«Mos punoni për ushqimin që prishet»
TREGUAR NGA DAVID LUNSTRUM
Vëllai im Elvudi dhe unë gjendeshin në një lartësi prej 9 metrash, duke lyer një tabelë të re mbi ndërtesat e fabrikave Watchtower. Më shumë se 40 vjet më vonë, ajo është ende aty, duke nxitur: «LEXONI FJALËN E PERËNDISË, BIBLËN E SHENJTË, PËRDITË.» Çdo javë, mijëra njerëz e shohin këtë tabelë, ndërsa kalojnë mbi urën e famshme të Bruklinit.
KUJTIMET e mia të hershme përfshijnë ditën e larjes së rrobave në familje. Qysh në pesë të mëngjesit, nëna ngrihej për të larë rrobat e familjes sonë të madhe dhe babai bëhej gati për në punë. Pasonte një tjetër diskutim i zjarrtë mes tyre, ku babai argumentonte se njeriu evoluoi në njëfarë mënyre gjatë miliona shekujve, ndërsa nëna citonte nga Bibla për të provuar se njerëzit ishin krijesa të drejtpërdrejta të Perëndisë.
Edhe pse isha vetëm shtatëvjeçar, e kisha kuptuar se nëna kishte të vërtetën. Sado që e doja shumë babain, kisha kuptuar se bindja e tij s’mund të ofronte asnjë shpresë për të ardhmen. Sa e lumtur do të kishte qenë nëna, sikur ta dinte se shumë vite më vonë dy prej fëmijëve të saj do të shkruanin një tabelë që inkurajonte njerëzit të lexonin Biblën, një libër që ajo e deshi aq shumë!
Por, le të mos shkojmë shumë përpara. Si munda të kem një punë të tillë të privilegjuar? Më duhet të kthehem prapa, në vitin 1906, tre vjet para se të lindja.
Shembulli i besueshëm i nënës
Në atë kohë, mamaja dhe babai sapo ishin martuar dhe jetonin në një tendë në Arizona. Një Student Biblik, siç quheshin atëherë Dëshmitarët e Jehovait, erdhi dhe i ofroi nënës serinë e librave të shkruar nga Charles Taze Russell, me titull Studime mbi Shkrimet. Ajo ndenji gjithë natën zgjuar, duke i lexuar ata libra dhe shpejt kuptoi se ajo ishte e vërteta që ajo kishte kërkuar. Babai kishte vajtur për të kërkuar punë dhe ajo mezi priste që të kthehej.
Edhe babai nuk ishte i kënaqur me ato që mësonin kishat, kështu që për njëfarë kohe i pranoi ato të vërteta biblike. Megjithatë, më vonë ai vazhdoi rrugën e tij fetare dhe madje i nxori edhe vështirësi nënës. Megjithatë, ajo kurrë nuk rreshti së kujdesuri për nevojat fizike dhe frymore të fëmijëve të saj.
Nuk do t’i harroj kurrë ecejaket e nënës lart e poshtë çdo natë, pasi kishte punuar fort gjithë ditën, për të na lexuar një pjesë nga Bibla apo për të ndarë me ne xhevahiret frymore. Edhe babai punonte shumë e ndërsa rritesha, ai më mësonte zanatin e lyerjes. Po, babai më mësoi të punoja, kurse nëna më mësoi për çfarë të punoja, siç udhëzoi edhe Jezui, për ‘ushqimin që nuk prishet’.—Gjoni 6:27.
Më në fund, familja jonë u vendos në qytetin e vogël Ellensburg në shtetin e Uashingtonit, rreth 180 kilometra në lindje të Siatëllit. Kur ne fëmijët filluam të ndiqnin mbledhjet e Studentëve të Biblës bashkë me nënën, takimet bëheshin nëpër shtëpi private. Të gjithë burrat e braktisën grupin tonë të studimit, kur u theksua nevoja për të marrë pjesë në shërbimin shtëpi më shtëpi. Por nëna nuk hoqi dorë kurrë. Kjo la tek unë një përshtypje të përhershme, që gjithmonë të besoja në drejtimin e organizatës së Jehovait.
