BIBLIOTEKA ONLINE Watchtower
Watchtower
BIBLIOTEKA ONLINE
shqip
Ë
  • Ë
  • ë
  • Ç
  • ç
  • BIBLA
  • BOTIME
  • MBLEDHJE
  • w96 1/12 f. 4-8
  • Sigurimi i lehtësisë në mes të rrënojave

Nuk ka video për këtë zgjedhje.

Na vjen keq, ka një problem në ngarkimin e videos

  • Sigurimi i lehtësisë në mes të rrënojave
  • Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1996
  • Nëntema
  • Material i ngjashëm
  • Akra: «Ditët e Noes në miniaturë»
  • San Anxhelo: «Dukej sikur po përmbysej bota»
  • Kobe: «Një gërmadhë me dru, suva dhe trupa njerëzish»
  • Së shpejti lehtësim i përhershëm!
  • Shërbimi i dhënies së ndihmës
    Mbretëria e Perëndisë qeveris!
  • Diçka që asnjë stuhi nuk e zhduku dot
    Zgjohuni!—2003
  • Kur godasin katastrofat natyrore
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1996
  • Ndihmë në rast katastrofash në vitin 2023—«Kemi parë me sytë tanë dashurinë e Jehovait!»
    Si përdoren dhurimet e tua
Shih më tepër
Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1996
w96 1/12 f. 4-8

Sigurimi i lehtësisë në mes të rrënojave

PËRPJEKJET e njeriut për të siguruar lehtësim pas katastrofave, sigurisht që janë të denja për lëvdim. Shumë programe ndihmash kanë ndihmuar në ndërtimin e shtëpive, në ribashkimin e familjeve dhe mbi të gjitha në shpëtimin e jetës.

Kur katastrofat godasin, Dëshmitarët e Jehovait përdorin çfarëdolloj furnizimi që vjen nga programet e ndihmave botërore dhe janë mirënjohës për këtë. Njëkohësisht, ata kanë detyrimin biblik për «të bërë të mirën . . . sidomos kundrejt atyre që janë të lidhur me [ta] në besim». (Galatasve 6:10, BR) Po, Dëshmitarët ndihen si të jenë të lidhur; e konsiderojnë njëri-tjetrin si «familje». Ja, përse ata i drejtohen njëri-tjetrit si «vëlla» dhe «motër».​—Krahaso Markun 3:31-35; Filemonit 1, 2.

Prandaj, kur ndonjë katastrofë prek një zonë, pleqtë mes Dëshmitarëve të Jehovait bëjnë përpjekje të palodhshme për të përcaktuar vendndodhjen dhe nevojat e çdo anëtari të kongregacionit dhe marrin masa për ndihmën e nevojshme. Le të shqyrtojmë se si u vërtetua kjo në Akra të Ganës; në San Anxhelo të SHBA-së; dhe në Kobe të Japonisë.

Akra: «Ditët e Noes në miniaturë»

Shiu filloi rreth orës 11 të mbrëmjes dhe ra pa rreshtur për orë të tëra. «Ishte një shi kaq i fortë, sa gjithë familja ime s’mundi të flinte»,—thotë Xhon Tumasi, një Dëshmitar i Jehovait në Akra. Daily Graphic e quajti «Ditët e Noes në miniaturë». «U përpoqëm të merrnim sipër ca sende me vlerë,—vazhdon Xhoni,—por kur hapëm derën e shkallëve, ujërat e përmbytjes vërshuan brenda.»

Autoritetet dhanë paralajmërimin për evakuim, por disa ngurruan, duke pasur frikë se një shtëpi bosh, edhe pse e mbushur me ujë, mund të joshë zhvatësit. Disa s’mund të iknin edhe po të donin. «Mamaja dhe unë s’ishim në gjendje të hapnim derën,—thotë një vajzë me emrin Paulina.—Uji vazhdonte të ngrihej, kështu që qëndruam mbi fuçi druri dhe u mbajtëm në një nga trarët e çatisë. Së fundi, rreth orës pesë të mëngjesit, komshinjtë tanë na nxorrën jashtë.»

