shumicën e rasteve shkonim me biçikleta, por disa herë merrnim me qira një autobus. Kur arrinim në fshat, i binim fort një borie. I gjithë fshati na dëgjonte. Njerëzit nxitonin për të parë se çfarë po ndodhte. Pastaj ne përhapnim mesazhin tonë. Pasi mbaronim, njerëzit shtyheshin kush e kush të merrte kopjet e literaturës tonë. Ne shpërndanim literaturë në një masë të madhe.
Me padurim prisnim ardhjen e Mbretërisë së Perëndisë. Më kujtohet se kur morëm Librin Vjetor 1935, një nga vëllezërit kur pa programin e plotë të shkrimit të ditës për vitin pyeti: «A do të thotë kjo se duhet të presim edhe një vit tjetër akoma para ardhjes së Harmagedonit?»
Duke iu përgjigjur, drejtuesi e pyeti: «A mendon vëlla se nëse Harmagedoni do të vinte nesër ne do të ndërprisnim leximin e Librit Vjetor?» Kur vëllai tha jo, drejtuesi tha: «Atëherë pse shqetësohesh?» Ne ishim dhe akoma jemi të etur për ditën e Jehovait.
Vitet e luftës
Gjatë Luftës së Dytë Botërore, importimi i librave tanë u ndalua. Një vëlla në Ilesha pa dashje i prezantoi një polici librin Pasuria. Polici e pyeti: «I kujt është ky libër?» Vëllai i tha se ishte i veti. Polici tha se ai ishte një libër i ndaluar, e çoi vëllain në rajonin e policisë dhe e futi në burg.
Unë shkova në polici dhe pas kërkimit të informacioneve, pagova një shumë si garanci për të liruar vëllain. Pastaj i telefonova vëlla Braunit në Lagos për ta informuar në lidhje me atë që kishte ndodhur. Gjithashtu e pyeta nëse ekzistonte ndonjë ligj që ndalonte qarkullimin e librave tanë. Vëlla Braun më tha se ishte ndaluar vetëm importimi dhe jo qarkullimi i tyre. Tri ditë më vonë, vëlla Braun dërgoi një vëlla nga Lagosi për të parë se ç’po ndodhte. Ky vëlla vendosi që ditën e nesërme të dilnim të gjithë në veprën e predikimit me revista dhe libra.
Ne u shpërndamë në drejtime të ndryshme. Rreth një orë më vonë më erdhi lajmi se shumica e vëllezërve ishin arrestuar. Kështu, vëllai i ardhur nga Lagosi dhe unë shkuam në rajonin e policisë. Policët nuk pranuan të dëgjonin shpjegimet tona se librat nuk ishin të ndaluar.
Të 33 vëllezërit e arrestuar u dërguan para trupit më të lartë gjykues në Ife dhe unë i shoqërova. Njerëzit e qytetit kur panë se po na largonin që andej bërtisnin: «Ky është fundi i veprës së tyre. Këtu nuk mund të vijnë dot më.»
Akuza i qe prezantuar gjykatësit kryesor, një nigeriani. Të gjithë librat dhe revistat qenë ekspozuar. Ai pyeti se kush e kishte autorizuar komandantin e policisë që të arrestonte këta njerëz. Ai u përgjigj se kishte vepruar në përputhje me udhëzimin e dhënë nga i plotfuqishmi i krahinës. Gjykatësi i lartë thirri në dhomën e tij komandantin e policisë dhe katër përfaqësues prej nesh, duke më përfshirë edhe mua.
Ai pyeti se kush ishte zoti Braun. I thamë se ai ishte përfaqësuesi i Shoqatës Watch Tower në Lagos. Pastaj ai na tha se kishte marrë një telegram nga zoti Braun në lidhje me ne. E shtyu seancën atë ditë dhe dha një garanci për vëllezërit. Ditën tjetër i shfajësoi vëllezërit duke i lënë të lirë dhe e urdhëroi policin që të na rikthente librat.
U kthyem në Ilesha duke kënduar. Përsëri njerëzit filluan të bërtisnin, por këtë herë duke thënë: «U rikthyen!»
Sqarohet norma e Jehovait për martesën
Ishte viti 1947 kur në Nigeri mbërritën tre të diplomuarit e parë të Galaadit. Njëri nga këta vëllezër, Toni Atvud, është akoma këtu dhe shërben në Bethel, në Nigeri. Që nga ajo kohë, pamë ndryshime të mëdha në organizatën e Jehovait në këtë vend. Njëri prej tyre ishte ndryshimi i pikëpamjes sonë mbi poligaminë.
Në shkurt të 1941-shit, u martova me Olabisi Fashugban dhe kisha mjaft njohuri për të kuptuar se nuk duhej të merrja ndonjë grua tjetër. Por deri në 1947-ën, kur erdhën misionarët, poligamia ishte e përhapur në kongregacion. Vëllezërve poligamë iu tha se ata ishin martuar me më shumë se një grua pa e ditur se kjo ishte e gabuar. Prandaj, nëse ata kishin dy, tre, katër apo pesë gra mund t’i mbanin ato, por nuk duhej të merrnin të tjera. Kjo u ndoq si praktikë në atë kohë.
Shumë njerëz patën mjaft dëshirë për t’u bashkuar me ne, veçanërisht shoqata e Kerubinëve dhe e Serafimëve në Ilesha. Ata thanë se Dëshmitarët e Jehovait ishin të vetmit njerëz që mësonin të vërtetën. Ata i pranuan mësimet tona dhe donin t’i kthenin kishat e tyre në Salla Mbretërie. Ne punuam shumë për të realizuar këtë bashkim. Madje ngritëm edhe qendrat për të stërvitur pleqtë e tyre.
