Duke i shërbyer Jehovait si një familje e bashkuar
TREGUAR NGA ANTONIO SANTOLERI
Im atë kishte mbushur të 17-at kur iku nga Italia
në vitin 1919. Shkoi në Brazil në kërkim të një jete më të mirë. Me kalimin e kohës, ai arriti të hapë një rrojtore në një qendër të vogël në brendësi të shtetit São Paulo.
NË VITIN 1938, kur kisha mbushur 7 vjeç, një ditë babai mori versionin Brasileira të Biblës, nga një burrë që kaloi nga dyqani i tij. Dy vjet më vonë, nëna u sëmur rëndë dhe mbeti invalide derisa vdiq. Edhe babai u sëmur, kështu që nëna, babai, motra ime Ana dhe unë shkuam të gjithë të jetonim me të afërmit në qytetin São Paulo.
Gjatë viteve të shkollës në São Paulo, u bëra një lexues i etur veçanërisht për gjërat historike. Më bëri përshtypje fakti që nganjëherë në to përmendej Bibla. Një libër artistik, të cilin e kisha marrë hua nga libraria publike në São Paulo, përmendte disa herë Predikimin në Mal. Pikërisht atëherë vendosa të merrja një Bibël për ta lexuar vetë atë predikim. Kërkova Biblën që babai kishte marrë vite më parë dhe më në fund e gjeta në fund të një bauleje, ku kishte qëndruar për shtatë vjet.
Familja jonë ishte katolike, kështu që kurrë nuk më kishte inkurajuar njeri që të lexoja Biblën. Tani mësova vetë të gjeja kapitujt dhe vargjet. Lexova me kënaqësi të madhe jo vetëm Predikimin në Mal, por të gjithë librin e Mateut, si edhe libra të tjerë të Biblës. Ajo që më bëri më shumë përshtypje ishte tonaliteti i së vërtetës, me të cilin paraqiteshin mësimet dhe mrekullitë e Jezuit.
Duke kuptuar se sa e ndryshme ishte feja katolike nga ajo që kisha lexuar në Bibël, fillova të frekuentoja Kishën Presbiteriane dhe me mua erdhi edhe Ana. Por, prapëseprapë ndieja një boshllëk në zemër. Për 17 vjet me radhë po e kërkoja Perëndinë me padurim. (Veprat 17:27) Në një natë me yje, tek rrija e mendoja, pyeta veten: «Përse jam këtu? Cili është qëllimi i jetës?» Kërkova një qoshe të veçuar në oborrin e prapmë, rashë në gjunjë dhe u luta: «Zot, Perëndi! Kush je ti? Si mund të të njoh?» S’kaloi shumë pas kësaj dhe mora përgjigjen.
Mësoj të vërtetën biblike
Ishte viti 1949. Një ditë, një grua e re iu afrua babait, sapo zbriti nga tramvaji. Ajo i ofroi revistat Kulla e Rojës dhe Zgjohuni! Ai u pajtua në kontribuoi për Kullën e Rojës dhe i kërkoi asaj që të na bënte një vizitë në shtëpi, duke i shpjeguar se kishte dy fëmijë që shkonin në Kishën Presbiteriane. Gjatë vizitës, gruaja i la Anës librin Fëmijët dhe filloi një studim biblik me të. Më vonë, fillova edhe unë të studioj.
Në nëntor të 1950-s, morëm pjesë në kongresin e parë të Dëshmitarëve të Jehovait. Në këtë kongres doli edhe libri «Qoftë Perëndia i vërtetë» dhe ne e vazhduam studimin e Biblës, duke përdorur atë libër si ndihmës. Shpejt pas kësaj, dalluam se kishim gjetur të vërtetën dhe në prill të vitit 1951 u pagëzuam në simbol të dedikimit tonë ndaj Jehovait. Ndërsa Babai e bëri dedikimin e tij disa vjet më pas dhe qëndroi i besueshëm ndaj Perëndisë deri në vdekje, në 1982-shin.