Sa më shpejt që ishte e mundur, Dëshmitarët e Jehovait iu futën punës. Një motër e krishterë me emrin Beatris kujton: «Pleqtë e kongregacionit ishin duke na kërkuar dhe na gjetën në shtëpinë e një Dëshmitari tjetër, ku kishim gjetur strehim. Vetëm tri ditë pas përmbytjes, pleqtë e kongregacionit dhe disa nga anëtarët më të rinj erdhën përkrah nesh, duke hequr baltën që ndodhej brenda dhe jashtë shtëpisë. Shoqata Watch Tower siguroi pluhur larës, dizinfektues, bojëra, dyshekë, batanije, basma dhe veshje për fëmijët. Vëllezërit na dërguan ushqim për ditë të tëra. Isha thellësisht e prekur!»

Xhon Tumasi, i cituar më lart, raporton: «U thashë komshinjve të tjerë se Shoqata jonë na kishte dërguar pluhur larës dhe dizinfektues, aq shumë sa për të pastruar gjithë pallatin. Rreth 40 prej tyre ndihmuan në pastrim. U dhashë ca pluhur larës komshinjve të mi, duke përfshirë edhe një burrë që ishte prifti i një kishe lokale. Sa gabim e kishin shokët e mi të punës, që mendonin se Dëshmitarët e Jehovait tregojnë dashuri vetëm për njerëzit e tyre.»

Vëllezërit dhe motrat e krishtere e çmuan së tepërmi ndihmën e dashur që morën. Vëlla Tjumasi përfundon: «Edhe pse gjërat që humba gjatë përmbytjes kishin një vlerë në para më të madhe se ndihmat, familja ime dhe unë mendojmë se, për shkak të këtyre masave prekëse të Shoqatës, ne kemi fituar shumë më tepër nga sa kemi humbur.»

San Anxhelo: «Dukej sikur po përmbysej bota»

Shtrëngatat që iu sulën me tërbim San Anxhelos, më 28 maj 1995, shkulën nga rrënjët pemët, thyen shtyllat e linjave elektrike dhe rrëzuan nëpër rrugë linjat e tensionit. Erërat frynin me një shpejtësi prej më se 160 km/orë, duke dëmtuar ndërmarrje publike. Më shumë se 20.000 shtëpi mbetën në errësirë. Pastaj, ia behu breshëri. Shërbimi Kombëtar Amerikan për Motin raportonte «kokrra breshëri me diametër rreth 4 cm», pastaj «kokrra breshëri me diametër rreth 10 cm» e së fundi «kokrra breshëri me diametër rreth 12 cm». Zhurma që bënte breshëri të shurdhonte veshët. Një banor tha: «Dukej sikur po përmbysej bota.»

Një qetësi kërcënuese pasoi stuhinë. Ngadalë, njerëzit dolën prej shtëpive të tyre të bombarduara, për të parë dëmtimet. Pemët që akoma mbaheshin në këmbë, kishin mbetur të zhveshura nga gjethet. Ndërsa shtëpitë e mbetura ngjanin si të rrjepura. Në disa zona, breshëri kishte mbuluar terrenin me grumbuj mbi një metër. Mijëra dritare të shtëpive dhe të automobilave ishin thyer nga stuhia, kështu që tani copat e thyera të xhamit shkëlqenin përkrah breshërit që mbulonte tokën. «Kur u ktheva në shtëpi,—thotë një grua,—u ula në makinën time në rrugë dhe qava. Dëmi ishte aq i madh, sa më zuri frymën.»

Programet e ndihmave dhe spitalet me të shpejtë siguruan ndihmë financiare, materiale ndërtimi, trajtime mjekësore dhe këshilla. Në mënyrë të lavdërueshme, shumë individë që ishin vetë viktima të stuhisë, bënë ç’mundën për të ndihmuar të tjerët.

Edhe kongregacioni i Dëshmitarëve të Jehovait përveshi mëngët. Obri Konër, një plak në San Anxhelo, raporton: «Sapo mbaroi stuhia, kapëm telefonat për të mësuar gjendjen e njëri-tjetrit. Ndihmuam shoqi-shoqin dhe komshinjtë që s’ishin Dëshmitarë, për të mbyllur dritaret me dërrasa, për të vendosur plasmas nëpër çati dhe për të forcuar shtëpitë sa më shumë të ishte e mundur. Pastaj, bëmë një listë për çdo person në kongregacion, shtëpitë e të cilëve ishin dëmtuar. Pothuajse njëqind shtëpi kishin nevojë për t’u riparuar dhe materiali që na sollën agjencitë e ndihmave nuk ishte i mjaftueshëm. Kështu që blemë akoma disa materiale të tjera dhe u organizuam për të punuar. Gjithsej, rreth 1.000 Dëshmitarë u ofruan vullnetarë për të ndihmuar, pothuajse 250 veta çdo fundjavë. Disa prej tyre vinin nga zona që ndodheshin më se 740 km larg. Të gjithë punuan pa u lodhur, shpesh nën një temperaturë afër 40°C. Edhe një motër 70-vjeçare punoi bashkë me ne çdo fundjavë, vetëm me një përjashtim, ditën kur u riparua shtëpia e saj. Gjatë asaj fundjave, ajo ishte lart, në çatinë e saj, duke ndihmuar me riparimet!

