BIBLIOTEKA ONLINE Watchtower
Watchtower
BIBLIOTEKA ONLINE
shqip
Ë
  • Ë
  • ë
  • Ç
  • ç
  • BIBLA
  • BOTIME
  • MBLEDHJE
  • w96 1/8 f. 26-30
  • Maikëll Faradei: Shkencëtar dhe njeri i besimit

Nuk ka video për këtë zgjedhje.

Na vjen keq, ka një problem në ngarkimin e videos

  • Maikëll Faradei: Shkencëtar dhe njeri i besimit
  • Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1996
  • Nëntema
  • Material i ngjashëm
  • Sandemanët
  • Përhapja e Sandemanizmit
  • Besimet fetare të Faradeit
  • Faradei një Sandeman
  • Njeriu që ndryshoi botën
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—2010
  • Kush është kryeengjëlli Mikael?
    Përgjigje për pyetje rreth Biblës
  • Kush është kryeengjëlli Mikael?
    Çfarë mëson vërtet Bibla?
  • A është Jezui kryeengjëlli Mikael?
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—2010
Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1996
w96 1/8 f. 26-30

Maikëll Faradei: Shkencëtar dhe njeri i besimit

«Babai i elektricitetit.» «Shkencëtari më i madh eksperimentues që ka jetuar ndonjëherë.» Këto janë dy përshkrimet për Maikëll Faradein, që lindi në vitin 1791 në Angli, zbulimi i të cilit mbi induksionin elektromagnetik, çoi në zhvillimin e motorëve elektrikë dhe të prodhimit të fuqisë.

FARADEI mbajti leksione në një masë të gjerë në fushën e kimisë dhe të fizikës, në Institutin Mbretëror në Londër. Leksionet e tij për të popullarizuar shkencën, i ndihmuan të rinjtë që të kapnin konceptet e komplikuara. Ai mori dhuratën e kalorësit nga shumë universitete. Megjithatë, i shmangej publicitetit. Ai ishte një njeri thellësisht fetar, i lumtur në vetminë e apartamentit të tij prej tre dhomash dhe në shoqërinë e familjes së tij dhe të besimtarëve të tjerë. Faradei i përkiste asaj që ai e përshkroi si «një sekt shumë i vogël dhe i përbuzur i të krishterëve, të njohur . . . si sandemanët». Kush ishin ata? Çfarë besonin? Si ndikoi besimi i tyre tek Faradei?

Sandemanët

«Lidhja fillestare midis familjes së Faradeit dhe kishës Sandemaniane u vu nga gjyshërit e Maikëll Faradeit»,—vëren Xhefri Kantor, autor i librit, Maikëll Faradei: Sandemanian dhe Shkencëtar. Ata shoqëroheshin me ithtarët e një kleriku shëtitës jokonformist, shokët e të cilit përkrahnin besimet sandëmënene.

Robert Sandeman (1718-1771) ishte student i universitetit në Edinburg dhe studionte për matematikë, greqisht dhe gjuhë të tjera, kur një ditë dëgjoi duke predikuar klerikun ish-presbiterian, Xhon Glas. Ajo që dëgjoi, e bëri që të linte universitetin e të kthehej në shtëpi, në Perth të Skocisë e të bashkohej me Glasin dhe shoqëruesit e tij.

Rreth vitit 1720, Xhon Glas kishte filluar të dyshonte mbi disa mësime të Kishës Skoceze. Studimi që i bëri Fjalës së Perëndisë, e çoi në përfundimin se kombi biblik i Izraelit, tipizonte një komb frymor, qytetarët e të cilit erdhën nga shumë kombësi. Asgjëkundi nuk gjeti justifikimin për një kishë të ndarë për secilin komb.

I shqetësuar nga mësimet në kishën e tij në Teling, jashtë Dundes në Skoci, Glas u tërhoq nga kisha e Skocisë dhe i organizoi vetë mbledhjet e tij. Rreth njëqind njerëz u bashkuan me të dhe që në fillim ndjenë nevojën për të mbajtur unitetin në radhët e tyre. Ata vendosën të ndiqnin udhëzimet e Krishtit, të shënuara në kapitullin 18 të Mateut, vargjet 15 deri 17, për të sqaruar ndonjë mosmarrëveshje që mund të kishin. Më vonë, mbajtën mbledhjet javore, ku ata me besim të ngjashëm mblidheshin për lutje dhe këshillë.