I lumtur në shërbimin e plotë kohor
Në janar të 1954-s, kur s’isha më shumë se 22 vjeç, u pranova për të shërbyer në zyrën e degës së Dëshmitarëve të Jehovait, e cila quhet Bethel. Kur arrita atje, u habita kur mësova se një burrë vetëm dy vjet më i madh se unë, Riçard Myke, ishte mbikëqyrësi i degës. Në 1955-n, kur lindi nevoja për shërbëtorë qarkorë, siç quheshin atëherë mbikëqyrësit udhëtues, unë isha mes atyre pesë burrave që ishin ftuar për të marrë pjesë në këtë shërbim.
Unë u caktova në shtetin Rio Grande do Sul. Kur fillova unë, atje kishte vetëm 8 kongregacione të Dëshmitarëve të Jehovait, por brenda 18 muajsh u formuan 2 kongregacione të reja dhe 20 grupe të pavarura. Sot, në këtë zonë ka 15 qarqe të Dëshmitarëve të Jehovait, me nga 20 kongregacione secili. Nga fundi i vitit 1956, më njoftuan se qarku im ishte ndarë në katër qarqe më të vogla, në të cilat do të shërbenin katër shërbëtorë qarkorë. Në atë kohë, mua më thanë të kthehesha në Bethel për të marrë një caktim të ri.
Për habinë dhe kënaqësinë time, më caktuan si shërbëtor krahinor, një shërbëtor udhëtues që shërben mbi një numër qarqesh, në veri të Brazilit. Në atë kohë, Brazili kishte 12.000 shërbëtorë Dëshmitarë të Jehovait dhe vendi ishte ndarë në dy krahina. Rikard Vutke shërbente në krahinën e jugut, ndërsa unë në atë të veriut. Në Bethel ishim stërvitur që të përdornim një projektor për të shfaqur filmat e prodhuar nga Dëshmitarët e Jehovait Shoqëria e botës së re në veprim dhe Lumturia në shoqërinë e botës së re.
Udhëtimi në ato ditë ishte krejt ndryshe. Asnjë nga Dëshmitarët nuk kishte makinë, kështu që udhëtoja me lundër, me barkë me rrema, me kalë, me qerre, me kamion dhe një herë me aeroplan. Ishte emocionuese të fluturoje mbi pyjet e Amazonës e të zbrisje në Santarém, një qytet që gjendet në mes të Belém në buzë të Amazonës dhe Manaus, që është kryeqyteti i shtetit Amazona. Shërbëtorët krahinorë të asaj kohe bënin pak asamble qarkore, kështu pjesën më të madhe të kohës e kaloja, duke shfaqur filmat e Shoqatës. Në qytetet e mëdha i panë me mijëra persona.
Ajo që më la më shumë mbresa në Brazilin verior ishte zona e Amazonës. Ndërkohë që shërbeja atje, në prill të 1957-s, Lumi Amazona dhe degët e tij kaluan shtratin. Unë kisha privilegjin që të shfaqja një nga filmat në pyll, duke formuar një ekran të improvizuar midis dy pemëve. Fuqia elektrike për projektorin vinte nga një motobarkë e ankoruar në lumin fqinj. Ishte filmi i parë, të cilin shumica e auditorit nuk e kishte parë asnjëherë.
S’kaloi shumë kohë dhe unë u ktheva në shërbimin në Bethel dhe vitin tjetër, në 1958-n, pata privilegjin të merrja pjesë në ngjarjen historike të Asamblesë Ndërkombëtare të Dëshmitarëve të Jehovait «Vullneti hyjnor», në Nju Jork. Mes 253.922 të pranishmëve që mbushën Stadiumin Janki dhe atë fqinj Polo Graunds në ditën e fundit të atij kongresi tetëditor, kishte delegatë nga 123 vende.
Duke gëzuar ndryshimet në jetën time
Pak kohë pasi u ktheva në Bethel, u njoha me Klara Berndt dhe në mars të vitit 1959 u martuam. U caktuam për të shërbyer në veprën qarkore, në shtetin Bahia, ku shërbyem gati për një vit. Unë dhe Klara sjellim akoma ndër mend me gëzim përulësinë, mikpritjen, zellin dhe dashurinë e vëllezërve të atjeshëm, që ishin të varfër materialisht, por të pasur në frytet e Mbretërisë. Më pas, u transferuam në shtetin São Paulo. Pikërisht atje, në 1960-n, ime shoqe mbeti shtatzënë, kështu që na u desh të linim shërbimin e plotë kohor.
