JETËSHKRIM
Trashëgimia e vyer e krishterë më ndihmoi të lulëzoja
NË TERRIN e natës, para nesh shtrihej lumi i rrëmbyer Niger gati 1,6 kilometra i gjerë. Lufta civile në Nigeri po bënte kërdinë, ndaj të kaloje në anën tjetër të lumit mund të ishte fatale. Por duhej të rrezikonim, madje më shumë se një herë. Si u gjenda në këtë situatë? Le të kthehemi pak prapa, në kohën para se të lindja unë.
Më 1913, im atë, Xhon Millsi, u pagëzua në qytetin e Nju-Jorkut në moshën 25-vjeçare. Fjalimin e pagëzimit e mbajti vëlla Rasëlli. Pak pas kësaj, babai shkoi në Trinidad, ku u martua me Konstanca Farmerin, një Studente e zellshme e Biblës. Babai ndihmonte mikun e tij Uilliam Braunin për të shfaqur «Fotodramën e Krijimit». Kështu bënë derisa çifti Braun u caktua në Afrikën Perëndimore më 1923. Babai dhe mamaja, të dy me shpresë qiellore, vazhduan veprën në Trinidad.
PRINDËR QË NA DONIN
Prindërit e mi kishin nëntë fëmijë. Të parit ia vunë emrin Radhërford, presidenti i atëhershëm i Watch Tower Bible and Tract Society. Kur linda unë më 30 dhjetor 1922, më vunë emrin e vëlla Uduorthit, kryeredaktorit të revistës Epoka e Artë (tani Zgjohuni!). Prindërit na dhanë të gjithëve arsimim bazë, ama mbi të gjitha na nxitën të ndiqnim synime në shërbim të Jehovait. Mamaja kishte aftësi të jashtëzakonshme që të arsyetonte në mënyrë bindëse nga Shkrimet. Babai vdiste të tregonte ngjarje biblike dhe fliste me duar e këmbë që të na i bënte të gjalla.
Përpjekjet e tyre sollën fryt. Nga ne pesë djemtë, tre ndoqëm Shkollën e Galaadit. Tri nga motrat tona shërbyen si pioniere për shumë vite në Trinidad dhe Tobago. Me anë të mësimdhënies dhe shembullit të mirë, prindërit na mbollën ne fëmijët «në shtëpinë e Jehovait». Inkurajimi i tyre na ndihmoi të hidhnim rrënjë dhe të lulëzonim «në oborret e Perëndisë tonë».—Psal. 92:13.
Shtëpia jonë u bë qendër e veprës së predikimit. Pionierët mblidheshin atje dhe flisnin shpesh për vëllanë Xhorxh Jang, një misionar kanadez që kishte vizituar Trinidadin. Prindërit e mi flitnin plot zjarr për bashkëpunëtorët e tyre të dikurshëm, çiftin Braun, që në atë kohë shërbenin në Afrikën Perëndimore. Gjithë kjo më shtyu të filloja shërbimin kur isha 10 vjeç.
FILLIMET E SHËRBIMIT
Në ato kohë, revistat tona demaskonin troç fenë e rreme, tregtinë lakmitare dhe politikën e paskrupull. Ja pse në vitin 1936, kleri nxiti guvernatorin e përkohshëm të Trinidadit të ndalonte të gjitha botimet Watch Tower. E fshehëm literaturën, por vazhduam ta përdornim derisa e shpërndamë të tërën. Bënim marshime informuese dhe parada me biçikleta, duke përdorur ftesat dhe pankartat. Bashkë me grupin nga qyteti i Tunapunës që kishte një makinë me altoparlant, predikuam deri në skajet më të largëta të Trinidadit. Ishte emocionuese! Ai ambient besimforcues më nxiti të pagëzohesha në moshën 16-vjeçare.
Grupi me makinën me altoparlant në Tunapuna
Trashëgimia e familjes sime dhe ato përvoja të para në shërbim, më ngjallën dëshirën për të shërbyer si misionar. E kisha ende këtë dëshirë kur shkova në Arubë më 1944 dhe shërbeva bashkë me vëlla Edmond Kumingsin. Na u bë zemra mal kur në Përkujtimin e 1945-s u mblodhën 10 veta. Vitin tjetër, në ishull u formua kongregacioni i parë.
