Ata gjetën paqe në një botë të trazuar
ILUSTRIMI në kapakun e kësaj reviste përshkruan skenën e një beteje të zjarrtë në Bosnje-Hercegovinë. A mund të ekzistojë paqja në atë vend? Mund të jetë habitëse, por përgjigjja është po. Edhe pse komunitetet katolike, ortodokse dhe myslimane në atë vend tragjik luftojnë për territore, shumë individë dëshirojnë paqen dhe disa e kanë gjetur.
Pjesëtarët e familjes Djorem banonin në Sarajevë dhe ishin Dëshmitarë të Jehovait. Midis gjithë asaj trazire që ekziston në atë qytet, ata e kishin zakon të vizitonin fqinjët e tyre për të ndarë me ta lajmin e mirë të Mbretërisë së Perëndisë. (Mateu 24:14) Përse? Sepse familja Djorem e dinte se kjo Mbretëri është reale, se tashmë ajo është vendosur në qiej dhe se është shpresa më e mirë dhe e vetme e njerëzimit për paqe. Dëshmitarët e Jehovait kanë besim të plotë në atë që apostulli Pjetër e quajti «lajmi i mirë i paqes». (Efesianëve 2:17, BR) Falë njerëzve të tillë si Bozo dhe Hena Djorem, shumë veta po gjejnë paqe në Bosnje-Hercegovinë.
Një paqe e vërtetë do të vijë
Mund të themi shumë për familjen Djorem. Megjithatë, le të flasim fillimisht për një çift tjetër që gjeti besim në Mbretërinë e Perëndisë. Ata quhen Artur dhe Arina. Bashkë me djemtë e tyre të vegjël, ata jetonin në një nga republikat në territorin e ish-Bashkimit Sovjetik. Kur shpërtheu lufta civile, Arturi luftoi në përkrahje të njërës palë. Megjithatë, shpejt ai pyeti veten: «Përse po luftoj kundër këtyre njerëzve që kanë qenë fqinjët e mi?» E la vendin dhe pas shumë përpjekjesh, bashkë me familjen e tij të re mbërriti në Estoni.
Gjatë një vizite në Shën Pjetërburg, Arturi takoi Dëshmitarët e Jehovait dhe i bëri përshtypje ajo që mësoi mbi Mbretërinë e Perëndisë. Vullneti i Jehovait është që shumë shpejt Mbretëria e Perëndisë të jetë sundimi i vetëm mbi njerëzimin. (Danieli 2:44) Pastaj toka do të jetë një vend me paqe, pa luftëra civile apo konflikte ndërkombëtare. Isaia profetizoi për atë kohë: «Nuk do të bëhet asnjë e keqe, asnjë shkatërrim mbi tërë malin tim të shenjtë, sepse vendi do të mbushet me njohurinë e Zotit, ashtu si ujërat mbulojnë detin.»—Isaia 11:9.
Duke vërejtur pikturën e asaj toke të ardhshme paqësore në një botim ndihmës për studimin e Biblës, që i tregoi një Dëshmitar, Arturi vërejti se kishte jetuar në një vend të ngjashëm. Por tani ishte shkatërruar nga lufta civile. Në Estoni, Arturi dhe familja e tij po mësojnë edhe më shumë mbi Mbretërinë e Perëndisë, nëpërmjet një studimi biblik me Dëshmitarët e Jehovait.
Paqe midis trazirave
Psalmi 37:37 thotë: «Ki kujdes për njeriun e ndershëm dhe këqyr njeriun e drejtë, sepse e ardhmja e këtij njeriu do të jetë paqja.» Në fakt, paqja e një njeriu të pafajshëm e të drejtë në sytë e Perëndisë, nuk është vetëm për të ardhmen. Ai e gëzon atë qysh tani. Si është e mundur? Shqyrto përvojën e një njeriu të quajtur Pol.
Poli jeton në një kamp të humbur refugjatësh në jugperëndim të Etiopisë, edhe pse në të vërtetë vjen nga një vend fqinj. Në atdheun e tij, ai kishte takuar një Dëshmitar të Jehovait, i cili punonte në një kompani vajguri dhe ky i dha një libër për ta ndihmuar në studimin e Biblës, E vërteta që të çon në jetën e përhershme.a Poli nuk e takoi më Dëshmitarin, por e studioi librin me kujdes. Lufta civile e çoi në një kamp refugjatësh në Etiopi dhe atje ai u foli të tjerëve për ato që kishte mësuar. Një grup i vogël e pranoi këtë si të vërtetë. Duke u mbështetur në ato që kishin mësuar, shpejt ata filluan t’u predikonin të tjerëve në kamp.