Kur një numër i madh njerëzish filluan të ndiqnin rregullisht mbledhjet e tyre nëpër grupe të ndryshme, u nevojitën burra përgjegjës për të mbikqyrur adhurimin që bënin. Por cilët ishin të kualifikuar? Xhon Glas dhe shokët e tij, i kushtuan vëmendje të veçantë asaj që shkroi apostulli Pavël mbi këtë çështje. (1. Timoteut 3:1-7; Titit 1:5-9) Ata panë se në Bibël nuk përmendej nevoja e një arsimimi universitar apo nevoja për të kuptuar hebraisht dhe greqisht. Kështu, pas një shqyrtimi në lutje për udhëheqjen biblike, ata emëruan burra të kualifikuar si pleq. Besnikët e Kishës Skoceze e konsideruan pretendimin për të kuptuar Biblën dhe për të predikuar mesazhin e saj «gati blasfemuese» për njerëzit e paarsimuar «e mbarështuar në rrethana të ulëta». Në 1733-shin, kur Glas dhe bashkëbesimtarët e tij ndërtuan sallën e tyre të mbledhjeve, në qytetin Perth, kleri i zonës u përpoq të nxiste gjykatësit që t’i dëbonin ata jashtë qytetit. Kleri dështoi dhe lëvizja u rrit.

Robert Sandeman, u martua me vajzën e madhe të Glasit dhe në moshën 26 vjeçe, u bë plak në kongregacionin e Glasit në Perth. Ai kishte një përgjegjësi kaq të rëndë si plak, saqë vendosi t’ia kushtonte të gjithë kohën e tij veprës baritore. Më vonë, pas vdekjes së gruas së tij, Roberti «pranoi me gëzim t’i shërbente Zotërisë, kudo ku ai të ishte i nevojshëm për veprën kishtare»,—shënon një skemë biografike.

Përhapja e Sandemanizmit

Sandeman e zgjeroi me zell shërbimin e tij nga Skocia në Angli, ku u rritën grupe të reja bashkëbesimtarësh. Ndërkohë, në radhët e kelvinizmit anglez mbretëronin polemikat. Disa prej tyre besonin se ata ishin të paracaktuar për shpëtim. Nga ana tjetër, Sandeman u veçua me ata që mendonin se besimi ishte një kërkesë e nevojshme për shpëtim. Në mbështetje të kësaj pikëpamjeje, ai botoi një libër që u rishtyp katër herë dhe u shfaq, gjithashtu, në dy botime amerikane. Sipas Xhefri Kantor, botimi i këtij volumi ishte «e para nga ngjarjet më të rëndësishme, e cila bëri që sekti të zgjerohej përtej fillimeve të tij të kufizuara në Skoci».

Në 1764-n, Sandeman, i shoqëruar nga pleq të tjerë të Glasit, udhëtuan për në Amerikë, një vizitë që provokoi shumë polemika dhe kundërshtime. Megjithatë, ajo rezultoi me themelimin e një grupi të krishterësh, të gjithë të një mendjeje, në Danburi të Konektikut.a Këtu, në 1771-shin, Sandeman vdiq.

Besimet fetare të Faradeit

I riu Maikëll, i thithi mësimet sandemane të prindërve të tij. Ai mësoi se sandemanët e mbanin veten të ndarë nga ata që nuk e praktikonin atë që mësonte Bibla. Për shembull, ata refuzuan të merrnin pjesë në shërbimin anglikan martesor, duke preferuar t’i kufizojnë ceremonitë e tyre të dasmës, aq sa ishte e nevojshme nga ana ligjore.

Nënshtrimi ndaj qeverive, por duke ruajtur njëkohësisht edhe asnjanësinë politike, i karakterizonte sandemanët. Megjithëse ishin anëtarë të respektuar të bashkësisë, ata rrallë pranuan pozita civile. Por në ato raste kur i pranuan, i shmangën partitë politike. Mbajtja e këtij qëndrimi solli qortim mbi ta. (Krahaso Gjonin 17:14.) Sandemanët iu përmbajtën pikëpamjes se Mbretëria qiellore e Perëndisë është një organizim i përsosur për të qeverisur. Ata i shihnin politikanët si «një strategji e parëndësishme, e ulët, e mbetur pa moral»,—vëren Kantor.

Megjithëse të ndarë nga të tjerët, nuk i adoptuan qëndrimet egoiste të farisenjve. Ata shpallën: «Ne e gjykojmë si absolutisht të nevojshme të shmangim frymën dhe praktikat e farisenjve të lashtë, prandaj do të shmangim bërjen e më shumë mëkateve apo detyrave nga ç’janë dhënë në Shkrime; do të shmangim bërjen të pavlefshme të udhëzimeve hyjnore me anë të traditave njerëzore apo dredhive logjike.»