Vendosëm të transferoheshim në një vend në shtetin Santa Catarina, që ishte vendlindja e time shoqeje. Djali, që quhet Gerson, ishte i pari i të pestë fëmijëve. Pas tij, në 1962-shin na lindi Gilson, në 1965-n lindi Talita, në 1969-n Tarsio dhe në 1974-n Janis. Falë Jehovait dhe këshillës së shkëlqyer që ai na siguron, për ne qe e mundur të përballonim sfidën e rritjes së tyre në «disiplinën dhe rregullin mendor të Jehovait».—Efesianëve 6:4, BR.
Të gjithë fëmijët i konsiderojmë të çmuar. Ndjenjat tona i ka shprehur fare mirë psalmisti: «Ja, bijtë janë një trashëgimi që vjen nga Zoti.» (Psalmi 127:3) Pavarësisht nga problemet, jemi kujdesur për fëmijët tanë siç do të kujdeseshim për ndonjë ‘trashëgimi nga Jehovai’, duke mbajtur mirë në mendje udhëzimet që gjejmë në Fjalën e tij. Shpërblimet kanë qenë të shumta. Patëm një gëzim të papërshkrueshëm kur më pas, që të pestë fëmijët personalisht dhe me vullnetin e tyre shprehën dëshirën për t’u pagëzuar në simbol të dedikimit të tyre ndaj Jehovait.—Eklisiastiu 12:1.
Zgjedhjet e fëmijëve tanë
Na gufonte zemra nga gëzimi kur Gersoni, menjëherë pasi përfundoi një kurs kompjuteri, tha se dëshironte të shërbente në Bethel, duke zgjedhur në këtë mënyrë shërbimin e plotë kohor dhe jo karrierën profesionale. Megjithatë, fillimisht jeta në Bethel nuk ishte e lehtë për Gersonin. Kur e vizituam pas katër muajsh në Bethel, më bëri shumë përshtypje trishtimi i fytyrës së tij kur ikëm. E pashë nga pasqyra e makinës që po na ndiqte me sy, derisa kaluam kthesën e parë në rrugë. Sytë mu mbushën me lot dhe m’u desh të ndaloja në anë të rrugës para se të vazhdoja udhëtimin prej 700 km për t’u kthyer në shtëpi.
Gersoni u kënaq vërtet në Bethel. Pasi shërbeu aty gati për gjashtë vjet, u martua me Hidi Besser dhe shërbyen së bashku në Bethel për dy vjet të tjerë. Më pas, Hidi mbeti shtatzënë, kështu që iu desh ta linin Bethelin. Vajza e tyre, Sintia, që tani ka mbushur gjashtë vjeç, i shoqëron ata në aktivitetet e Mbretërisë.
Jo shumë kohë pasi vizituam për herë të parë Gersonin në Bethel, Gilsoni, që s’kishte shumë që kishte mbaruar vitin e parë të shkollës për biznes, tha se edhe ai donte të shërbente atje. Ai kishte bërë plan që ta rifillonte përsëri kursin për biznes, pasi të kishte shërbyer një vit në Bethel. Por planet e tij ndryshuan dhe ai vazhdoi në shërbimin në Bethel. Në 1988-n, u martua me Vivian Gonsalvis, një pioniere, siç quhen shërbëtorët në kohë të plotë. Që atëherë, ata shërbyen së bashku në Bethel.
Gëzimet tona vazhduan, kur e treta nga fëmijët, Talita, në vitin 1986 vendosi të fillonte shërbimin si pioniere pasi të mbaronte një kurs projektimi. Tre vjet më vonë e ftuan edhe atë në Bethel. Në 1991-shin, ajo u martua me Zhoze Kozin, i cili kishte shërbyer në Bethel për dhjetë vjet. Që të dy vazhduan të shërbenin atje si një çift i martuar.
Unë me gruan ishim përsëri të kënaqur, kur Tarsio, i treti i fëmijëve, përsëriti të njëjtën frazë që tani bëhej e treta herë që e dëgjonim: «Babi, dua të shërbej në Bethel.» Kërkesa e tij u pranua dhe në 1991-shin, edhe ai filloi shërbimin në Bethel, ku qëndroi deri në vitin 1995. Jemi të lumtur që ai e përdori fuqinë e tij rinore për të mbështetur interesat e Mbretërisë së Jehovait në këtë mënyrë, për më shumë se tre vjet.