Poli i shkroi selisë qendrore të Shoqatës Watch Tower, duke kërkuar ndihmë. Një shërbëtor që u dërgua nga Adis Abeba mbeti i mahnitur kur gjeti 35 persona që po e prisnin, të gatshëm për të mësuar më shumë në lidhje me Mbretërinë e Perëndisë. U bënë rregullimet që ndihma t’u jepej mbi baza të rregullta.
Si mund të themi se njerëz si Poli gëzojnë paqe? Jeta e tyre s’është e lehtë, por ata kanë besim në Perëndinë. Kur preken nga trazirat e kësaj bote, ata zbatojnë këshillën e Biblës: «Mos u shqetësoni për asgjë, por në çdo gjë ia parashtroni kërkesat tuaja Perëndisë me anë lutjesh dhe përgjërimesh, me falenderim.» Si rrjedhojë, kanë një kënaqësi që është e rrallë sot. Për ta zbatohen fjalët që apostulli Pavël i drejtoi kongregacionit të filipianëve: «Paqja e Perëndisë, që ia tejkalon çdo zgjuarsie, do të ruajë zemrat tuaja dhe mendjet tuaja në Krishtin Jezu.» Në fakt, ata ndiejnë një marrëdhënie të ngushtë me Jehovain, ‘Perëndinë e paqes’.—Filipianëve 4:6, 7, 9.
Paqe e tanishme
Mbreti i kurorëzuar i Mbretërisë së Perëndisë është Jezu Krishti, që Bibla e quan «Princ i paqes». (Isaia 9:5) Për të profeti i lashtë tha: «Ai do t’u flasë për paqe kombeve; sundimi i tij do të shtrihet nga deti në det dhe nga Lumi deri në skaj të dheut.» (Zaharia 9:10) Fjalë të frymëzuara si këto patën një ndikim të thellë në jetën e një burri të quajtur Hozè.
Dikur Hozeja kishte qenë në burg. Kishte qenë terrorist dhe e kishin arrestuar duke u përgatitur për të hedhur në erë një postë policie. Ai mendonte se vetëm dhuna do ta detyronte qeverinë të përmirësonte kushtet në vendin e tij. Ndërsa gjendej në burg, Dëshmitarët e Jehovait filluan të studionin Biblën me gruan e tij.
Kur doli nga burgu edhe Hozeja studioi Biblën dhe shpejt fjalët e Psalmit 85:8 nisën të zbatoheshin edhe për të: «Unë kam për të dëgjuar atë që Perëndia, Zoti, ka për të thënë; me siguri ai do t’i flasë për paqe popullit të tij dhe shenjtorëve të tij.» Megjithatë, ky varg mbyllet me paralajmërimin: «Nuk do të lejojë që ata të jetojnë si njerëz pa mend.» Prandaj, një person që kërkon paqen e Jehovait nuk mund të vazhdojë të veprojë në mënyrë të pavarur apo në kundërshtim me vullnetin e Tij.
Sot, Hozeja dhe gruaja e tij janë shërbëtorë të krishterë. Ata drejtojnë të tjerë për nga Mbretëria e Perëndisë, si zgjidhja e problemeve që më parë Hozè përpiqej t’i zgjidhte me bomba. Ata janë të vendosur të besojnë në Biblën, e cila thotë: «Po, Zoti do të japë atë që është e mirë.» (Psalmi 85:12) Në fakt, kohët e fundit Hozeja vizitoi kazermën që kishte planifikuar të shkatërronte. Përse? Për t’u folur familjeve që jetojnë aty mbi Mbretërinë e Perëndisë.
Njerëz paqësorë
Në Psalmin 37:10, 11, Bibla thotë: «Edhe pak dhe i pabesi nuk do të jetë më; po, ti do të kërkosh me kujdes vendin e tij dhe ai nuk do të jetë më. Por zemërbutët do të zotërojnë tokën dhe do të gëzojnë një paqe të madhe.» Sa perspektivë e shkëlqyeshme!
Megjithatë, shiko se paqja e Jehovait është vetëm për «zemërbutët». Ata që kërkojnë paqen ndoshta duhet të mësojnë të jenë paqësorë. Kështu ndodhi edhe me Keitin, i cili jeton në Zelandën e Re. Keiti ishte përshkruar si «i fuqishëm në trup dhe në personalitet, agresiv dhe shamataxhi». Ishte pjesëtar i një bande dhe banonte në një shtëpi, që ishte një fortesë e vërtetë, në kopshtet e së cilës patrullonin tre qen të mëdhenj roje, për të mbajtur jashtë të huajt. E shoqja, nëna e gjashtë fëmijëve të tij, ishte divorcuar prej tij.