Me Orisën, jeta ime lulëzoi në një mënyrë të re
Pak më vonë, i dhashë dëshmi joformale një kolegeje, Orisa Uilliamsit. Ajo u përpoq fort të mbronte doktrinat që i kishin mësuar. Por kur studioi Biblën, kuptoi çfarë thotë Fjala e Perëndisë dhe u pagëzua më 5 janar 1947. Me kohë u dashuruam dhe u martuam bashkë. Ajo nisi shërbimin si pioniere në nëntor të 1950-s. Me Orisën, jeta ime lulëzoi në një mënyrë të re.
SHËRBIM DRITHËRUES NË NIGERI
Më 1955, morëm ftesën për të ndjekur Shkollën e Galaadit. Ndërsa përgatiteshim për këtë privilegj, lamë punën, shitëm shtëpinë e zotërimet e tjera e i dhamë lamtumirën Arubës. Më 29 korrik 1956, u diplomuam në klasën e 27-të të Galaadit dhe u caktuam në Nigeri.
Me familjen Bethel në Lagos, Nigeri, 1957
Duke menduar për të shkuarën, Orisa tha: «Fryma e Jehovait mund ta ndihmojë dikë të përshtatet me të përpjetat e të tatëpjetat e jetës misionare. Ndryshe nga im shoq, unë s’kam dashur kurrë të jem misionare. Preferoja të kisha një shtëpi e të rritja fëmijë. Ndryshova mendim kur kuptova sa urgjente është të predikojmë lajmin e mirë. Në kohën kur u diplomuam në Galaad, isha plotësisht e vendosur të predikoja si misionare. Ndërsa hipnim në anijen Queen Mary, na uroi udhëtim të mbarë Uorth Thorntoni nga zyra e vëllait Nor. Na tha se do të shërbenim në Bethel. ‘O, mos!’—psherëtiva unë. Por shpejt u përshtata dhe mësova ta doja Bethelin. Kam shërbyer në caktime të ndryshme atje. Caktimi që më pëlqente më shumë ishte kur punoja në recepsion. I dua njerëzit dhe ky caktim më vinte në kontakt të drejtpërdrejtë me vëllezërit nigerianë. Kur mbërrinin, shumë ishin të lodhur, gjithë pluhur, të etur e të uritur. Ishte kënaqësi të kujdesesha për nevojën që kishin për ushqim e lehtësim. Gjithë kjo punë ishte shërbim i shenjtë ndaj Jehovait, prandaj ndieja kënaqësi e lumturi.» Po, çdo caktim na jepte mundësi të lulëzonim.
Një herë, në një rast familjar në Trinidad më 1961, vëlla Brauni na tregoi disa nga përvojat e tij emocionuese në Afrikë. Pastaj unë fola për rritjen që kishim në Nigeri. Vëlla Brauni më përqafoi me dashuri dhe i tha babait: «Xhoni, ti s’arrite të shkosh në Afrikë, por Uduorthi ia doli!» Im atë tha: «Vazhdo kështu, Uorth! Vazhdo kështu!» Një inkurajim i tillë nga këta veteranë në adhurimin e vërtetë ma thelloi dëshirën për ta kryer plotësisht shërbimin tim.
Uilliam Brauni «i Biblës» dhe e shoqja, Antonia, na inkurajuan pa masë
Më 1962, pata privilegjin të stërvitesha më tej në klasën e 37-të të Galaadit, në një kurs dhjetëmujor. Vëllai Uilfred Guç, që asokohe ishte mbikëqyrësi i degës në Nigeri, ndoqi klasën e 38-të dhe u caktua në Angli. Kështu, ma dhanë mua përgjegjësinë të mbikëqyrja degën e Nigerisë. Duke ndjekur shembullin e vëlla Braunit, udhëtova shumë dhe kjo më ndihmoi t’i njihja e t’i doja vëllezërit e shtrenjtë në Nigeri. Edhe pse nuk kishin shumë nga gjërat që kanë njerëzit në vende më të zhvilluara, ishin të gëzuar e të kënaqur, dhe kjo provonte qartë se një jetë domethënëse nuk varet nga paratë a të mirat materiale. Duke marrë parasysh rrethanat e tyre, ishte e mrekullueshme t’i shihje të pastër, të rregullt dhe plot dinjitet në mbledhje. Kur vinin turma-turma në kongres, shumë udhëtonin me kamionë dhe me bolekajaa (autobus i hapur që prodhohej në vend). Shpesh këta autobusë kishin thënie interesante. Një prej tyre ishte: «Pika të vockla uji formojnë një oqean të paanë.»
