BIBLIOTEKA ONLINE Watchtower
Watchtower
BIBLIOTEKA ONLINE
shqip
Ë
  • Ë
  • ë
  • Ç
  • ç
  • BIBLA
  • BOTIME
  • MBLEDHJE
  • w97 15/4 f. 19-22
  • Nakmanidi: A e refuzoi ai krishterimin?

Nuk ka video për këtë zgjedhje.

Na vjen keq, ka një problem në ngarkimin e videos

  • Nakmanidi: A e refuzoi ai krishterimin?
  • Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1997
  • Nëntema
  • Material i ngjashëm
  • Ç’gjë shkaktoi debatin?
  • Përse u zgjodh Nakmanidi?
  • Nakmanidi në debat me Pablo Kristianin
  • Ku mund të gjendet e vërteta?
  • Çfarë është Talmudi?
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1998
  • Maimonidi: Njeriu që ripërcaktoi judaizmin
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1995
  • Kush do t’i udhëheqë kombet drejt paqes?
    A do të ekzistojë ndonjëherë një botë pa luftë?
  • Një përkthim i Biblës që ndryshoi botën
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1998
Shih më tepër
Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1997
w97 15/4 f. 19-22

Nakmanidi: A e refuzoi ai krishterimin?

EPOKA e Mesjetës. Çfarë të sjell ndër mend? Kryqëzatat? Inkuizicionet? Torturat? Edhe pse nuk qe një periudhë zakonisht e shoqëruar me bisedime të hapura fetare, gjatë asaj periudhe, në vitin 1263, u zhvillua një ndër debatet më të pakrahasueshëm të historisë evropiane, mes të krishterëve dhe judenjve. Kush ishin përfshirë? Çfarë çështjesh u ngritën? Si mund të na ndihmojë sot ai debat, për të identifikuar fenë e vërtetë?

Ç’gjë shkaktoi debatin?

Përgjatë Epokës së Mesjetës, Kisha Katolike e Romës e paraqiti veten si feja e vërtetë. Megjithatë, populli judaik nuk kishte hequr kurrë dorë nga pohimi i tij se ishte populli i zgjedhur i Perëndisë. Paaftësia e kishës për të bindur judenjtë lidhur me nevojën për të ndërruar fe, çoi në zhgënjimin e kishës dhe shpeshherë në dhunë e persekutim. Dhjetëra mijëra judenj u masakruan apo u dogjën në shtyllë gjatë Kryqëzatave, kur u jepej që të zgjidhnin mes pagëzimit dhe vdekjes. Në shumë vende, antisemitizmi i frymëzuar nga kisha ishte rregulli i ditës.

Megjithatë, në Spanjën katolike të shekullit të 12-të dhe të 13-të, mbizotëronte një frymë e ndryshme. Judenjve u ishte dhënë liria fetare, për aq kohë sa ata nuk do të sulmonin besimin e krishterë, madje u ishin dhënë edhe pozita të rëndësishme brenda oborrit mbretëror. Por, pas rreth një shekulli favori të tillë, priftërinjtë dominikanë ndërmorën hapa, për të zvogëluar ndikimin e judenjve në shoqëri dhe për t’i kthyer judenjtë drejt katolicizmit. Mbretit Haime I të Aragonit iu bë presion nga dominikanët, për të organizuar një debat zyrtar, qëllimi i të cilit ishte për të treguar inferioritetin e fesë judaike dhe nevojën që të gjithë judenjtë të ndërronin fenë.

Nuk ishte ky debati i parë mes judenjve dhe të krishterëve. Në vitin 1240, ishte zhvilluar një grindje zyrtare në Paris të Francës. Qëllimi kryesor i saj ishte që ta hidhte në gjyq Talmudin, një libër i shenjtë për judenjtë. Gjithsesi, pjesëmarrësve judenj iu dha pak liri fjale. Pasi kisha shpalli fitoren e saj në këtë grindje, nëpër sheshet publike të Parisit, u dogjën në masë kopje të Talmudit.