Ata adoptuan praktikën biblike për përjashtimin e ndonjë anëtari që ishte bërë pijanec, kërcënues, që kryente kurvëri, apo që praktikonte mëkate të tjera të rënda. Nëse mëkatari pendohej me të vërtetë, përpiqeshin që ta rikthenin përsëri. Ndryshe, ndiqnin urdhërin biblik për ta «nxjerrë të ligun».​—1. Korintasve 5:5, 11, 13.

Sandemanët iu bindën urdhërit biblik për t’u përmbajtur nga gjaku. (Veprat 15:29) Xhon Glas kishte argumentuar se njerëzit e Perëndisë janë nën detyrimin për t’iu përmbajtur kufizimit mbi gjakun, pikërisht siç i kishte urdhëruar Perëndia njerëzit e parë që të përmbaheshin nga ngrënia e frutit të pemës së njohjes të së mirës dhe të së keqes. (Zanafilla 2:16, 17) Mosbindja ndaj urdhërit në lidhje me gjakun, ishte e barabartë me refuzimin e përdorimit të drejtë të gjakut të Krishtit, d.m.th., shlyerjen nga mëkati. Glas përfundoi: «Ky ndalim i ngrënies së gjakut ishte gjithmonë dhe akoma është i rëndësisë më të madhe.»

Arsyetimi i Sandemanëve mbi Shkrimet, i ndihmoi ata që të shmangnin shumë gracka. Për shembull, në lidhje me zbavitjen, ata shikuan në udhëzimet e Krishtit si udhëheqje. «Ne nuk guxojmë të vëmë ligje aty ku Krishti nuk ka vënë,—thanë ata,—as hedhim poshtë ndonjë ligj që ai na ka dhënë. Prandaj, pasi nuk mund të gjejmë se ku ndalohet zbavitja publike apo private; shqyrtojmë ndonjë zbavitje të ligjshme, që nuk është e lidhur me rrethana me të vërtetë mëkatare.»

Megjithëse, në këtë mënyrë, Sandemanët iu përmbajtën shumë pikëpamjeve që ishin saktësisht të bazuara në Shkrime, ata nuk kapën rëndësinë e aktivitetit që karakterizon pikërisht të krishterët e vërtetë, d.m.th., që secili duhet t’u predikojë të tjerëve lajmin e mirë të Mbretërisë. (Mateu 24:14) Megjithatë, mbledhjet e tyre ishin të hapura për këdo dhe ata përpiqeshin t’u jepnin të gjithëve atyre që u bënin pyetje, një arsye për shpresën e tyre.​—1. Pjetrit 3:15.

Si ndikoi ky shembull besimi mbi shkencëtarin Maikëll Faradei?

Faradei një Sandeman

I nderuar, i trajtuar me respekt të madh për zbulimet e tij të shquara, Maikëll Faradei bëri një jetë të thjeshtë. Kur njerëzit e famshëm vdisnin dhe ata që ishin të shquar prisnin të ndiqnin funeralin e tyre, Faradei ishte njëri prej tyre që në mënyrë të dukshme mungonte, sepse ndërgjegjja e tij nuk e lejonte të ndiqte dhe të përfshihej në një shërbim të Kishës Anglikane.

Si një shkencëtar, Faradei iu përmbajt ngushtësisht asaj që ai mundi të tregonte se ishin fakte. Kështu, ai shmangu shoqërinë e ngushtë me njerëzit e mësuar që parashtronin hipotezat e tyre personale dhe i linin mënjanë çështjet. Siç i tha njëherë një auditori, ‘një fakt themelor nuk na zhgënjen kurrë, dëshmia e tij është gjithmonë e vërtetë’. Ai e portretizoi shkencën si të varur ‘mbi fakte të vëzhguara me kujdes’. Duke përfunduar një prezantim mbi forcat bazë të natyrës, Faradei e inkurajoi auditorin e tij të mendojë për «Atë që i krijoi ato». Pastaj ai përmendi atë që tha apostulli i krishterë Pavël: «Në fakt cilësitë e tij të padukshme, fuqia e tij e përjetshme dhe hyjnia e tij, duke qenë të dukshme nëpërmjet veprave të tij që nga krijimi i botës, shihen qartë.»​—Romakëve 1:20.