Sa e vërtetë është kjo thënie! Çdo grimcë përpjekjeje që bën dikush ka vlerë, dhe ne bëmë përpjekjet tona. Në vitin 1974, Nigeria u bë vendi i parë, përveç Shteteve të Bashkuara, që arriti shifrën prej 100.000 lajmëtarësh. Vepra kishte lulëzuar!
Ndërsa rritja vazhdonte, po zhvillohej lufta civile e Nigerisë që zgjati nga 1967-a deri më 1970. Për muaj të tërë, vëllezërit në anën tjetër të lumit Niger, në zonën e Biafrës, nuk komunikonin dot me zyrën e degës. Duhej t’u çonim botime dhe t’u përcillnim drejtimin e organizatës. Siç e thashë në fillim, e kaluam disa herë atë lumë, me lutje dhe besim te Jehovai.
Më kujtohen si sot ato udhëtime të rrezikshme nëpër Niger, duke rrezikuar jetën nga ushtarët kokëkrisur, nga sëmundjet dhe nga kërcënime të tjera. Ishte e vështirë të kaloje ushtarët dyshues të qeverisë, por ishte akoma më e frikshme të kaloje në anën e Biafrës ku rebelët kishin bërë bllokadë. Në një rast, kalova ujërat e vrullshme të lumit Niger gjatë natës me një kanoe pasagjerësh nga Asaba në Oniça, dhe pastaj u dhamë zemër pleqve në Enugu. Në një udhëtim tjetër u dhamë forcë pleqve në Abë, ku nuk lejohej të ndizeshin dritat natën. Në Port-Harkort, e mbyllëm mbledhjen shpejt e shpejt me lutje kur ushtria federale rrëzoi bllokadën e Biafrës jashtë qytetit.
Ato mbledhje patën rol jetësor që t’i siguronim vëllezërit tanë të shtrenjtë për kujdesin e dashur të Jehovait dhe që t’u jepnim këshillat aq të nevojshme për asnjanësinë dhe unitetin. Vëllezërit nigerianë e përballuan me sukses atë konflikt të tmerrshëm. Ata shfaqën një dashuri që mposht urrejtjen fisnore dhe ruajtën unitetin e krishterë. Çfarë privilegji t’u gjendeshim pranë në atë orë sprove!
Më 1969, vëlla Milton Hensheli ishte drejtuesi i Asamblesë Ndërkombëtare «Paqe në tokë» që u mbajt në stadiumin «Jenki», Nju-Jork, dhe mësova shumë duke punuar si ndihmësi i tij. Kjo stërvitje erdhi në kohën e duhur, sepse në vitin 1970 mbajtëm Asamblenë Ndërkombëtare «Njerëzit që kanë miratimin hyjnor» në Lagos, Nigeri. Meqë u mbajt shumë shpejt pas luftës civile, kongresi pati sukses vetëm falë bekimit të Jehovait. Ishte një ngjarje që shënoi rekord se u mbajt në 17 gjuhë dhe të pranishëm ishin 121.128 veta. Vëllezërit Nor dhe Henshel, si edhe vizitorët e tjerë që erdhën me avionë nga Shtetet e Bashkuara dhe Anglia, panë një nga pagëzimet më të mëdha që nga festa e Ditës së Pesëdhjetë—3.775 dishepuj të rinj! Periudha kur ndihmoja në organizimin e këtij rasti ishte mbase periudha më e ngarkuar e jetës sime. Rritja e lajmëtarëve nuk ishte thjesht e shpejtë, por e vrullshme!
Asamblenë Ndërkombëtare «Njerëzit që kanë miratimin hyjnor» e ndoqën 121.128 veta që flitnin 17 gjuhë, përfshirë gjuhën ibo
Gjatë më se 30 viteve në Nigeri, me raste kam shijuar shërbimin si mbikëqyrës udhëtues dhe si mbikëqyrës zone në Afrikën Perëndimore. Sa e vlerësonin misionarët vëmendjen dhe inkurajimin personal që merrnin! Ishte kënaqësi e pamasë t’i siguroje se nuk i kishim harruar! Kjo vepër më ka mësuar se interesi personal është çelësi për t’i ndihmuar të tjerët që të lulëzojnë e që ta mbajnë organizatën e Jehovait të fortë e të bashkuar.
