BIBLIOTEKA ONLINE Watchtower
Watchtower
BIBLIOTEKA ONLINE
shqip
Ë
  • Ë
  • ë
  • Ç
  • ç
  • BIBLA
  • BOTIME
  • MBLEDHJE
  • w97 1/1 f. 23-25
  • Të sakrifikojmë shumë për diçka më të madhe

Nuk ka video për këtë zgjedhje.

Na vjen keq, ka një problem në ngarkimin e videos

  • Të sakrifikojmë shumë për diçka më të madhe
  • Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1997
  • Nëntema
  • Material i ngjashëm
  • Si u bëra një aladura
  • Takimet e hershme me Dëshmitarët e Jehovait
  • Rëndësia rritet bashkë me zhgënjime
  • Vendimi për t’i shërbyer Jehovait
  • Përpjekje për të më mbajtur në kishë
  • Ngjitem pas një gruaje
  • Gëzojmë bekimet e Jehovait
  • Bibla të ndryshon jetën
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—2011
  • Në veshët e një vogëlusheje
    Zgjohuni!—1997
  • Ankthi për familjen
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—2015
Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1997
w97 1/1 f. 23-25

Të sakrifikojmë shumë për diçka më të madhe

TREGUAR NGA JULIUS OWO BELLO

Për 32 vjet kisha qenë një aladura.a Besoja që shërimet me anë të besimit dhe lutjet do të zgjidhnin të gjitha problemet e mia dhe do të shëronin të gjitha sëmundjet. S’kisha marrë kurrë asnjë ilaç apo qetësues për dhembjet. Gjatë atyre viteve, askush nga familja ime nuk u shtrua kurrë në ndonjë spital. Sa herë që ndonjë nga fëmijët e mi sëmurej, unë lutesha për të ditë e natë, derisa ta merrte veten. Besoja se Perëndia u përgjigjej lutjeve të mia dhe po më bekonte.

BËJA pjesë në Egbe Jolly, një nga klubet shoqërore më të rëndësishme në Akure, një qytet në perëndim të Nigerisë. Miqtë e mi ishin njerëzit më të pasur e më të fuqishëm në qytetin tonë. Deji, mbreti i Akures, vinte shpesh e më vizitonte në shtëpinë time.

Isha, gjithashtu, edhe poligamist, pasi kisha gjashtë gra dhe shumë konkubina. Puna më shkonte mbarë. Gjithçka po shkonte si s’ka më mirë. Megjithatë, sikurse ai tregtari udhëtues në ilustrimin e Jezuit me margaritarin, unë gjeta diçka kaq të çmuar, saqë sakrifikova pesë nga gratë e mia, konkubinat, kishën, klubin shoqëror dhe pozitën botërore, në shkëmbim të saj.​—Mateu 13:45, 46.

Si u bëra një aladura

Për aladurat dëgjova të flitej për herë të parë në vitin 1936, kur isha 13 vjeç. Një shoku im që quhej Gabriel, më tha: «Po të shkosh në Kishën Apostolike të Krishtit, do të dëgjosh Perëndinë që flet.»

«Si flet Perëndia»,​—e pyeta.

Ai tha: «Eja dhe ke për të parë.»

Mezi prisja të dëgjoja Perëndinë. Kështu që atë natë shkova me Gabrielin në kishë. Ndërtesa e vogël ishte plot me adhurues. Kongregacioni nisi të këndonte: «Ejani, o njerëz! Ja, këtu është Jezui!»

Gjatë kësaj kënge, dikush bërtiti: «Zbrit, o frymë e shenjtë!» Një tjetër tundi një zile dhe kongregacioni ra në heshtje. Më tej, një grua filloi të llomotiste e eksituar në një gjuhë të çuditshme. Papritur, thirri: «Dëgjoni mesazhin e Perëndisë, o njerëz! Ja, çfarë ka thënë Perëndia: ‘Lutuni për gjahtarët, që të mos vrasin njerëz!’» Atmosfera ishte e mbushur me emocione.

Unë besova se Perëndia kishte folur me anë të saj, kështu që vitin tjetër u pagëzova si një anëtar i Kishës Apostolike të Krishtit.

Takimet e hershme me Dëshmitarët e Jehovait

Në vitin 1951 pranova një kopje të revistës Kulla e Rojës nga një Dëshmitar, që quhej Adedeji Boboye. Revista ishte interesante, kështu që u abonova në të dhe e lexoja rregullisht. Në vitin 1952, isha i pranishëm në një kongres katërditor të Dëshmitarëve të Jehovait në Ado Ekiti.

Ajo që pashë në kongres, më bëri përshtypje. Mendova seriozisht për t’u bërë një Dëshmitar i Jehovait, por e hoqa nga mendja këtë ide. Problemi im ishte se në atë kohë kisha tri gra dhe një konkubinë. Mendoja se s’kisha mundësi të jetoja vetëm me një grua.