Kur Keiti takoi Dëshmitarët e Jehovait, lajmi i mirë pati një ndikim të thellë mbi të. Shpejt, ai dhe fëmijët e tij ndiqnin mbledhjet me Dëshmitarët. I preu flokët e gjatë deri në mes e filloi t’u fliste për Mbretërinë e Perëndisë ish-shokëve të tij. Disa prej tyre filluan, gjithashtu, të studionin Biblën.
Si edhe miliona zemërdrejtë anembanë botës, Keiti kishte filluar të zbatonte fjalët e apostullit Pavël: «Kush do ta dojë jetën dhe të shohë ditë të mira, . . . të largohet nga e keqja dhe të bëjë të mirën, të kërkojë paqen dhe të ndjekë atë.» (1. Pjetrit 3:10, 11) Gruaja që kishte më përpara pranoi të martohej përsëri me Keitin dhe tani ai po mëson «të kërkojë paqen dhe të ndjekë atë».
Paqja e Jehovait ka qenë jetëshpëtuese për shumëkënd, duke përfshirë edhe një ish-atlet nga ai që dikur quhej B.R.S.S. Ai kishte fituar medalje nëpër garat olimpike, por u zhgënjye dhe iu kthye drogës dhe alkoolit. Mbas 19 vjetësh të mbushur me ngjarje, që përfshinin një dënim trevjeçar në një kamp pune në Siberi, një udhëtim me anije si klandestin për në Kanada dhe dy herë buzë vdekjes për shkak të drogës, ai iu lut Perëndisë që ta ndihmonte për të gjetur një qëllim të vërtetë në jetë. Një studim biblik me Dëshmitarë të Jehovait që flisnin rusisht e ndihmoi të gjente përgjigjen e pyetjeve të tij. Sot, si miliona të tjerë, ky burrë ka gjetur paqen me Perëndinë dhe me veten.
Shpresa e ringjalljes
Së fundi, le të kthehemi përsëri te Bozo dhe Hena Djorem në Sarejevë. Ky çift kishte një vajzë pesëvjeçare, Magdalenën. Korrikun e shkuar, të tre po dilnin nga shtëpia për të filluar përsëri aktivitetin e predikimit, kur të gjithë u vranë nga shpërthimi i një predhe. Ç’të themi për paqen që ata u predikonin të tjerëve? A tregoi ajo predhë që u mori jetën, se ajo nuk ishte një paqe e vërtetë?
Në asnjë mënyrë! Në këtë sistem gjërash, tragjeditë ndodhin. Vriten njerëz nga bombat apo predhat. Të tjerë vdesin nga sëmundjet apo aksidentet. Shumë vdesin prej moshës së shkuar. Ata që gëzojnë paqen e Perëndisë nuk janë të paprekshëm, por mundësia e këtyre ngjarjeve nuk i lë ata pa shpresë.
Jezui i premtoi shoqes së tij, Martës: «Unë jam ringjallja dhe jeta; ai që beson në mua, edhe sikur të duhej të vdesë do të jetojë.» (Gjoni 11:25) Familja Djorem e besonte këtë, siç e besojnë të gjithë Dëshmitarët e Jehovait. Ata besonin se edhe nëse duhej të vdisnin, do të ringjalleshin në një tokë që do të ishte një vend me të vërtetë paqësor. Perëndia Jehova «do të thajë çdo lot nga sytë e tyre; dhe vdekja nuk do të jetë më; as brengë, as klithma, as mundim, sepse gjërat e mëparshme shkuan».—Zbulesa 21:4.
Përpara se të vdiste, Jezui u tha ithtarëve të tij: «Unë po ju lë paqen, . . . zemra juaj mos u trondittë.» (Gjoni 14:27) Ne gëzojmë bashkë me familjen Djorem, e cila e kishte atë paqe e që me siguri do ta gëzojnë edhe më shumë në ringjallje. Ne jemi të lumtur për të gjithë ata që adhurojnë Jehovain, Perëndinë e paqes. Këta kanë paqe në mendje. Gëzojnë paqe me Perëndinë. Kultivojnë paqen me të tjerët dhe kanë besim në një të ardhme të lumtur. Po, ata kanë gjetur paqe, edhe pse jetojnë në një botë me trazira. Në të vërtetë, të gjithë që adhurojnë Perëndinë me frymë dhe me të vërtetë gëzojnë paqe. Gjetsh edhe ti një paqe të tillë!
[Shënimi]
a Botuar nga Watchtower Bible and Tract Society of New York, Inc.
[Figurat në faqen 7]
Ata kanë gjetur paqe, edhe pse jetojnë në një botë të trazuar