Pastaj erdhi udhëzimi i ri në lidhje me poligaminë. Njëri nga misionarët mbajti një leksion në një asamble qarkore në 1947-ën. Ai foli mbi sjelljen dhe zakonet e mira. Pastaj citoi 1. Korintasve 6:9, 10, që thotë se të padrejtët nuk do ta trashëgojnë Mbretërinë e Perëndisë. Pastaj shtoi: «Edhe poligamistët nuk do ta trashëgojnë Mbretërinë e Perëndisë!» Njerëzit në auditor bërtitën: «Oh, kjo qenka e bukur; poligamistët nuk do ta trashëgojnë Mbretërinë e Perëndisë!» Lindi përçarja. Ishte si një luftë. Shumë nga personat e rinj që ishin shoqëruar me ne u larguan duke thënë: «Shyqyr Zotit, që nuk shkuam shumë larg me këtë organizatë.»
Por shumica e vëllezërve filluan të korrigjojnë situatën e tyre martesore, duke mbajtur një grua e duke i lënë të lira gratë e tjera. U dhanë atyre para dhe u thanë: «Nëse jeni të reja, kërkoni një bashkëshort tjetër. Unë bëra një gabim duke u martuar me ty. Tani dua të jem burri i një gruaje.»
Shpejt lindi një tjetër problem. Disa, pasi kishin vendosur të mbanin një grua e t’i linin të tjerat, ndryshuan mendje dhe dëshironin të rimerrnin njërën nga gratë e tjera e të linin atë që kishin mbajtur në fillim. Pra, filluan përsëri problemet.
Nga selia botërore në Bruklin, erdhi një udhëzim i mëtejshëm i bazuar në Malakinë 2:14, që i referohet «gruas së rinisë sate». (DSF) Udhëzimi ishte që burrat duhej të mbanin gruan e parë me të cilën ishin martuar. Në këtë mënyrë, çështja u zgjidh njëherë e përgjithmonë.
Privilegjet e shërbimit
Në 1947-ën Shoqata filloi të forconte kongregacionet dhe t’i organizonte ato në qarqe. Ata donin të emëronin vëllezër të pjekur që kishin përparuar në njohuri si ‘shërbëtorë të vëllezërve’ që sot quhen mbikëqyrës qarkorë. Vëlla Braun më pyeti nëse do ta pranoja një emërim të tillë. I thashë se arsyeja për të cilën u pagëzova ishte që të kryeja vullnetin e Perëndisë dhe shtova: «Ti vetë më ke pagëzuar. Tani që është rasti për t’i shërbyer Jehovait në mënyrë më të plotë, a mendon se do ta refuzoja?»
Në tetor të atij viti, shtatë prej nesh u thirrën në Lagos dhe u stërvitëm përpara se të dërgoheshim në veprën qarkore. Në ato kohë, qarqet ishin mjaft të mëdha. I gjithë vendi ishte ndarë vetëm në shtatë qarqe. Kongregacione ishin pak.
Vepra jonë si shërbëtorë të vëllezërve ishte e vështirë. Çdo ditë bënim kilometra të tëra në këmbë, duke kaluar shpesh përmes pyjeve shumë të nxehta e të lagështa. Çdo javë na duhej të udhëtonim nga njëri fshat në tjetrin. Herë pas here ndieja sikur këmbët nuk do të më bindeshin më. Disa herë më dukej sikur po vdisja! Por provonim edhe shumë gëzim, veçanërisht kur shihnim rritjen e numrit të njerëzve që përqafonin të vërtetën. Ja, pse vetëm në shtatë vjet, numri i lajmëtarëve u katërfishua!
Në veprën qarkore mora pjesë deri në vitin 1955, pasi për shkak të shëndetit jo të mirë u detyrova të kthehesha në Ilesha ku u emërova si mbikëqyrës i qytetit. Duke qëndruar në shtëpi pata mundësi t’i kushtoja më shumë vëmendje familjes, për ta ndihmuar në aspektin frymor. Sot, të gjashtë fëmijët e mi janë shërbëtorë besnikë të Jehovait.
Dashuria e vërtetë nuk dështon kurrë
Kur mendoj për vitet e kaluara, ka shumë gjëra për të cilat duhet të jem mirënjohës. Ka patur zhgënjime, shqetësime apo sëmundje, por edhe shumë gëzim. Megjithëse njohuria dhe kuptueshmëria jonë u zhvillua me kalimin e viteve, nga përvoja mësova kuptimin e 1. Korintasve 13:8, i cili thotë: «Dashuria nuk dështon kurrë.» Nëse e doni Jehovain dhe qëndroni të palëkundur në shërbimin e tij, ai do t’ju ndihmojë gjatë vështirësive tuaja dhe do t’ju bekojë në mënyrë të pasur.
Drita e së vërtetës po shkëlqen gjithnjë e më shumë. Në kohën kur filluam për herë të parë, mendonim se Harmagedoni do të vinte shpejt; për këtë arsye nxitonim që të bënim gjithë sa mundnim. Por e gjitha kjo ishte për dobinë tonë. Ja, pse jam dakort me fjalët e psalmistit: «Unë do ta lëvdoj Zotin deri sa të kem jetë, do të këndoj lavde për Perëndinë tim gjatë gjithë jetës sime.»—Psalmi 146:2.
[Shënimi]
a Vëlla Braun quhej «Brauni i Biblës» për shkak të zakonit të tij për t’iu referuar gjithmonë Biblës si autoriteti përfundimtar.—Shiko artikullin «Të korrat e një ungjilltari të vërtetë» në Kullën e Rojës së 1 shtatorit 1992, faqe 32, angl.
[Figura në faqen 23]
Samueli me Milton Henshel në vitin 1955
[Figura në faqen 24]
Samueli me gruan e tij, Olabisi