Shpesh, dëgjonim shprehje të tilla nga ata që na shikonin: «A s’do të ishte bukur, sikur edhe fetë e tjera të vepronin kështu për anëtarët e tyre?» Komshinjve tanë u bëri përshtypje tek shihnin një skuadër prej 10 deri 12 vullnetarësh (përfshirë edhe motra), që vinin herët në mëngjes çdo të premte në shtëpitë e Dëshmitarëve të tjerë, gati për të riparuar apo edhe për të rindërtuar gjithë çatinë, pa asnjë pagesë. Në shumicën e rasteve, puna përfundonte brenda një fundjave. Disa herë, ndonjë punëdhënës jo Dëshmitar, bashkë me punëtorët e tij, gjendeshin tashmë të përfshirë në punë mbi ndonjë çati, kur skuadra jonë arrinte në shtëpinë përbri. Ne e hiqnim çatinë e vjetër, rindërtonim të renë dhe pastronim oborrin, përpara se ata të kishin mbaruar punën e tyre. Herë pas here, ata e linin punën vetëm për të na parë!»

Vëlla Konë përfundon: «Të gjithëve do të na marrë malli për përvojat që gëzuam së bashku. E kemi njohur njëri-tjetrin nga një këndvështrim i ndryshëm, duke shfaqur dhe duke ndier dashurinë vëllazërore si kurrë më parë. Mendojmë se ky është vetëm një shembull se si do të jetë në botën e re të Perëndisë, me vëllezër e motra që ndihmojnë njëri-tjetrin, sepse vërtet kanë dëshirë.»​—2. Pjetrit 3:13.

Kobe: «Një gërmadhë me dru, suva dhe trupa njerëzish»

Banorët e Kobes mendonin se ishin të përgatitur. Në fakt, çdo 1 shtator ata mbajnë Ditën e Parandalimit të Shkatërrimeve. Fëmijët e shkollave praktikojnë ushtrime për kohë tërmetesh, Ushtria përsërit herë pas here misione shpëtimi me helikopterë dhe zjarrfikësit nxjerrin makinat e tyre që stimulojnë tërmetet, në të cilat disa vullnetarë praktikojnë aftësitë e tyre mbijetuese brenda një kutie sa një dhomë, e cila tundet e shkundet sikur të ishte vërtet një tërmet. Por, kur tërmeti i vërtetë ndodhi më 17 janar 1995, të gjitha përgatitjet s’vlejtën për asgjë. Dhjetëra e qindra çati u shembën, diçka që s’kishte ndodhur kurrë brenda kutive stimuluese. Trenat u kthyen përmbys; disa pjesë të autostradave u shkëputën; përcjellësit e gazeve dhe të ujit u këputën; shtëpitë u shembën si të ishin prej kartoni. Revista Time e përshkroi skenën si «një gërmadhë me dru, suva dhe trupa njerëzish».

Pastaj erdhën flakët. Ndërtesat u ndezën, ndërsa zjarrfikësit e zhgënjyer ishin bllokur në trafikun e dendur. Ata që arritën deri te flakët, panë se asnjë pikë uji s’mund të nxirrej nga sistemi i dëmtuar i ujit në qytet. «Dita e parë ishte një panik i plotë,—tha një zyrtar.—Kurrë nuk jam ndier kaq i pafuqishën në jetën time, duke e ditur se brenda atyre ndërtesave në flakë gjendeshin të varrosur aq shumë njerëz. Duke ditur, gjithashtu, se s’mund të bëja asgjë për ta.»

Gjithsej, u vranë rreth 5.000 njerëz dhe afërsisht 50.000 ndërtesa u rrënuan. Kobe kishte vetëm një të tretën e ushqimit që i nevojitej. Për të marrë ujë, disa nisën të nxirrnin lëng të pistë poshtë tubave të prishur të ujit. Shumë prej atyre që mbetën pa shtëpi u futën nëpër strehime, disa prej të cilëve ishin me ushqim të racionuar, duke i ndarë çdo personi një racion shumë të vogël orizi çdo ditë. Shpejt u përhap pakënaqësia. «Autoritetet s’kanë bërë asgjë,—u ankua një burrë.—Po t’i varim shpresat tek ata, të gjithë do të vdesim urie.»