Ajo që e dalloi Faradein nga shumë shkencëtarë të tjerë, ishte dëshira e tij për t’u mësuar nga Libri i frymëzuar i Perëndisë si edhe nga libri i natyrës. «Përmes Sandëmëneanizmit të tij, ai zbuloi mënyrën për të jetuar në bindje me ligjin moral të Perëndisë dhe me premtimin e jetës së përhershme,—vëren Kantor.—Përmes shkencës së tij, ai erdhi në kontakt të afërt me ligjet fizike që Perëndia kishte zgjedhur për të qeverisur universin.» Faradei besonte se «autoriteti absolut i Biblës nuk mund të shkatërrohej nga shkenca, por në vend të kësaj, nëse shkenca praktikohej në një mënyrë me të vërtetë të krishterë, do të mund të ndriçonte librin tjetër të Perëndisë, librin e natyrës».

Me përulësi Faradei refuzoi shumë prej ndereve që të tjerët donin të vinin mbi të. Vazhdimisht ai shprehu mungesë interesi ndaj dhuratës së kalorësisë. Ai dëshironte të mbetej ‘thjesht zoti Faradei’. Ai i kushtoi shumë kohë aktivitetit të tij si plak, duke përfshirë udhëtimin e rregullt nga Londra në fshatin Norfolk, që të kujdesej për një grup të vogël besimtarësh që jetonin atje e që kishin të njëjtat pikëpamje.

Maikëll Faradei vdiq më 25 gusht 1867 dhe u varros në Hajgeit, në veri të Londrës. Biografi Xhon Tomas, na tregon se Faradei «u përçoi brezave pasardhës masën më të madhe të arritjeve të pastra shkencore, në krahasim me ndonjë shkencëtar tjetër fizikant dhe rrjedhimet praktike të zbulimeve të tij, kanë ndikuar thellësisht në natyrën e jetës civile». Gruaja e Faradeit, Sara, shkroi: «Mund të tregoj vetëm Dhiatën e Re si udhëheqjen dhe rregullin e tij; sepse ai e konsideronte atë si Fjalën e Perëndisë . . . një detyrim i njëjtë për të krishterët e kohës kur ajo u shkrua»,—një dëshmi elokuente për një shkencëtar të famshëm, që me devotshmëri jetoi sipas besimit të tij.

[Shënimi]

a Mbetja e fundit e grupit Sandeman apo Glasit në Shtetet e Bashkuara, pushoi së ekzistuari rreth fillimit të shekullit të njëzetë.

[Kutia në faqen 29]

I caktuar për të mbajtur leksione në Institutin Mbretëror Britanik, Maikëll Faradei e popullarizoi shkencën në një mënyrë që edhe më të rinjtë mundën ta kuptonin. Këshilla e tij për të ndjekur leksionet përmban sugjerime praktike, të cilat të krishterët e ditëve moderne që mësojnë publikisht, bëjnë mirë t’i shqyrtojnë.

◻ «E folura nuk duhet të jetë e shpejtë, e nxituar dhe si pasojë e pakuptueshme, por e ngadaltë dhe e matur.»

◻ Një orator duhet të përpiqet të rrisë interesin e auditorit të tij «në fillimin e leksionit dhe nga një seri shkallëzimesh të padukshme, që nuk vihen re nga auditori, e mban të gjallë interesin e tij për aq sa e kërkon tema».

◻ «Një mbajtësi leksionesh i bie mjaft poshtë dinjiteti i karakterit të tij, kur e lakon të folurën për të provokuar duartrokitje dhe kur kërkon lavdërim.»

◻ Në lidhje me përdorimin e një skeme: «Gjithmonë ndihem i detyruar . . . të përpiloj planin [e temës] mbi letër dhe ta plotësoj në pjesë, duke i kujtuar ato me mendje përmes shoqërimit ose ndonjë mënyre tjetër. . . . Rendis titujt e rëndësishëm dhe më pak të rëndësishëm dhe me këtë përpunoj çështjet e temës sime.»

[Burimi i figurës në faqen 26]

Të dyja pikturat: Me mirësjellje nga Instituti Mbretëror

    Botimet shqip (1993-2025)
    Shkëputu
    Hyr me identifikim
    • shqip
    • Dërgo
    • Parametrat
    • Copyright © 2025 Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania
    • Kushtet e përdorimit
    • Politika e privatësisë
    • Parametrat e privatësisë
    • JW.ORG
    • Hyr me identifikim
    Dërgo