Por fryma më tolerante e mbretit Haime I i Aragonit, nuk i la vend një talljeje të tillë. Duke kuptuar këtë, dominikanët provuan një mënyrë të ndryshme të afruari. Siç e përshkruan Kyam Makobi në librin e tij Judaizmi në gjyq (Judaism on Trial), dominikanët i ftuan judenjtë në një debat, «nën pretekstin e mirësjelljes dhe të bindjes, e jo të denoncimit si në Paris». Dominikanët emëruan si përfaqësuesin e tyre kryesor Pablo Kristianin, një jude, i cili ishte kthyer në katolik dhe ishte bërë një prift dominikan. Duke përdorur njohurinë e Pablo Kristianit për Talmudin dhe shkrimet rabinike, dominikanët u ndien të sigurt se mund të provonin çështjen e tyre se Jezui ishte Mesia.

Përse u zgjodh Nakmanidi?

Vetëm një figurë në Spanjë mbajti cilësinë frymore për të përfaqësuar anën e judenjve në debat dhe ky ishte Moisi ben Nakman ose Nakmanidi.a I lindur rreth vitit 1194, në qytetin e Geronës në Spanjë, Nakmanidi ishte dalluar tashmë që në moshën 16 vjeç si një studiues i Biblës dhe i Talmudit. Në moshën 30 vjeç, ai kishte shkruar komente mbi pjesën më të madhe të Talmudit dhe s’kaloi shumë kohë, e ai u bë një zëdhënës i shquar në ndërmjetësimin për zgjidhjen e polemikës mbi shkrimet e Maimonidit, e cila rrezikonte të përçante komunitetin judaik.b Nakmanidi është konsideruar si studiuesi më i madh judaik i Biblës dhe i Talmudit në brezin e tij dhe i dyti ndoshta vetëm pas Maimonidit, për sa i përket ndikimit që pati mbi judaizmin gjatë asaj periudhe.

Nakmanidi ushtroi ndikim të gjerë mbi komunitetin judaik në Kataloni e bile edhe mbreti Haime I u konsultua me të për çështje të ndryshme të shtetit. Aftësitë e tij të mprehta të të menduarit respektoheshin si nga judenjtë, ashtu edhe nga paganët. Dominikanët kuptuan se për të poshtëruar me efektivitet judenjtë, ai, rabini i tyre më i shquar, duhej të debatonte.

Nakmanidi nuk kishte dëshirë të pajtohej me debatin, duke kuptuar se dominikanët nuk kishin ndër mend që të ishin asnjanës. Ai duhej t’u përgjigjej pyetjeve, por vetë nuk mund të bënte asnjë. Megjithatë, ai e pranoi kërkesën e mbretit, duke i kërkuar atij që t’i jepej liri fjale në dhënien e përgjigjeve. Mbreti Haime I pranoi. Një leje e tillë për liri relative fjale nuk kishte ndodhur më parë dhe nuk kishte për të ndodhur më gjatë Mesjetës, një provë e qartë e konsideratës së lartë të mbretit për Nakmanidin. Por Nakmanidi nuk ishte i qetë për një gjë. Nëse do të konsiderohej tepër antagonist në debat, do të kishte pasoja shkatërrimtare si për të, ashtu edhe për komunitetin judaik. Në çdo moment mund të shpërthente dhuna.

Nakmanidi në debat me Pablo Kristianin

Skena kryesore për debatin ishte pallati i mbretit në Barcelonë. U mbajtën katër seanca: 20, 23, 26 dhe 27 korrik 1263. Vetë mbreti drejtoi personalisht çdo seancë, i shoqëruar gjithashtu, nga funksionarë të ndryshëm të lartë të kishës dhe të shtetit, si edhe nga judenj të komunitetit lokal.

Kisha ishte e sigurt për rezultatin e debatit. Në raportin e tyre zyrtar, dominikanët pohuan se qëllimi i debatit ‘nuk ishte ai i kundërshtimit të besimit sikur të ishte një çështje dyshimi, por ai i shkatërrimit të gabimeve të judenjve dhe i heqjes së besimit të sigurt të shumë judenjve’.

