Lajmëtarët e mbretërisë raportojnë
Ndihmë për «të eturit» në Rusi
«LUM ata që janë të uritur dhe të etur për drejtësi, sepse ata do të ngopen.» (Mateu 5:6) Përvoja e mëposhtme tregon se si po ndihmojnë Dëshmitarët e Jehovait për të shuar etjen frymore të shumë njerëzve në Rusi, ku për më shumë se 70 vjet ishte prerë liria fetare.
▪ Një grua me emrin Valentina kishte pyetje serioze mbi Biblën, të cilat nuk kishin marrë përgjigje për vite me radhë. Për shembull, ajo pyeste veten: «Kujt iu lut Jezui?» Ajo arsyetonte se Jezui duhej t’i ishte lutur dikujt më të lartë se vetvetja dhe pyeste veten se kush ishte emri i Tij.
Ajo bëri një vizitë në Kishën Ortodokse Ruse. Megjithatë, në atë fe, ajo nuk gjeti përgjigje për pyetjet e saj. E pakënaqur, shkoi në një Kishë Protestante, por përsëri nuk gjeti përgjigje të qarta. Duke mos ditur ku të shkonte tjetër, Valentina filloi të lexonte Biblën, duke u përpjekur t’i gjente vetë përgjigjet, por ishte e kotë. Ajo u lut për ndihmë.
Disa kohë më vonë, në derën e saj trokitën Dëshmitarët e Jehovait. Ata i treguan asaj nga Bibla se emri i Perëndisë është Jehova. Më në fund, ajo mësoi se kujt i lutej Jezui. Filloi të studionte rregullisht Biblën me Dëshmitarët dhe shpesh qëndronte gjithë natën, duke lexuar literaturën e botuar nga Shoqata Watch Tower dhe duke kërkuar vargjet biblike. S’kaloi shumë dhe Valentina nxori përfundimin se kishte gjetur të vërtetën. Brenda tre muajsh, ajo filloi të marrë pjesë në veprën e predikimit dhe dy muaj më pas u pagëzua. Kërkimi me lutje që bëri për të vërtetën, u shpërblye.
▪ Një Dëshmitar po shkonte me autobus për të predikuar në një zonë të largët. Gjatë udhëtimit ai foli me një vajzë të re për premtimet e Biblës, por ajo nuk ishte e interesuar. Dy muaj më vonë, Dëshmitari bëri një udhëtim të dytë po në atë zonë për të bërë një fjalim publik. Pas fjalimit, ai iu afrua një vizitori dhe e pyeti: «A të ka folur ndokush deri tani për lajmin e mirë nga Bibla?» Djali iu përgjigj: «Po, ti.» Dëshmitari mendoi se ai po bënte shaka. Por djali i ri i shpjegoi se dy muaj më parë atij i kishte kapur veshi bisedën që Dëshmitari kishte bërë me vajzën e re gjatë udhëtimit me autobus. «Doja të dija më shumë, por ti zbrite nga autobusi dhe unë mendova se nuk do të shihja më kurrë Dëshmitarë të Jehovait. Më vonë, takova në vendin e punës një burrë që studionte Biblën me Dëshmitarët dhe ja, ku jam.»
Burri dhe gruaja e tij filluan të studionin Biblën. Pas një kohe shumë të shkurtër, ai arriti të kuptojë se puna që bënte nuk pajtohej me parimet biblike. Duke dashur të mbante një ndërgjegje të mirë para Perëndisë, ai ndërroi punë. Tani, ai flet me të tjerët për Mbretërinë e Perëndisë sa herë që i jepet rasti. Edhe e shoqja po përparon në studimin e Biblës.
Dëshmitarët e Jehovait në territorin e gjerë të Rusisë, janë të kënaqur që mund t’u thonë të gjithë njerëzve të sinqertë: «‘Eja!’ Dhe ai që ka etje, le të vijë; dhe ai që do, le të marrë si dhuratë ujin e jetës.»—Zbulesa 22:17.