Më e vogla, Janis, vendosi që t’i shërbente Jehovait dhe në moshën 13 vjeç u pagëzua. Gjatë viteve të shkollës, ajo shërbeu për një vit si pioniere ndihmëse. Më pas, më 1 shtator 1993, ajo filloi si pioniere e rregullt në kongregacionin tonë këtu në qytetin Gaspar.
Rruga e suksesit
Cili ishte sekreti që e mbajti familjen të bashkuar në adhurimin e Jehovait? S’ma ha mendja se ka qenë ndonjë formulë magjike. Jehovai ka siguruar në Fjalën e tij këshilla që prindërit e krishterë duhet të ndjekin, me qëllim që i gjithë nderimi për rezultatet e shkëlqyera që kemi pasur t’i shkojë atij. Ne thjesht jemi përpjekur të ndjekim udhëzimet e tij. (Proverbat 22:6) Të gjithë fëmijët tanë trashëguan një sentimentalizëm latin prej meje dhe një frymë praktike gjermane nga nëna e tyre. Por gjëja më e rëndësishme që ata morën prej nesh, ishte trashëgimia frymore.
Jeta jonë rrotullohej rreth interesave të Mbretërisë. Nuk ishte e lehtë të mbaje në vend të parë këto interesa. Për shembull, patëm vështirësi që të mbanim gjithmonë një studim të rregullt biblik në familje, megjithatë kurrë nuk u dorëzuam. Që në ditët e para të jetës, të gjithë fëmijët i çonim në mbledhjet e krishtere, si dhe në asamble dhe kongrese. Vetëm sëmundja apo ndonjë urgjencë tjetër mund të na ndalonte që të merrnim pjesë në to. Për më tepër, që në moshë të re fëmijët na shoqëruan në shërbimin e krishterë.
Kur mbushën dhjetë vjeç, fëmijët filluan të bënin fjalime në Shkollën e Shërbimit Teokratik. Ne i ndihmuam që të përgatisnin fjalimin e tyre të parë, duke i inkurajuar të përdornin skemën dhe jo ta shkruanin. Më vonë, secili e përgatiste vetë fjalimin. Gjithashtu, gjatë moshës 10 deri në 12 vjeç, filluan të merrnin pjesë rregullisht në shërbim. Kjo ishte e vetmja mënyrë jetese që ata njihnin.
Ime shoqe, Klara, luajti një rol jetësor në rritjen e fëmijëve. Në moshë shumë të re, që është mosha kur fëmija thith çdo gjë që i mësohet, Klara u lexonte çdo natë nga një tregim biblik dhe lutej me secilin prej tyre. Ajo i shfrytëzoi mirë librat Nga parajsa e humbur në parajsën e rifituar, Duke dëgjuar mësuesin e madh dhe Libri im i tregimeve biblike.a Kur u vunë në dispozicion, përdorëm edhe materiale që dëgjoheshin apo shikoheshin, të siguruara nga Dëshmitarët e Jehovait.
Përvoja jonë si prindër të krishterë përforcon mendimin se fëmijët kanë nevojë për kujdes të përditshëm. Dashuria e dendur, interesimi personal dhe koha e bollshme janë ndër nevojat bazë tek të rinjtë. Ne jo vetëm që e konsideruam si një përgjegjësi prindërore plotësimin e këtyre nevojave sa më mirë që të mundnim, por korrëm kënaqësi të madhe nga kjo.
Vërtet, është kënaqësi për prindërit të kuptojnë përmbushjen e fjalëve të Psalmit 127:3-5: «Ja, bijtë janë një trashëgimi që vjen nga Zoti; fryti i barkut është një shpërblim. Si shigjeta në duart e një trimi, kështu janë bijtë e rinisë. Lum ai njeri që ka kukurën e tij plot!» Fakti që i kemi shërbyer Jehovait si një familje e bashkuar, na ka bërë vërtet të gëzojmë!
[Shënimi]
a Të gjitha të botuara në anglisht nga Watchtower Bible and Tract Society of New York, Inc.
[Figura në faqen 26]
Antonio Santoleri me familjen e tij të afërt