Edhe pse gati 70 vjeç, Nakmanidi tregoi aftësinë e tij të kthjellët mendore, duke u përpjekur ta kufizonte bisedën vetëm në çështjet kryesore. Ai filloi me fjalët: «Polemikat [e mëparshme] midis paganëve dhe judenjve, kishin të bënin me shumë aspekte të riteve fetare judaike, mbi të cilat nuk varet parimi themelor i besimit. Megjithatë, në këtë oborr mbretëror, dua të debatoj vetëm për çështje, nga të cilat është kushtëzuar i gjithë debati.» Më pas, u ra në një mendim që temat të kufizoheshin në faktin se nëse Mesia tashmë kishte ardhur apo jo, nëse ai ishte Perëndi apo njeri dhe se kush e kishte ligjin e vërtetë: judenjtë apo të krishterët.

Në argumentin e tij të hapjes, Pablo Kristiani deklaroi se do të provonte nga Talmudi që Mesia tashmë kishte ardhur. Nakmanidi u kundërpërgjigj, duke thënë se nëse kjo ishte e vërtetë, përse rabinët, të cilët e pranuan Talmudin, nuk e pranuan Jezuin? Në vend se t’i përqendronte argumentet e tij mbi arsyetimin e qartë biblik, për t’u vënë një bazë argumenteve të tij, Kristiani iu referua kohës dhe disa herë me radhë fragmenteve të paqarta rabinike. Nakmanidi i hodhi poshtë ato një për një, duke treguar se ishin cituar jashtë kontekstit. Ishte e logjikshme se Nakmanidi mund ta dallonte veten si më kompetent në debatimin e këtyre shkrimeve, të cilave ai u kishte kushtuar një jetë studimesh. Edhe kur Kristiani iu referua Shkrimeve, argumentimi i tij theksonte pika, që kundërshtoheshin me lehtësi.

Edhe pse ishte i kufizuar në dhënien e përgjigjeve, Nakmanidi ishte në gjendje të paraqiste argumente të fuqishme që tregonin se përse pozita e Kishës Katolike ishte e papranueshme si për judenjtë, ashtu edhe për njerëzit e tjerë me arsye. Për sa i përket doktrinës së Trinitetit, ai deklaroi: «Mendja nuk do ta lejojë asnjë jude apo asnjë njeri që të besojë se Krijuesi i qiellit dhe i tokës . . . do të kalonte nga barku i një gruaje judaike . . . dhe më vonë [të ishte] kthyer në duart e armiqve të tij, të cilët . . . e vranë.» Nakmanidi pohoi saktësisht: «Ajo që besoni ju dhe është themeli i besimi tuaj, nuk është e pranueshme për mendjen [racionale].»

Duke nxjerrë në pah një papajtueshmëri, e cila deri më sot i ka penguar shumë judenj, madje edhe që të shqyrtojnë mundësinë se Jezui ishte Mesia, Nakmanidi theksoi fajin ekstrem të gjakut që kishte kisha. Ai tha: «Profeti pohon se në kohën e Mesisë, . . . ata do të farkëtojnë shpatat e tyre në plugje dhe heshtat në drapërinj; kombi nuk do të ngrejë shpatën kundër kombit, as nuk do të mësojnë më luftën. Që nga ditët e Nazareasit e deri më sot, e gjithë bota ka qenë e mbushur me dhunë dhe me grabitje. [Ç’është e vërteta], të krishterët derdhin më shumë gjak se pjesa tjetër e kombeve, e përveç kësaj, bëjnë një jetë imorale. Sa e vështirë do të ishte për ju, imzot mbret dhe për këta fisnikët e tu, nëse ata nuk . . . do të mësonin më luftën!»​—Isaia 2:4.

Pas seancës së katërt, mbreti kërkoi përfundimin e debatit. Nakmanidit ai i tha: «Kurrë nuk kam parë një njeri që të ketë qenë në gabim, e të ketë argumentuar po kaq mirë sa ti.» Duke i qëndruar besnik premtimit të tij, për t’i garantuar Nakmanidit liri fjale dhe mbrojtje, mbreti Haime I i Aragonit e dërgoi atë në shtëpi, duke i dhënë me vete një dhuratë prej 300 dinarësh. Me kërkesë të peshkopit të Geronës, Nakmanidi i bëri një raport me shkrim lidhur me debatin.

Ndërkohë që shpallnin një fitore përfundimtare, ishte e qartë se dominikanët ishin përmbysur. Më vonë, ata hodhën akuza kundër Nakmanidit për blasfemi kundër kishës, duke përdorur si provë shkrimet e tij lidhur me debatin. Të pakënaqur nga trajtimi i favorshëm i Nakmanidit prej mbretit, dominikanët i bënë thirrje papës Klementi IV. Ndonëse mbi 70 vjeç, Nakmanidi u dëbua nga Spanja.c

Ku mund të gjendet e vërteta?