Babai dhe nëna patën gjithsej nëntë fëmijë. Unë linda më 1 tetor 1909 dhe isha fëmija i tretë. Gjithsej, gjashtë prej nesh imituam shembullin e shkëlqyer të nënës dhe u bëmë Dëshmitarë të zellshëm të Jehovait.
Dedikimi dhe pagëzimi
Në vitet e fundit të adoleshencës iu dedikova Jehovait dhe e simbolizova këtë me pagëzimin në ujë, në vitin 1927. Pagëzimi u bë në Siatëll, në një ndërtesë të vjetër, që më parë kishte qenë një kishë baptiste. Isha i gëzuar që kishin hequr këmbanoren e vjetër. Na shoqëruan poshtë për te pishina që gjendej në bodrum, ku na dhanë për të veshur rroba të gjata e të zeza. Dukej sikur po shkonim në ndonjë funeral.
Disa muaj më vonë shkova përsëri në Siatëll e kësaj radhe provova për herë të parë dëshminë shtëpi më shtëpi. Ai që na printe m’u drejtua: «Ti shko nga kjo anë e bllokut, kurse unë po shkoj këndej.» Edhe pse isha nervoz, i lashë disa broshura një gruaje shumë të sjellshme. E vazhdova shërbimin shtëpi më shtëpi edhe kur u ktheva në Ellensburg dhe tani, gati 70 vjet më vonë, ky shërbim është ende një gëzim i madh për mua.
Shërbimi në selinë qendrore
Jo shumë kohë më pas, një person që kishte shërbyer në Bethelin në Bruklin, selia qendrore e Shoqatës Watch Tower, më inkurajoi të dilja vullnetar për të shërbyer atje. Nuk kaloi shumë pas asaj bisede, kur në revistën Kulla e Rojës doli një lajmërim që bënte të ditur nevojën për të ndihmuar në Bethel. Prandaj bëra kërkesën. S’do ta harroj kurrë gëzimin që provova, kur më lajmëruan që të paraqitesha për të shërbyer në Bethelin e Bruklinit, Nju Jork, më 10 mars 1930. Kështu, filloi karriera ime në kohë të plotë për të punuar për ‘ushqimin që nuk prishet’.
Dikush mund të mendojë se me përvojën që kisha si bojaxhi do të më caktonin të lyeja diçka. Përkundrazi, puna ime e parë ishte në makinën e qepjes në fabrikë. Edhe pse ishte shumë monotone, në atë punë u gëzova për më tepër se gjashtë vjet. Shtypshkronja e madhe rotative, të cilën ne me dashuri e quanim «luftanija e vjetër», prodhonte broshura që dërgoheshin nëpërmjet një rripi konvejeri në katin tonë të mëposhtëm. Kënaqeshim tek shihnim nëse mund t’i qepnim broshurat aq shpejt, sa i merrnim nga «luftanija e vjetër».
Pas kësaj, punova në një sërë repartesh, duke përfshirë edhe atë ku bënim gramafonë. Ne i përdorëm këto aparate për të transmetuar mesazhe të regjistruara biblike nëpër pragjet e shtëpive. Një gramafon vertikal u projektua dhe u prodhua nga vullnetarët në repartin tonë. Ky gramafon nuk transmetonte vetëm mesazhe të regjistruara, por kishte edhe disa ndarje të veçanta për të mbajtur broshurat e ndoshta edhe një sanduiç. Unë pata privilegjin të prezantoja përdorimin e kësaj pajisjeje të re në një kongres në Detroit, Miçigan, në vitin 1940.