Kur u ktheva në Akure, i thashë Adedejit të mos vinte më për të më vizituar dhe nuk e përsërita më abonimin në revistën Kulla e Rojës. U bëra edhe më shumë aktiv në kishën time. Në fund të fundit, arsyetoja, Perëndia më ka bekuar, pasi marr pjesë në Kishën Apostolike të Krishtit. Kisha tri gra dhe shumë fëmijë. Kisha ndërtuar shtëpinë time. S’kisha për t’u shtruar kurrë në spital. Meqë dukej se Perëndia u përgjigjej lutjeve të mia, përse të ndërroja fenë?

Rëndësia rritet bashkë me zhgënjime

Fillova të kontribuoja më shumë para në kishë. Shpejt, më bënë një plak në kishë, pozitë që më lejonte të shikoja punët e brendëshme të kishës. Ajo që pashë më shqetësoi. Pastori dhe «profetët» ishin dashuruar pas parave; lakmia e tyre më preu krahët.

Për shembull, në mars 1967 unë isha babai i tre fëmijëve, që më kishin lindur nga gra të ndryshme. Ishte zakon në kishë që të bëhej një ceremoni për t’i vënë emrin fëmijës. Kështu që mora disa dhurata, peshk, limonata dhe ca shishe me pije të lehta, për pastorin që përgatiste ceremoninë.

Ditën e shërbesës fetare, pastori tha përpara gjithë kongregacionit: «Njerëzit e pasur të kësaj kishe më kanë çuditur. Ata dëshirojnë të kenë një ceremoni për emrin dhe gjithçka që sjellin është peshk e pije të lehta. As mish? As dhi? Përfytyroni! Kaini i ofroi Perëndisë një sakrificë me patate të ëmbla të mëdha, por Perëndia nuk e pranoi atë sakrificë, pasi në të nuk kishte gjak. Perëndia dëshiron gjëra me gjak në to. Abeli solli një kafshë dhe sakrifica e tij u pranua.»

Pas këtyre fjalëve, u ngrita në këmbë dhe u turra jashtë me zemërim. Gjithsesi, akoma shkoja në kishë. Gjithnjë e më shumë, kaloja më tepër kohë duke u shoqëruar e duke ndjekur mbledhjet në klubin tim. Disa herë shkoja në mbledhjet në Sallën e Mbretërisë dhe u abonova përsëri në Kullën e Rojës. Megjithatë, akoma nuk isha gati për t’u bërë një Dëshmitar i Jehovait.

Vendimi për t’i shërbyer Jehovait

Kthesa në jetën time ndodhi në vitin 1968. Një ditë, nisa të lexoja një artikull në Kullën e Rojës, i cili përshkruante persekutimin brutal të Dëshmitarëve të Jehovait në Malavi. Artikulli fliste për një vajzë 15-vjeçare, të cilën e lidhën në një pemë dhe e përdhunuan gjashtë herë, sepse nuk pranonte të bënte kompromis me besimin e saj. I tronditur thellësisht, e mbylla revistën, por vazhdova të mendoja për të. E dija që asnjë vajzë në kishën time nuk do të shfaqte një besim të tillë. Vonë gjatë asaj mbrëmjeje, mora revistën dhe e lexova përsëri atë faqe.

Fillova të studioja Biblën seriozisht. Duke u rritur në njohuri, fillova të kuptoja se sa shumë na kishte mashtruar kisha. Siç ishte e vërtetë edhe në kohët e lashta, priftërinjtë tanë ‘s’po vazhdonin gjë tjetër, veçse në sjellje të shthurura’. (Hozea 6:9, BR) Njerëz të tillë ishin pjesë e profetëve të rremë, për të cilët Jezui paralajmëroi! (Mateu 24:24) Nuk pata më besim në vegimet dhe në veprat e tyre të fuqishme. Vendosa të çlirohesha nga feja e rreme dhe të ndihmoja edhe të tjerë të bënin po njësoj.

Përpjekje për të më mbajtur në kishë

Kur pleqtë e kishës morën vesh se unë kisha vendosur të largohesha nga kisha, dërguan një delegacion për të më paraqitur një lutje. Ata nuk donin të humbnin një burim të rëndësishëm të ardhurash. Më ofruan të bëhesha Baba Egbe, patron i një prej Kishave Apostolike të Krishtit në Akure.

Unë nuk pranova dhe u thashë edhe përse: «Kisha na ka gënjyer,​—u thashë.​—Ata thonë që të gjithë njerëzit e mirë do të shkojnë në qiell. Por unë kam lexuar Biblën dhe jam i bindur se vetëm 144.000 persona do të shkojnë në qiell. Njerëz të tjerë të drejtë do të jetojnë mbi një tokë parajsore.»​—Mateu 5:5; Zbulesa 14:1, 3.