A ndihmuan argumentet e cilësdo palë, për të identifikuar fenë e vërtetë? Ndërsa theksonte secila gabimet e palës tjetër, asnjëra prej tyre nuk paraqiti mesazhin e qartë të së vërtetës. Ai që Nakmanidi e kundërshtoi me kaq mjeshtëri, nuk ishte krishterimi i vërtetë, por përkundrazi, doktrina e bërë nga njerëzit, si ajo e Trinitetit, e shpikur nga i ashtuquajturi krishterim në shekujt pas Jezuit. Sjellja imorale dhe gjakderdhja e paarsyeshme e të ashtuquajturit krishterim, të nxjerra në shesh me kaq guxim nga Nakmanidi, janë, gjithashtu, çështje të pakundërshtueshme të regjistruara në histori.

Nuk është e vështirë të kuptohet se përse nën këto rrethana, Nakmanidit dhe judenjve të tjerë nuk iu ngulitën në mendje argumentet në favor të krishterimit. Veç kësaj, argumentet e Pablo Kristianit nuk ishin bazuar mbi arsyetimin e qartë nga Shkrimet Hebreje, por mbi burime rabinike të aplikuara në mënyrë të paaftë.

Në të vërtetë, Nakmanidi nuk e refuzoi krishterimin e vërtetë. Në kohën e tij, drita e vërtetë e mësimeve të Jezuit dhe provat se ai ishte Mesia, ishin errësuar nga përfaqësime të rreme. Shfaqja e këtyre mësimeve apostate, faktikisht ishte profetizuar nga Jezui dhe apostujt.​—Mateu 7:21-23; 13:24-30, 37-43; 1. Timoteut 4:1-3; 2. Pjetrit 2:1, 2.

Sidoqoftë, feja e vërtetë identifikohet qartë sot. Për ithtarët e tij të vërtetë Jezui tha: «Ju do t’i njihni nga frytet e tyre. . . . Kështu, çdo dru i mirë jep fryte të mira; por druri i keq prodhon fryte të këqija.» (Mateu 7:16, 17) Ne të ftojmë për ta bërë këtë identifikim. Jepu mundësi Dëshmitarëve të Jehovait që të të ndihmojnë për të ndërmarrë një shqyrtim objektiv të provave biblike. Në këtë mënyrë, do të mësosh domethënien e vërtetë të të gjitha premtimeve të Perëndisë, që kanë të bëjnë me Mesinë dhe sundimin e tij.

[Shënimet]

a Shumë judenj i referohen Nakmanidit si «Ramban», një akronim hebraik i formuar nga germat e para të fjalëve «Rabi Moisi Ben Nakman».

b Shiko artikullin «Maimonidi: Njeriu që ripërcaktoi judaizmin», në Kullën e Rojës së 1 qershorit 1995, faqet 20-23.

c Në vitin 1267, Nakmanidi mbërriti në vendin që tani njihet si Izraeli. Vitet e fundit të jetës së tij, ishin plot me arritje. Ai rithemeloi prezencën judaike dhe një qendër studimi në Jerusalem. Gjithashtu, ai përfundoi një komentues mbi Torën, pesë librat e parë të Biblës dhe u bë kreu frymor i komunitetit judaik në qytetin bregdetar verior të Akres, ku edhe vdiq në vitin 1270.

[Figura në faqen 20]

Nakmanidi e argumentoi rastin e tij në Barcelonë

[Burimi i figurës në faqen 19]

Ilustrimet në faqet 19-20: Riprodhuar nga Illustrirte Pracht - Bibel/​Heilige Schrift des Alten und Neuen Testaments, nach der deutschen Uebersetzung D. Martin Luther’s

    Botimet shqip (1993-2025)
    Shkëputu
    Hyr me identifikim
    • shqip
    • Dërgo
    • Parametrat
    • Copyright © 2025 Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania
    • Kushtet e përdorimit
    • Politika e privatësisë
    • Parametrat e privatësisë
    • JW.ORG
    • Hyr me identifikim
    Dërgo