Ç’domethënie ka për ty liria fetare?
Megjithëse liria e fesë është konsideruar një e drejtë bazë në Shtetet e Bashkuara, në vitet ’40 një valë dhune turmash kundër Dëshmitarëve të Jehovait, përfshiu gjithë vendin.
MILIONA kanë luftuar për të. Disa madje kanë vdekur për të. Ajo është me të vërtetë një nga pasuritë më të çmuara të njerëzimit. Cila është ajo? Liria! The World Book Encyclopedia e përcakton lirinë si «aftësinë për të bërë zgjedhje dhe për t’i realizuar ato». Ajo vazhdon: «Nga një pikëpamje ligjore, njerëzit janë të lirë nëse shoqëria nuk u imponon kufizime të padrejta, të panevojshme apo të paarsyeshme. Shoqëria duhet, gjithashtu, t’i mbrojë të drejtat e tyre, që do të thotë liritë e tyre bazë, zotësinë e tyre për të vepruar dhe privilegjet.»
Koncepti tingëllon i thjeshtë. Megjithatë, në praktikë duket se për njerëzit është vërtet e pamundur që të bien dakort, pikërisht për faktin se ku duhen vendosur kufizimet e lirisë. Për shembull, disa mendojnë se një qeveri duhet të dekretojë ligje për të mbrojtur lirinë e qytetarëve të saj. Por të tjerë do të argumentojnë se këto ligje janë pikërisht prangat prej të cilave duhet të çlirohen qytetarët! Është e qartë, liri do të thotë gjëra të ndryshme për njerëz të ndryshëm.
Ç’mund të thuhet për lirinë fetare?
Ndoshta liria për të cilën është debatuar më me zjarr është liria e fesë, e cila është përcaktuar si «e drejta e një personi për të besuar dhe për të praktikuar besimin e zgjedhur prej tij». Sipas Deklaratës Universale të Kombeve të Bashkuara të të Drejtave të Njeriut, «çdo njeri ka të drejtën e lirisë së mendimit, të ndërgjegjes dhe të fesë». Kjo përfshin të drejtën e personit «për të ndryshuar fenë ose bindjet» bashkë me lirinë «për të manifestuar fenë apo bindjet, nëpërmjet arsimit, praktikave, kultit dhe kryerjes së riteve».—Neni 18, botim i Komitetit Shqiptar të Helsinkit, 1994.
Sigurisht, ne do të prisnim nga çdo komb që të kujdesej me të vërtetë për nënshtetasit e tij, duke ua garantuar një liri të tillë. Mjerisht, kjo nuk ndodh gjithmonë. «Feja prek ndjenjat më të thella të shumë njerëzve,—vëren The World Book Encyclopedia.—Disa qeveri kanë lidhje të forta me një fe dhe i konsiderojnë njerëzit e besimeve të tjera si një kërcënim për autoritetin politik. Një qeveri mund ta shohë, gjithashtu, fenë si të rrezikshme politikisht, sepse fetë mund ta vendosin besnikërinë ndaj Perëndisë mbi bindjen ndaj shtetit.»
Për këto arsye, disa qeveri vendosin kufizime në ushtrimin e fesë. Pak prej tyre shkurajojnë praktikimin e çdo lloj besimi. Të tjera, edhe pse deklarojnë se mbrojnë lirinë e adhurimit, i mbajnë nën fre të gjitha veprimtaritë fetare.
Le të shqyrtojmë, për shembull, situatën që mbizotëroi për shumë vite në Meksikë. Megjithëse kushtetuta garantonte lirinë fetare, ajo parashikonte: «Kishat e përdorura për adhurim publik janë pronë e kombit, e përfaqësuar nga qeveria federale, e cila do të përcaktojë se cilat mund të vazhdojnë të përdoren si të tilla.» Në vitin 1991, kushtetutës iu shtua një amendament që i dha fund këtij kufizimi. Megjithatë, ky shembull ilustron faktin që liria fetare mund të interpretohet në mënyra të ndryshme në vende të ndryshme.
Një lloj tjetër lirie fetare
A ekziston liria fetare në vendin ku jeton ti? Nëse po, si është përcaktuar ajo? A mund ta adhurosh Perëndinë në mënyrën që zgjedh ti apo je i detyruar të bëhesh anëtar i fesë së shtetit? A të lejohet të lexosh dhe të përhapësh literaturë fetare, apo një material i tillë i shtypur është i ndaluar nga qeveria? A mund t’u flasësh të tjerëve për besimin tënd, apo kjo konsiderohet një shkelje e të drejtave të tyre fetare?
Përgjigjet e këtyre pyetjeve varen nga vendi ku ti jeton. Megjithatë, interesant është fakti se ka një lloj lirie fetare që nuk varet aspak nga vendi. Kur ndodhej në Jerusalem në vitin 32 të e.s., Jezui u tha ithtarëve të tij: «Nëse do të qëndroni në fjalën time, jeni me të vërtetë dishepujt e mi; do ta njihni të vërtetën dhe e vërteta do t’ju bëjë të lirë.»—Gjoni 8:31, 32.
Çfarë donte të thoshte Jezui me këtë deklaratë? Dëgjuesit e tij judenj digjeshin nga dëshira për t’u çliruar nga sundimi romak. Por Jezui nuk po diskutonte lirinë nga shtypja politike. Përkundrazi, siç do të shohim në artikullin vijues, ai po u premtonte dishepujve të tij diçka shumë më të mirë.