Kaq shumë vuajtje
«PËRSE ekziston gjithë kjo vuajtje individuale dhe kolektive . . . ? Perëndia supozohet se është personifikimi i çdo kuptimi e megjithatë ka kaq shumë gjëra të pakuptimta në këtë botë, kaq shumë vuajtje pa domethënie dhe mëkate të pakuptueshme. Mos vallë ky Perëndi është siç Niçe e akuzoi se qe: një despot, i vetëquajtur, batakçi, xhelat?»—On Being a Christian, nga Hans Kyng.
Mund ta kuptosh se teologu katolik Hans Kyng, është thjesht duke paraqitur një problem që huton shumë persona: Përse një Perëndi i dashur, i gjithëfuqishëm lejon kaq shumë vuajtje? A nuk ke dëgjuar njerëz që bëjnë një pyetje të tillë? Kushdo që ka dhembshuri, brengoset për atë që Kyng e përshkruan si «një rrëke të pafundme gjaku, djerse dhe lotësh, dhimbjeje, pikëllimi dhe frike, vetmie dhe vdekjeje». Ajo është, në fakt, më shumë ngjashëm një përroi, një përmbytje tmerri dhe ankthi që gjatë historisë ka dëmtuar jetën e miliona njerëzve.—Jobi 14:1.
E mbushur me «mundim dhe dhimbje»
Mendo për vuajtjen që vjen nga luftërat, dhimbjen e ndier jo vetëm nga vetë viktimat, por dhe nga ata që ngelen pas të brengosur, si prindërit dhe të afërmit e fëmijëve viktima dhe të tjerët që janë trajtuar brutalisht. «Gjatë dhjetë vjetëve të fundit,—tha Kryqi i Kuq pak kohë më parë,—në konfliktet e armatosura u vranë 1,5 milionë fëmijë.» Në Ruanda, në vitin 1994, Kryqi i Kuq raporton se «qindra e mijëra burra, gra dhe fëmijë janë masakruar brutalisht dhe sistematikisht».
Gjithashtu, ne nuk duhet të kalojmë pa vënë re dhimbjen e shkaktuar nga mbrapshtitë pedofile. Një nënë e brengosur, e cila tha se biri i saj kreu vetëvrasje pasi një punonjës që kujdesej për fëmijët kishte abuzuar me të, deklaroi: «Burri që abuzoi me djalin tim . . . shkatërroi atë dhe një numër djemsh të tjerë në mënyrën më sistematike e më të mbrapshtë të imagjinueshme.» Ç’mendon për makthin e dhimbjes së ndier nga viktimat e vrasësve të pashpirt apo atyre të vrasjeve seri, si ata të kapur në Britani që «grabitën, përdhunuan, torturuan dhe vranë pa u ndëshkuar për 25 vjet»? Përgjatë historisë duket se nuk ka pasur kufij për atë që burra dhe gra i kanë shkaktuar njëri-tjetrit në rrugën e dhimbjes dhe vuajtjes.—Eklisiastiu (Predikuesi) 4:1-3.
Këtyre shtoji dhe vuajtjet e shkaktuara nga sëmundjet emocionale dhe fizike, si dhe dhimbjen e tmerrshme të brengës që shkatërron familjet kur njerëzit e dashur vdesin para kohe. Gjithashtu, ekziston dhe ankthi i provuar nga viktimat e urisë apo nga katastrofa të tjera të ashtuquajtura natyrore. Pak njerëz do ta kundërshtonin thënien e Moisiut se 70 apo 80 vitet tona janë të mbushura me «mundim e dhimbje».—Psalmi 90:10, DSF.
Pjesë e qëllimit të Perëndisë?
A mund të jetë kjo vuajtje e pandërprerë, siç kanë deklaruar disa, pjesë e ndonjë qëllimi të pakuptueshëm të Perëndisë? A duhet që ne të vuajmë tani për t’ia ditur vlerën jetës ‘në botën tjetër’? A është e vërtetë, siç mendon filozofi francez Teilar dë Shardë, se «vuajtja që vret dhe dekompozon është e domosdoshme për qenien njerëzore, në mënyrë që ajo të mund të jetojë dhe të bëhet frymë»? (The Religion of Teilhard de Chardin; kursivi është yni.) Sigurisht që jo!
Një projektues i kujdesshëm, a do të krijonte me qëllim një ambjent vdekjeprurës dhe më pas të deklaronte se ishte i dhembshur kur shpëtonte njerëzit nga pasojat e tij? Vështirë! Përse do ta bënte një gjë të tillë një Perëndi i dashur? Pra, përse i lejon Perëndia vuajtjet? A do të marrin ndonjëherë fund vuajtjet? Artikulli vijues do të trajtojë këto pyetje.
[Burimi i figurës në faqen 3]
OBSH foto nga P. Almasy