Lajmëtarët e mbretërisë raportojnë
Duke shpërndarë farën e Mbretërisë në çdo rast
FJALA e Perëndisë, Bibla, na inkurajon që të jemi të palodhshëm. Mbreti Solomon tha: «Mbille farën tënde në mëngjes dhe në mbrëmje mos lër dorën tënde të pushojë, sepse ti nuk e di se cili nga të dy do të dalë më mirë; ky apo ai, apo do të jenë të mirë që të dy.»—Eklisiastiu 11:6.
Në çdo rast të përshtatshëm, Dëshmitarët e Jehovait mbjellin «farë», duke predikuar lajmin e mirë të Mbretërisë së Perëndisë. Në mbi 230 vende dhe grupe ishujsh, ata vazhdojnë të ‘mos pushojnë, duke mësuar dhe duke shpallur lajmin e mirë në lidhje me Krishtin Jezu’. (Veprat 5:42, BR) Përvojat e mëposhtme ilustrojnë se si Dëshmitarët e Jehovait ‘nuk po i lënë duart e tyre të pushojnë’ në veprën e predikimit.
◻ Në Republikën e Kepit të Gjelbër, një prej Dëshmitareve të Jehovait po kalonte pranë burgut, ndërsa merrte pjesë në shërbimin në fushë. Në oborrin e burgut, disa të burgosur ishin ulur në një pemë. Duke parë poshtë Dëshmitaren, i thirrën për disa revista. Dëshmitarja lidhi bashkë me një gur një numër revistash Kulla e Rojës dhe Zgjohuni! dhe ua hodhi mbi murin e burgut. Si rezultat i këtij interesi fillestar, u filluan 12 studime biblike. Tre prej të burgosurve ia kanë dedikuar jetën e tyre Perëndisë dhe e kanë paraqitur veten për pagëzimin në ujë. Një prej të burgosurve është duke shërbyer si ungjillëzues në kohë të plotë, ose pionier, qysh prej një viti. Por, si i drejtojnë ata aktivitetet e shërbimit në fushë, brenda në burg? Së pari, burgu është ndarë në territore. Pastaj territori është ndarë mes tre Dëshmitarëve dhe është punuar nga qelia në qeli. Këta lajmëtarë të Mbretërisë e ndjekin interesin, pak a shumë, në të njëjtën mënyrë që veprojnë Dëshmitarët e Jehovait në mbarë botën: duke bërë rivizita. Një ndryshim, megjithatë, është shpeshtësia me të cilën drejtohen studimet biblike. Në vend që ta studiojnë Biblën vetëm një apo dy herë në javë, pak a shumë për një orë, disa të burgosur studiojnë çdo ditë! Përveç kësaj, Dëshmitarëve u është dhënë leja nga drejtori i përgjithshëm i burgut, që të drejtojnë brenda në burg të gjitha mbledhjet e kongregacionit.
◻ Një grua në Portugali, pas vdekjes së gjyshes së saj, trashëgoi një numër botimesh të Shoqatës Watch Tower. Meqenëse nuk ishte një Dëshmitare e Jehovait, ajo nuk ishte e interesuar që t’i ruante librat. Megjithatë, nuk pati dëshirë t’i shkatërronte. Një ditë, ajo i tregoi për bibliotekën një Dëshmitareje të Jehovait, e cila trokiti në shtëpinë e saj gjatë shërbimit nga shtëpia në shtëpi. Dëshmitarja e pyeti nëse e kishte sadopak idenë e vlerës së vërtetë të bibliotekës. Gruaja u përgjigj: «Në fakt, nuk e di vlerën e tyre të vërtetë, por si mund ta gjej?» Gruaja pranoi një studim biblik dhe shpejt arriti ta çmojë së tepërmi bibliotekën e gjyshes së saj. Tani edhe ajo është një Dëshmitare e Jehovait e pagëzuar. Për më tepër, vajza e saj dhe një mik i ngushtë i familjes po studiojnë, gjithashtu, Biblën. Ç’trashëgimi e vlefshme provoi se është ky koleksion librash!