Vetëm falë ndihmës së Jehovait arritëm të përballonim problemet që na sollën lufta civile dhe sëmundjet. Bekimi i Jehovait ishte gjithmonë i dukshëm. Orisa u shpreh:
«Të dyve na ka zënë disa herë malaria. Një herë, Uorthi përfundoi pa ndjenja në një spital në Lagos. Më thanë se mbase nuk do t’ia dilte, por shyqyr që nuk ndodhi ashtu! Kur erdhi në vete, foli për Mbretërinë e Perëndisë me infermierin që kujdesej për të. Më vonë, shkova bashkë me Uorthin për vizitë te ky infermier, z. Nuambiue, që të kultivonim interesin e tij për Biblën. Ai pranoi të vërtetën dhe më vonë u bë një plak në Abë. Edhe unë kam pasur mundësi të ndihmoj shumë veta, madje edhe myslimanë të flaktë, të bëhen shërbëtorë të përkushtuar të Jehovait. Kemi provuar shumë gëzim ndërsa njihnim dhe mësonim ta donim popullin nigerian, kulturën, zakonet dhe gjuhën e tyre.»
Një mësim tjetër që kam nxjerrë është ky: për të lulëzuar në një caktim në vend të huaj, duhej të mësonim t’i donim vëllezërit e motrat, pavarësisht sa e ndryshme ishte kultura e tyre.
CAKTIME TË REJA
Pasi shërbyem në Bethel në Nigeri, më 1987 morëm një caktim tjetër si misionarë në fushë në ishullin e bukur të Shën-Luçias në Karaibe. Ishte një caktim që na solli shumë kënaqësi, por edhe sfida të reja. Ndryshe nga Afrika, ku një burrë martohej me shumë gra, në Shën-Luçia problemi ishte që një çift jetonte së bashku pa u martuar ligjërisht. Fjala e fuqishme e Perëndisë nxiti shumë nga studentët tanë të Biblës të bënin ndryshimet e nevojshme.
E kam dashur me shpirt Orisën gjatë 68 viteve martesë
Teksa na linin fuqitë me kalimin e moshës, më 2005 Trupi Udhëheqës me dashuri na transferoi në selinë botërore në Bruklin, Nju-Jork, SHBA. E falënderoj akoma Jehovain çdo ditë për Orisën. Në 2015-n atë e mposhti vdekja armike dhe e ndiej mungesën e saj sa s’thuhet. Ajo ishte një shoqe e jashtëzakonshme dhe një bashkëshorte e dashur me shumë cilësi të bukura. E kam dashur me shpirt gjatë 68 viteve që kemi kaluar bashkë. Kemi parë se formula për të qenë të lumtur, si në martesë edhe në kongregacion, është të respektosh parimin e kryesisë, të falësh bujarisht, të mbetesh i përulur dhe të shfaqësh frytin e frymës.
Kur zhgënjeheshim a shkurajoheshim, i luteshim Jehovait të na ndihmonte që të mos shkonin dëm gjithë sakrificat tona. Teksa vazhdonim të përshtateshim, shihnim se gjërat përmirësoheshin gjithnjë e më shumë—dhe më e mira s’ka ardhur akoma!—Isa. 60:17; 2 Kor. 13:11.
Në Trinidad dhe Tobago, Jehovai i bekoi përpjekjet e prindërve të mi dhe të të tjerëve, e kështu—sipas raporteve të fundit—9.892 veta kanë përqafuar adhurimin e vërtetë. Në Arubë, shumë punuan për ta forcuar kongregacionin e parë ku bëja pjesë unë. Në atë ishull tani lulëzojnë 14 kongregacione. Edhe në Nigeri vepra është rritur dhe sot ka një numër mbresëlënës prej 381.398 Dëshmitarësh. Gjithashtu, në ishullin e Shën-Luçias ka 783 veta që po përkrahin Mbretërinë e Jehovait.
Tani jam në të 90-at. Për ata që janë mbjellë në shtëpinë e Jehovait, Psalmi 92:14 thotë: «Do të jenë të harlisur, edhe kur të jenë flokëzbardhur, të bëshëm e të freskët do të jenë gjithnjë.» I jam shumë mirënjohës Jehovait për jetën në shërbim të tij. Trashëgimia e vyer e krishterë më ka nxitur t’i shërbej plotësisht Jehovait. Falë dashurisë së tij besnike, kam pasur mundësi ‘të lulëzoj në oborret e Perëndisë tim’.—Psal. 92:13.
a Shih Zgjohuni! të 8 marsit 1972, f. 24-26, anglisht.