Megjithatë, ne po bënim më shumë se vetëm makina inteligjente. Po bënim, gjithashtu, edhe rregullime të rëndësishme frymore. Për shembull, Dëshmitarët e Jehovait kishin si zakonin të mbanin një stemë me kryq dhe me një kurorë. Por më pas kuptuam që Jezui ishte ekzekutuar mbi një shtyllë të drejtë dhe jo mbi një kryq. (Veprat 5:30) Prandaj, nuk vazhduam t’i mbanim më këto stema. Ishte privilegji im që të hiqja ato kapëse nga stemat. Më vonë, arin e tyre e shkrimë dhe e shitëm.
Edhe pse kishin një program shumë të zënë me punë gjatë pesë ditëve e gjysmë të javës, në fundjavë merrnim pjesë në shërbimin e krishterë. Një ditë 16 prej nesh u arrestuan dhe u futën në një burg në Bruklin. Përse? E pra, në ato ditë ne e konsideronim fenë në përgjithësi, si sinonim të fesë së rreme. Prandaj, mbanim pankarta që nga njëra anë lexonin «Feja është një grackë dhe mashtrim», ndërsa nga ana tjetër «Shërbejini Perëndisë dhe Krishtit Mbret». Na futën në burg ngaqë mbanim këto pankarta, por Haiden Kevington, avokati i Shoqatës Watch Tower, na nxori jashtë. Në atë kohë, shumë raste që përfshinin lirinë e adhurimit kishin dalë përpara Gjykatës së Lartë të Shteteve të Bashkuara dhe ishte emocionuese të gjendeshe në Bethel e të dëgjoje ndër të parët raportet për fitoret tona.
Së fundi, më caktuan në detyra, ku hynte në punë përvoja ime si bojaxhi. Në një nga pesë komunat e qytetit të Nju Jorkut, në Staten Island, ne kishim një radiostacion WBBR. Kullat e radiostacionit ishin 60 metra të larta dhe kishin tri radhë me kabllo që i mbanin. Unë ulesha mbi një copë druri as një metër të gjatë dhe me gjerësi 20 cm, ndërsa një shok tjetër me ngrinte lart. I ulur në lartësi mbi atë ndenjëse të vogël, lyeja kabllot dhe kullat. Disa më pyesin nëse kisha bërë mjaft lutje për të bërë atë lloj pune!
Një punë që e bënim në verë e që s’do ta harroj kurrë, ishte larja e dritareve dhe lyerja e pragjeve të dritareve të ndërtesës së fabrikës. Këtë punë e quanim pushimet verore. Rregullonim stolin tonë prej druri dhe me disa pajisje të tjera hipnim e zbritnim nëpër ndërtesën tetëkatëshe.
Një familje që më përkrahu
Në vitin 1932, im atë vdiq dhe unë pyeta veten nëse duhej të kthehesha në shtëpi e të kujdesesha për nënën. Prandaj, një ditë, përpara drekës, vura një shënim në kreun e tavolinës ku ulej vëllai Rutherford, kryetari i Shoqatës. Në atë shënim kërkoja që të flisja me të. Pasi mori vesh shqetësimin tim dhe mësoi se unë kisha vëllezër e motra që jetonin ende në shtëpi, ai më pyeti: «A dëshiron të qëndrosh në Bethel e të bësh veprën e Zotërisë?»
—Sigurisht që dua,—iu përgjigja.
Kështu, më sugjeroi t’i shkruaja nënës e të shihja nëse ajo ishte dakort me vendimin tim për të qëndruar. E kështu veprova. Ajo ma ktheu, duke shprehur pëlqimin e saj të plotë për vendimin tim. E çmova me të vërtetë dashamirësinë dhe këshillën e vëllait Rutherford.
Gjatë viteve të shumta që kalova në Bethel, i shkrova rregullisht familjes sime dhe i inkurajova t’i shërbenin Jehovait, ashtu si edhe nëna më kishte inkurajuar mua. Nëna vdiq në korrik të vitit 1937. Çfarë frymëzimi kishte qenë ajo për familjen tonë! Vetëm vëllai dhe motra ime më e madhe, Poli dhe Esteri, si dhe motra ime më e vogël, Lois, nuk u bënë Dëshmitarë. Megjithatë, Poli e përkrahu veprën tonë dhe na gjeti terrene, në të cilat ngritëm Sallat tona të para të Mbretërisë.
