«Keni ndryshuar përshtypjen time për Dëshmitarët e Jehovait»
KY QE reagimi i një nëpunësi burgu polak ndaj një artikulli në numrin e 15 tetorit 1998, që fliste për veprën e Dëshmitarëve të Jehovait. Artikulli «Kur zemrat prej guri bëhen të ndjeshme», dokumentonte suksesin që kanë pasur Dëshmitarët e Jehovait në predikimin me të burgosurit në Volov, Poloni.
Para se revista Kulla e Rojës e përmendur më sipër, të vihej në dispozicion të publikut, më 13 shtator 1998 u rregullua një mbledhje speciale për t’ia dhënë këtë revistë të burgosurve në burgun e Volovit. Mes të ftuarve ishin Dëshmitarë vendas, të burgosur të pagëzuar dhe të tjerë të interesuar, si edhe një numër nëpunësish të burgut. Më poshtë vijojnë disa pohime të bëra nga të pranishmit.
Jerzi, një Dëshmitar i Jehovait që u pagëzua në burg më shumë se pesë vjet më parë, tha: «Jam shumë i lumtur që sot mund të lexoj për përpjekjet e shumta që kanë bërë vëllezërit nga kongregacionet fqinje për të na ndihmuar.» Ai shtoi: «Përpiqem vazhdimisht për t’u përmirësuar dhe po arrij të shoh se si më ka modeluar Jehovai gjatë kësaj kohe.»
Një i burgosur tjetër, me emrin Zdjeshlav, tha në lidhje me veprën e predikimit në burg: «Në këtë periudhë ka katër të burgosur që po përgatiten për t’u pagëzuar dhe të tjerë të sapointeresuar vazhdojnë të ndjekin mbledhjet në sallën tonë. Ky artikull është një nxitje e fuqishme për ne, që të vazhdojmë më tej aktivitetin në këtë fushë.» Sa qëndrim pozitiv, po të marrim parasysh se Zdjeshlavi ka edhe 19 vjet burg për të shlyer!
Pasi lexoi artikullin mbi burgun e Volovit, një nëpunës burgu tha: «Na keni nderuar në mënyrë të veçantë. Nuk kisha menduar kurrë se këtij burgu do t’i bëhej një publicitet kaq pozitiv në 130 gjuhë të botës. Ju më pëlqeni si njerëz dhe i vlerësoj përpjekjet që po bëni për të burgosurit.» Një zyrtar tjetër shtoi: «Ju keni ndryshuar përshtypjen time për Dëshmitarët e Jehovait. Më përpara, ju konsideroja si fanatikë fetarë. Tani po e kuptoj se jeni njerëz me parime.»
Drejtori i burgut të Volovit, Marek Gajos, buzëqeshi dhe tha: «Fillimisht menduam se nuk do të arrinit të bënit ndonjë gjë. Menduam se ishit thjesht një fe tjetër me aspirata për rehabilitimin biblik të të burgosurve. Por, duke parë rezultatet e aktivitetit tuaj fillestar, vendosëm të bashkëpunonim më ngushtë. Tashmë janë nëntë vjet që po vini këtu pa u lodhur dhe e vlerësoj shumë atë që keni bërë deri tani.»
Por, si u prit artikulli nga të burgosurit e Volovit në përgjithësi? Interesi mes të burgosurve ishte kaq i madh, saqë Dëshmitarët në burg i mbaruan rezervat e tyre me revista. Edhe nëpunësit e burgut treguan interes, duke kërkuar 40 kopje të tjera për vete. Për të plotësuar kërkesat në rritje, kongregacionet lokale erdhën në ndihmë dhe siguruan 100 kopje të tjera revistash për vëllezërit në burg. Në të njëjtën kohë, numri i të pranishmëve në mbledhjet në burg u rrit.
Pjotër Hoduen, një nëpunës burgu që ka bashkëpunuar shumë me Dëshmitarët e Jehovait, tha: «Vendosëm që këtë artikull ta vendosim nëpër të gjitha stendat në burgun tonë. Shpresojmë që të gjithë të burgosurit të cilët nuk po e studiojnë Biblën me ju, ta lexojnë revistën.»
Shembulli i shkëlqyer i Dëshmitarëve dhe përpjekjet e tyre të vendosura për të predikuar vazhdojnë të kenë rezultate të mira. Përveç 15 të burgosurve që kanë përparuar deri në pikën e pagëzimit, 2 nëpunës burgu ia kanë dedikuar jetën Jehovait dhe një tjetër nëpunës ka kërkuar një studim biblik. Sigurisht, vëllezërit që predikojnë në burgun e Volovit ia japin Perëndisë Jehova të gjithë meritën për suksesin e tyre.—Krahaso 1. Korintasve 3:6, 7.
[Figura në faqen 28]
Tre Dëshmitarë dhe një i burgosur në prezantimin e revistës, në sallën e leximit të burgut