Të mbështetur nga Miku i tyre më i madh
EKZISTON një shoqëri që i mbështet Dëshmitarët e Jehovait në mënyrë të veçantë. Është marrëdhënia e çmuar me Mikun e tyre më të madh, Perëndinë Jehova. (Krahaso Jakovit 2:23.) Ai i mbështet ata gjatë provave të mëdha të besimit.
Kujtimet e Dëshmitarëve mbi integritetin në regjimet totalitare janë lavdëruar nga shumë vëzhgues. Një prej tyre është Jirzhi Krupicka, doktor i filozofisë dhe i shkencave të natyrës, i cili në 1968-ën, pasi kishte kaluar shumë vite në kampet komuniste të përqendrimit, emigroi nga Çekosllovakia. Në një libër të tij, ai kometon mbi vuajtjet dhe vendosmërinë e Dëshmitarëve, që ishin burgosur për shkak të asnjanësisë së tyre.—Renesance rozumu.
Qeveritë komuniste dënuan me burg shumë Dëshmitarë, për shkak të besimit të tyre. Megjithëse të burgosur, ata nuk pranuan të nxirrnin uranium për qëllime lufte. (Isaia 2:4) Krupicka përshkruan një skenë që e pa vetë në njërën nga këto miniera në vitin 1952. Ai pa dy figura që qëndronin si statuja prej akulli në një dimër të ashpër. Koka dhe pjesa e sipërme e trupit mbulohej nga fuçi metalike.
Krupicka shkruan: «I kishin lënë jashtë me rrobat e leckosura të burgut deri herët në mëngjes. Si mundën të qëndronin kaq gjatë me këmbë të ngrira? Me anë të fuqisë së besimit. Fuçitë ishin të vjetra dhe të ndryshkura. Një dorë mizore i ngjeshi aq fort në kokë dhe në shpatulla, sa rrethi i dhëmbëzuar shpoi tej për tej xhaketën dhe lëkurën e njërit prej dy burrave dhe nga mënga rridhte gjaku pika-pika.
Roja i ndaloi radhët tona përballë tyre dhe komandanti na mbajti një fjalim të shkurtër. Ai tha se të refuzosh të punosh është rebelim dhe ndëshkohet në këtë mënyrë. Asnjë broçkull sentimentale mbi luftën dhe vrasjet nuk do t’i ndihmojë këta kundërshtarë, këta armiq të socializmit.»
Komandanti mori një shufër hekuri dhe goditi një nga fuçitë. Burri që ishte në të u mblodh brenda në fuçi, derisa mbuloi edhe kokën. Ajo që ndodhi më pas është skalitur thellë në mendjen e Krupickës.
Ai thotë: «Një zhurmë vinte nga brenda fuçive. Tinguj të lehtë, një lutje me pëshpërima drejtuar Perëndisë, i cili mund të dëgjojë gjithçka kudo që të jetë, madje edhe zhurmat me përpëlitje nga brenda fuçive të vjetra e të ndryshkura të uraniumit. Ai e dëgjon atë më fort se këngën e korit në një katedrale të madhe.»
Më 1 shtator 1993, vepra e Dëshmitarëve të Jehovait në Republikën Çeke u pranua zyrtarisht nga ligji. Tani, Dëshmitarët çekë gëzojnë pjesëmarrjen e lirë në veprën e arsimimit të krishterë. Po, ata gjejnë kënaqësi kur u flasin të tjerëve për Jehovain, Mikun e tyre më të madh.
[Figura në faqen 7]
Kongresistët në Republikën Çeke