Në vitin 1936, motra ime, Eva, u bë pioniere, apo predikuese në shërbim të plotë kohor. Po atë vit, ajo u martua me Ralf Tomas dhe në vitin 1939 u caktuan në veprën udhëtuese, për të shërbyer në kongregacionet e Dëshmitarëve të Jehovait. Më vonë u transferuan në Meksikë, ku kaluan 25 vjet duke ndihmuar veprën e Mbretërisë.
Në vitin 1939, edhe motrat e mia Alis dhe Frensis filluan shërbimin si pioniere. Ç’gëzim ishte të shihja Alisën në një nga repartet në kongresin e mbajtur në St. Luis, në vitin 1941, duke prezantuar përdorimin e pajisjeve të gramafonit, në prodhimin e të cilit kisha ndihmuar edhe unë! Edhe pse iu desh disa herë të ndërpriste veprën e pionierit për shkak të përgjegjësive familjare, Alisa ka kaluar gjithsej mbi 40 vjet në shërbimin e plotë kohor. Frensis ndoqi Shkollën Biblike të Galaadit (Watchtower Bible School of Gilead) në vitin 1944 dhe për njëfarë kohe shërbeu si misionare në Porto Riko.
Joeli dhe Elvudi, dy më të rinjtë e familjes, u bënë pionierë në Montana, në fillim të viteve ’40. Joeli ka mbetur një Dëshmitar i besuar dhe tani shërben si shërbëtor ndihmës. Elvudi u bashkua me mua në Bethel në vitin 1944, duke më sjellë gëzim të madh në zemër. Ishte më pak se pesë vjeç, kur unë ika nga shtëpia. Siç është vërejtur më parë, ne punuam së bashku, duke lyer tabelën mbi ndërtesën e fabrikës: «Lexoni Fjalën e Perëndisë, Biblën e Shenjtë, përditë.» Shpesh kam pyetur veten, se sa shumë njerëz që e kanë parë atë tabelë gjatë viteve, janë inkurajuar të lexojnë Biblën e tyre.
Elvud punoi në Bethel deri në vitin 1956, kur u martua me Ema Flait. Për shumë vite Elvud dhe Ema punuan së bashku në shërbimin e plotë kohor, duke shërbyer për ca kohë në Kenia, Afrikë, si edhe në Spanjë. Elvud u sëmur nga kanceri dhe vdiq në Spanjë, në vitin 1978. Ema ka qëndruar në Spanjë, në veprën e pionieres, deri më sot.
Martesa dhe familja
Në shtator 1953, e lashë Bethelin për t’u martuar me Alis Rivera, një pioniere në kongregacionin Bruklin Qendër, ku shkoja edhe unë. I bëra të ditur Alisës se unë kisha shpresën qiellore, por ajo ende kishte interes të martohej me mua.—Filipianëve 3:14.
Pas një jete 23-vjeçare në Bethel, ishte një ndryshim shumë i madh që të filloja një punë në botë si bojaxhi, për të mbajtur Alisën dhe veten në veprën e pionierit. Alisa më mbështeti gjithmonë, edhe kur për arsye shëndeti iu desh të ndërpriste shërbimin si pioniere. Në 1954-ën prisnim fëmijën tonë të parë. Lindja nuk shkoi mirë, edhe pse djali ynë, Xhoni, doli shkëlqyeshëm. Alisa humbi kaq shumë gjak gjatë operacionit cezarian, saqë mjekët menduan se nuk do të jetonte. Madje për një çast ata nuk dallonin dot as të rrahurat e pulsit. Megjithatë, ajo mbijetoi gjatë asaj nate dhe me kohë e mori veten plotësisht.