Pastori i kishës u përpoq t’i hidhte gratë e mia kundër meje. U tha që të mos i linin Dëshmitarët e Jehovait që të vinin në shtëpinë tonë. Një nga gratë më hodhi helm në ushqim. Dy prej tyre më paralajmëruan për një vegim që kishin parë në kishë. Vegimi tregonte që unë do të vdisja po të lija kishën. Megjithatë, vazhdova t’u dëshmoja grave, duke i ftuar që të vinin me mua në mbledhje. «Atje do të gjeni burra të tjerë»,​—u thashë. Por, asnjëra prej tyre nuk tregoi ndonjë interes dhe vazhduan përpjekjet e tyre për të më shkurajuar.

Së fundi, më 2 shkurt 1970, kur u ktheva nga një udhëtim në një qytet fqinj, e gjeta shtëpinë të zbrazur. Të gjitha gratë e mia kishin ikur bashkë me fëmijët.

Ngjitem pas një gruaje

«Tani mund ta ndreq situatën time martesore»,​—mendova. Ftova, kështu, gruan time të parë, Janetën, që të kthehej në shtëpi. Ajo pranoi. Megjithatë, familja e saj iu kundërvu me forcë kësaj ideje. Kur gratë e tjera që kisha pasur e morën vesh se kisha kërkuar që Janeta të kthehej, shkuan në shtëpinë e atit të saj dhe u përpoqën ta rrihnin. Atëherë, familja e saj organizoi një mbledhje bashkë me mua.

Në atë mbledhje ishin të pranishëm rreth 80 persona. Xhaxhai i Janetës, i cili ishte kryefamiljari, tha: «Nëse ti dëshiron të martohesh përsëri me vajzën tonë, duhet të marrësh edhe gratë e tjera. Por, nëse dëshiron të praktikosh fenë tënde të re e të qëndrosh me një grua, atëherë duhet të gjesh një grua tjetër. Nëse e merr Janetën, gratë e tjera do ta vrasin dhe ne nuk duam që vajza jonë të vdesë.»

Pas një bisede të gjatë, familja e kuptoi se unë isha i vendosur të kisha vetëm një grua. Më në fund, ata u zbutën. Xhaxhai tha: «Ne nuk do të ta mbajmë gruan. Mund ta marrësh me vete.»

Më 21 maj 1970, Janeta dhe unë u martuam ligjërisht. Nëntë ditë më vonë u pagëzova si Dëshmitar i Jehovait. Në dhjetor të po atij viti u pagëzua edhe Janeta.

Gëzojmë bekimet e Jehovait

Anëtarët e kishës sonë të dikurshme kishin profetizuar se po të bëheshim Dëshmitarë, ne do të vdisnim. Kjo ndodhi pothuajse 30 vjet më parë. Edhe sikur të vdes tani, mos do të vdes ngaqë u bëra një Dëshmitar i Jehovait? Sikur gruaja ime të vdesë tani, a mund të thotë dikush se kjo ndodhi ngaqë ajo u bë një Dëshmitare e Jehovait?

Jam përpjekur për t’u treguar 17 fëmijëve të mi rrugën e së vërtetës. Edhe pse shumë prej tyre ishin të rritur në kohën që unë u bëra Dëshmitar, i inkurajoja të studionin Biblën dhe i merrja në mbledhje e kongrese. Jam i gëzuar që pesë prej tyre i kam me vete në shërbim të Jehovait. Njëri shërben krah për krah me mua si plak në kongregacion. Një tjetër është shërbëtor ndihmës në një kongregacion të afërt. Dy nga fëmijët e mi shërbejnë si pionierë të rregullt.

Kur hedh vështrimin prapa, mrekullohem për dashamirësinë e pamerituar me të cilën Jehovai më ka ndihmuar që të bëhem shërbëtor i tij. Sa të vërteta janë fjalët e Jezuit: «Askush nuk mund të vijë tek unë, po qe se Ati që më ka dërguar nuk e tërheq.»​—Gjoni 6:44.

[Shënimi]

a Vjen nga një fjalë yoruba që do të thotë «një person që lutet». I referohet një anëtari të një kishe afrikane, që praktikon shërimet frymore.

    Botimet shqip (1993-2025)
    Shkëputu
    Hyr me identifikim
    • shqip
    • Dërgo
    • Parametrat
    • Copyright © 2025 Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania
    • Kushtet e përdorimit
    • Politika e privatësisë
    • Parametrat e privatësisë
    • JW.ORG
    • Hyr me identifikim
    Dërgo