Kongregacionet e Dëshmitarëve të Jehovait në Kobe dhe në zonat përreth u organizuan menjëherë. Një pilot helikopteri, që e pa punën e tyre me sytë e vet, tha: «Shkova në zonën e shkatërruar ditën që ndodhi tërmeti dhe ndenja aty një javë. Kur mbërrita në një vendstrehim, çdo gjë ishte në kaos. S’ishte bërë asnjë lloj pune për t’i ndihmuar. Dëshmitarët e Jehovait ishin të vetmit që lëviznin turravrap nëpër zonë, duke bërë njërën punë pas tjetrës.»

Në fakt, kishin shumë punë për të bërë. Dhjetë Salla të Mbretërisë kishin dalë jashtë përdorimit dhe më shumë se 430 Dëshmitarë ishin pa shtëpi. Veç kësaj, 1.206 shtëpi duheshin riparuar. Por s’mbaronte me kaq, sepse familjet e 15 Dëshmitarëve që vdiqën gjatë shkatërrimit kishin nevojë për ngushëllim.

Më se 1.000 Dëshmitarë nga anembanë vendi ofruan vullnetarisht kohën e tyre, për të ndihmuar në punët e riparimit. «Kur punonim në shtëpitë e studentëve të Biblës, që s’ishin akoma të pagëzuar,—vëren një vëlla,—gjithmonë na pyesnin: ‘Sa duhet të paguajmë për gjithë këtë punë?’ Kur u thoshim se puna mbështetej nga kongregacionet, ata na falënderonin, duke thënë: ‘Ajo që kemi studiuar, tashmë është një realitet!’»

Shumë vetave u bëri përshtypje përgjigjja e shpejtë dhe e gjithanshme që i bënë Dëshmitarët katastrofës. «Më ka bërë shumë përshtypje,—thotë piloti i cituar më lart.—Ju e quani njëri-tjetrin ‘vëlla’ dhe ‘motër’. Kam parë se si e ndihmoni ju njëri-tjetrin; jeni vërtet një familje.»

Edhe vetë Dëshmitarët nxorrën mësime të vlefshme nga tërmeti. Një motër pranoi: «Gjithmonë kam menduar se sa më e madhe të bëhet një organizatë, aq më e vështirë është të tregohet kujdes personal.» Por kujdesi i butë që mori, ndryshoi pikëpamjen e saj. «Tani e di se Jehovai kujdeset për ne, jo vetëm si organizatë, por edhe si individë.» Megjithatë, përpara nesh shtrihet një lehtësim i përhershëm nga katastrofat.

Së shpejti lehtësim i përhershëm!

Dëshmitarët e Jehovait presin kohën kur jeta njerëzore dhe mjetet e jetesës nuk do të bien më nga katastrofat. Në botën e re të Perëndisë, njerëzit do të mësohen të bashkëpunojnë me mjedisin e tokës. Duke hedhur tutje praktikat egoiste, njerëzit do të jenë më pak të prekshëm nga rreziqet natyrore.

Për më tepër, Perëndia Jehova, Krijuesi i forcave natyrore, do të bëjë që familja e tij njerëzore dhe krijimi tokësor të mos jenë më kurrë të kërcënuara nga forcat e natyrës. Atëherë, toka do të jetë me të vërtetë një parajsë. (Isaia 65:17, 21, 23; Luka 23:43) Do të përmbushet me plot lavdi profecia e Zbulesës 21:4: «Perëndia do të thajë çdo lot nga sytë e tyre; dhe vdekja nuk do të jetë më; as brengë, as klithma, as mundime, sepse gjërat e mëparshme shkuan.»

[Figura në faqen 5]

Beatris Xhons (majtas) tregon se si ajo dhe disa të tjerë formuan një varg, për të kaluar përmes ujërave të përmbytjes

[Figura në faqen 6]

Puna për të ndihmuar pas shtrëngatave

    Botimet shqip (1993-2025)
    Shkëputu
    Hyr me identifikim
    • shqip
    • Dërgo
    • Parametrat
    • Copyright © 2025 Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania
    • Kushtet e përdorimit
    • Politika e privatësisë
    • Parametrat e privatësisë
    • JW.ORG
    • Hyr me identifikim
    Dërgo