Pak vite më vonë, kur babai i Alisës vdiq, ne lëvizëm për më tej në Long Island, për të qenë me nënën e saj. Pasi nuk kishim makinë, si mjete transporti përdora këmbët, autobusët dhe metrotë. Si rrjedhim, isha në gjendje të vazhdoja si pionier e të mbështesja familjen time. Gëzimet e shërbimit të plotë kohor kanë kaluar tej mase çdo sakrificë. Ndihma që u kam dhënë njerëzve, të tillë si Xho Natale, i cili la një karrierë premtuese beisbolli për t’u bërë Dëshmitar, ka qenë vetëm një nga bekimet e mia të shumta.
Në vitin 1967, ndërsa kushtet në zonën e Nju Jorkut u keqësuan, vendosa të merrja Alisën dhe Xhonin e të jetonim në qytetin tim të lindjes, Ellensburg. Tani, më duket një shpërblim i madh tek shoh kaq shumë nipër e stërnipër të nënës sime, që marrin pjesë në shërbimin e plotë kohor. Disa shërbejnë edhe në Bethel. Edhe Xhoni me të shoqen e me fëmijët po i shërbejnë me besim Jehovait.
Mjerisht, gruaja ime e dashur, Alisa, më vdiq në vitin 1989. Angazhimi në shërbimin e plotë kohor më ka ndihmuar të përballoj humbjen. Bashkë me motrën time, Alisën, gëzojmë së bashku shërbimin si pionierë. Sa e shkëlqyeshme është të jetojmë përsëri së bashku nën të njëjtën strehë e të jemi të zënë në veprën më të rëndësishme!
Në pranverën e vitit 1994, vizitova Bethelin për herë të parë pas 25 vjetësh. Sa gëzim ishte të shihja dhjetra prej atyre me të cilët kisha punuar më shumë se 40 vjet më parë! Kur shkova unë në Bethel, në 1930-n, familja kishte vetëm 250 veta, ndërsa sot familja Bethel në Bruklin ka më shumë se 3.500 veta!
Të përkrahur nga ushqimi frymor
Më të shumtën e rasteve, herët në mëngjes, bëj një shëtitje përgjatë lumit Yakima, pranë shtëpisë sonë. Prej aty mund të shoh malin Rainier, madhështor e të mbuluar me borë, që ngrihet mbi 4.300 metra në qiell. Jeta shtazore është e bollshme. Disa herë kam parë kaprojtë dhe njëherë pashë edhe një dre.
Këto momente qetësie dhe vetmie më japin kohë të meditoj mbi masat e mrekullueshme të Jehovait. Lutem për forcë që të vazhdoj t’i shërbej me besim Perëndisë tonë, Jehova. Gjithashtu, më pëlqen të këndoj duke ecur, veçanërisht këngën «Të gëzojmë zemrën e Jehovait», fjalët e së cilës thonë: «Vullnetin tënd të plotësojmë; me mençuri për ty punojmë; të mbushet zemra me gëzim; kur pjesën tonë bëjmë në shërbim.»
Jam i kënaqur që kam zgjedhur një punë që e mbush me gëzim zemrën e Jehovait. Lutem që të mund të vazhdoj në këtë vepër, derisa të marr shpërblimin qiellor që është premtuar. Dëshira ime është që ky tregim të mund t’i nxisë edhe të tjerët që të përdorin jetën e tyre; ‘duke punuar për ushqimin që nuk prishet’.—Gjoni 6:27.
[Figurat në faqen 23]
Elvudi duke lyer tabelën «LEXONI FJALËN E PERËNDISË, BIBLËN E SHENJTË, PËRDITË»
[Figura në faqen 24]
Me Grant Suiterin dhe Xhon Kurzenin, duke prezantuar gramafonin e ri në kongresin e vitit 1940
[Figura në faqen 25]
Në vitin 1944, të gjithë ne që ishim në të vërtetën, bënim shërbim të plotë kohor: Davidi, Alisa, Joeli, Eva, Elvud dhe Frensis
[Figura në faqen 25]
Familjarë të mbetur gjallë; nga e majta: Alisa, Eva, Joeli, Davidi dhe Frensis